Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

Baba Hekurani i Teqesë së Frashërit, çdo ceremoni e mbyll me fjalët “Rroftë Shqipëria”!

$
0
0

-Teqeja e Frashërit është një nga kryeqendrat e Bektashizmit dhe atdhetarizmit… Vëllezërit Frashëri: Abdyli, Naimi dhe Samiu, shkuan e mësuan në shkollën e “Teqesë së Frashërit”/

-Baba Hekurani i Teqesë së Frashërit, Alipostivanit dhe Përmetit çdo ceremoni e mbyll me fjalët “Rroftë Shqipëria”!/

– Teqenë e Frashërit, Mihal Gramenua e ka quajtur “Shkollë të Madhe Kombëtare të Shqipërisë”/

– Teqeja e Frashërit u ndërtua në prill 1781 nga Sulejman Beu, nga trungu i familjes së Sulejmanbejllinjëve të Frashërit/

-“Po të nderojë njeriu-njeriun, e ka nderuar Perëndinë” dhe se “Njerëzia është Perëndia”, – thotë Naim Frashëri/

– Kur Teqeja drejtohej nga Baba Alushi nga lagjja e Kasollarëve të Frashërit, në Teqe fliteshin 6 gjuhë: shqipja, persishtja, arabishtja, osmanishtja, greqishtja dhe vllahishtja

-“Naim Frashëri, Sami Frashëri dhe Abdyl Frashëri… janë emblema të Bektashizmit dhe njëkohësisht të patriotizmit”, – ka shkruar Kryegjyshi Botëror i Bektashizmit, Haxhi Baba Edmond Brahimaj

– Në dhjetor 1907 dhe në korrik 1908 në Teqenë e Frashërit ka qëndruar për disa ditë çeta e Çerçiz Topullit

– Teqeja u dogj më 6 maj 1914 nga andartët dhe ushtria pushtuese e Greqisë, dhe u rindërtua më 1923 me ndihmën e shqiptarëve të SHBA

– Dede Reshat Bardhi është një mal hyjnor, ishte i dërguari i Imam Aliut

Nga  Prof. Kastriot Bezati& Albert Z. ZHOLI

Shpalosja e flamurit të kuq, me shqiponjën e zezë me dy krerë

Ngritja e simbolit të kombit dhe të shtetit, shpalosja e flamurit të kuq me shqiponjën e zezë me dy krerë, para çdo institucioni të Bektashizmit dhe parimi i tij kryesor se, “Pa Atdhe nuk ka Fe”, flasin qartë se bektashinjtë më shumë se çdo gjë duan Atdheun, duan Shqipërinë. Naim Frashëri, shenjtori i njerëzisë, poeti dhe profeti i shqiptarëve dhe Shqipërisë, autori i vargut më të dashur të shqiptarëve brenda e jashtë Shqipërisë, “Ti Shqipëri më ‘ep nder, / Më ‘ep emrin Shqiptar”, në “Fletoren e Bektashinjve”, shkruan: “Besë e Bektashinjve është udhë e gjerë, që ka përpara dritën, urtësinë, vëllazërinë, miqësinë, dashurinë, njerëzinë dhe gjithë mirësitë. Më një anë ka lulet e diturisë, në anën tjetër të së vërtetës”. Dhe më poshtë Naimi, mendimtari dhe edukatori i kombit, shkruan se bektashinjtë “duan si shpirtin e tyre dhe të tjerët, myslimanë e të krishterë dhe shkojnë mirë e bukur me gjithë njerëzinë. Po më shumë duan Mëmëdhenë dhe mëmëdhetarët, që kjo është më e mira nga gjithë të mirat”. Këto virtyte njerëzore janë të pranishme te figura e bektashiut dhe atdhetarit Hekuran Fejzo Nkollarit, i cili me Dekretin e Shenjtë Nr. 7 datë 29.12.2009 të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, shenjtorit Haxhi Dede Reshat Bardhit, iu dha titulli Baba dhe u emërua Baba i Teqesë së “Baba Nasibiut” të Frashërit, të Teqesë së “Baba Aliut” në Alipostivan dhe të Teqesë së “Baba Xhaferit” në qytetin e Përmetit. “Haxhi Dede Reshat Bardhi në fytyrë ka patur dritë hyjnore, që shprehte bukurinë e brendshme dhe të jashtme, si dhe mirësinë e njerëzimit. Dede Reshat Bardhi është një mal hyjnor, ishte i dërguar i Imam Aliut”, – thotë Baba Hekurani. Dhe më poshtë ai vazhdon: “Në bektashizëm ka vetëm vëllazëri”, – na thoshte Haxhi Dede Reshat Bardhi.

