Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

Dosja e emigrantëve- MIKU I POPULLIT, NUK JETON MË

$
0
0

1 Ok TartariARANIT TARTARI, MIKU I POPULLIT, NUK JETON MË/

Mjeku gojë ëmbël, që të shëronte me fjalë, u mbulua në dheun e Filadelfias, të Shteteva të Bekuara të Amërikës. Ne mbuluam dhimbjen në zemrat tona.

1 ok emigranti

Nga Enver Memishaj/Në Vlorë e quanin: Miku i Popullit. I qeshur gjithnjë, i pa përtuar, i duruar, i arsyeshëm , i matur në fjalë e në veprime, por i pa tundur në qëllimin human që i kishte vënë vetes: tu shërbente njerëzve si asnjë tjetër. Ai ishte një magjistar i shpirtit njerëzor. Ishte alturist, i gatshëm për të flijuar të mirën vetjake për të mirën e të tjerëve, dëshira e synimi jetës së tij ishte: t’u bënte mirë qytetarëve të tij.

*     *    *

Babai i Aranitit Azbi Tartari ka punuar si nëpunës në Korçë,Tepelenë  dhe në disa fshatra të Vlorës. Me ardhjen në fuqi të komunistëve të cilët nuk i shikonin me sy të mirë nëpunësit e djeshëm, familja me katër fëmi të vegjël u detyrua të shiste shtëpinë në lagjen Karabash të Vlorës dhe u kthyen në fshatin e origjinës, në Vranisht, por në vitin 1950, u kthyen përsëri në qytet. Në vitin 1957, babai i Aranitit, në një moshë ende të re ndërroi jetë, kështu që Araniti u detyrua të futet në punë.

Pa mbaruar vitin e tretë të gjimnazit e morën ushtar. Eprorët e tij vunë re inteligjencën dhe aftësitë fizike dhe e regjistruan në një kurs për aviator. Kjo ka qenë një nga ditët e lumutra të jetës tij. Tashmë ai do të fluturonte lart në qiell, si shqiponjat e maleve të Vranishtit. Në vitet 1956 -1958 mbaroi  kursin dhe falë aftësive të tij, arriti te fluturonte edhe vetem ne qiellin shqiptar. Ky ishte pasioni më i madh i tij, dhe që do ta kujtonte përherë me nostalgji. Por ëndërrën për të fluturuar me avion ja prenë në mes.

Sigurimi i Shtetit vigjëlonte. Ndërsa ishte nisur të vazhdonte studimet e larta në Bashkimin Sovjetik, e kthyen mbrapsht nga Rinasi për disa verifikime! Kjo, tregonte më vonë Araniti, ka qenë një nga ditët më të zeza të jetës sime. Kështu ai e humbi dashurinë e parë, fluturimin në qiellin e kaltër, humbi shpresën, zogut i kishin prerë krahët…

Enderrën e prerë në mes për pilot nuk e harroi gjith jetën. Ai më von, ndërsa ndiqte Fakultetin e Mjekësisë në çdo faqe të leksioneve do të vizatonte aeroplanë dhe posht tyre shkruante:  Guxova dhe fluturova ne qiellin e kalter shqipetar.

Pas kesaj ngjarje ai nuk u dekurajua. Nuk donte që të ishte nën shokët e tij. U kthye në Vlorë, punoi dy vjet si punëtor dhe kreu natën gjimnazin dhe në vitin 1961, fitoi të drejtën për të ndjekur Fakultetin e Mjekësisë, në Tiranë. Studimet i kreu me sukses dhe në vitin 1966 u diplomua mjek. Në vitin 1967 u specializuar si mjek laborant dhe u emërua në spitalin e Vlorës. Që nga ai vit ai u shërbeu me përkushtim qytetarve të tij për gati 30 vjet. Ngritjen profesionale e arriti nëpërmjet studimeve individuale dhe fitoi vetitë e një shkencëtari. Ai diti të mësonte nga përvoja e mjekëve të vjetër të Vlorës që ishin diplomuar në perëndim: dr. Tepelenës, dr. Hysenbegasit, dr. Myzabegut, dr. Berberjanit etj.

E mbaj mënt, kur çdo ditë e gjeja në laboratorin e tij me dr. Tepelenën duke përkthyer nga revistat e huaja frëngjisht dhe italisht.  Botoi shumë shkrime për mjeksinë në gazetat dhe revistat shkencore.

