Sekretari i fundit i Abacisë së Mirditës, themeluesi i kishës së parë katolike shqiptare në SHBA (New York) mons. dr. Zef Oroshi (1912-1989) /
Nga Klajd Kapinova /
Po kush ishte imzot Zef Oroshi, që për një kohë të shkurtë, u bë një nga personalitet më të shquar të diasporës shqiptare në Europë e ShBA?
Oroshi, është ish qendra e Mirditës, që ka
gdhendur faqe të ndritura në historinë e popullit shqiptar.
Ajo, për shkak të pozicionit të saj gjeografik,
në qendër të maleve kreshnike të Veriut, duke u njohur me traditat e saj si një
krahinë katolike, ka qenë ndër shekuj një kështjellë e fortë e shqiptarizmës,
një epiqendër e fuqishme e tërmetit kundërosman për shekuj me radhë.
Ata që bënë historinë e Mirditës ndër shekuj,
ishin kapedanët ose Dera e famshme shtatë shekullore e Gjonmarkagjonit dhe
abatët, veçanërisht imzot Preng Doçi, ku, pasardhësit e të cilit jetojnë ende
në afërsi të Rubikut.
Ai u shkollua në Shkodër dhe Itali. Shërbeu si
misionar për shumë vjet në Kanada dhe Kalkuta (Indi). Më pas ringriti Abacinë e
Oroshit. Ishte njeri, ndër figurat kryesore, që bëri shumë për të zhvilluar
Mirditën dhe vendosur rregull në jetën e malësorëve të asaj ane.
Abati i shquar, kishte shpesh tendenca të forta
pavarësie nga otomanizmi de-shqiptarizues. Ishte njeriu, që kishte ngritur një
platformë të kjartë me bosht të theksuar politik, për krijimin e një Principate
në Mirditë, duke u përpjekur, për ta vënë atë në jetë.
Për më tepër, krahina në fjalë, është qeverisur
gjithmonë me dinjitet, në bazë të kanunit të maleve dhe për kohën e mungesës së
shtetit dhe të drejtës (ligjeve ose kushtetutës) së shkruar.
Kanuni i Lek Dukagjinit (i mbledhur dhe
kodifikuar më vonë nga atë Shtjefen Gjeçovi O.F.M. (1874-1929), ishte një
nevojë e domosdoshme, për të drejtuar jetën e bashkësisë nëpër Malësi të
Veriut, në të cilën, ka zënë vend në histori Mirdita, me qendrën e saj të
hershme Oroshin.
Mbiemri Oroshi, që prelati mbarti me dinjitet
edhe në SHBA, lajmëron sipas regjistrave të kishës, se ai kishte lindur më 24
nëntor 1912, në Tokën e Kathedraleve (deri në shek. XIX numëronte 200 kisha),
limanin vigan të kryengritjeve për flamurin e lirë, që ishte e mbeti Mirdita.
15 vjet më pas, i riu Jozef Oroshi, gjendet në
auditoret e Seminarit Papnor në Shkodër. Librat, me sa duket ishin dhe mbetën
pasioni i tij i vetëm. Përkushtimi i përshpirtshëm ndaj fesë e shërbesave
fetare, ishte një traditë e hershme e trashëguar nga të parët e familjes
Oroshi.
Mësimet fillestare Zefi i vogël, i mbaroi në
vendlindje, ndërsa mësimet e mesme i nis në vitin 1927, në seminarin e mirënjohur
të Jezuitve në Shkodër.
I etur për dije të thella e kulturë të pasur
civilizuese dhe kristiane Perëndimore, vijon studimet e larta më 1936-1940, në
degën admiruese të Teologjisë e Filozofisë në Romë (Itali) pranë Universitetit
të Urbino-s në Propaganda Fide, sëbashku me 14 djem të tjerë të rinj shqiptarë
asokohe. Mprehtësia dhe zgjuarësia, ishin të ngjizur thellë në mendjen e begatë
të të riut.
Kardinali italian Shkëlqësia e Tij mons.
Fumasson Biondi, Prefekt i Propoganda Fide, e shuguron, duke i dhuruar petkat
dhe koletin e meshtarit.
Buzëqeshja e sinqertë dhe fisnike, lexohej
lehtë në fytyrën e meshtarit të ri, që hynte me ndërgjegje dhe dëshirë të plotë
në vreshtën e madhe të Zotit. Fjala e Zotit, është fjala e popullit.
Meshtari, gjatë gjithë jetës së tij, u gjend
afër popullit të vet, në ditë të mira dhe të vështira, si një ushtar besnik i
Krishtit.
Ai ndau me besimtarët gëzimet dhe hidhërimet e
një jetë të vështirë plot tallaze në emigracion.
Abati i Mirditës dhe Delegati (Regent)
Apostolik (kur është dëbuar nga qeveria komuniste e Tiranës imzot Leone Nigris
Delegat Apostolik në Shqipëri deri më 5 maj 1945, shënimi im K.K.) imzot Frano
P. Gjini (1886-1948) e kishte don Zef Oroshin meshtar të ri në moshë dhe
njëkohsisht sekretar të tij të përkushtuar, brenda famullive që administronte
shpirtërisht (kishat sufragane).
“Edhe në jëtën baritore, ai s’ka pushue kurr pa
përfitue nga përvoja kur ka pasë shembuj të shkëlqyeshëm.
Prej 1940-1942, p.sh. shërbeu si sekretar i
Abatit të Mirditës n’Orosh, Imzot Frano Gjinit, të cilin e admironte për
drejtimet e këshillat qi epte, për elokuencën e tij bindëse e për pervujtininë
e dinjitetin fetar e kombtar qi e praronte.
