Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

Një misionar i dritës, qe duhët kujtue me nderim: DOM MATISH LISNA!

$
0
0

Nga Nexhmi Bushati/

*Mbi Jeten, Vepren dhe Martirizimin e Oratorit Dom Matish Lisnes (1924-1958)/

*“Vdiq apo e helmatisën oratorin e saposhuguruar, Dom Matish Lisna.”/

-Dosja e Diktaturës nga Pjetër Pepa, ish-Ambasador i Shqipërise ne Vatikan/

“Shteti komunist helmatisë dhe zhdukë klerikun e nderuem Dom Matish Lisna, të cilin e mbyti në moshën 34 vjeçare, vetëm se fjala e Tij nga predikatoria arriti me joshë dhe me afrue pranë Kishës së Madhe, qindra e mijra të rijë t’etshem me mësue të vërteten e Ungjillit.”

-Gjurmët të Çojnë në Sigurim nga Fritz Radovani/

Ne vitin 1992, me rastin e 80–vjetorit te shkolles se Barbullushit, ne plejaden e ish-mesuesve te saj qe u nderuan nga Presidenti Sali Berisha me titullin dinjitoz “Mesues i Merituar,” figuronte (pas vdekjes) edhe Dom Matish Lisna. Nje borxh i madh patriotik e human shlyhet kur trajtohen e ndricohen ato figura te nderuara qe pa asnje rezerve, tere bagazhin e tyre moral e intelektual e vune ne sherbim te idealeve fisnike duke i bere sfide survejimit dhe perndjekjeve te diktatures se eger komuniste.

Ne, qe Dom Tishit (sic e quanim zakonisht) i a njohem per se afermi aftesite dhe perkushtimin, thellesine e tij te shpirtit dhe te mendjes, seriozitetin ne pune e humanizmin ne jete, me bindje te plota e pa subjektivizem do ta karakterizonim edhe me nje emertim tjeter, jozyrtar tashma, por shume fisnik e te meritueshem, “Misionar i Drites,” sepse kurdohere ai u perpoq me guxim e me pasion te ndriconte shpirtent e vrare te njerezve me dashurine hyjnore ndaj Zotit e me dashurine toksore ndaj njeri-tjetrit, pa asnje dallim.

Duke trajtuar figuren e Dom Tish Lisnes, pervec konsideratave te lartpermendura, une po shlyej pjeserisht edhe nje detyrim te forte timin moral: Qe nga vera e vitit 1952, kur u njohem ne kursin e kualifikimit Tirane, e deri ne vitin 1958, vitin e vdekjes, midis nesh qe krijuar nje lidhje vellazerore tejet e ngushte, nje miqesi teper e sinqerte e transparente, qe nuk njohu asnjehere rezerve, pavaresisht se kishim ndryshime moshe, besimi e prejardhjeje shoqerore. Ndonese kane kaluar afro kater dekada dhe aktiviteti i tij, ashtu si dhe jeta, qe mjerisht e shkurter, personaliteti i tij, mua dhe shokeve te tij, na la aq mbresa, sa permes kujtimeve e vetem kujtimeve, mund te hidhet mjaft drite mbi figuren e tij imponuese si njeri, si mesues, si meshtar e si intelektual. Puna e tij si mesues nuk mund te shkeputet nga shkollimi i tij ne seminar dhe nga puna e tij si meshtar, qellimi i misionit te jetes se tij.

