Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

DR. IBRAHIM RUGOVA U RIZGJODH PRESIDENT PARA 15 VITEVE

$
0
0

-Kosova para 15 viteve zgjodhi Presidentin e Qeverinë e parë në liri/1 Beluli Rugova-Rilindja para 15 viteve: Presidenti Rugova: Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’/1 RD Rugova

-FJALA E PLOTË E PRESIDENTIT HISTORIK TË KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA, E PIKËRISHT PARA 15 VITEVE – NË 4 MARS 2002, NË MINUTAT E PARA PAS RIZGJEDHJES PRESIDENT/2 Behluli Rugova

-Kjo është e ardhmja e Kosovës, që tashmë ka filluar. Njohja formale e pavarësisë së Kosovës do ta siguronte dhe shpejtonte këtë process/

3 Rugova-Dyert e Presidencës së Kosovës do të jenë të hapura për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe do të gëzojnë përkrahjen tonë. Prandaj, i ftojmë të gjithë qytetarët për bashkëpunim, sepse Presidenca dhe institucionet e tjera të Kosovës do të jenë në shërbim të tyre/

-PRESIDENTI HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA : DUHET TË GJEJMË NJË ZGJIDHJE PËR RILINDJEN, QË TË MUND TË VAZHDOJË SI NJË GAZETË TRADICIONALE. RILINDJA EDHE ME BOTIME TË KOHËPASKOHSHME, DUKE VAZHDUAR TË JETË HISTORI E SHKRUAR E KOSOVËS/

DUHET TË GJEJMË NJË ZGJIDHJE PËR RILINDJEN, QË TË MUND TË VAZHDOJË SI NJË GAZETË TRADICIONALE/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 4 Mars 2017/ Para 15 viteve, në 4 mars 2002, Kosova zgjodhi presidentin dhe qeverinë e parë të pasluftës.  Zgjedhjet e para parlamentare në Kosovën e lirë që nga qershori 1999 u mbajtën në 17 nëntor 2001, por kishte vonesë rreth 3 muaj e gjysmë për zgjedhjen e Presidentit e të qeverisë, derisa u arrit dhe nënshkrua marrëveshja e tre liderëvve kryesorë të partive, Ibrahim Rugova – LDK, Hashim Thaçi – PDK dhe Ramush Haradinaj – AAK.

Pas marrëveshjes, Kuvendi i Kosovës, për vetëm 45 minuta seancë, në një atmosferë të mrekullueshme e festive, e bëri Kosovën me të gjitha institucionet: President i Kosovës u zgjodh Ibrahim Rugova (LDK), ndërsa Kryeministër Bajram Rexhepi (PDK). Sipas marrëveshjes, zgjedhja e institucioneve u bë në paket, në votimin e hapur 88 deputetë votuan pro, 15 abstenuan e 3 ishin kundër. Seanca kryesohej nga Kryeparlamentari i atëhershëm, Nexhat Daci, i cili ishte zgjedhur më herët në konstituimin e Kuvendit të Kosovës menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithëshme.

Ibrahim Rugova, Presidenti i parë i Kosovës nën okupim në kohën e Lëvizjes për liri e pavarësi, i zgjedhur në 24 maj 1992 në zgjedhjet e para shumëpartiake presidenciale e parlamentare,  u zgjodh edhe President i parë i Kosovës së lirë.

“Presidenti Rugova: Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’”. Kështu e citonte para 15 viteve, në 5 mars 2002, në kryetitull balline gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, për të cilën lideri historik Rugova ka folur menjëherë pas rizgjedhjes President.

“Ju e dini qëndrimin tim për të ardhmen e Kosovës. Kam punuar dhe unë dëshiroj që sa më parë të njihet pavarësia e Kosovës dhe gjithësesi që ajo do të jetë e pavarur, e lirë, demokratike dhe e integruar në rrjedhat e civilizimit europian e botëror, po në atë afat që thatë ju”,  është përgjigjur Presidenti Rugova në pyetjen që i bëra, si kryeredaktor i gazetës Rilindja, se si e sheh Kosovën pas tre vitesh të mandatit. Me këtë pyetje të parë ishte edhe urimi për të sapozgedhurit President e Kryeministër i Kosovës.

