Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

Speciale e DIELLI-it: Ndodhi edhe në Kosovë gjenocidi, si në Srebrenicë

$
0
0

Presidenti Thaçi: Masakra e Srebrenicës, 24 vjet më parë, rikthej tragjedinë e Luftës së Dytë Botërore – të popullvrasjeve masive…Regjim vrastar serb vazhdoi masakrat edhe në Kosovë në vitet 1998-1999/

-Kryeparlamentari Veseli: Serbia do të përgjigjet për gjenocidin në Kosovë, siç është përgjigjur për gjenocidin në Srebrenicë. Kjo është e pashmangshme/

-Qeveria e Kosovës, një minutë heshtje në nderim dhe respekt të viktimave në 24 vjetorin e Masakrës së Srebrenicës. Kryeministri Haradinaj: Bota asnjëherë nuk duhet të heshtë karshi asnjë gjenocidi, viktimë e së cilës ishin populli kosovar dhe ai boshnjak/

 -Në korrik të vitit 1998 raportoja: Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica…Presidenti Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën/

-Eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Gruda: Në Kosovë kanë ndodhur krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe akte gjenocidi të forcave serbe kundër shqiptarëve/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 11 Korrik 2019/ Masakra e Srebrenicës e para 24 viteve përkujtohet edhe në Kosovë, ku po ashtu bënë masakra, spastrim etnik e gjenocid forcat serbe të Slobodan Milosheviçit, i cili pas ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s, të para mëse 20 viteve, në zhvillimet e mëtejme në rajon ka përfunduar në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përkujton se, Masakra e Srebrenicës, 24 vjet më parë, rikthej tragjedinë e Luftës së Dytë Botërore – të popullvrasjeve masive. “Ky gjenocid i urdhëruar nga regjimi i Millosheviçit, ku u vranë rreth 8 mijë njerëz, ishte edhe një paralajmërim se deri në çfarë mase mund të shkonte çmenduria e regjimit serb. Me të njëjtën logjikë, ky regjim vrastar vazhdoi masakrat edhe në Kosovë në vitet 1998-1999. Është fatkeqësi që edhe pas dy dekadave, kriminelët serbë, autorë të këtyre krimeve makabre në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë, nuk janë dënuar nga drejtësia ndërkombëtare. Sot, 24 vjet pas masakrës së Srebrenicës, me dhimbje të madhe i kujtojmë tmerret që ndodhën atje”, është shprehur presidenti Thaçi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shkruar: “Sot, në përvjetorin e 24-të, ne i bashkohemi përkujtimit të masakrës së Srebrenicës, një prej krimeve më mizore në Europën e pasluftës së dytë botërore. Kjo masakër nuk ishte as fillimi dhe as fundi i krimeve të regjimit të atëhershëm serb. Vetëm tre vjet pas Srebrenicës, të njëjtat pamje të mizorisë u shfaqën në fshatrat dhe qytetet e Kosovës. Dhe ndonëse kanë kaluar dekada, drejtësia ende nuk është vendosur, por koha nuk e zhvlerëson krimin dhe as drejtësinë. Serbia do të përgjigjet për gjenocidin në Kosovë, siç është përgjigjur për gjenocidin në Srebrenicë. Kjo është e pashmangshme”.

QEVERIA E KOSOVËS, NJË MINUTË HESHTJE NË 24 VJETORIN E MASAKRËS SË SREBRENICËS

Në fillim të mbledhjes së 110-të, pasditën e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka mbajtur një minutë heshtje në nderim dhe respekt të viktimave në 24 vjetorin e Masakrës së Srebrenicës.

Me rastin e 24 vjetorit të Masakrës së Srebrenicës, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim përfaqësues të komunitetit boshnjak në Kosovë – ministrin e Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, deputeten e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje dhe ish-deputetin Xhezair Murati.

Kryeministri Haradinaj, me këtë rast, në emër të popullit të Kosovës, shprehu nderimin dhe respektin që ka për viktimat, duke theksuar se populli i Kosovës gjithmonë do të ndajë dhimbjen me popullin boshnjak.

“Edhe në Kosovë ka pasur masakra shumë të rënda, të kryera nga regjimi i egër i Millosheviçit, për të cilat ende ndjejmë dhimbje të madhe”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Masakra në Srebrenicë dhe masakrat e tjera masive në Ballkan, mbeten njolla të pa shlyera në ndërgjegjen e njerëzimit, derisa nuk vendoset drejtësia e munguar.