 

Jetëshkrimi

Baba Hekurani u lind më 7 shtator 1963 në Seniçan. I ati, Fejzo Nikollari, ishte nga Seniçani, ndërsa e ëma, Vezire Zoto, ishte nga Borocka, të dy fshatra të trevës së Përmetit. Ishin 9 fëmijë, Skënderi, Bukuria, Vikua, Ruzia, Alia, Myneveri, Hajria, Shyqyriu dhe Hekurani. U rritën ata përmes halleve, por me dashurinë e madhe të prindërve, të cilët u dhanë ndershmërinë, mirësinë, arsimin, urtësinë, dashurinë për Shqipërinë. Vitet shtynë njëri tjetrin dhe erdhi një ditë dhe i ati, Fejzua, u nda nga jeta më 1985, ndërsa e ëma, Veziria, u nda nga jeta më 2010. Baba Hekurani kreu shkollën fillore dhe shkollën 8-vjeçare “Riza Velçishti” në Seniçan, më tej filloi shkollën e mesme “Kamber Bënja” në Bënje, por pas 2 vitesh, i detyruar nga vështirësitë ekonomike të familjes, e ndërpreu shkollën dhe filloi punën në kooperativën e Mërtinjit, pastaj në Bonifikimin e Përmetit, në Ndërmarrjen e Ujërave Këlcyrë, në Shfrytëzim – Përpunimin e Drurit të Përmetit. Më 1992 emigroi në Greqi, ku punoi në punë të ndryshme në Trikalla, në Athinë, në Lamia, në ishullin Evia ose Kolkidha, në Larisa. Më 2000 u kthye në atdhe, në Seniçan. E ktheu ndërgjegjja kombëtare dhe idetë atdhetare dhe bektashiane të Dede Reshat Bardhit dhe të Baba Aliut të Alipostivanit. Në Seniçan rindërtoi Mekamin në vendin e quajtur “Ahuri i Nakove”, i cili edhe sot quhet “I miri i Nakove”. “Më 22 mars 2001 shkova në Alipostivan. S’kishte as teqe, as turbe. Ekzistonin vetëm si emër. Familja e parë ku unë u mbështeta ishte ajo e Refat Hasimit, djalit të dëshmorit të LANÇ-it, Dule Hasimit dhe nipit të dëshmorit të viteve 20 të shekullit XX, Bilal Alipostivanit. Refati është dhe ustai, i cili së bashku me Demir Elmazin dhe besimtarët e Alipostivanit, ngritën Tyrben e Baba Horasanit”, – thotë Baba Hekurani. Nuk kaloi as një vit dhe, më 04.04.2002, pasi qëndroi disa ditë pranë Selisë së Shenjtë në Tiranë, Haxhi Dede Reshat Bardhi, i veshi rrobën e bektashiut. U emërua dervish në Teqenë e Baba Ali Horasanit të Alipostivanit dhe, në periudhat e ngrohta, kryente edhe shërbime në Teqenë e Kulmaktut të Malit të Tomorit. Këshilli i Bashkisë së Poliçanit, “Për kontributin e veçantë në harmoninë fetare, përkushtimin dhe shenjtërimin e Sektit të Bektashizmit në Teqenë e Kulmakut, pasurinë shpirtërore të besimtarëve Bektashinj dhe ndihmën e të varfërve të qytetit të Poliçanit”, i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi”.

 

 Në vitet 2007–2009 emërohet dhe punon si dervish në Teqenë e Frashërit

“Teqeja e Frashërit është një nga kryeqendrat e bektashizmit dhe atdhetarizmit… Vëllezërit Frashëri, Abdyli, Naimi dhe Samiu, shkuan e mësuan në Shkollën e Teqesë së Frashërit, kur Baba i Teqesë ishte Baba Alushi… Teqenë e Frashërit Mihal Gramenua e ka quajtur “Shkollë të Madhe Kombëtare” të Shqipërisë”, – tha ndër të tjera Baba Hekurani në kumtesën e tij të mbajtur në Konferencën Shkencore me temë “Frashri vatër e pavdekshme e atdhetarizmit në Shqipëri”, organizuar në Frashër më 25 maj 2014. Frashëri gjatë ecurisë historike ka lindur aq shumë figura historike sa është vështirë të krahasohet me një hapësirë të dytë gjeografike me të njëjtat përmasa, qoftë kjo hapësirë brenda apo jashtë Shqipërisë. Emri i Frashërit nuk ka kufij gjeografike dhe vepra e doktrinarëve të mëdhenj të kombit, Vëllezërve Frashëri, Abdylit, Naimit e Samiut, janë Bibla dhe Kurani i shqiptarëve dhe Shqipërisë. “Naim Frashëri, Sami Frashëri dhe Abdyl Frashëri… janë emblema të bektashizmit dhe njëkohësisht të patriotizmit”, – ka shkruar Kryegjyshi Botëror i Bektashizmit, Haxhi Baba Edmond Brahimaj.

