Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

GAZETA RILINDJA-22 KORRIK 1969: RAPORTI I PARË NGA HËNA

$
0
0

GAZETA RILINDJA-22 KORRIK 1969, NUMËR I POSAÇËM PËR “APOLO 11”: RAPORTI I PARË NGA HËNA/

-Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja para gjysëm shekulli doli me numër të posaçëm për hapat e parë të njerëzimit në Hënë në misionin e suksesshëm e historik të ekuipazhit të “Apolo 11” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës/

-Histori nga faqet e gazetës tradicionale shqiptare të Kosovës Rilindja, e cila ka nisë të dalë në 12 Shkurt 1945 në Prizren, në frymën e Konferencës së Bujanit – të Rezolutës për vetëvendosje e të drejtë bashkimi me Shqipërinë, e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana. Si në filmin shqiptar “Udha e Shkronjave”…/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 22 Korrik 2019/ Për ngjarje të jashtëzakonshme, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja  ka dalë edhe me numra të posaçëm, ndër të cilët është edhe ai i 22 Korrikut 1969 për hapat e parë të njerëzimit në Hënë në misionin e sukseshëm të ekuipazhit të “Apolo 11” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në atë numër të gazetës Rilindja kanë mbetur të shënuara FJALËT E PARA NGA HËNA, të astronautit Amerikan Neil Armstrong, që është njeriu i parë që shkeli në Hënë: “KËTU BAZA NË DETIN E QETËSISË, ‘SHQIPONJA’ ZBRITI”.

“ÇFARË SHKRETËTIRE MADHËSHTORE”, kishte thënë Buzz Aldrin, njeriu i dytë që shkeli në Hënë.

Siç shihet në arkiva dhe në monografi, gazeta historike e Kosovës Rilindja ka botuar edhe informata të dhëna drejtpërdrejtë nga Hëna, të astronautëve Amerikanë.

Në fillim të raportit saktësohet vendngjarja e ndodhisë historike: Deti i Qetësisë, Hënë. Prej andej vinte zëri i njerëzve të parë që shkelën në Hënë në 20 Korrik të vitit 1969. Astronautët Amerikanë, Neil Armstrong, Buzz Aldrin dhe Michael Collins në udhëtimin historik nga Toka drejt Hënës ishin nisur katër ditë më parë, në 16 Korrik të vitit 1969, nga Qendra e Hapësirës së Lartë të NASA-s Kennedy, në Florida.

GAZETA RILINDJA QË NISI TË DALË NË 12 SHKURT 1945 NË PRIZREN, HISTORI KOSOVE…

Është histori Kosove gazeta tradicionale shqiptare Rilindja, e cila ka nisë të dalë në 12 Shkurt 1945 në Prizren, në frymën e Konferencës së Bujanit – të Rezolutës për vetëvendosje e të drejtë bashkimi me Shqipërinë, e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana. Si në filmin shqiptar “Udha e Shkronjave”…

Në monografinë “RILINDJA 60 VJET” kam shkruar se “SHKRONJA PËR RILINDJEN DËRGOI TIRANA” pasi në Shtypshkronjën e  Rilindjes në Prizren nuk kishte shkronja të  mjaftueshme të derdhura në plumb për shkrim në gjuhën shqipe.

“T’I PËRVISHEMI PUNËS…”, ishte kryeartikulli në ballinë i numrit të parë të gazetës Rilindja, që mbanë datën 12 Fruer (Shkurt) 1945, e që sipas shkrimeve Kosovën e përcaktonte si një vend të veçantë.

“JEHONA E VENDIT” ishte rubrika, ku janë të botuara 6 lajme e informata nga Kosova, e të 4 lajmet e tjera janë të jashtë vendit nga fronte të ndryshme të Luftës së Dytë Botërore, që ende vazhdonte (Froni i Lindjes, i Perëndimit, i Jugosllavisë dhe ai i Italisë).

RILINDJA E PARË U SHTYP NË MËSE 3000 EKZEMPLARË

Numri i parë i gazetës Rilindja u shtyp në një tirazh prej mëse 3.000 ekzemplarësh dhe u shpërnda në gjithë Kosovën.

