Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

NË BERLIN – KODI MANUSCRIT I NDRIÇUAR QË FIKSON ZANAFILLËN E HISTORIOGRAFISË SHQIPTARE

$
0
0

Nga Ilia S. Karanxha-Firenze/ Itali/

Ne Foto:Minjatura ku Marin Beçikemi i dorzon veprën dozhes Agostino Barbarigo. f. 1v/

Si fillime të historiografisë moderne  shqiptare deri më sot  konsideronim  veprat  De Obsidione Scodrensi (1504)  e “Historia de Vita et gestis Scanderbegi  Epirotarum princips” (1522)  të cilat së bashku  kanë përfaqësuar  monumentet  e para  të kulturës e  identitetit shqiptar e në të njëjtën kohë gurin themeltar në historiografinë shqiptare. Mirëpo duke mos njohur autorin e vërtetë të  këtyre veprave  gjithçka fillonte dhe mbaronte aty. Me shumë të paditura dhe me dhjetra  hamendesime  që linin pa një shpjegim racional  edhe fakte elementare.I ashtuqojturi Marin Barleti  na  paraqitej më shumë si  një enigmë se sa si një person historik i botës reale.

Në kushtet e reja të zbulimeve  albanollogjike  krijohen mundësira më të mëdha e krejt të ndryshme   për hulumtime të  reja  dhe  fillimet e historiografisë shqiptare rimarin një dimension të ri. Një dimension më realist  dhe më evropian të lidhur ngushtë me  zhvillimet humanistike të kohës.

Në filologjinë evropiane u injorua deklarata e P. Giovios(1546) që njihte si autor të Historisë së Skënderbeut Beçikemin dhe u parapëlqye studimi i  A. Zenos(1753) që krijoi artificialisht  figurën e Barletit si një person i ndryshëm nga Beçikemi.  Për pesë shekuj me radhë   mbeti i panjohur dedikimi monumental që humanisti shqiptar Luka Ulqinaku i bënte Marin Beçikemit qysh më 1519 ku e cilësonte atë  si një Baba  shumë i nderuar i kombit. (I. Karanxha: Luka Ulqinaku. Një dedikim munumental për Marin Beçikemin. Rilindasi Sup.  26.III.2016) E në fakt babai i vërtetë i kombit shqiptar sot  mbetet  vetëm Marin Beçikemi.  Koha tregoi se rrugët e ndërmjetme apo të ndryshme janë të gjitha pa asnjë prespektivë që degjenerojnë në  një farsë megallomane me karakter  antikombëtar.

Duke ndjekur hapat e formimit kulturor të  këtij humanisti  gjejmë   aktivizimin e tij qysh në moshë të re kur mban në publik dhe para autoriteteve veneciane fjalime retorike. Këto fjalime  kanë karakter  lavdërues  për jetën dhe bëmat e këtyre nëpunësve  të lartë që krahasohen  sipas rastit, e sipas zakonit të kohës,  herë me figura mitollogjike, herë biblike e herë herë  me figura e  heronj të  shquar të antikitetit. Nuk mungojnë  ekzagjerimet por nuk  mungon  të flasë  edhe për ngjarjet e  Shqipërisë për  luftën madhore të  Shkodrës, për  trimërinë e besnikërinë e shkodranëve, për qëndresën heroike kundra perandorisë më agresive të kohës,  për nevojat dhe fatin e emigrantve që kishin mbritur në Vendik dhe që prisnin ndihmë e mbështetje  nga Serenisima. Nuk nguron  të flasë në këto fjalime për jetën e  vet,  për fatin e familjes së tij dhe për nevojat e  ngutëshme për mbijetësë.  Praktikisht fillon të hedhë hapat e para në shkrimin e historiografisë shqiptare, fillon të interesohet për ngjarjet e afërta e të largëta të ndodhura në Shqipëri, të shkruajë për të shkuarën e lavdishme, për situartën  e momentit si individ apo në emër të gjithë komunitetit shqiptar edhe për gjëndjen dhe nevojat e tyre.  Nga një fjalim panagjerik tek tjetri do të arinim deri tek vepra  e mirënjohur Rrethimi i Shkodrës bile edhe pas  botimit të saj në Breshia ku bënte profesorin nuk do mungonte tu fliste nxënsve të tij për lavdinë e qytetit të Shkodrës.  Fill pas botimeve mbi këtë ngjarej  do t’i dedikohej për vite me rradhë historisë  të Skëndërbeut deri sa të arinte më 1522  në botimin monumental që njohim sot apo në pregatitje të varianteve më të shkurtura që do të vidheshin nga  niprit e Pal Ëngjëllit. (I. Karanxha: Gjeneza e një vepre dhe shtrembërimi i historiografisë shqiptare në shek. XVI. Zemra Shqiptare 1.XI.2015. )