Te qenurit mjek per te ishte nje mision dhe pergjegjesi e madhe, prandaj çdo pacienti i shërbente me devotshmëri, jo vetem si specialist, por edhe si njeri që dinte të hynte në botën shpirtërore të pacientit dhe gjente gjithmonë zgjidhje.

*      *     *

Dr. Aranit Tartari kishte lindur në qytetin e Vlorës më 16 shkurt 1938, në një familje me tradita atdhetare e qytetare. Ai ishte demokrat në shpirt dhe mendje dhe i priti me entuziazem ndryshimet demokratike duke marre pjese familjarisht në çdo manifestim të Partisë Demokratike në Sheshin e Flamurit.

Doli ne pension ne vitin 1993 dhe ne vitin 1996 emigroi familjarisht në Shtetet e Bekuara të Amerikës siç e quante ai këtë vend të bekuar.

Aranitit nuk i mungonte asgjë për të jetuar në Vlorë. Ai ishte një mjek i talentuar me të dhënat e një shkencëtari, Lutfija, e shoqja ishte mësuese e nderuar dhe e respektuar, Helidoni, djali, një inxhinjer i talentuar dhe Anila, vajza, një mjeke me perspektivë.  Atëhere përse Aranit Tartari emigroi në Amerikë?

Ai njeri adhuronte lirinë dhe ëndërronte të jetonte në vendin e lirisë por edhe pse donte të shëronte atë plagë të rinisë: fluturimin në qiellin e lirsë, që ja vranë  në moshën më të bukur.

Në vitin 2001, pasi kishte punuar e dhënë shembuj qytetarie ai mori nënshtetësinë amerikane. Kjo ishte një nga ditët më të gëzuara të jetës tij. Tani ai mund të fluturonte jo vetëm në qiellin shqiptar por edhe nëpër qiejt e botës.

*      *     *

Kur mora lajmin e hidhur të humbjes së Dr. Aranitit nuk më besohej. Ai njeri që kishte dalë fitimtar në të gjitha bejejat e jetës së tij, qysh ishte mposhtur. E ktheva kokën pas dhe pash si në një film udhën e jetës që kisha përshkuar me një mik të mirë, si Aranit Tartari…

Ai ishte qytetar dhe mjek me virtyte të rralla. Ishte njeri me shpirt të gëzueshëm, gjithnjë optimist, shakaxhi, bisedat e tij të bëra me hiperbola që veç ai mund  t’i sajonte, i përsërisnin të gjithë gojë më gojë dhe provonin ta imitonin, por pa sukses.

Ishte një nga njerëzit e rrallë të qytëtit tonë, që kishte shokë dhe miq të shumtë, për të mos thënë se qytetarët e Vlorës, por edhe fshatarët, ishin të gjithë miqtë e tij. Ai nuk lodhej duke i ndihmuar të gjithë, prandaj e quanin miku i popullit. Ishte gjithnjë i pranishëm, pranë mikut dhe shokut, në festë, në dasëm, qoftë edhe në mort,  dhe takimet me atë burrë mbaheshin mënt gjatë.

Edhe Lutfijen, bashkëshorten, e kishte gjetur si vetja. Ishin një çift i përsosur. Fati e kishte bashkuar me atë gruan që nga karakteri dukej më tepër si motra e tij. Edhe ajo, gjithnjë  qeshur, e gëzuar dhe që të bënte për vete që në takimin e parë . Rrallë çifte ngjajnë dhe shkojnë me njeri tjetrin si Lutfia me Aranitin.

Ajo me fisnikërinë dhe bujarinë e saji i siguroi atij një jetë të bardhë  dhe i dhuroi dy fëmijë, si vetja Helidonin, që ishte edhe ai Diell si i ati dhe Anilën, të bukur dhe të qeshur si i ati dhe e jëma.

Nga prindërit, si të gjithë ne, nuk trashëgoi pasuri, por ai kishte një shpirt të pasur si asnjë tjetër.Ishte alturist,  i gatshëm për të flijuar të mirën vetjake për të mirën e të tjerëve, dëshira e synimi për t’i bërë mirë tjetrit.Araniti, motra Teferia dhe i vëllai, profesori i njohur Teki Tartari, e shkundën blozën e shtëpisë së Vranishtit dhe hodhën themelet e shtëpisë qytetarëe në Tiranë dhe në Vlorë, duke e ngritur emërin e familjes dhe fisit më lart.Nga bindja Araniti ishte thjesht një shpirt i pastër demokrati. Ishte kundër dhunës. Miqëve dhe shokëve që kishin mbetur më atë anë të barikadës komuniste nuk ua ktheu shpinën. Jetoi me kokën lart, kishte një dinjitet të pa shembullt dhe askujt nuk pranoi t’i përulej.