“Kudo Rilindja u prit me entuziazëm e dashuri të madhe, njerëzit e puthnin dhe u mbusheshin sytë lotë nga gëzimi, gazetën e ngritnin lart në duarë si një flamur të jetës”. Ky është tregimi i përmbledhur i atyre që e shpërndanë numrin e parë të gazetës deri te lexuesit.

Në fillimet e saj, në rrethanat e një shkalle të lartë të analfabetizmit të asaj kohe në Kosovë, gazeta Rilindja u përdor edhe për mësimin e shkronjave shqipe, shkrimit e leximit.

ABETARJA E PARË NË GJUHËN SHQIPE

Gazeta historike Rilindja në 19 nanduer  (nëntor) 1946 jepte lajmin e madh për abetaren e parë në gjuhën shqipe të botuar në Kosovë: “Sot duel nga shtypi abetarja e parë në gjuhën shqipe e cila me punën vetmohuese të punëtorëve grafikë u shtyp, për një kohë relativisht të shkurtë…Abetarja përmbanë 58 faqe dhe asht  shtypë në 5.000 ekzemplarë”.

Rilindja e 14 kallnor (janar) 1948 shkruante se si ishte GJENDJA NË SHKOLLAT FILLORE të Kosovës:

“Në vjetin 1945/46 prej 25.302 nxansve e nxanseve të regjistuem në shkollë kanë vazhdue rregullisht dhe kalue klasen vetëm 12.213 nxanësa e nxanëse, d.m.th. ma pak se gjysa.

Në vjetin 1946/47 prej 45.692 nxanësve të regjistruem e kanë ndjekë shkollen ne rrugull dhe kalue klasen 26.157 nxanës dhë në vjetin shkollor 1947/48 prej 51.225 nxansve të regjistruem ne mbarim te tremuejshit të pare ka pase vetëm 17.421 nxanës të regjistruem.

Çka don me thane kjo? Kjo s’don te thot tjeter veçse qe komitetet shqiptare nuk ua kane spjegue njerzve qe nuk asht e mjaftueshme me i regjistrue femijtë e tyne por edhe qe ata t’a vazhdojnë rregullisht shkollën”.

RILINDJA NË LUFTIMIN E ANALFABETIZMIT, PËR EMANCIPIM DHE PËR NDËRTIMIN E SHKOLLAVE

Rilindja lindi në një kohë kur duhej luftuar analfabetizmi. Më 23 janar 1946 kjo gazetë botonte artikullin redaksional “Analfabetizmi asht anmiku i popullit”.

Ndërsa, ndonjë ditë më vonë shkruante se “afër 20.000 burra e gra marrin pjesë në kurset për luftimin e analfabetizmit”. Rilindja e datës 14 fruer (shkurt) 1947, në një titull të madh, shkrunte se në Kosovë “FUNKSIONOJNË 2.485 KURSE KUNDËR ANALFABETIZMIT, KU JANË PËRFSHI 52.413 NDJEKËSA”.

Rilindja (e datës 1 janar) ka hyrë në vitin 1949 me një artikull që angazhohet për të drejtën e shqiptarëve në “përdorimin e gjuhës së tyne amnore” dhe shënon faktin se gjatë viteve 1945 -1949 në Kosovë “kanë mësue shkrim-këndim mëse 100.000 analfabetë”.

Ndërkohë, krahas luftës kundër analkfabetizmit, është zhvilluar edhe aksioni për zgjerimin e rrjetit të bibliotekave. Sipas Rilindjes, në fillimin e vitit 1949 në bibliotekat e Kosovës kishte 8.230 libra e broshura në gjuhën shqipe. Kurset kundër analfabetizmit nëpër qyetet e fshatrat e Kosovës kanë qenë tema e qindëra shkrimeve në shumë numra e faqe të gazetës Rilindja. Fushata – aksioni i Rilindjes për zhdukjen e analfabetizmit filloi qysh në vitin 1945 dhe zgjati gati 7 vjet. Më 1946 dhe 1947 Rilindja iu bashkua aksionit për emancipimin e femrës shqiptare, ndërsa në vitet 1972 – 1975 aksionit për shkollimin e femrës shqiptare.