Ndërtimi

Teqeja e Frashërit u ndërtua më 1781 nga Sulejman Beu nga trungu i familjes së Sulejmanbejllinjëve të Frashërit në tokat e dhuruara nga Jaup Bej Selenica. Tahir Skënderasi apo Baba Nasibiu, nga lagjja Skënderas e Frashërit, e hapi Teqenë apo ndoshta u bë drejtuesi i Teqesë në vitin 1785 dhe ky vit është edhe viti i ngritjes së shkollës në Teqenë e Frashërit. Në mesin e shekullit të XVIII, kur Teqeja drejtohej nga Baba Alushi, nga lagjja e Kasollarëve të Frashërit, në Teqe fliteshin 6 gjuhë: shqipja, persishtja, arabishtja, osmanishtja, greqishtja dhe vllahishtja. Gjuha bazë në këtë shkollë ishte shqipja, veçse kjo shkruhej me alfabetin arab. Në Frashër, dëshmitë e shkrimit shqip lidhen me poemat e Nasibi Tahir Babait në hapësirën kohore 1785 – 1827 dhe më pas me librat e vëllezërve bektashinj Dalip e Shahin Kaso Frashëri, i pari me veprën “Hadikaja” (1842), i dyti, me veprën “Muhtarnameja” (1868). Ngjarje madhore që u zhvilluan në Teqenë Bektashiane të Frashërit janë edhe dy Kuvendet Ndërkrahinore të Frashërit, i pari, u mbajt në maj të 1878-ës, i dyti në qershor të 1880-ës. U drejtuan nga Abdyl Frashëri dhe Baba Alushi dhe janë ndoshta këta dy kuvende të mëdha atdhetare, mbi të cilat populli ngriti këngën “Alush Babai me shenjtëri, Abdyl Beu me dituri, përpiqen për Shqipëri”.

Teqeja në vitet 1908-1912 u bë jatak dhe vatër e fuqishme e çetave të lirisë së Shqipërisë.

Në këto vite drejtues i Teqesë ishte Baba Abedin Ibrua nga Backa e Skraparit. “Baba Abedini përmbledh virtytet më të larta… Me mirëbërësin e tij e ka fituar simpatinë e gjithë popullit, muhamedanë e të krishterë”, – ka shkruar Mihal Gramenua.. Në dhjetor 1907 dhe në korrik 1908 në Teqenë e Frashërit ka qëndruar për disa ditë çeta e Çerçiz Topullit. Teqeja dha ndihmesë të madhe dhe, nën kujdesin e Baba Abedinit, në tokën e Karfil Halil Frashërit, u hap Mësonjtoria Shqipe e Frashërit nga mësuesi Hasan Hoxhë Efendiu nga Sanjollasi i Kolonjës. Teqeja i jepte një rëndësi të madhe hapjes së shkollave shqipe jo vetëm në Frashër, por në gjithë trevën e Përmetit. Udhëhiqej nga idetë e Vëllezërve Frashëri. “Në qoftë se do të korrësh pas një viti mbill grurë, po do që të korrësh pas një shekulli ngri shkolla”, – thoshte Sami Frashëri. Në vitet e LANÇ-it, nga 28 deri më 30 janar 1944 dhe më 19 e 20 maj 1944 në Teqenë e Frashërit, të drejtuar në ato vite nga Baba Abaz Hilmi Elezi, kanë qëndruar së bashku dy klerikë të lartë, njëri bektashi, Baba Abazi, tjetri ortodoks, At Pais Vodica, të cilët më vonë do të jenë: Abaz Hilmi Dede – Kryegjyshi i Kryegjyshatës Botërore të Bektashizmit (1945-1947) dhe At Paisi Vodica – Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë (1948-1966).