Ja pra në këtë shtjellim telegrafik për  humanistin  tonë del qartë se  shumë vite më parë se të dilnin veprat e sipërpërmëndura ishin hedhur hapat e para të historiografisë shqiptare. Tërthorazi  mësohet se ai kishte filluar të fliste në publik dhe para autoriteve veneziane qysh nga viti 1484 por viti 1491 ose 1492 shënon një moment kulmor në jetën e  Marin Beçikemit. I dipllomuar  ose në prag të dipllomimit në të drejtë kanonike ai  paraqitet me një poemë të gjatë para dozhes së Venedikut Agostino Barbarigo (1419-1501, doxhe nga viti 1486). Një ngjarje e  jashtëzakonshme e rëndësishme  e  në të njtën kohë një nder i veçantë në jetën e këtij të riu plot  talent dhe erudicion. Përmbajtja e kësaj poeme që përmënd edhe luftën e qëndresën heroike të  Shkodrës nuk është shumë e ndryshme nga fjalimet e tjera panagjeriste që folëm edhe më sipër mirëpo këtë ngjarje  kaq të veçantë e të rëndësishme të jetës së tij para dozhes së Venedikut ai  do ta bënte të pavdekshëm me një kod dorëshkrim të ndriçuar nga një minjaturë e cila sot automatikisht mer një vlerë të dyfishtë. Si embrioni i fillimeve të historiografisë  nga shqiptarët por edhe  si një  dokumen  viziv që e ka bërë të pavdekshm  momentin  historik. E thënë me termat moderne  një fotokronikë për   pikënisjen e  historiografisë shqiptare. Një ngjarje e shënuar e jetës së Marin Beçikemit shndrohet në mënyrë automatike një ngjarje e shënuar për mbarë popullin shqiptar, shndrohet automatikisht një pilastar i parë i  shkencës albanollogjike,  i kulturës dhe i artit shqiptar.

Pas argumetimeve për portretin autentik të Skënderbeut në kodin e ashtuqojturit  Fenestella-s  i cili zgjidhi  për shkencën albonollogjike një polemikë gati shekullore(I. Karanxha: Skënderbeu autentik dhe modeli i Romës antike (de romanorum magistratibus) për mbretërinë shqiptare. Milosao 21 nëntor 2014- (në rjetë : Zemra Shqiptre 16.XI. 2014;  Revista Drini, Tetova News)  tani me kodin dorëshkrim të biliotekës shtetërore të Berlinit  shkenca albanollogjike pasurohet me një  dokumet të rallë i cili  pasqyron   në mënyrë vizive  e autentike edhe aktin e parë të fillimit të historiografisë shqiptare. Në të njëjtën kohë këto minjatura e ndonjë aplikim tjetër (I. Karanxha: Nga Skënderbeu tek Giorgone e Leonardo da Vinci. Gazeta  Dielli 5.VI. 2011 )  duhet ti konsiderojmë  edhe si  fillimet e artit rilindas shqiptar. Këto ishin shkëndijat e para të daljes nga mesjeta  të cilat u shojtën nën terrorin e terrin  shekullor  të Perandorisë Otomane.

Dy fjalë për poemën e Beçikemit  dhe dy  kodet dorëshkrim. 

Poemën e vet Beçikemi e ka mbajtur para dozhes Agostino Barbarigo aty nga vitit 1491 ose fillimi i vitit 1492.  Ai e përmënd këtë oracion në shkrimet e tij të cilën e referon për herë të parë A. Zeno në formën:  Orationes ad Serenissimo Venetorum Duces Augustinum Barbadicum & Leonardum Laurentanum Principes...(A. Zeno : Dissertazione vossiane…1753, p. 419) mirëpo nuk gjen gjurmë  që oracionini  për Barbarigo-n  të ketë parë dritën e botimit.

Kjo përmëndje e Zenos meret nga   Cecil H. Clough (DBI, 1970,  vol. 7, pp 511-515 edhe në rjetë ) i cili në zërin  për Beçikemin  oracionin  mbi dozhen A. Barbarigo e fut mes  mes veprave të  humbura të tij.