Aksion tjetër i rëndësishëm në faqet e gazetës Rilindja ishte ai i huasë popullore për ndërtimin e shkollave në Kosovë gjatë viteve 1970-1972.

TEATRI KOMBËTAR NË PRISHTINË FILLOI MË 1948

Rilindja ka njoftuar se më 1 shtator të vitit 1948 fillon punën Teatri Kombëtar në Prishtinë me 20 anëtarë.

Gazeta ka njoftuar edhe se më 7 qershor 1949 u dha shfaqja e parë në gjuhën shqipe në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë. Më 9 qershor 1950 Rilindja njoftonte se “pranë Teatrit papulluer në Prishtinë u formue ansambli Krahinuer i valleve popullore”. E në 13 prill 1951 Rilindja shkruante për “NJIZETENANDË ÇFAQJE TË THEATRIT TË KUKLLAVE”: Mbas disa përgatitjeve teknike Theatri i Kukllave në Prishtinë filloi punen e tij të rregullt, me ketë rast dha çfaqjen e parë “Borbardha dhe shtate shkurtabiqat” ne gjuhen shqipe…Kjo asht çfaqja e njizetenande e këtij Theatri prej Majit të vitit 1950, kur asht formue e deri tash…”.

RILINDJA MË 1947: NË INTERES TË POPULLIT SHQIPTAR

Rilindja në 6 Gusht 1947 shkruante: …Lufta kundër çarshafit duhet të vazhdojë deri sa të zbulohet edhe femna e fundit. Tridhjet mijë femna shqiptare të zbulueme, në interes të popullit shqiptar kërkojnë që lufta kundra çarshafit të vazhdojë deri në fund…

E më herët, Rilindja e 17 Mars 1946 njoftonte edhe cili ishte “PREMTIMI I NJË GRUAJE”: “Rukmane Blaka (nga Istogu-plotësim yni) ka premtue se deri me 1 Maj ka me zbulue 2 shqiptare, ka me mësue shkrim e këndim 20 gra dhe me mbarue 200 palë çarape”.

RILINDJA MË  6 JANAR 1946: NA DUHET EDHE NJË REVISTË SHQIPE

RILINDJA e 6 janarit 1946 shtronte çështjen e nxjerrjes së një reviste të re shqipe në Kosovë, meqë, siç theksonte, kjo gazetë dhe revista “Zani i rinisë shqiptare” nuk mund të përmbushnin kërkesat e shtuara krijuese, letrare e shkencore. Po në atë numër Rilindja bënte apel për një kujdes më të madh ndaj pastërtisë së gjuhës shqipe. Dalja e numrit të parë të revistës së parë letrare në Kosovë JETA E RE ishte një lajm i rëndësishëm kulturor në gazetën RILINDJA të datës 17 Korrik 1949.

FORMIMI I SHOQËRISË KULTURO-ARTISTIKE TË ARBËRESHËVE DHE OPERA E PARË NË GJUHËN SHQIPE NË ZARË

RILINDJA e datës 14 Tetor 1951 njoftonte se në Zarë (qytet bregdetar në Kroaci) është formuar shoqëria kulturo-artistike e Arbëreshëve, me iniciativën e profesorit të muzikës Shime Deshpalit dhe Josip Reles.

“Në koncertin e parë u këndue edhe nji tercet nga opera ‘Vana’ e Shime Deshpalit ne gjuhën shqipe (e para në historinë e muzikës shqiptare). Opera ‘Vana’ asht nji fragment nga jeta e tyne para 50 vjetësh”, shkruante Rilindja.

GJUHA AMNORE

(…) Popujt e qytetnuem çmohen edhe përkah begatia, pasunija, përkah bamunia se sa kujdes i kushtojnë gjuhës së tyne amnore. Ata kanë themelata të posaçme që ruajnë dhe shtjellojnë gjithnjishëm mundësitë e saj shprehjore… (Idriz Ajeti në RILINDJA, 4 Dhjetor 1952. Akademik, në vitet 1979-1981 dhe 1996-1999 ishte edhe kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës)

REVISTA “HYLLI” DREJTUAR NGA MARK KRASNIQI

Akademik Mark Krasniqi është një nga emrat e shquar të kulturës, arsimit e shkencës shqiptare i pranishëm gjatë shumë viteve në Rilindje. Një kohë para daljes së Rilindjes Mark Krasniqi shkruante dhe drejtonte revistën e nxënësve “Hylli”, që botohej në gjuhën shqipe në Seminarin katolik të Prizrenit nga fundi i viteve të tridhjeta dhe fillimi i të dyzetave të shekullit XX.