Teqeja u dogj më 6 maj 1914

Teqeja u dogj më 6 maj 1914 nga andartët e ushtria pushtuese e Greqisë dhe u rindërtua më 1923 me ndihmën e shqiptarëve të SHBA. U mbyll më 1967 nga monizmi dhe u rihap më 15 tetor 1997. Në hapësirën e viteve 1994 – 2005 u rikonstruktuan Portiku dhe Tyrbet e Tahir Nasibiut dhe Baba Mustafait, u ringrit Tyrbia e Baba Alushit dhe u ribë çatia e Ndërtesës së Sipërme të Teqesë nga mirëbërësit Përparim Skënderi, Shpëtim Bega dhe Asllan Bora. Baba Hekurani, në vitet 2007-2009 (si dervish) dhe në vitet 2010-2016 (si baba) ka bërë një punë të madhe për rikonstruksionin e dy ndërtesave të Teqesë si dhe në rregullimin e mjedisit përreth Teqesë. “Dervish Hekurani ka bërë përpjekje të mëdha për të mbajtur të hapur dhe për të restauruar Teqenë … Kur vete në Frashër ose në fshatrat e krahinës së Dangëllisë të shumtë janë njerëzit jo vetëm besimtarë, por edhe dashamirës të bektashizmit, të cilët flasin me admirim për punën e Dervish Hekuranit”, – ka shkruar Orhan Frashëri, veteran i LANÇ-it. Në hapësirën kohore, 1781 – 2016, Teqeja e Frashërit është drejtuar nga 14 baballarë: Baba Tahir Skënderasi – Nasibiu, Baba Jusuf Skënderasi, Baba Alush Frashëri, Baba Hysen Skënderasi, Baba Abedin Ibro, Baba Sheme Skënderasi, Baba Mustafa Qerezi, Baba Murat Skënderasi, Baba Abaz Hilmiu, Baba Mete Zyka, Baba Sherif Canometi, Baba Selim Kalicani, Baba Xhemal Shkëmbi, Baba Hekuran Nikollari. “Hekuran Nikollari, … që me shumë dashuri dhe energji po vazhdon të ringrejë Teqenë e Frashërit, Teqenë e Nasibiut, na tha: “Frashëri do të ringjallet, si mbijnë filizat e rinj të bimëve nga toka. Pa Frashërin nuk ka komb Shqiptar”, – shkruajnë dy vëllezërit, profesorët Alfred dhe Neki Frashëri në librin “Frashëri në Historinë e Shqipërisë”, Tiranë, 2007.

Kontributi i lartë

Baba Hekuranit, “Për kontributin e lartë në ringritjen e institucionit të kultit Bektashian në rrethin e Përmetit veçanërisht të Teqesë së Nasibiut në Frashër, për punën e madhe në ringjalljen e besimit bektashian duke fituar besimin, respektin dhe dashurinë e gjithë popullit të Dangëllisë si një klerik i veçantë i Bektashizmit”, iu dha Titulli “Nderi i Frashërit” nga Këshilli i Komunës së Frashërit (Vendimi Nr.19 datë 21.03.2015). Teqeja e Alipostivanit ngrihet në një kodër te bukur mbi fshatin Alipostivan, në një pikë dominuese prej nga shikon si në pëllëmbë të dorës Luginën e Vjosës deri në majën e malit Nemërçkë. Është një super-teqe, ku toka prek qiellin e qielli zbret në tokë, përballë malit të Dhëmbelit. Është ndërtuar në vitin 1767, e dhëne kjo që na jepet edhe nga materialet e Muzeut të Odeonit në Selinë e Shenjtë, ngritur më 07.09.2015. Gati një shekull më vonë, më 1857, në krye të Teqesë vjen Baba Aliu, i cili i dha edhe emrin e tij Teqesë së Alipostivanit. Mbas Baba Ali Horasanit, në Teqe, kanë shërbyer Baba Abdullai, Baba Meleq Pasho, Baba Hysen Bobe, Baba Nazif Bega, Baba Hajdar Hodo.