Në fakt vepra nuk shkoj kurrë në shtyp por mbeti si dorëshkrim jo një por në dy kopje pra dy kode. Ato ishin  referuar   nga Oscar  Kristeller ( Iter Italicorum vol. II, 1967, p. 247 (Kodi i Venetikut), e vol. III 1983, p. 360 (Kodi i Berlinit)

Kodi i Berlinit :  Marinus Becichemus Scodrensis ad Serenissimum et praestantissimum Principem Augustinum Barbardicum illustrissimum venetorum Ducem (=Marin Beçikemi Shkodrani për Princin shumë të Kthjellët e shumë të shkëlqyer Agostino Barbarigo dozhe shumë i famshëm venezian) (Staatsbibliothek zu Berlin –Preußischer Kulturbesitz (SBB-PK), Ms. Ham. 69)

Përshkrimi i detajuar i këtij   kodi  është bërë për herë të parë më 1966 nga Helmut  Boese ( Die lateinischen Handschriften der Sammlung Hamilton zu Berlin beschrieben von Helmut Boese = Dorëshkrimet latinisht të koleksionit Hamilton të përshkruara nga Helmut Boese -Wiesbaden Harrassowitz 1966,  p. 36 )

Kodi ka përmasat 26.5×18.5cm, i shkrojtur mbi pergamenë, është i lidhur me kapakë   dekorativë të praruar  në qëndër të të cilëve është pikturar përsëri me ar stema e dozhes Agostinio Barbarigo.   Në f. 1r gjendet titulli me gërma të mëdha të praarura i cili  është  i mbyllur në një kornizë të kuqëremtë; f. 1v dedikimi i M. Beçikemit drejtuar dozhes ndodhet poshtë  minjaturës të  ambientizuar në pallatin dukal.  Beçikemi i  veshur me petkat priftërore i dorzon veprën e tij dozhes; f. 2r nis vetë poema  e ndriçuar  rreth e rotull me zbukurime floreale. Çel poemën   gërma e madhe O  (O Scodrae  infandos semper miserate dolores…)që është ndriçuar gjithashtu me zbukurime ari e brënda saj qendron Luani simbol i republikës të  Shën Markut ndërsa në pjesën e fundit të kësaj flete takojmë  pësëri stemën e vetë dozhes A. Barbarigo.

Publikimi i  plotë  i  këtij kodi  dorëshkrim  të cilin e disponojmë sot  në variant integral  nga biblioteka  berlineze  do t’i bashkangjitet  veprës së  re dedikur  humanistit Marin Beçikemi.  Në të njetën kohë për të nxjerë  në pah vlerat  historike e letrare të kësaj poeme  të rëndësishme në zanafillat e historiografisë shqiptare  është në fazën përfundimtare traskiptimi dhe përkthimi i plotë i poemës. E gjitha kjo  falë bashkëpunimit e  punës këmbëngulse e  të çmuar  të studiueses së shquar italiane  Dr Olimpia Gargano  e cila qysh në hapat e para të veprimtarisë së saj publicitare me pasion të veçantë dhe me rezultate të shkëlqyera i është dedikur shkencës albanollogjike.(Shih: Gëzim Llojdia: Studiuesja Olimpia Gargano dhe poema epike. Telegraf 7.III.2016. Idem: Shqipëria e Epërme e Edith Durhamit përkthehet në Itali. Gazeta Standart 27.IV.2016, Dielli 28.IV.2016  )  Përfitojmë nga rasti në këtë shkrim t’i dërgojmë edhe publikisht falenderimet më të sinqerta doktoreshës Gargano   e cila bujarisht  nuk mungoi të  ofronte  kontributin e saj  edhe në këtë sektor të rëndësishëm të historiografisë  shqiptare.

Jemi në pragun  e jubilejve të mëdhenj për historinë e kulturën shqiptare të cilat më 2018 na bie të rikujtojmë si 550 vjetorin e vdekjes të Skënderbeut e po ashtu, si asnjëherë deri më sot, edhe 550-vjetorin e lindjes të Marin Beçikemit (alias Barleti). Dy viganë  që qëndrojnë në themelet e historisë,  identitetit,  kulturës dhe  shtetformimit  shqiptar. Të një historie,  të një identieti e të një kulture  që i ka rënjët e veta  në rilindjen evropiane.  Serioziteti dhe angazhimi i institucioneve të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë shpresojmë dhe urojmë të mos mungojë.