TETOVA E VITIT 1952

Tetova ka sot 8 shoqni kulturo-artistike. Organizata sindikale, rinija punuese, rinija shkollore, Shqiptarët, Turqit, organizata e grues, etj. – kanë bashkue në gjiun e vet afër 1500 antarë aktivë që në misjonin e tyne kultural naltojnë vehten dhe popullin. Vetëm shoqnija kulturo-artistike shqiptare “Gjeladin Zeqiri” bashkon në radhët e veta afër 320 antarë dhe anëtare aktivë.

Dy kinothetrat, Theatri profesional, Theatri i kukllave, biblioteka e pasun e qytetit, universiteti populluer, shkollat fillore e të mesme, gjimnazi për puntorë, kurset e ndryshme (për gjuhë të huaja, për amvise), janë çerdhet ku Tetovarët fitojnë dije dhe gjejnë prehinë kulturore. Nuk kalon javë pa udhanë të paktën 4 çfaqje që japin kinotheatri dhe Thetari populluer i qytetit…

(RILINDJA, 24 prill 1952 – fragment nga një shkrim i Gjeto Lekajt)

RILINDJA-ÇDO JAVË, PËRDITË… 

Esad Mekuli, drejtor përgjegjës në shënimin e njëvjetorit të daljes së gazetës Rilindja më 1946, ndër të tjera, shkruante: “… ‘Rilindja’ duhet të dalë çdo javë rregullisht…duhet të bahet pasqyrë e veprimtarisë s’onë…”

Rilindja që nga fundi i nëntorit të vitit 1958 filloi të botohet përditë.

Në fillimin e daljes përditë të Rilindjes rubrikës standarde “Jeta kulturore” iu shtuan edhe rubrika e posaçme “Gjuhë, letërsi, art”, si dhe rubrika e filmit dhe ajo e tregimit.

RILINDJA ME NGJYRËN E KALTËRT, që iu shtua faqeve bardhezi, me fizionomi të re, filloi të dalë të dielen e 17 prillit të vitit 1966. “Dje, sot, nesër”, ishte rubrikë e re në faqen e parë.

RILINDJA MË 1962: KOSOVA FITOI BANORIN E NJIMILIONIT

RILINDJA e datës 6 Korrik 1962 shkruante se Kosova “fitoi këto ditë banorin e njimilionit…”

“Simbas regjistrimit të fundit të 31 marsit të vitit të kaluem, në këtë teritor ka pasë 963.551 banorë…” shkruante gazeta duke shtuar se “asht interesante” se në Kosovë “ka afër 40 mijë mashkuj ma shumë se femna”.

GJUHA E NJËSUAR LETRARE NË RILINDJA NGA 12 SHKURTI 1970

RILINDJA në 25 vjetorin e saj, në 12 Shkurt 1970, filloi të dalë me gjuhën e njësuar letrare shqipe. Me këtë rast, në artikullin “Të mësojmë me vullnet gjuhën letrare” bënte thirrje që gjuhës letrare t’i kushtohet kujdes më i madh nga të gjithë.

PALLATI I SHTYPIT FILLOI TË NDËRTOHET NË NËNTOR 1971

RILINDJA më 20 Nëntor 1971 informonte se një ditë më parë në afërsi të Stadiumit të Prishtinës me një solemnitet rasti filloi ndërtimi i Pallatit të Shtypit. RILINDJA pasi kishte investuar në truallin e Pallatit filloi edhe ndërtimin e tij, duke qenë udhëheqëse e punimeve dhe investitore.