Djegia e Teqesë

Teqeja është djegur më 1870 dhe më 1914, herën e parë nga pushtuesit turq të Portës së Lartë dhe herën e dytë nga andartët grekë e ushtria pushtuese e Greqisë. Nga tërësia e luftimeve për liri e mbrojtjen e Atdheut, veçojmë: betejën e zhvilluar në Nivie të Pagrisë më 07.07.1911 dhe betejën e zhvilluar në Qafën e Qivurit dhe Kodrën e Teqesë në Alipostivan më 18.05.1914. E para u zhvillua nga çetat atdhetare të Shqipërisë së Jugut kundër pushtuesve të Portës së Lartë, ku ra heroikisht komandanti i çetës atdhetare të Delvinës, Nazif Hadëri nga Palavlia e Sarandës. Populli, me kërkesën e nën kujdesin e Baba Abdullait, e mori trupin e dëshmorit dhe e varrosi me nderime pranë Teqesë së Alipostivanit dhe, më vonë, e rivarrosën po me nderime në Përmet. E dyta, u zhvillua nga çeta atdhetare e Bilal Alipostivanit kundër andartëve e ushtrisë pushtuese të Athinës. Kosta Papa Tomori, prift, në librin “Masakrat Greke në Shqipëri”, ndër të tjera shkruan: “Në Lipostivan qe trimi me fletë Bilal Lipostivani, i cili nga Teqeja po luftonte kundër 300 vetash …Kapedan Manoli një gjiritas, u derdh ta zinte të gjallë Bilalin po nuk arriti se plumbi i Bilalit e gjeti në ballë dhe kafshoi dhenë”. Bilali, pas një beteje të ashpër, ku u vranë 44 armiq, u plagos rëndë dhe vdiq pas 6 ditësh në Berat. Teqeja u rindërtua më 1920. U mbyll nga monizmi më 1967 dhe u rihap nga demokracia më 2003. Ndërtesa e re u ndërtua ne vitet 2004 – 2010. U projektua nga arkitekti Agron Ibrahimi dhe inxhinieri Dashnor Hodo, të dy nga Përmeti. Konstruktor ishte Anila Hasanaj nga Vlora. U ndërtua nga Safet Çapoku, teknik ndërtimi me specialistë e punëtor nga qyteti i Përmetit. Edhe sot, në mjediset e jashtme të Teqesë, punohet dhe është në përfundim “Ndërtesa trekatëshe”, në mjediset e brendshme të së cilës ndër të tjera do të jenë: Salla e “Veprimtarive Kulturore e Shkencore”, Biblioteka, Menxa, Hoteli (me disa dhoma) për vizitorët e shumtë që vijnë në Teqe nga e gjithë Shqipëria. Ndërtesa është projektuar nga Haxhi Musai e Alban Elmazi dhe po realizohet nga vëllezërit Alban dhe Ermir Elmazi. Në krye të punëve për ngritjen e ansamblit arkitekturor të ndërtesave të Teqesë, ka qenë dhe është njeriu i mendjes dhe i punës Baba Hekurani. “Baba Hekurani ka një kulturë dhe informacion të jashtëzakonshëm, jo vetëm për historinë e besimit, por edhe për historinë në tërësi, për problemet shoqërore e, mbi të gjitha, mbart në vetvete një dashuri të madhe për kombin, lexon vazhdimisht dhe kërkon që biblioteka e teqesë të pasurohet përherë me sa më shumë libra”, – shkruajnë studiuesit Nuri Dragoi e Luan Nikollari.

Teqeja e Baba Xhaferrit

Teqeja e Baba Xhaferrit në Përmet është themeluar më 1861 nga Bektash Babai, i ndihmuar nga Ali Haqi Babai i Gjirokastrës. Nuk kemi të dhëna nëse kjo teqe është apo jo Teqeja për të cilën na flet kronikani osman Evlija Çelebi, i cili shkruan se më 1670 ngrihej një teqe në Përmet, ndaj po i referohemi vitit 1861. Baba Xhemali dha kontribute në Shpalljen e Pavarësisë. Baba Abedini i Frashërit dhe Baba Xhemali i Përmetit organizuan mbledhjen e jashtëzakonshme më 28 nëntor 1912 në Përmet, e cila mandatoi Mit’hat Abdyl Frashërin si delegat të Përmetit në Kuvendin Historik të Vlorës (28.11 – 07.12.1912). Më vonë në krye të Teqenë e Përmetit vjen Xhafer Sadik Baba nga Gjirokastra. Ai u bë edhe Dede, Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, i cili drejtoi punimet e Kongresit IV Bektashian. Në janar të vitit 1930, Sali Njazi Dedeja, i cili u largua nga Turqia dhe erdhi në Shqipëri, për të ngritur Qendrën e Kryegjyshatës Botërore të Bektashizmit, u prit në Sarandë edhe nga Baba Xhaferi i Teqesë së Përmetit dhe Baba Kamber Pagria, në atë kohë Baba i Teqesë së Prishtës, të cilët edhe e shoqëruan në rrugën Sarandë-Tepelenë-Përmet-Leskovik-Ersekë-Korçë. Sali Njazi Dedeja, Kryegjyshi Dëshmor i Atdheut, (vrarë në Tiranë nga pushtuesit fashist italian më 28.11.1941), qëndroi një natë në Sukë dhe disa orë në Përmet. Teqeja e Përmetit është drejtuar edhe nga Baba Sabriu, Baba Barjami dhe Baba Zeneli. Teqeja u mbyll nga monizmi më 1967 dhe u rihap nga demokracia më 11.10.1991, që është edhe dita e parë e rihapjes së bektashizmit në Përmet. Bektashizmi shpall dashurinë për njerëzit. “Po të nderojë njeriu njeriun, e ka nderuar Perëndinë” dhe se “Njerëzia është Perëndia”, – thotë Naim Frashëri, i cili i ka kënduar edhe Jezu Krishtit (në poezinë e tij “Përpara Krishtit”), ashtu si i ka kënduar Abaz Aliut. Morali, Dituria dhe Atdhetarizmi mishërohen apo trupëzohen më së miri në figurën e Baba Hekuranit, i cili është një misionar sa i dukshëm dhe i padukshëm, sa tokësor aq edhe qiellor, i së mirës, i së vërtetës, i së drejtës, i diturisë, misionar i unitetit ndërfetar dhe mbi të gjitha i atdhedashurisë në Shqipëri.