Të posazgjedhurit, Presidenti Rugova e Kryeministri Rexhepi, në 4 mars 2002 folën para gazetarëve që përcillnin punimet e Kuvendit të Kosovës, ku në ambientet për mediat  gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja me ekipin e saj special punonte në një zyrë të improvizuar për një botim të jashtëzakonshëm  të gazetës historike, të mbyllur kundërligjshëm e padrejtësisht nga UNMIK me dëbim nga Pallati Rilindja rreth dy javë më parë në 21 shkurt 2002, pak ditë pasi kishte festuar 57 vjetorin në 12 shkurt.

Në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar në funddhjetorin 2002  për gazetën Rilindja, e cila vazhdoi të dalë me numra të jashtëzakonshëm të kohëpaskohshëm,  Presidenti historik Ibrahim Rugova theksonte: “Unë ju kam premtuar përkrahje edhe më herët. Duhet të shikojmë, po flas praktikisht, si ta aktivizojmë gazetën, që ka një traditë. S’po flasim më shumë, e dimë të gjithë. Pastaj, me emrin “Bujku”, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë…Duhet të shikojmë praktikisht si të aktivizohet gazeta Rilindja, t’i sigurohet vendi”.

“Është shumë mirë që gazeta Rilindja edhe nëkëto kushte gjatë kësaj kohe të fundit ka dalë me botime të kohëpaskohshme për ngjarje e data të rëndësishme, duke vazhduar të jetë histori e shkruar e Kosovës, dhe ruan në një mënyrë vazhdimësinë deri në rifillimin e botimit të rregullt”, shprehej Rugova.

Në fund të intervistës, në falënderimin dhe urimin për Vitin e Ri 2003, Rugova u përgjegj: “Urime, po ashtu, edhe Juve, me shumë suksese dhe për punën që po bëni, për Rilindjen, që ta kemi së shpejti përditë. Falemnderit”.

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 72 vitesh, në 12 shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.

FJALA E PLOTË E PRESIDENTIT HISTORIK TË KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA, E PIKËRISHT PARA 15 VITEVE – NË 4 MARS 2002, NË MINUTAT E PARA PAS RIZGJEDHJES PRESIDENT
Për gati tri vjet pas luftës, Kosova në liri ka pasur një progres të madh së bashku me UNMIK-un, KFOR-in dhe OSBE-në në të gjitha fushat e jetës.
Poashtu, Zgjedhjet lokale të vitit 2000 dhe Zgjedhjet nacionale të vitit të kaluar ishin një progres i madh në vendosjen e rendit dmeokratik në Kosovë.

 

 

 

Në këto zgjedhje populli i Kosovës tregoi një kulturë të lartë demokratike e politike. Dhe, këto ditë, po përfundojmë me sukses implementimin e Zgjedhjeve nacionale për ndërtimin e institucioneve të Kosovës.
Sot ndihem shumë i nderuar për besimin që ma dha Kuvendi i Kosovës për të marrë përsipër Zyrën e Presidentit të Kosovës. Ky është një nderim dhe obligim i madh për mua. Ju siguroj se Presidenca e Kosovës do të shprehë unitetin e popullit dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. Brenda fuqive të mia do të punoj për të mirën dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

 

 

 

Njëherësh do të punojmë që të kemi një ndarje dhe koordinim të pushtetit të degës legjislative, ekzekutive dhe pavarësi të gjykatave, që t’u përgjigjen kërkesave dhe interesave të qytetarëve. Pra, do të kemi një Presidencë të unitetit, Kuvend demokratik dhe Qeveri efektive e stabile, me të gjitha ministritë, për të siguruar një shtet të së drejtës dhe të sigurtë për të gjithë.