THEMELIMI I UNIVERSITETIT TË PRISHTINËS- RILINDJA: DO TË JAPË DRITË, SHKENCË E KULTURË

“Universiteti i Prishtinës do të japë dritë, shkencë e kulturë”, ishte kryetitulli në gjithë ballinën e gazetës Rilindja në 16 Shkurt 1970. Kështu gazeta historike raportonte gjerësisht për themelimin e Universitetit të Prishtinës – kryeqytetit të Kosovës.

 Festa e madhe dhe e shumëpritur e themelimit të Universitetit të Prishtinës u mbajt më 15 Shkurt 1970 me mbledhje solemne të Kuvendit të Universitetit, vetëm tre ditë pas festës së 25 vjetorit të Rilindjes, e cila në fillimet e saj kishte botuar abetaren e parë shqipe të Kosovës.

“Në RILINDJA, që është edhe abetare e parë, i kanë rrënjët edhe Universiteti, edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, edhe shumë zhvillime e aspiratat tona”, kam shkruar në Monografi. 

Universiteti i Prishtinës është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 nëntor 1969 edhe si kërkesë e demonstratave studentore e gjithëpopullore kosovare një vit më herët – në 1968. Kuvendi themelues i Universitetit është mbajtur në 13 shkurt 1970, ndërsa mbledhja solemne e tij dy ditë më vonë,  në 15 shkurt, dhe kjo datë është shpallur Dita e Universitetit të Prishtinës.

Në prag të demonstratave shqiptare, Rilindja ditën e diel të 6 tetorit të vitit 1968 në ballinë kishte shkrimin me titull “Përdorimi i lirë i flamujve kombëtarë”, që po riniste në Kosovë për shqiptarët…

RILINDJA NË VITIN 1972 PËR ZGJERIME BASHKËPUNIMI TË KOSOVËS ME SHQIPËRINË

Gazeta Rilindja në vitin 1972 (në shtator e tetor) shkruante për zgjerime bashkëpunimi të Kosovës me Shqipërinë dhe për këtë nënshkrimin në kryeqytetin shqiptar të protokolit  mes Universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Prishtinës, bisedat në kryeqytetin kosovar  mes drejtuesve të “Kosova Filmit” dhe  delegacionit të Kinostudios “Shpiqëria e Re”, ardhjen e shkrimtarëve nga Shqipëria në Gjakovë e Prishtinë dhe bisedat për shkëmbim të botimeve mes shtëpive botuese, Shfaqjen në Teatrin Kombëtar të Prishtinës të “Gjenaralit të Ushtrisë së Vdekur”, që e solli i ardhur nga Tirana Piro Mani si autor i dramatizimit e regjisor, derisa në premierë asistoi edhe autori i romanit Ismail Kadare, siç shkruante  kritiku teatror Vehap Shita edhe në librin “Kur ndizen dritat”, botuar nga Rilindja, ku ka punuar shumë vite…

KOSOVA DREJT PAVARËSISË. RILINDJA NUK U NDAL EDHE KUR U NDALUA, AS KUR U DËBUA…

Kosova po shkonte drejt Kushtetutës së vitit 1974,  e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën  e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të reja të rajonit – Kosova, Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona…

Rilindja nuk u ndal edhe kur u ndalua me ndërhyrje ushtarako-policore në shtypshkronjë nga regjimi okupues serb në 7 Gusht 1990, edhe kur u dëbua kundërlishëm e padrejtësisht nga shtëpia e saj – Pallati i Rilindjes në 21 Shkurt 2002 nga administrata e UNMIK-ut…Nga 18 Janari 1991 doli edhe me emrin “Bujku” gazetë e rezistencës, e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me përcaktim e orientim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha.

Gazeta Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha në kohën e dëbimit nga UNMIK e deri në numrin e fundit, pas datës 21 shkurt 2002 deri kur doli përditë, doli me numra të jashtëzakonshëm të kohëpaskohshëm e protestues duke e bërë gazetën tradicionale edhe histori të Kosovës që nga koha e rreth një viti pas Konferencës së Bujanit, e nisur në 31 Dhjetor 1943 dhe e përfunduar në 2 Janar 1944,  deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurtin historik 2008 e njohjet ndërkombëtare…

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.