Si në dhomen e pritjes dhe zyren e Abatit,
ashtu edhe në zyren e sekretarit të tij, Dom Zefi, kishte varë pikturat e
patriotit në za, Abat Preng Doçit.
Nji ditë i vjen nji mik prej Shkodre Imzot
Gjinit, dhe kur ve re se titullari i avacis nuk kishte asnji pikturë, i kthehet
Dom Zefit, tue e prozhmue: “Po si more Dom Zef, s’ia paskeni gjetë nji pikturë
edhe Monsinjor Gjinit!?”
Per te mos e ngushtue priftin e ri, Monsinjor
Gjini, i pergjigjet me të shpejtë: “Kur të vdes un, në qoftëse e meritoj, do
t’ma venë pikturën krah për krah me Abat Doçin; përndryshe do të mbajnë vetëm
t’Atijën. Si dihet Monsinjor Gjini, u ba martir e dha shum ma tepër se Abati i
“surgjenum” për mase 20 vjet.” (1)
Mbas 12 vjetëve (1940-1952), pasojë e
përndjekjeve të sigurimit dhe martirizimeve të vëllezërve në Krishtin, në kohën
e ateizmit të gjirokastritit Enver Hoxha, mbasi thotë meshën e pagëzon një
fëmijë të porsalindur, hoqi shpejt veladonin dhe mori udhën e arratisjes nëpër
male, duke iu bashkuar forcave të rezistencës kundërkomuniste.
Kryqin, që kishte në qaf nuk e la në Kishë, por
e mori me vete, për t’ia prirë të mbaren në udhëkryqet e botës.
E Zoti e deshti dhe e ndihmoi shumë. Ai ndihmoi
në momentet më të vështira me qindra emigrantëve, duke u dhënë ndihmë papushim,
në të gjitha drejtimet, deri sa kaloi në jetën e pasosun…
Për 8-9 muaj, qëndron mes maleve, në shpella,
shi e borë, me bukë e pabukë, i veshur keq në dimër, duke provuar mundimet e
Krishtit, që salvohet nga të pafetë.
Në ditën e Pashkëve 1952, për 15 trimat e
lirisë, mes maleve të Mirditës (pyjet e Molungut), thotë meshën në orët e para
të mëngjesit, ku, Zoti i dëgjon lutjet, duke e shpëtuar e udhëhequr drejt tokës
së lirë…
Në gusht 1952, ai gjendet në tokat etnike
shqiptare në Dardani për 3 muaj, duke kaluar e qëndruar për pak kohë në
Gjakovë, Pejë, Mitrovicë dhe shkon në Beograd.
Dera e Gjomarkajve të atdhelindjes së vet, falë
mikpritjes, zemërgjerësisë, bujarisë tradicionale, i dërgon garanci, për të
shkuar në Itali.
Ishte viti 1953, kur ai gjendet sërisht para
ëndrrës rinore. Tashmë 41-vjeçari Oroshi, po e prekte realitetin dhe shijonte
atë liri, që prej kohësh e kishte bluar në mendje e dëshiruar me zemër.
Sërisht me libra dhe pranë tyre, ndjehej i
gëzuar dhe krenar si bir arbëror. Më të mbërritur në Romë, fillon përpjekjet e
takimet me klerikë, për të vijuar studimet e larta në Teologji.
Këtë dëshirë zemre e përkushtimi, për dituritë,
shumë vite më parë, ia kishte shprehur ish-eprorit të lartë abatit ipeshkëv
imzot Frano Gjinit.
Dhe Zoti e ndihmoi, për t’i hapur me bujari
portat e dijës universale, mbasi kishte ndjekur nga afër kalvarin e vuajtjeve,
për të ardhur deri tek Portat e Piazza di San Pietro në Itali.
Paralel me studimet e larta, i kërkoj Selisë së
Shenjtë, që t’i miratoj kërkesën (dekretin), për të qenë kapelan katolik (bari
misionar), për bashkëatdhetarët mërgimtar politik, që gjendeshin në Romë.
Një pjesë e grigjës së tij, kishin shprehur
dëshirën, për të emigruar në ShBA, ku, imzot Oroshi i ndihmon, falë bujarisë të
gjithë pa dallim feje.
Sikurse kujtojnë miqtë e tij prelati, ka
ndihmuar me bujari një hoxhë shqiptar, për të ardhur i qetë në Tokën e Bekuar
të Amerikës.
Me bindje të plotë tek e ardhmja, menjëherë iu
përvesh punës dhe filloj veprimtarinë intelektuale e baritore, duke u marrë pikësëpari
me shqipërimin e librave të rëndësishme, me të cilat, do të përhapte fjalën
Hyjnore të Krishtit dhe ruajtjen e gjuhës së bukur amtare, shqipen.
Por në Tokën e Bekuar të Botës së Re, një
tjetër prelat katolik, kishte qenë përpara imzot Zef Oroshit. Ai ishte
bashkëvendasi e atdhetari i flaktë, abati i Mirditës e rilindasi i madh imzot
Preng Doçi.
Kjo kishte ndodhur, në gjysmën e dytë të
shekullit XIX. Ai, meqenëse e kishte të ndaluar të kthehej në Shqipëri nga
Perandoria Osmane asokohe (mbas 11 vjet burg, që kaloi në qelitë e ftohta të
osmanllinjve), imzot Preng Doçi (duke e marrë miratimin nga Selia e Shenjtë), u
nis për mision në Amerikën e Veriut në vitin 1877. Ishte ky shqiptari i parë
mirditor, që shkeli kontinentin e ri, si misionar klerik katolik.