 

Në punën tonë të ardhshme të të gjitha institucioneve të Kosovës do të jetë koncentrimi në zhvillimin ekonomik, në sigurimin e investimeve dhe në privatizimin me prioritet. Pra, do të punojmë të kemi një ekonomi të hapur e konkurrente, për të krijuar vende të reja të punës për të rinjtë e Kosovës, që përbëjnë pjesën më të madhe të popullatës sonë.
Poashtu, do të punojmë në integrimin e grupeve etnike në jetën politike, ekonomike e sociale të Kosovës. Pra, jo vetëm mbrojtje klasike, por integrim të plotë të tyre dhe garantim të ruajtjes së identitetit të tyre. Ne, si shumicë kosovare-shqiptare, kemi përgjegjësi për integrimin e serbëve, të boshnjakëve, të turqve, të romëve dhe të ashkalinjve e egjiptianëve kosovarë në shoqërinë e Kosovës. Pra, të gjithë ne jemi kosovarë dhe do të veprojmë si kosovarë, në të mirë të Kosovës.
Kujdes të veçantë do të kemi për forcimin e SHPK-së dhe të TMK-së në punën e tyre.
Do të punojmë që të zhvillojmë edhe shoqërinë civile dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët. Do të zhvillojmë një shoqëri të tolerancës, të mirëkuptimit e të pajtimit midis njerëzve dhe të respektimit të njëri-tjetrit.
Do të punojmë së bashku në ndërtimin e një Kosove të lirë, demokratike, paqësore, prosperuese, të pavarur e të integruar në Bashkimin Evropian, në strukturat Veriatlantike dhe në marrëdhënie miqësore me SHBA, në bazë të vullnetit politik e dmeokratik të popullit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Kjo është e ardhmja e Kosovës, që tashmë ka filluar.

 

 

 

Njohja formale e pavarësisë së Kosovës do ta siguronte dhe shpejtonte këtë proces.
Do të punojmë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët tani, si dhe për krijimin e miqësisë me popujt e rajonit tonë dhe të botës.
Jemi të bindur se të gjithë duhet të punojmë për një Kosovë të lirë në bashkësinë e popujve të botës së lirë. Për një Kosovë prosperuese e më të pasur për ne dhe fëmijët tanë.
Do të zhvillojmë një bashkëpunim të ngushtë me UNMIK-un në konsolidimin e institucioneve demokratike të Kosovës, si dhe me OSBE-në. Ndërsa, me KFOR-in do të punojmë ngushtë në forcimin e sigurisë, i cili deri tash ka bërë dhe po bën një punë të shkëlqyeshme.
Kam nderin që nga kjo Mbledhje solemne e Kuvendit të Kosovës të përshëndes Presidentin Bush, Kryeministrin Bler, Presidentin Shirak, Kancelarin Shrëder dhe Kryeministrin Berluskoni, për angazhimin e tyre për prosperitetin e Kosovës. Përshëndetje të veçantë i shprehim Atit të Shenjtë, Papa Gjon Pali II, për kujdesin e tij të përhershëm për Kosovën.
Me këtë rast dëshiroj të falenderoj ambasadorin Menzis për angazhimin e tij të palodhshëm gjatë kësaj kohe për ndërtimin e institucioneve të Kosovës, si dhe shefin e Zyrës britanike, zotin Llojd, të Zyrës gjermane, zotin Shmunk, të Zyrës franceze, zotin Garanshe, të Zyrës italiane, zotin Tafur, si dhe të Zyrës kanadeze, zotin Barber.
Poashtu, falenderojmë Komisionerin për politikë të jashtme dhe siguri në BE, zotin Solana që u angazhua në këtë proces.
Në mënyrë të veçantë falenderojmë zotin Shtajner, i cili na ndihmoi shumë për të arritur marrëveshjen për përfundimin me sukses të ndërtimit të institucioneve të Kosovës.

 

 

 

Falenderojmë të gjitha partitë politike që u treguan konstruktive në arritjen e suksesit për ndërtimin e institucioneve të Kosovës, kryetarin e PDK-së, z.H.Thaçin, kryetarin e AAK-së, z.R.Haradinaj dhe prof.Mark Krasniqin.
Në fund të këtij procesi demokratik mund të themi se gjithë kjo ishte një përvojë demokratike për ne dhe për qytetarët e Kosovës. Duhet të mendojmë që për zgjedhjet e ardhshme të zgjedhim një sistem elektoral më të thjeshtë dhe më efektiv. Kjo tregon se kosovarët i pranojnë proceset demokratike dhe se dinë dhe janë të aftë të udhëheqin me veten dhe me vendin e tyre.
Kryeministri Rexhepi dhe Qeveria do të gëzojnë përkrahjen tonë.
Edhe një fjalë: të gjithë jemi pajtuar se këto zgjedhje dhe ndërtimi i institucioneve janë një ngjarje historike në historinë më të re të Kosovës.