Në këtë numër festiv për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës një nga titujt e Gazetës ishte: PRESIDENTI RUGOVA: DUHET TË SHIKOJMË TË GJEJMË NJË ZGJIDHJE PËR RILINDJEN. Në këtë shkrim citohet një pjesë e një prej intervistave ekskluzive që kam zhvilluar me Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, me këtë rast për gazetën Rilindja të jubileut të 60 vjetorit – të 12 Shkurtit 2005, kur në Rezidencën Presidenciale në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues dhe kryeredaktorit të Rilindjes i dhurova Pllakatin e Jubileut të 60 vjetorit të  gazetës tradicionale të Kosovës, të punar me ar e argjend nga argjendarët e Prizrenit, qytetit historik  ku ka dalë numri i parë i gazetës. Presidenti Rugova uroi për Jubileun e gazetës Rilindja gjashtë dekada në jetën dhe në familjet e kosovarëve,  duke u shprehur, mes tjerash:

“Unë Ju përgëzoj për këtë përvjetor Jubilar, pra 60 vjetorin e Rilindjes, dhe dëshirojmë që kjo gazetë sa më shpejtë të konsolidohet. Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Ne duhet të kemi edhe mjete të informimit të formave të ndryshme, mund të gjejë, ta ketë atë formën të një informacioni dhe prezentimi të çështjeve shtetërore, nëse nesër do ta pranojë Rilindja apo dikush tjetër. Dhe, gjithsesi do të gjendet në mozaikun e masmeriumeve të Kosovës. Ne do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe do të ndihmojmë në këtë plan dhe do t’ju përkrahim. Rilindja është një gazetë që është një pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar zhvillimin e Kosovës në përgjithësi. Natyrisht, tash edhe Rilindja duhet të gjendet në këtë çështjen e tregut të mediumeve. Dhe, duhet t’i ketë ato të drejtat që i takojnë si shtëpi botuese, ose si shtëpi informacioni. Sepse ishte një gjigant i masmediumeve, i botimeve për atë kohë, e sot, tash, duhet ta gjejë rolin e vet si gazetë, e të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës. Prandaj, do të keni përkrahjen tonë dhe do të shikojmë gjitha mundësitë administrative si do të ecin.

Pra, Urime edhe një herë dhe Gëzuar!”

Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm në 30 Dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË.
Kryetitulli në ballinën e gazetës Rilindja ishte i ëndërres dhe i të ardhmes: KOSOVA SHTET NË OKB. Dy nga titujt tjerë në ballinë: 53 SHTETE NJOHËN SHTETIN E KOSOVËS dhe VITI 2009 I SHQIPËRISË NË NATO.

Pas 10 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në ndërrim motesh – në pritje të 2019-tës, në mbrëmje 31 Dhjetorit  2018 ridoli  simbolikisht (botim digjital) për protestë dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim, sipas shembullit të gazetave në rajon që kishin status të njëjtë ndërmarrje shoqërore e që janë pzivatizuar e vazhdojnë të dalin…

“GAZETA DIELLI NË SHBA PËRKRAHJE GAZETËS RILINDJA TË KOSOVËS – SHËNIM REDAKSIONAL I DATËS 22 SHKURT 2017”, është një nga titujt në faqet ku botohet edhe shkrimi i marrë nga Gazeta DIELLI që e kam shkruar si korrespondent i saj në Kosovë, i 17 Shkurtit 2018, me titull “FESTOHET 10 VJETORI I KOSOVËS SHTET” dhe me këtë shënim:

(Botuar në Gazeta DIELLI në Shtetet e Bashkuara të Amerikes – më e herëshmja shqiptare në gjithë botën, e themeluar nga Fan Noli e Faik Konica, organ i Federatës Mbarëshqiptare të Amerikës VATRA, e cila feston jubileun e 110 vjetorit në 15 Shkurt 2019. Në të njëjtin muaj e vit është 74 vjetori i gazetës tradicionale shqiptare të Kosovës RILINDJA, numri i parë i së cilës doli në Prizren në 12 Shkurt 1945. Gazeta DIELLI në vazhdimësi mbështetë të drejtën e Gazetës RILINDJA)…


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>