Dy mirditas Doçi e Oroshi, në kohë të ndryshme,
bëhen tribunë e mendimit përparimtar shqiptar, duke lënë gjurmë të pashlyeshme
në ndihmë të besimtarëve dhe popullit shqiptar i ndodhur njeri mbas tjetrit në
dy robëri: otomane barbare dhe diktaturën komuniste.
Studiuesi dr. Pjetër Pepa, saktëson: “Natyrisht, kleri katolik, që kishte qenë
historikisht urë lidhjeje mes Shqipërisë dhe Europës, që kishte kulturën
perëndimore, kishte miq në Perëndim e bashkëpunonte me Perendimin, sa herë e
lypte çështja kombëtare dhe fatet e atdheut, ishte gjithnjë kundër
orientalizmit dhe e luftoi atë, me të menduarin, mënyrën e jetesës,
administratën e veprimtarinë shoqërore e prapë, gjithsesi ishte në epiqendër.”(2)
Falë pasionit e vullnetit të hekurt, për t’u
marrë me libra dhe studime, që kërkonin shumë mund dhe kohë në përkthime, dr. Oroshi,
përfundoi shqipërimin e librave: Katekizmi
(1953), Ungjilli simbas Mateut (1953), Studimet e Bioshme (1953), duke mos
lënë mbas dore studimin e leksioneve të disiplinave të universitetit në vitin e
parë akademik (1953-1954).
Po më 1960, përkthen dhe boton Visarthin Shpirtnuer, një lloj katekizmi
doracak, për familjarët emigrantë shqiptarë katolik.
Dashuria e respekti, për shkrimtarët e shkollës
së traditës geg veriorë, që kishin vulosur me erudicionin e përkushtimin e
tyre, u bënë objekt i studimeve të tij.
Për të qenë më konkret, ai zgjodhi shkrimtarin
e shquar dhe prozatorin modern prof. Ernest Koliqin dhe kontributin e tij
shumëplanësh, në fushën e letërsisë bashkëkohore shqipe.
Një punim të plotë dhe dinjitoz: si vepër
monumentale, kushtuar shkrimtarit Koliqi (numër special), ai e botoi të plotë,
në revistën autoritative, shkencore, kulturore Shejzat (1975), në përkujtim të
mikut të tij të madh.
Në Universitetin e famshëm të Romës Angelicum
(1958), vijon studimet e vitit të pestë në degën adhuruese të teologjisë, që
ndryshe njihet si disiplina ose gjimnasitika e trurit.
Këtu merr si subjekt, për të trajtuar
gjerësisht e filozofikisht 20 teza në shkencën e Teologjisë, duke e mbrojtur
(në vitin 1960) me sukses temën: “Një
reformator i madh i Kishës irlandeze të shekullit XII”, për gradën
shkencore Doktor.(3)
Në komisionin e Këshillit Shkencor Vlerësues të
Universitetit, bënin pjesë figura të shquara të kulturës, që punonin si lektorë
në Universitetet e ndryshme italiane.
Ekipi prej pesë profesorëve të njohur italianë
dhe një nga Universiteti i Oxford-it në Angli, e dëgjonte me vëmendje dhe
interesim shpiegimin e tezave, sipas një këndvështrimi dhe studimi të
hollësishëm, që kleriku shqiptar, i kishte bërë punimit voluminoz shkencor të
disertacionit shumëplanësh filozofik, teologjik, të cilin, e përshkonte një
bosht i ngjeshur enciklopedik.
Kjo u duk dhe në literaturën e përzgjedhur
shoqëruese, që autori i palodhur e këmngulës kishte renditur në fund të temës
shkencor hulumtuese.
Kujtimet e hidhura nuk i fshihen…
Ai përpiqej, t’a largonte vemendjen nga ngjarje
plot të papritura, që i kishin ndodhur në Shqipëri. Por sërisht, kujtime të një
kohë të hidhur, që s’harrohen e ngacmonin, për të gjykuar sesi ka mundësi, që
shqiptari komunist urren për vdekje bashkëatdhetarin atdhedashës dhe idealist.
Jemi në vitet e inkuizicionit të zjarrtë komunist,
ku, proletarët, ishin gati të grinin në morsën e tyre cilindo, që nuk mendonte,
ushqehej e këndonte vallen sllavo-ruse proletare kundërshqiptare…
Kështu, krimineli me nofkën sadisti i
pamëshirshëm, i quajturi famkeqi Hodo Habibi (i vetëquajtur si Toger Baba), me
urdhër të treshës: Rita Markos, Mehmet Shehut e Enver Hoxhës, e ndiqte
këmba-këmbës don Zefin, për ta vrarë, ashtu sikurse kishin masakruar pa gjyq
101 vetë në Qarkun e Shkodrës sëbashku me Malësi të Madhe (Kelmend), sikurse në
Lezhë dhe Mirditë.
Duke lexuar me kujdes, kujtimet plot plagë të
imzot dr. Zef Oroshit, shohim se: “… Vetë
Mehmet Shehu, pati deklarue, se Dom Zefit ia fali jetën, por në gjyq duhet me
dalë. Nji e thanë tjetër, ishte e sigurt: “Sa t’i peshoj trupi i tij aq flori
japim për atë që na e fut në kurth gjallë apo vdekun Dom Zefin”… Nga ujqit në
qeveri e ujqërit e malit, kjem të detyruem të iknim, sepse të dyja palët
turreshin mbas erës së gjakut… Preng Përdoda, po ecte pak përpara dhe u fut në
gjirin e nji kepi sa rafti. Sapo vuna kamben e djathtë ndigjova zanin e tij: “O
shkova megjith gur.” Menjiherë kapa degën e frashnit e e tërhoqa për xhakete,
duke i shpëtue jetën…”(4)
Editorët e botimeve kulturore të kohës, me
këmbëngulje i kërkonin eruditit të palodhur dr. Oroshit, artikuj të larmishëm
me tematika të ndryshme.