Kryeministri Haradinaj, theksoi gjithashtu se bota asnjëherë nuk duhet të heshtë karshi asnjë gjenocidi, viktimë e së cilës ishin populli kosovar dhe ai boshnjak.

Nga ana e tyre, ministri Demiri, deputetja Balje dhe ish-deputeti Murati, falënderuan kryeministrin Haradinaj për pritjen dhe respektin që ai ka në vazhdimësi për komunitetin boshnjak dhe që bashkëndjen me dhimbjen për viktimat e Srebrenicës, masakër kjo më e madhja në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

NË KORRIK TË VITIT 1998 RAPORTOJA: NË KOSOVË PO NDODH BOSNJA, NË RAHOVEC PO NDODH SREBRENICA

 “Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica”, kam raportuar për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë para 21 vitesh, në korrik të vitit 1998.

Në Kosovë, si në shumë fshatra e qytete, edhe në qytetin e Rahovecit ndodhën masakra të forcave serbe kundër civilëve shqiptarë. Para 21 viteve, në 19 korrik të vitit 1998, si pasojë e një sulmi të forcave serbe, në Rahovec pati shumë të vrarë e të plagosur. Edhe në Tehqen e Sheh Myhedinit janë masakruar shumë gra, fëmijë dhe pleq që kishin kërkuar strehim në këtë institucion fetar.

Te vendi i quajtur “Tuba” u gjetën të masakruar dy profesorë si dhe gjashtë trupa të karbonizuar, identiteti i të cilëve nuk u mësua. Gjithsej u regjistruan 150 persona të vrarë.
Dëshmitarët që kishin arritur t’i shpëtojnë këtij krimi kanë treguar se ushtria, policia dhe paramilitarët serbë kanë ekzekutuar civilë shqiptarë arbitrarisht.

Gjatë kësaj ofensive u morën peng, u rrëmbyen e u zhdukën shumë shqiptarë, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë. Organet e pushtetit okupues serb në Prizren, më 22 korrik 1998, në varrezat e këtij qyteti hapën dy gropa të mëdha dhe groposën shumë shqiptarë të vrarë gjatë ofensivës në Rahovec.

Në raportimet për situatën në Rahovec para 21 viteve, në 23 korrik në raportin me titull “Shqiptarët e vrarë janë varrosur në dy varreza masive” bëja të ditur se, “forcat serbe kanë hapur, të mërkuren, me eskavator dy varre të perbashketa dhe kanë groposur kufomat e mbledhura nëpër rrugët e qytetit të Rahovecit, afro një orë para
ardhjes në qytet të gazetarëve dhe diplomatëve të huaj. Sipas KMLDNJ (Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut) forcat serbe kanë vrarë mbi 50 shqiptarë, ndërkohë që nuk janë identifikuar ende shumë të vrarë e të masakruar, që kanë mbetur nëpër rrugë, shtëpi, bodrume dhe fusha.
Burime të LDK-së (Lidhjes Demokratike të Kosovës) në Rahovec besojneë se janë qindra civilë të vrarë, të masakruar, të djegur dhe të plagosur. Shtypi i Kosovës dhe burime të tjera masakren e kryer nga forcat serbe në Rahovec e krahasojnë me Srebrenicën.”

24 KORRIK 1998: RUGOVA KËRKON MBROJTJE NDËRKOMBETARE PËR KOSOVËN


Ndërsa, në 24 korrik 1998 me titullin “Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën”  raportoja: “’Në Kosovë gjendja vazhdon të jetë e rrezikshme, çdo ditë ka sulme të policisë dhe ushtrisë serbe. Ky është një spastrim i egër etnik, që ka filluar në Kosovë’, tha të premten para gazetarëve në Prishtinë Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova. Kerkojmë ‘mbrojtje ndërkombetare për Kosovën dhe popullin e saj dhe të ndalohet përhapja e konfliktit në rajon’, theksoi Rugova.