 

 

 

Në këtë kuptim ambasadori Menzis ka propozuar që 10 dhjetori – Dita e Konstituimit të Kuvendit të Kosovës të shpallet Ditë nacionale. Sugjeroj që Kuvendi i Kosovës të marrë parasysh këtë propozim kur të vendosë në të ardhmen për këtë çështje.
Në fund të kësaj fjale dëshiroj të them se dyert e Presidencës së Kosovës do të jenë të hapura për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe do të gëzojnë përkrahjen tonë. Prandaj, i ftojmë të gjithë qytetarët për bashkëpunim, sepse Presidenca dhe institucionet e tjera të Kosovës do të jenë në shërbim të tyre.

 

 

 

Janë institucionet tuaja, qytetarë të dashur, pra, t’i respektoni dhe t’i përkrahni. Unë do të jem në shërbimin tuaj për të mirën e Kosovës.
Jam i bindur se do të kemi përkrahjen tuaj për fillimin e ndërtimit të një pallati presidencial – shtëpie të bardhë të Kosovës, që do të jetë shtëpi e të gjithë kosovarëve.
Qytetarë të dashur, përkundër obligimeve të përditshme, çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur “Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?”.
Zoti e bekoftë Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj.

PRESIDENTI HISTORIK I KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA: DUHET TË GJEJMË NJË ZGJIDHJE PËR RILINDJEN, QË TË MUND TË VAZHDOJË SI NJË GAZETË TRADICIONALE

-Gazeta Rilindja, pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar dhe do të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës/

 Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive për gazetën Rilindja të jubileut të 60-vjetorit, i vlerëson lart zhvillimet dhe proceset që shpiejnë drejt statusit final – Pavarësisë së Kosovës, për çka ai pret njohje të drejtpërdrejtë nga SHBA-të dhe BE-ja, e mandej edhe nga vendet fqinje e të tjera. Me këtë rast Presidenti Rugova priti në Rezidencën e tij kryetarin e Këshillit Drejtues dhe kryeredaktorin e Rilindjes, Behlul Jashari, i cili  ia dhuroi Pllakatin e Jubileut të 60-vjetorit të kësaj gazete tradicionale të Kosovës, të punar me ar e argjend nga argjendarët e Prizrenit, qytetit historik ku më 12 shkurt1945 doli numri i parë i gazetës së parë të Kosovës. Presidenti Rugova dha përkrahjen e plotë për të drejtën dhe ridaljen e Rilindjes duke e vlerësuar “pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar dhe do të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës”. Presidenti Rugova uroi për Jubileun e gazetës Rilindja, e cila gjatë gjashtë dekadave, është në jetën dhe në familjet e kosovarëve.

Nga intervista e botuar më 12 shkurt 2005:

RILINDJA: Z. Presidenti, Ju falenderojmë shumë për këtë intervistë për gazetën tradicionale të Kosovës “Rilindja”, që në këtë 12 Shkurt ka Ditën e Jubileut të 60-vjetorit. Kemi edhe një falenderim të madh për përkrahjen Tuaj për krijimin e kushteve për punën e “Rilindjes”, të drejtën legjitime të saj.

 PRESIDENTI RUGOVA: Unë Ju përgëzoj për këtë përvjetor Jubilar, pra 60-vjetorin e Rilindjes, dhe dëshirojmë që kjo gazetë sa më shpejt të konsolidohet. Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Ne duhet të kemi edhe mjete të informimit të formave të ndryshme, mund të gjejë, ta ketë atë formën të një informacioni dhe prezentimi të çështjeve shtetërore, nëse nesër do ta pranojë Rilindja apo dikush tjetër. Dhe, gjithsesi do të gjendet në mozaikun e masmeriumeve të Kosovës. Ne do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe do të ndihmojmë në këtë plan dhe do t’ju përkrahim. Rilindja është një gazetë që është një pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar zhvillimin e Kosovës në përgjithësi. Natyrisht, tash edhe Rilindja duhet të gjendet në këtë çështjen e tregut të mediumeve. Dhe, duhet t’i ketë ato të drejtat që i takojnë si shtëpi botuese, ose si shtëpi informacioni. Sepse ishte një gjigant i masmediumeve, i botimeve për atë kohë, e sot, tash, duhet ta gjejë rolin e vet si gazetë, e të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës. Prandaj, do të keni përkrahjen tonë dhe do të shikojmë gjitha mundësitë administrative si do të ecin.