      Bektashizmi qëndron brenda Atdhedashurisë

“Aq e madhe ka qenë ndjenja e atdhedashurisë, sa Naim Frashëri edhe perëndinë e bën shqiptare. Ai thotë se “në malet e Shqipërisë atje rrojnë perënditë”. Madje për Naim Frashërin dhe për gjithë bektashinjtë edhe “Abaz Aliu zu Tomorë”, domethënë nga Fusha e Qerbelasë erdhi në Tomor”, – thotë Dritëro Agolli. Në Simpoziumin Kombëtar të Vlorës, mbajtur më 28 tetor 2015, organizuar nga Kryegjyshata Bektashiane, Baba Hekurani në trajtesën e vet ndër të tjera tha: “Qerbelaja është fusha ku u masakrua Imam Hyseni, djali i lavdishëm i Imam Aliut…Në fushën e Qerbelasë, heroike është vdekja e djalit trim, kalorësit legjendar, birit të Imam Hysenit, Abaz Aliut …Abaz Aliu, dëshmori i Qerbelasë, erdhi dhe gjeti prehje tek mali ynë i shenjtë, në malin e Tomorit”. “Baba Hekurani është një model, një shërbyes i idealit dhe besimit të sektit bektashian, një shembull dhe udhëheqës për cilindo… Një sekt apo institucion fetar, arrin rezultatet e pritshmëritë e dëshiruara vetëm atëherë kur punon si Baba Hekurani”, – ka shkruar gazetari e studiuesi, drejtori i BBF, Fejzo Subashi. “Kush bën mirë, është më i mirë se vetë e mira”, – ka thënë Imam Aliu. I tillë është edhe Baba Hekurani, është më i mirë se vetë e mira.. “Baba Hekurani udhëhiqet nga atdhedashuria, e vërteta, dashuria dhe ligji… nga dashuria për të gjithë njerëzit, respekton besimet e ndryshme fetare duke qenë njëherësh tolerant dhe për marrëdhënie të mira mirëkuptimi vëllazëror ndërfetar brenda e jashtë trevës së Përmetit”, – shkruajnë historianët Pëllumb Xhufi, Albert Frashëri, Laurant Bica, Myslim Islami, fabulisti Gjikë Kurtiqi dhe muzikologu Naxhi Kasoruho. “Kur të pyet Baba Hekurani, na duket sikur Zoti vetë na bën intervistë… Kemi foto me presidentë, kryeministra, ministra e deputetë, por fotoja me Baba Hekuranin padyshim do të jetë me një nga njerëzit më të rëndësishëm në jetë. Nga Teqeja e Alipostivanit na duket sikur shohim gjithë Shqipërinë”, – shkruan gazetari, analisti e studiuesi Roland Qafoku. Baba Hekurani ka hyrë edhe në këngën e popullit. Grupi folklorik “Djemtë e Vlorës”, këndon: “Buron kënga për ca burra, / Që i ka ëndërr vatani, / Po del një në njëmijë burra,/ Baba Dervish Hekurani”. Baba Hekurani është sot një kalorës i madh i Bektashizmit dhe një Atdhetar i madh i Shqipërisë.

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>