Kjo duket gjatë letërkëmbimeve, që prelati
katolik kishte me pendat e spikatura të mendimit elitar shqiptar në emigracion,
si: prof. Ernest Koliqin, prof. Karl Gurakuqin, prof. Rexhep Krasniqin, prof. Martin
Camaj, atë Daniel Gjeçaj O.F.M…
Kështu, në një letër që prof. Ernest Koliqi, i
shkruan nga Roma imzot Oroshit, ndër të tjera nënvizon: “Ju falena nderës për letër. Presim si zogla verës ndoi shkrim t’Uejin.
Shndet e punë të mbara.”
Gjithashtu ruajti një korrespondencë të
rregullt, me shumë personalitete e njerëz të thjeshtë shqiptare dhe të huaja,
ndër të cilët, ishin: Halim Begeja, dr. Henrik Gurashi (1914-1971), Tahir
Kërnaja, A. Toto, K.Cakrani, J. Bresa, Gj. Bala, Terence Carinal Cooke D.D., Robert
F. Kennedy, Teki Xhindi, Xhevat Kallajxhiu, Abdurrahim Kumbarçe, Gus Gorguze,
dr. Hamdi H. Uruçi M.D., Kolec Pikolini, Rrok Maloki, Marash Ndoc Shkreli, Ymer
Doda, reverend Baba Rexhepi, Ibrahim Kulla, Tahir Markaj, dr. Lec Zojzi M.D.,
Giovanni Cardinale Villot, msgr. James J. Murray, Cardinal Antoniutti, imam
Salih Myftija, Edward E. Swanstrom, Harvey Rothenberg, veschovo (ipeshkëv)
Giuseppe Perniciaro, Thomas F. Henegham, mons. Felice Cenci rettore, atë Andreaw
Nargaj, doktor dhe zoja Dibra, Vahit Çika, dr. Andrew E. Elia, John J. Maguire
D.D., episkopi Stefan lasku, imam Isa Hoxha, prof. Rexhep Krasniqi, dr. Tajar
Zavalani, prof. Mhill Marku, prof. Zef V. Neka, don Prek Ndrevashaj, papas
Teodoro Minisci arqimandrit, Lec Shllaku, Nesti Andrea, Roza Baba, dr. Agim
Leka M.D., Kolë Preka Cacaj, fr. Emmanuel Kljajiç O.F.M., don Ivan Colakoviç,
Preng Gruda, Sami Çaushaj, Isa E.Ndreu, Ndoc Vulaj etj.
Ajo që është interesante, është se ai ka nënshkruar
si antar i Urdhërit të shën Françeskut, kur në fakt kishte mbaruar studimet
teologjike si klerik jezuit.
Edhe sot komuniteti katolik shqiptar në New
York dhe rrethina, meshtarin aktual (një prift dioçezan) të Urdhërit Jezuit don
Pjetër A. Popaj, shpesh e thërret si frat.
Malësorët tanë, kanë pasur e ruajnë ende një
respekt të veçantë, për antarët e Urdhërit të shën Françeskut, në Veri të
Shqipërisë, të cilët, me përkushtimin dhe dashurinë e tyre për popullin, kanë
lënë gjurmë të pashlyeshme, në ndërgjegjën e kombit shqiptar ndër shekuj.
Don Zefi, ka celebruar meshë së pari në kishën
sllovene të shën Cirilit në St. Morris Park 8th Street në New York, në kapelen
e Universitetit të Fordham-it në Bronx, në shkollën e kishës së Mount Cornel në
Bronx, në kishën e St Raymond’s në Costle Hill Avenue në Bronx.
Emigrantët shqiptarë në Amerikë, kishin ardhur
nga kampet e refugjatëve të Italisë e Austrisë. Për më tepër, Lidhja Katolike,
u formua në një mbledhje të mbajtur në kishën katolike Sllovene të shën
Qirilit, në Saint Mark’s Pace, New York.
Në mbledhje, si mysafirë, morën pjesë, mes të
tjerëve, prof. Rexhep Krasniqi, Kryetar i Komitetit Shqipnia e Lirë dhe
aktivisti i komunitetit Stavri Qiriako nga Bashkësia Orthodokse Shqiptaro Amerikane.
Asokohe Monsinjori, që ishte meshtar i emëruar,
për shërbesa fetare në St. Raymond (East Tremont Avenue, Bronx, New York),
megjithëse çonte meshë në Kishën amerikane, gjithnjë me shpirt e zemër rrinte
pranë komunitetit të vogël katolik shqiptar.
Dhe më 1973, u realizua dëshira e madhe e klerikut
të përkushtuar në trinomin Fe Atdhe Përparim, mbas fushatës fondmbledhëse prej
bashkëatdhetarëve, në praninë e besimtarëve, u bë më në fund bekimi i kishës së
re, mes një atmosfere të madhe gëzimi, me të cilin ishte bashkuar, përmes
mesazhit edhe ish Kardinali i New York-ut, i ndjeri, Arqipeshkvi Metropolitan
Eminenca e Tij Terence Cooke.