 Seminaristi dhe meshtar: I lindur ne nje familje jo mire ekonomikisht, ne fshatin Barbullush, pasi kreu shkollen fillore ne vendlindje, rreth viteve 1938-1939, duhet te kete hyre ne seminarin jezuit te Shkodres, me interesimin e ipeshkeve te Sapes (Zadrime), sigurisht me rekomandimin e famulltarit te fshatit qe do t’i kete rene ne sy mprehtesia dhe zelli i ketij cunaku. Ja ketu fillon edhe kthesa e madhe vendimtare ne jeten e tij. Seminari Papnuer, themeluar qe ne shekullin e kaluar, kishte krijuar fizionomine e vet, jo vetem si institucion i fuqishem fetar e arsimor, por edhe si nje qender shume e rendesishme e mendimit kulturor e shkencor te qytetit dhe mbar vendit. Ne kete ambient disiplina e rigoroziteti gershetohej liturgjia kishtare, pervetesimi i doktrines dhe i teologjise me studimin e thelluem e sistematik te gjuhes shqipe e te gjuheve klasike e moderne, te letersise shqipe, te letersise greko-latine, te asaj humaniste, te retorikes e te filozofise, mendja dhe shpirti i ketij fusharaku te zgjuar e me shpirt te ndjeshem thithnin me etje leksionet e keshillat e profesoreve te nderuar P. Gardini, P. Mark Harapi, P. Gjon Fausti etj. Per kete faze te jetes se tij Dom Tishi me ka folur shume pak, jan konsiderata direkte e indirekte te miqve te tij ish seminariste, sot figura te nderuara ne jete e ne shoqeri, si Dom Zef Simoni, Dom Simon Jubani, Dom Injac Dema, Tonin Harapi, Simon Gazulli e Agostin Rrotani, qe te japin nje imazh mjaft te sakte te ketij ish-seminaristi, te rruges se formimit te tij shpirteror e intelektual, nje grafik gjithnje ne rritje, shume i ngjashem me kurben e plazmimit moral e mendor te bashkemoshatarit e bashkeseminaristit tjeter, birit te maleve te Shllakut, Martin Camajt qe u mbulue me vone me kuroren e lavdise. Tekstualisht po ju lexoj fjalet e z. Gjon Shllaku, helenistit te mirenjohur, perkthyesit te talentuar te “Hiliades,” kur kujton Dom Tishin:

“Une kam pase fatin e madh ta njoh nga afer, madje shume afer, qe ne rinine e tij te pare. Fizionomia, shpirti dhe virtytet e tij, inteligjenca dhe modestia e tij engjellore, bene qe ai te shquhej dhe te spikaste mbi te gjithe moshataret e tij, djelmosha te zgjuar, me rastin e festes se dijetarit te madh Shen Toma Akvinit, ne mars 1945, nuk me shlyhet kurre nga kujtesa diskutacioni i tij filozofik, pa leter, ne gjuhe te paster e te zgjedhun latine, ne pranine e studenteve teolog e filozof te seminarit, te profesoreve Eten Jezuite, te klerikeve te ftuar dhe te Delegatit Apostolik. Pervec temes filozofike, studenti Tish te gjitha objeksioneve qe iu drejtuan si bresheri, iu dha pergjigje dhe zgjidhje te sakta. Pati nje triumf.

“Ishte absolut ne te gjitha lendet, si filozofike, spekulative dhe shkencore. Cdo vit korrte te gjitha cmimet e para te mundshme. Temat e tij shkollore ne gjuhen shqipe, italiane dhe latine ishin modele stili dhe elegance. Shkruante poezi dhe proze me vlera artistike.”

Ky vlersim brilant nuk ka nevoje per koment. Neqofte se viti 1928 qe fillimi i nje endrre te bukur e fisnike, fundi i vitit 1944 dhe krejt viti 1945 qene paralajmerime te nje rrebeshi kobezi. Pas gjyqeve te njepasnjeshme e denimeve kapitale te klerikeve, grushti i diktatutres nuk kurseu as seminarin, i cili u mbyll ne marsin e 1946. E vetmja rruge per ish-seminaristet ishte kalimi ne leceun e shtetit. Dom Tishi ishte ne vitin e fundit, viti i trete i filozofise, prandaj ne gushtin e 1946 dha provimet e matures. Merret me mend se si i perjetoi vitet e pastajme ky i ri endrrimtar e me shpirt poetik, qe i ra shorti te punonte ne bujqesi e te kryente sherbimin ushtarak ne vitet 1946 – 1950. Ne vitet 1950 – 1951 u emerua mesues detyre qe e vazhdoi deri me 1955, viti kur u largua per t’u shugurua prift. Ne tetor 1955 dha meshen e pare. Meshoi per tre vjet ne Shkoder e ne zonen e Rencit ku qe famullitar deri diten e vdekjes, 3.2.1958. U varros ne Shkoder dhe sot pas 35 vjetesh besimtaret e kujtojne me mallengjim ate varrim te permallshem e te dhimbshem ku mori pjese nje mori e madhe njerezish nga qyteti e fshati, sadoqe nen veshtrimet e shtrembera e kercenuese te veglave te rregjimit.

Ndersa Dom Mark Hasi pat thane, “Tri vjet meshe te Dom Tishit qene baraz me 30 vjet meshe,” perseri u referohemi kujtimeve te z. Gjon Shllaku.