Me Aranit Tartarin humba një shok të jetës sime, një bashkëqytetar nga më të vlefshmit, një burrë të qëndrueshëm, i cili gjatë gjith jetës tij kreu detyrën qytetare, duke u bërë shërbëtor i vlonjatëve, ditën dhe natën, nuk mungoi në asnjë çast t’u vinte në ndihmë njerëzve, pa asnjë kusht  dhe pa pyetur, si dhe cili ishte ai që vuante, ç’ ngjyrë kishte dhe ç’punë bënte.

Bashkë përshkruam udhën e jetës në të keqe dhe në të mirë, në gëzime dhe në hidhërime. Të kishe shok Aranitin ai ta bëntë diell e dritë, çdo çast të jetës, ta hiqte mërzinë, vujtjen dhe dyshimin, me buzëqeshjen, me pak fjalë dhe me magjinë që të pushtonte. Ai ishte një magjistar i shpirtit njerëzor.

Doktor Isuf Hysenbegasi që e kishja mësues në gjimnaz, thoshte se ç’farë të shkruaj unë në recetë ti nuk e kuptom, por ç’farë të them me gojë ti e kuptom shumë mirë. I tillë ishte Aranit Tartari, ishte nga ata mjek që të shëronte me fjalë. Të bënin më shumë efekt fjalët dhe këshillat e tij se sa barnat.

Më tha prof. Ëngjëll Saliu që Aniti ishte sëmurë. Shpresoja që të triumfonte mbi sëmundjen, sikundër kishte triumfuar në dallgët e jetës, por besoj se me të njëjtin durim, me të njëjtën burrëri që kishte treguar gjatë jetës për kapërximin e vështirësive do ta ketë përballuar edhe sëmundjen që nuk besoja t’i këpuste fillin e jetës.

Nuk e di, se nuk isha pranë tij, siç dëshëroja, por jam i bindur se ai burrë i rrallë nuk do t’i ketë dalë kurrë prej gojës ndonjë fjalë ankimi dhe nuk do të ketë trguar shenja tronditje sepse ishte trim dhe dinte ta përballonte vuajtjen. E di se e ka duruar dhimbjen.

E di se në çastet e fundit të jetës tij do të ketë përfytyruar malet, burimet dhe bukuritë e Vranishtit dhe bregdetin e Vlorës  tij, me ngjyra ylberi, e drita shumë, do ta ketë ndier mallin e pa shuar që brente zemrën e tij në tokën e ëmbël të Amerikës.

Pusho i qetë në tokën e Shteteve të Bekuara të Amerikës, miku im Aranit Tartari.Ti dhe Lutfia e kryet misionin tuaj në jetë, punuat  jo vetëm për vete por më shumë për vlonjatët, na latë dy fëmi që do ta ngrenë më lartë emërin tuaj.

Aranitin do ta kujtojnë të gjith ata që e njohën si njeri e qytetar model, mjek i talentuar, baba, vëlla, mik e shok nga më të mirët. Për Aranitin jeta ishte shumë e shtrenjtë  sepse ai dinte ta shijonte, dinte të gëzonte dhe këtë u la trashëgim dy fëmijëve të tij Helidonit dhe Anilës dhe dy nipërve: Rafaelit dhe  Brentonit. U la trashëgim dashurinë për njeri tjetrin për lirinë  e kuptohet për Shqipërinë.

I tillë qe Aranit Tartari ky mjek, njeri dhe shërbëtor i popullit të tij, të cilin e mbuluan në dheun e Amerikës më 7 dhjetor të vitit 2016 dhe unë shkrova këto radhë si shenjë e nderim të shërbimeve të shquara që i ka sjellë Vlorës, për miqësinë tonë të gjatë dhe të pa njollë, i hidhëruar që nuk iu gjenda pranë atij miku aq të vlefshëm, atij mjeku që shëronte si me magji plagët e qytetarëve vlonjat, atij qytetari të denj e të nderuar të Vlorës.

Prehu në paqe miku im i pa harruar.

Ai u largua në amëshim, por emërin, jetën, punën, mirësinë,  dashurinë dhe ëmbëlsinë e tij do t’i kenë si model në udhën e jetës, të gjith ata që e kanë njohur.

Ai iku po na la gjurmët, shembullin e një mjeku human, shërbëtor i popullit të tij, të një qytetari të denj, të një shoku të një miku.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

Trending Articles