Pra, Urime edhe një herë dhe Gëzuar!

 RILINDJA: Shumë faleminderit Z.President.

PRESIDENTI HISTORIK RUGOVA: RILINDJA EDHE ME BOTIME TË KOHËPASKOHSHME, DUKE VAZHDUAR TË JETË HISTORI E SHKRUAR E KOSOVËS

-Me emrin “Bujku”, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë/

Nga intervista ekskluzive e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, që kam zhvilluar para afër 15 viteve, botuar në gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja – numër special në ditën e 31 dhjetorit 2002  për festën e Vitit të Ri 2003:

RILINDJA: Z. President, falemnderit për këtë intervistë për botimin special të gazetës «Rilindja» për Vitin e Ri. Kemi edhe një falënderim të madh për Ju zoti President i Kosovës për mbështetjen dhe angazhimet për një zgjidhje institucionale për gazetëntradicionale të Kosovës «Rilindja», të cilës shpresojmë se së shpejti do t’i krijohen kushtet dhe mundësitë të rifillojë botimin e rregullt. Mendojmë që është një rast shumë i mirë që «Rilindja» të rifillojë botimin e rregullt në ditën e përvjetorit të saj të 58-të, më 12 shkurt 2003. Shfrytëzojmë rastin, dhe kemi nderin dhe kënaqësinë, që qysh tash t’Ju ftojmë në festën, në solemnitetin që do të bëjmë, edhe për Ditën e Rilindjes edhe për rifillimin e botimit të gazetës «Rilindja».

PRESIDENTI RUGOVA: Unë ju kam premtuar përkrahje edhe më herët. Duhet të shikojmë, po flas praktikisht, si ta aktivizojmë gazetën, që ka një traditë. S’po flasim më shumë, e dimë të gjithë.

Pastaj, me emrin “Bujku”, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë, pra derisa bëmë edhe Televizionin Satelitor. Kjo ka qenë shumë e rëndësishëme. Pra, ishte një bazë e informimit në Kosovë. Dhe, një mirënjohje për ju dhe të gjithë ata që në këto vite të vështira punuan dhe mbajtën të gjallë informimin në Kosovë.

Duhet të shikojmë praktikisht si të aktivizohet gazeta “Rilindja”, t’i sigurohet vendi. Duhet të bisedohet dhe të shihen mundësitë. Edhe zyra ime për informim do të interesohet për këtë çështje; besoj edhe komisioni për media i Parlamentit, që është krijuar tash së voni, edhe institucionet e tjera. Duhet parë punën e statusit të “Rilindjes”. Ju mund të jeni si gazetë e pavarur, por duhet të shikojmë sa mund të ndihmoheni nga institucionet tona. Është shumë mirë që gazeta “Rilindja” edhe nëkëto kushte gjatë kësaj kohe të fundit ka dalë me botime të kohëpaskohshme për ngjarje e data të rëndësishme, duke vazhduar të jetë histori e shkruar e Kosovës, dhe ruan në një mënyrë vazhdimësinë deri në rifillimin e botimit të rregullt.

RILINDJA: Z. President, Ju falënderojmë shumë për këtë përkrahje të madhe për “Rilindjen”. Shfrytëzojmë rastin, kemi nderin dhe kënaqësinë, që t’ Ju urojmë: Gëzuar Vitin e Ri 2003, më shumë shëndet, mbarësi, suksese për Ju dhe për gjithë Kosovën.

PRESIDENTI RUGOVA: Urime, po ashtu, edhe Juve, me shumë suksese dhe për punën që po bëni, për “Rilindjen”, që ta kemi së shpejti përditë. Falemnderit.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>