“Ne fazen e dyte, pas daljes time nga burgu, jam takue vazhdimisht me Dom Tishin, prift i ri, ne Arqipeshkvine e Shkodres, pas 12 vjeteve ai ishte i burrenuar. Rroba fetare e paraqiste prift shembullor, misionar te flake plot energji e kulture. Shperthim i papritur per popullin e Shkodres qe oratoria e Dom Tishit. Muaji i majit 1957 ka per te mbete i paharruar ne mendjet e zemrat e Shkodraneve. Zinte oborri i katedrales se Shkodres si te ishte festival. Per 31 masdite Kisha e Madhe, ndoshta me e madhja ne Ballkan, mbushej skaj me skaj per degjue priftin, predikatarin, poetin, profetin e ri qe i ngjitun ne predikatore te larte, me nji za apokaliptik, nxirrte nga goja fjale te fuqishme e te ambla, plot dije e kulture, te qarta e te kuptueshme dhe populli i shtangun e pafryme, me goje hapte, rrembehej per te thithe e per t’u ngope me ate ushqim shpirteror. Temat e larmishme fetare, shoqerore, filozofike, te konkretizueme letrarisht me shembuj historike te nxjerre nga jeta e kalueme dhe bashkekohore, me shembuj martiresh, filozofesh, heronjsh, duke u gershetuar me kontrastet e jetes se virtytit dhe te mekatit, kishin per qellim fisnikerimin e ndergjegjes dhe te jetes se njeriut.”

Ky kengetar i madh i fjales e pati jeten te shkurter. Nje semundje e rende ia keputi jeten pas disa muajsh. Ende sot mbahet mend nje salikim aq i madh, aq i permallshem, aq i dhimbshem diten e varrimit.

Mesuesi intelektual

Veprimtarine e tij te mesuesise Dom Tishi e zhvilloi brenda nje zone te ngushte, brenda trekendeshit Rranza – Barbullush – Bushat. Periudha e Barbullushit (1952-1953) ku sherbeu si drejtor qe apogjeu i veprimtarise se tij pedagogjike, sepse me vone ne Bushat e ndjente vehten si nen survejim. Do te ishte nje perdhunim i se vertetes si kur periudha e shkurter e sherbimit te Dom Tishit ne arsim, te hidhte ndonje hije mbi aftesite pedagogjike dhe perkushtimin e tij si mesues e si edukator. Ne plan te pare punen e mesuesit e konsideronte si vazhdimi i natyrshem e me i pershtatshem (ne kushtet kur diktatura nuk kishte filluar sulmin frontal ideologjik kunder fese), i misionit te tij unik si “bari i shpirterave njerezore.” Profesioni i ri e shkepuste nga izolimi qe i sillte puna e rende ne bujqesi, dhe i jepte mundesi te binte ne kontakt me ate pjese arsimtaresh shkodrane qe po afermoheshin, jo vetem ne profesionin e tyre, por edhe ne nje rrafsh tjeter, ne ate te perpjekjeve te tyre serioze per nje formim intelektual sa me integral. Besimin mbi kete elite ai e lidhte me shpresat ne te ardhmen e atdheut. Keto shpresa ate e benin optimist. Antikomunizmi i tij i rranjosun nuk i atrobohej vetem papajtueshmerise absolute ne planin etiko-filozofik, por edhe ne asaj ne planin politik e kombetar. Ceshtja e demokracise dhe bashkimi kombetar ishin temat e preferuara te bisedave te tij. Ne keto diskutime e debate ai rrembehej nga argumentet dhe, me natyren e tij impulsive, ai i krijonte vehtes premise te rrezikshme politike. Qe nje fat per te qe ne rrethin e miqve te tij te ngushte ai kishte djem te zgjedhur, nga tere besimet pa dallue ku nuk ekzistonin komplekse diferencimi fetar. Ai karakterizohej nga nje tolerance e pashoqe, duke e perteritur traditen e mrekullueshme te miqesise e te mirkuptimit te ndersjellte. Ai vete nuk e ndante vepren nga fjala. Udhehiqej nga fjala e shenjte: “Te gjithe jemi bij te Zotit.” Si nje amanet i madh na vjen mesazhi i tij elekuent: “Mos u shofte e bukura flake e vllaznimit.”