Kodi i Venedikut:  Marinus Becichemus Scodrensis ad Serenissimum …ecc. (Titulli si më sipër)  (Bib. Nazionale Marciana -Venezia (Lat.Class XIV, cod 173  (4574)

Titulli i veprës paraqitet pësëri i mbyllur brenda një kornize dhe dekoracionet janë shumë të thjeshta e të varfëra. Dedikimi i Beçikemit në f. 1v ështe vendosur  poshte stemës së dozhes A. Barbarigo që mbetet i vetmi zbukurim ikonografik i kodit.  Ky kod  duket  si një kopje e primitive e  kodit të Berlinit.  Ai është  publikuar së fundi  si faksimile nga L. Nadin (Migrazione e integrazione…Roma 2008, ff. 207-223) me pretendimin e rigjetjes të një vepre të humbur meqënëse  Cecil H. Clough në  DBI, 1970,  siç e përmëndëm më lart,  e kishte paraqitur si të tillë.  Poema komentohet prej saj si një krijim  skolaresk që imiton  vargun virgjilian e  tërësinë e poemës  e konsideron si një mashtrim letrar. Një konsideratë jo e saktë e mosbesuese  për veprimtarinë krijuese të shqiptarëve. Opinjone të ngjashme   do t’i gjejmë të përsëriten nga kjo studiuese  edhe në vepra Shqipëria e Rigjetur(2012)  kur i duhet të  komentojë  jetën  dhe veprat e  të ashtuqojturit Marin Barleti.

 

Disa probleme  kodikollogjike e ikonografike.   

Problemi i parë është çështja e datimit të poemës si një krijim letrar  dhe i pregatitjes së  kodit si një vepër përkujtimore.  Lidhur ngushtë me këto çështje  është edhe  përcaktimi i  autenticiteteit të  personave të protretizuar në kodi berlinez.

Duke ndjekur nga afër jetën e Beçikemit e kemi parë si një variant të mundshëm që ai të jetë prezatuar para dozhes  Agostino Barbarigo aty nga vitit 1491 ose e shumta e shumta aty nga fillimi i vitit 1492 vit në të cilin  ai u largua për në Raguza. Kuptohet  që në  momentin e prezantimit  ai kishte gati   poemën por kjo gjë nuk mund të thuhet me siguri edhe për kodin.  Ai mund të ishte pregatitur si para kësaj date po ashtu edhe mbas kësaj date.

H. Boese që na ka lënë  përshkrimin e kodit berlinez  e jep atë  si një krijim të fundshekullit të XV por nuk flet për poemën ndërsa  L. Nadin nuk flet fare për  kodin venezian  por vetëm për poemën që e konsideron si një krijim të periudhës rinore.

Në se kemi parasysh koston e lartë që duhej për pregatitjen e një kodi me minjatura dhe të lidhur me kapakë të dekoruar del e vështirë të mendohet  që Beçikemi në moshën e tij rinore t’i kishte pasur këto mundësi financiare. Bie në sy cilësia e dobët nga pikpamja artistike e minjaturës dhe ky fakt të bën të mendosh për një kosto më të vogël. Sidoqoftë problemi i datimit të kodit mbetet një çështje e hapur për hulumtime më të detajuara në kontekstin e prodhimtarisë kodikollogjike t në fundshekullin e  XV dhe në fillim të shkek XVI.

Përsa i përket çështjes të autenticitetit të personave të portretizuar me gjithë dobësinë e minjaturës   afrimiteti i portretizimit të dozhes Agostino Barbarigo  me imazhin e tij të vërtetë që dokumetohet  nga shumë portrete të kohës ose të më vonshme nga artistët me të shquar  të kohës  (G. Bellini, M. Basaiti, P. Veronesi, medalja me portretin e dozhes etej. ) mbetet i pa kundërshtuar. Në këtë pikë për paralelizëm mund të themi se edhe  figura e Beçikemit  si një protagonist i drejtpërderjtë i ngjarjes na trasmeton imazhin e tij të vërtetë. Kuptohet brenda aftësive të kufizura artistike  të minjaturistit.

Kur u botua vepra Historia e Skëndërbeut ajo u shoqërua me një portret i cili nga historiografia shqiptare u konsiderua si portreti autentik  i Marin Barletit domethënë Beçikemit  dhe është i mirënjohur në Shqipëri në të gjitha publikimet e ndryshme që lidhen me emrin e këtij humanisti.

Në shkrime të mëparshme(I. Karanxha : Cosiddetto ritratto di Marlin Barleti,  Paese nostro. – Nr. 135, , shkurt, 2009, f. 17-18) por edhe në  vepra:  Barleti apo Beçikemi? (2010) argumetuam se ky portret nuk kishte të bënte me imazhin e vërtetë të autorit por kishte qënë  një portret simbolik që u përdor nga Bernardino de Vitali edhe në publikime të autorve të tjerë. Sidoqoftë gjetja e  imazhit të humanistit shqiptar Marin Beçikemi(Barleti) në minjaturë do të jetë një pikë e sigurtë  referimi për hulumtime  ikonografike në ambientet e  artit rilindas venecian, breshian apo padovan  ku humanisti ynë zhvilloi veprimtarinë e tij  gati gjithë jetën e vet.

Firenze 29.IV.2016


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>