Kisha e re, qendroi për shumë orë
e hapur, për vizitorët e shumtë shqiptarë e amerikanë.
Në një nga sallat e bukura të ambienteve të Fordham
University, u mbajt programi i rastit dhe u shtrua darka madhështore,
përgatitur nga Këshilli dhe Pleqsia e Lidhjes Katolike Shqiptaro Amerikane dhe
tre komisione te formuara nga ata.
Ja sesi e përshkruan, Mark K.Shkreli, atmosferën festive të
asaj dite gëzimi, për të gjithë bashkëatdhetarët, në faqet e revistës me të
njëjtin emër, tek përcjell raportin:
“Saloni, megjithse me
400 vende, kje tepër i vogël, për të pranue të gjithë ata që dëshirojshin të
merrshin pjesë në këtë solemnitet. Mbramjen madhështore e zamadhe me praninë e
tyne dhe mysafirët e grishun, për ketë rast e nderonin ndër të tjerë (mbasi
drejtori i ynë, At Zef Oroshi dhe kryetari i mbramjes z. Fran Sokoli, morën
vendet e veta) edhe: Dr. H. Begeja, përqafsues i Ballit Kombëtar, z. Ago Agaj,
përfaqësues i B.K.I., Dr. Rexhep Krasniqi, president i K.Sh.L., z. Imam Isa
Hoxha i New York-ut, z.Peter Chickos, president i Vatrës, imzot Gustav
Schultheoss, Vikar Episkopal i Bronx-it dhe perfaqësues i Eminencës Kardinal
Cooke, Arqipeshkëv i New York-ut; Imzot Stefan Lasko, ipeshkëv i Kishës
Orthodokse Shqiptare n’U.S.A.; Dr. Anthony Athanas, ish-Kryetar i Vatrës dhe
përkrahës i çdo të mire shqiptare; Dr.Çesk Ashta, Kryetar i L.K.Sh.; z. Sami
Çaushaj, i Org. Balli Kombëtar; Dr. Arnold, i shkollës Mjeksore “Eistein”
Bronx; Dr. Brown, Drejtor i Projekteve Shëndetësore në Fordham Misericordia
Hospital; Dr. Athanas Gegaj, editor i gazetës “Diellit”.
N’ora 5 mbas dreke,
kryetari i darkës z. Fran Sokoli, shpalli fillimin e programit. Zonjusha
shqiptare Lume Juka, këndoi Hymnin Kombëtar amerikan dhe atë shqiptar.
Mbasandej lexuene referatet z. Ndoc
Vulaj, n/kryetar i L.K.Sh.A. dhe z. Pashko Deda, antar i të njajtës. Hymnet dhe
referatet kjenë të pershëndetuna me duartrokitje të zjarrta.”(5)
Po të shikosh me kujdes fotot e botuar, në koleksionin e
revistës Jeta Katolike asokohe, syri dallon menjëherë pamjen arkitektonike të
projektuesit, ku, Shtëpia e Zotit, (Kisha), kishte formën e kryqit latin, me
kumbonare, me hapësirë mbas lterit, me drita të zbukuruara shumëngjyrëshe, që
ndriçojnë fuguret e shenjtorëve dhe afresket e shënjtorëve në pikturë.
Këtu shquhej një ballkon, brenda ambienteve të Kishës dhe në
fasadet e saj, janë të vendosur truporet e shën Ndout, shën Nikolla, Nana e
Këshillit të Mirë, etj., ndër më të adhuruarit me devocion të besimtarëve të
krishterë e jokrishterë.
Bariu nacionalist e dijetari i ndritur i shqiptarëve, la një
emër shumë të mirë në fushën e publicistikës e botimeve në gjuhën shqipe.
Ishte ai, që shqipëroi librin Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve (Romë, 1960, 1979), në gjuhën e
ëmbël gegë, aq të nevojshëm për shqiptarët.
Pjesë nga materialet e para të shqipëruara prej Ungjillit,
nisin të botohen për herë të parë, në revistën e komunitetit katolik Jeta
Katholike Shqiptare (1966-1978), në numërat e para të saj, por pa nënshkrimin e
vet.
Kjo rubrikë, vijoi rregullisht, në shumë numëra të së përkohshmes,
për pesë vite me radhë.
Monsinjori ishte tepër
enërgjik, në kryerjen me saktësi deri në fund të çdo detyre, që merrte
përsipër. Don Zefi, me modestinë tipike malësore, ishte një bibliotekë, që ecte
me dy këmbë, sikurse shpreheshin të gjithë ato që e njihnin nga afër, “një enciklopedi vërtetë e gjallë”.
Ai nuk dinte të shterronte kurrë, për dijet akademike dhe
bashkëkohore fetare dhe kulturore shqiptare që zotëronte. Për nga kultura e
pasur dhe e gjerë, ai kishte përherë në zotërim, një thellësi e pastërti
mendimi logjik.
Mbas Koncilit II Vatikanas (1967), mesha e shenjtë, u caktua
me dekret papal asokohe të mbahet jo në gjuhën tradicionale latine, por në
gjuhën respektive të çdo populli, që ushtron besimin katolik.
Eshtë bërë traditë në çdo shtet, për meshtarët, kur emërohen
si barinj shpirtëror në shtete të ndryshme të botës, duhet të flasin gjuhën e
popujve që u shërbejnë me sakramente e çojnë meshën në kishë.
Në këtë mënyrë, kuptohet e përjetohet më kjartë domethënia e
doktrinës së krishterë.
Mbas 40 viteve (2007), papa Benedikti XVI, ka shprehur
orientimin (sërisht me dekret papal), për t’u kthyer tek tradita e hershme
kristiane.