‘Policia serbe nuk po lejon varrosjen e të vrarëve pas masakrave në Rahovec dhe as ardhjen e organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare në Kosovë. Me mijëra shqiptarë janë larguar nga
qyteti i Rahovecit dhe rrethinat e tij’, tha Rugova, duke shtuar se edhe në rajone të tjera të Kosovës ka patur bombardime dhe të vrarë, ndërkohë që vazhdon represioni i policisë serbe.
‘Bashkësia ndërkombëtare, SHBA dhe Bashkimi Evropian, po ndërmarrin të gjitha hapat diplomatikë, por edhe ata ushtarakë, që të mos ndodhë Bosnja në Kosovë’, u shpreh Rugova, në pergjigje të pyetjes së gazetareve.
Rugova përseriti qendrimin se ‘zgjidhja më e mirë për Kosovën është Kosova e pavarur me të gjitha garancitë për serbët lokalë dhe një protektorat ndërkombëtar si fazë kalimatare’”.

NË KOSOVË KANË NDODHUR KRIME LUFTE, KRIME KUNDËR NJERËZIMIT DHE AKTE GJENOCIDI TË FORCAVE SERBE KUNDËR SHQIPTARËVE

“Në Kosovë kanë ndodhur krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe akte gjenocidi të forcave serbe kundër shqiptarëve”, ka deklaruar në një bisedë që kam zhvilluar eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Prof. Dr. Zejnullah Gruda.

Ai ka folur mes mijëra e mijëra dëshmive të mbledhura gjatë viteve të okupimit e të luftës, të cilat i shpalosnim nga arkivat e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë.

 “Janë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare në përgjithësi, të drejtës ndërkombëtare të luftës, të drejtës humanitare…”,  ka thënë Gruda.

Profesori i të drejtës ndërkombëtare vazhdonte të flasë:

“Argumente ka sa të duash. Është një numër i madh i personave, të cilët kanë pësuar, e sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare është dashur të gëzojnë mbrojtje, të jenë të përjashtuar nga veprimet luftarake, dhe këta janë pjesa më e  madhe e viktimave. Këtu është para së gjithash ai grupi që llogaritet si popullsi civile, në të cilin hyjnë fëmijtë, pleqtë, femrat, e kategori tjera që gëzojnë mbrojtje sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare.

Këtu është personeli mjekësor, personeli i shoqatave ndërkombëtare humanitare për ndihmë viktimave të luftës, personeli fetar, janë të sëmurët, të plagosurit, që nuk duhet të jenë në asnjë rast objekt i veprimeve luftarake…

Në Kosova ka ndodhur, edhe është fatkeqësi e madhe, që pjesa më e madhe e viktimave u takojnë këtyre grupeve që është dashtë të jenë të mbrojtura, të përjashtuara nga veprimet luftarake. Këta janë me qinda e me mijëra e atyre që i takojnë popullsisë civile, janë pleqtë,  gratë, edhe gra shtatzëna, janë fëmijë, madje edhe fëmijë nën moshën shtatëvjeçare… Vetëm në familjen Jashari në Prekaz janë nëntë fëmijë… Në asnjë rast nuk kanë guxuar të jenë objekt i sulmeve, ose objekt i vrasjeve, në asnjë moment.

Këto janë ato kategoritë, këto janë ato shkeljet e madha që bëjnë përjashtim nga rregullat e të drejtës ndërkombëtare të luftës, të cilat i ndalojnë këto veprime. Kemi pasë të vrarë edhe mjekë, edhe misionarë të organiztave humanitare, që janë marrë me ndihmë viktimave të luftës, edhe klerikë ose persona fetarë…Kemi pasë të vrarë ndër civilë edhe percona të sëmurë, me të meta të rënda, të verbër, të shurdhër, të paralizuar, të sëmurë mentalë. Kanë qenë objekt i sulmeve, çka është shkelje e jashtëzakonshme…”

 “Edhe dhunimet, të cilat kanë ndodhur, gjithashtu janë të ndaluara me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare. Është një prej atyre shkeljeve të rënda”, ka thënë Gruda.

Ai ka theksuar se gjithashtu janë të dënueshme veprimet për t’i zhdukur gjurmët e krimeve, dërgimi dhe groposja e trupave të tyre në varreza masive në Serbi.

“Janë mijëra të zhdukur, për të cilët nuk ka kurrëfarë të dhëne çka ka nodhur me ta, që kanë përfunduar diku në përpjekje për t’i zhdukë gjurmët e krimeve”, ka thënë profesor Gruda.

Në Kosovë, në vitet 1998-‘99 forcat serbe në sulmet gjenocidale dëbuan mëse 1 milion shqiptarë, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri, vranë e masakruan mëse 12 mijë civilë shqiptarë, e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur. Menjëherë pas luftës  në Kosovë Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidenconte më shumë se 6.000 të zhdukur.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>