Tashmë mesha, po mbahet në gjuhën e hershme tradicionale
latine, për të qenë më pranë kohës së hershme, kur krishterimi u bë si fe
zyrtare në botë.
Shprehja me fjalë të zgjedhura e mbresëlënëse, erudicioni dhe
edukata e thellë ekumenike e imzot Oroshit, ishin ftesa e së dielës edhe për
shqiptarët e besimeve të tjera, shumë prej të cilëve shkonin për të dëgjuar
predikimin (homelinë) në kishë.
Si njeri me kapacitet human, si mjek i mirë me ilaçet e
Krishtit, shëron shumë plagë ndër shqiptarë, mërgimtarë të infektuar nga dhuna
e ushtruar nga rregjimet e njëjta totalitare.(6)
Dr. Oroshi, edhe gjatë meshëve në kishat amerikane, bëri
apel, për të drejtën e popullit për liri civile, besimi, për të cilën vuante
shpirtërisht e punoi me devocion me miqtë amerikanë e aktivistë të palodhur
bashkëatdhetarë kudo nëpër botë, për lirinë e fesë në Shqipëri.
Projektues e aktivisti i flaktë, mbetet si frymëzuesi i
bashkëatdhetarëve në organizimin e disa tubimeve kundërkomuniste dhe liri
besimi në Shqipëri, para Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UN) në Manhattan
New York.
Respekt e mirënjohje për mësuesin Mjeda
Imzoti e adhuronte shumë mësuesin e paharruar klerikun,
poetin dhe njeriun e shquar të përmasave botërore don Ndre Mjeden (1866-1937).
Oroshi, shpesh jetonte e vepronte, nën shembullin e
edukatorit të zellshëm e frytdhënës pranë Seminarit Papnor në Shkodër
(1843-1946, 1991).
Për të gjithë shqiptarët asokohe, Ishte një ndër njohësit dhe
propaganduesi më i shkëlqyer i jetës dhe veprës së poetit të dashtur Mjeda.
Ai, e përkujtoi me respekt të madh mësuesin e tij, në shenjë
mirënjohje e nderimi në New York, duke organizuar përkujtimin, në 40-vjetorin e
vdekjes.
Mjedja e nxënësi i shkollës e adhurues i tij, kleriku
emigrant imzot Oroshi, kishte miqësi me klerikët shqiptarë të besimeve fetare.
Don Ndre Mjeda e prifti Oroshi, ishin për dialogun ekumenik
me ortodoksët, besimin islam, bektashit, protestantët e fetë e tjera.
Ai, kishte bërë shpesh takime me Kryepeshkopin Hirësinë e Tij
imzot dr. Fan Stilian Nolin në Boston.
Për frymën e shëndosh në takimet ekumenike (midis kishave të
krishtera), sikurse mësojmë nga studiuesi i rrymës shkencore të mjedjaologjisë prof.
dr. Mentor Quku(7), “…autoriteti i
Mjedës, në këtë drejtim ishte absolut. Personaliteti i poetit, shihej si njeriu
më i përshtatshëm në të gjitha rastet kur lindëte nevoja për dialog.”(8)
Në mesin e shekullit XX, me rizgjimin e
lëvizjeve për bashkimin e besimtarëve të krishterë në botë, filluan të thyhen
shumë barriera e pengesa përmes ekumenizmit.
Kështu papa Pali (Paul) VI (1963-1978) e
Patriarku i Konstantinopojës Atenagora I (1886-1972) me origjinë arvanitas, që
jetojnë në Greqi, në takimin e tyre në vitin 1964 në Tokën e Shenjtë, u munduan
t’i afrojnë zemrat e të krishterëve të ndarë (shkizma) në vitin 1054.
Diskutimet e gjata, të dy barinjve të grigjës
shqiptare në emigracion, gjenin gjithnjë frymën e ngrohtë të mirëkuptimit e
respektin e ndërsjelltë. Ata kishin menduar kohë të gjatë, për rikthimin
dialogut ndërfetar (ekumenik), që kishin bërë pararendësit prelatë, për të
afruar e më mbas bashkuar kishën e ritit oksidental (catholic roman) dhe
oriental (orthodox east), si një vlerë e re shpirtërore e bashkësisë arbërore
në ShBA.
Me sa duket, përvojën e kishte mësuar nga eruditi
i gjërë e i thellë poliedrik i poetit don Ndre Mjedja shumë vite më parë.
Fëmijëria dhe rinia asokohe, kanë qenë një bllok shënimesh në kujtesën e
freskët të klerikut dr. Oroshi.
Në revistën 3 mujore të përkohshme të
komunitetit katolik shqiptar në New York, ai do të shkruaj artikullin me
titull: “Dom Ndre Mjedja me rastin e
40-vjetores së vdekjes”(9)
Ashtu sikurse për don Mjedjen e madh dhe bariun
në emigracion imzot dr. Oroshin, “… feja
dhe atdheu janë dy nocione, të cilat, nuk ishin në raporte përjashtuese me
njeri tjetrin. Në çdo rast kudo dhe kurdo kishte vend për të gjithë… Devocioni
fetar është brenda vetëdijës së Mjedës sëbashku me atdhetarizmin e flaktë. Ata
nuk mund të përjashtonin njeri-tjetrin, sepse ashtu ishin dimensionuar; ata
flinin bashkë brenda Mjedës”(10)
Kishte raste, që nga misionet e pambarim imzot
Oroshi, gjente pak kohë të lirë, për t’u prerë në qetësi, vetmi e cila, i pushtonte
mallin për atdhelindjen. Meditacionin e thellë si ushtrim shpirtëror e bënte dy
javë në vit.
Vetmia e tij, ishte një adhurim i përshtatshëm
mbushur me lutje, për një kontakt më imtim me Zotin.
Ai shpesh i mbushte sytë me lot dhimbjeje e
malli të pashuar, për atdhelindjen Oroshin, familjen e shpërndarë në kampet e
vështira të internimeve komuniste.
Gjatë shëtitjeve të lira në park, që miku i
afërt Tomë Mrijaj, ka bërë me kumbarën e katër fëmijëve të tij (Ardiana,
Nikolla, Elizabeta dhe Donika, shënimi im K.K.), kleriku i nderuar dhe
respektuar imzot dr. Zef Oroshi, vijueshmërisht, bënte biseda të lira për
Oroshin, përsekutimin e klerit katolik në Shqipëri.
Një ditë, kujton studiuesi dhe publicist Tomë
Mrijaj, disa vite para se meshtari të ndahej nga kjo jetë, ku, jetonte me shumë
priftërinj të tjerë të moshuar, që kishin dalë në pension në Cardinal Spellman
High School në Bronx, New York, thotë se, ai më thirri në telefon.
Dr. Oroshi, gjatë bisedës telefonike, i thotë
mikut të vet: “Tomë, a keni mundësi të
vini pak tek unë!?” Bashkëbiseduesi i përgjigjet prelatit, se në çdo kohë,
jam i gatshëm të vi tek ju. Gjatë rrugës, duke udhëtuar me makinë Toma,
mendonte, se don Zefi, duhet të jetë shumë i sëmurë.
Aktivisti i kishës katolike shqiptare Zoja e
Shkodrës dhe miku i afërt i meshtarit Tomë Mrijaj, tregon: “Kur hyra brenda shtëpisë, Monsinjori, u
ngrit në këmbë, me buzëqeshi gjithë humor, duke thënë: “Pashë në dritare një
diell të bukur, që më ngacmoi në shpirt frymëzimin. Menjëherë, më shkoj mendja
tek ju, e u telefonova, duke qenë i sigurtë se do të vinit për të shëtit
sëbashku me mua.”
Iu
përgjigja, se jam gati të shkojmë për shëtitje, ku, të dëshironi ju. Ai
dëshironte që të shkonim në brigjet e plazhit Orchard Beach. Atë ditë, në
bregdet nuk kishte asnjë vizitor, përveç meje, imzot dr. Zef Oroshit dhe qindra
pulëbardha, që fluturonin dhe ecnin të qetë rreth nesh.
Prelati
ynë më pyeti:
“I dashtun Tomë, nëse ia qëlloj a më thua të vërtetën?”
Ai nga
sëmundja e rëndë, mendonte se e kishte humbur vetëdijën. Monsinjori, e ngriti
dorën e djathtë lart e shtriu drejt ujërave të pambarim të Oqeanit Atlantik dhe
me drejtimin nga Jugu më tha: “A i bie të jetë në atë drejtim Shqipnia?”
Unë iu
përgjigja menjeherë, se në atë drejtim, që tregoni ju me dorë është Shqipëria.
Pashë se mënjeherë i erdhi nga thellësia e shpirtit një buzeqeshje shumë e gëzuar.
U ngrit në këmbë, i çoi duart përpjetë dhe tha
fjalët: “E vraft Zoti Enver Hoxhën e at
komunizëm të zi, që nuk na la me jetue në vendin tonë. Po ç’ka i bam na
priftat, të cilët, u masakruan nga diktatura e tij. Na historikisht, e kena
dasht dhe e dona vendin e popullin tonë, të cilit, i kena shërbye përherë me
zemër e dashuni.”
Atij i plasi një vaj i madh dënese dhe
përshpërti emrat e vëllezërve të tij Prenit, Ndout dhe motrës Luçies, për të
cilët, kishte marrë lajme jo të mira, se gjenden të internuar në Gradisht të
Lushnjës.
Ju drejtova imzot Zef Oroshit, se ju jeni një
personalitet i madh, që po vuani, sikurse kanë vuajtur historikisht njerëzit e
shquar të këtij planeti.
Librin
tuaj të shqipëruar: “Katër
Ungjijt dhe Punët e Apostujve”, e pashë në çdo Kishë gjatë vizitës sëfundit në
Kosovë dhe meshtarët më pyesnin për ju. Ai u qetësua disi dhe mbas pak minutash
u kthyem me makinë në shtëpinë e tij…”
Mons. Oroshi dhe numëri i parë i revistës Jeta
Katholike Katolike (New York, 1966)
“Shekujt e parë letrarë
shqiptarë, apo e thënë ndryshe, faza pararendëse e kulturës së shkruar shqipe,
dallohet për një prani të gjithëpushtetëshme të autorëve klerikë katolikë… Në
gjysmën e parë të shekullit të kaluar, nga 294 autorë që botuan të paktën një
libër, 205 prej tyre ishin pjesëtarë rë komunitetit të krishterë shqiptarë…”
– Prof. dr. Stefan Çapaliku. “Krishtërimi ndër shqiptarë”, Tiranë, 1999
f.440-444
Revista fetaro kulturore Jeta Katholike
Shqiptare (Albanian Catholic Life) si organ shtypi, që në hyrje përcakton, se
është organ i Lidhjes Katholike Shqiptaro Amerikane në New York.
Redaktorët e parë ishin: Dr. Çesk Ashta e Kolë
Çuni, ndërsa drejtor përgjegjës Rev. Joseph J. Oroshi, D.D. Adresa e parë e
revistës ishte: 261 South Broadway Tarrytown, N.Y., U.S.A.
Më poshtë në faqen e dytë thuhet, se
dorëshkrimet dhe nëse nuk botohen nuk kthehen.
Karakterin demokratik dhe lirinë e debatit e
shohim në përcaktimin se: “Artikujt me karakter polemik, duhet të nënshkruhen
me emen”, një shembull ky për mediat “demokratike” shqiptare të shekullit XXI.
Në ballinë bie në sy dy shtegtarët arbëror, që
shoqërojnë me vështrim ikjen në Genazzano (Itali) të fugurës së shenjt të Zojës
së Shkodrës, mbas masakrave barbare të pushtuesve turq mbi popullsinë vendase.
Kjo vepër relgjioze dhe artistike njëherësh,
gjendet sot në tavanin pranë elterit të kishës katolike Zoja e Shkodrës (1998)
në Hartsdale New York.
Revista, në #1, viti I (1966), ka 26 faqe. Bie
në sy në gjithë buletinin mungesa e gërmes ë.
Ajo hapet me editorial-in e shkruar nga
drejtori përgjegjës imzot dr. Zef Oroshi, me pseudonimin Zodiaku (E më vonë do
të përdorë pseudonimin Teologu, Redaksia).
Ai, mbasi bën një përshkrim të shkurtër të
përsekutimit të intelektualëve në Shqipëri në vitet e errëta të komunizmit
ateist, shton se përballë masakrave elita intelektuale në emigracion përkujton
frytet dritëdhënëse të lëmeve të ndryshme të diturisë, duke përshkruar revistat
që botoheshin në Shkodër, gjatë kohës që vetë meshtari Oroshi ishte student në
shkollën private katolike.
Me një nostalgji të veçantë, kleriku Oroshi,
kujton dy pleqtë të veshur me kostume tradicionale vendase, që shëtisnin derë
më derë, për të shpërndarë me një krenari e zë të lartë revistat: Hylli i
Dritës, L.E.K.A. etj.
Autori Zodiaku, shkruan:
“Natyrisht
dhe per kete, megjithse do te dale tremujor dhe pa kurrfare mtese epersijet, na
mungojnë mjetet dhe, ne rrethanat e sotshme, deri diku dhe pendat, sepse,
secili asht i mbethyem ne tavoline ose fabrike me punen nga e cila nxjerr
jetesen e perditshme.
Meshtaret
shqiptare, dhe ata qe kane mbete gjalle dhe jetojne ne boten e lire, jane te
shkaperderdhun e te lidhun me pune aty ku i ka hjedhe rrethana historike, nen
urdhnin e auktoritetevet fetare vendase.
Megjithate,
derisa ndjetin e kemi te mire, me te gjitha flijimet personale qe parashifen,
kemi uzdaje te plote se disa penda ma prodhueset nder ambjente te e sidomos
meshtarevet e te katholikevet kane me na mungue…
Sot per
sot Lidhja Katholike Shqiptare Amerikane e New York-ut ka caktue me e qite per
nji vjete buletinin.
Nese
bamiresija, simpathija dhe penda e intelektualvet do te na perkrahin, u
premtojme lexuesavet se grupit t’yne nuk do t’i mungojne vullndesa e flijimevet
personale dhe e punes vullnedtare per vijimin e tij.” (f.2)
Artikulli vijues, në faqet 3-5, është shkruar
nga Pader Andrew Nargaj, O.F.M., Ph.D., duke i lënë vendin më pas shkrimit
redaksional: Rruga e Jone.
Një përkthim interesant, është bërë nga Prof.
Martin Camaj, të titulluar: Adhurimi i Tre Dijetareve nga Lindja, ndërsa Kolë
Nikoll Bajraktari, përshkruan atmosferën e Krishtlindjeve dhe vijon me poezinë
Keshendellat.
Kol Çuni, në shkrimin e parë jep përshkrimin e
Presidentit John F. Kennedy: Babe Familjet e Besimtare i Vertete.
Prof. Mhill Marku, paraqitet për lexuesit
mërgimtarë me analizën: Gjuha Shqipe ne Amerike dhe më poshtë ka ofruar një
poezi nga Pader Gjergj Fishta.
Zef Pashko Deda, trajton marrëdhëniet mes
Vatikanit e Washingtonit dhe Papa Pali VI, ndërsa për Gonxhe Bojanxhiun e
veprimtarinë e saj në dobi të të varfërve, At dr. Zef Oroshi, u tregon
shqiptarëve ne mërgim për bijën e harruar në tokën e të parëve në Shqipëri.
Revista, në #1 të saj, ka kronikën shoqërore,
zgjedhjet e reja të Lidhjes Katolike Shqiptare Amerikane, si dhe stafin e
shtypit, në të cilën janë emrat: Loro Stajka, Ndue Gj. Markaj, Nikoll Melyshi,
Kol Nikoll Bajraktari, Zef Pashko Deda, Tonin Mirakaj, Zef Hasani, Fran Sokoli,
Lodovik M. Bajraktari.
Ajo që është më interesantja, është se në
revistë janë të shënuar meshët përkujtimore e mesha për deshmorët e Atdheut
(pavarësisht se cilit besim i përkasin), duke u quajtur tradicionalisht më vonë
si meshë Kombëtare çdo 28 Nëntor, kur është edhe kremtimi i Shpalljes së
Pavarësisë.
Revista, falënderoi të gjithë për pagesën e
rregullt të antarësisë, me anën e së cilës krijohet mundesia e vijimësisë së
saj.