Impenjimi i tij i plote per t’u pergatitur sa me mire, per te arritur rezultate sa me te larta ne perparimin e nxenesve si dhe per te ngritur sa me shume nga ana profesionale, e radhiten shpejt ne pararojen e mesuesve te rrethit. Ai arriti rezultate te shkelqyeshme ne kursin e kualifikimit ne Tirane ne 1952 si dhe ne perfundimin e studimeve te larta ne ISP te Tiranes. Drejtimi i shkolles se Barbullushit zbuloi aftesite e tij organizuese e administrative. Mjafton te permendim se 2/3 e personelit ishin vetem me shkolle 7-vjecare, ndonese i papervoje ne drejtim, ai dinte te kombinonte mjeshterisht autoritetin e kerkesen e llogarise me keshillat aterore ndaj atyre djemve e vajzave nga qyteti qe akoma adoleshente, jeta po i vinte ne prove. I udhezonte si duhet te pergatiteshin, si te punonin me nxenesit, i kontrollonte, i qortonte, por pas mesimit i mbante afer, lunate me ta volejboll, merrte pjese ne argetime te tjera qe mbushnin jeten e mesuesit, te detyruar te qendronte ne fshat i ngujuar me jave te tera. Puna mesimore dhe telashet e jetes nuk ia zbehen kerkesat intelektuale ndaj vehtes: Krahas pergatitjes per provime, ai gjente kohe te studionte edhe anglishten, krahas shtypit te kohes, te lexonte cka perkthehej ne shqip nga letersia boterore, por edhe te lexonte ne origjinal Horacin, Danten, de Kartin, Shatobrianin, Rolandin, Foskolon, Esat Bojn etj. Pasioni i tij i vertete ishin gjuhet e huaja dhe poezia. Tregojne se kur ishte famulltar, bleu nje gramafon dhe me ane te incizimeve ne disqe perfeksiononte frengjishten, te mesuar ne seminar. Poeti me i preferuar i tij qe Mjeda, te cilin ai e adhuronte. Jo vetem qe ai e njihte me rrenje poezine e tij dhe ishte ne gjendje te recitonte aty per aty “Juveniljen” e “Tingellimet,” por ndikimi mjedjan ishte evident ne krejt krijimtarine e tij, sepse Dom Tishi pat edhe krijimtari te njimendte poetike. (Mbaj mend dy-tri fletore te trasha doreshkrimesh, por qe mjerisht nuk gjinden sot); Krahas poezive shqip kishte edhe poezi latinishte si dhe ndonje perkthim, kishte edhe ndonje ese filozofik ne latinisht. Tematika e poezive ishte edhe fetare, edhe patriotike qytetare, e filozofike, me ndonje kushtim miqve e shokeve. Tingellimi ishte hartimi poetik me i preferuar. Nder vargje zoteronte 11 rrokeshi e 10 rrokeshi. Nje fryme klasiciste zoteronte ne konceptimin e poezise, ne sintaksen poetike e ne mjetet artistike. Pasuria e figurave dhe e tropeve, gjuha e zgjedhur, vargu shume i lemuar, deshmonin per erudicionin e tij. Poezia e tij mbetej ne hulline e krijimtarise poetike te Mjedes, Prendushit, etj. I vetmi relik nga krijimtaria letrare e Dom Tishit eshte nje faqe e zhburosur e periodikut “Aurora Consurgens” e ruajtur nen dhe nga nje dashamires i kultures shpirterore. Revista fetare kulturore “Aurora Consurgens” (Agimi qe lind) filloi te botohej me 1934-1935 dhe vazhdoi deri ne nentorin e 1944. Permbante rreth 30 fq. Te shaptilografuara, shtypej ne 50 kopje, vetem per qarkullim te brendshem. Ne faqet e saj seminaristet provonin pendat e tyre, tematika nuk ishte vetem fetare, kishte trajtesa te karakterit filozofik, historik ose te te divulgimit shkencor.

Nje nder keto flete mban edhe firmen “Tish Lisna.” Per fat te keq ajo permban vetem pjesen e fundit te shkrimit. Ndonese pjesa kryesore mungon, problematika kuptohet: Meditime te karakterit filozofik mbi vlerat morale e estetike te poezise kristiane duke iu kundervene zbrastesires etike te poezise materialiste e pragmatiste. Te terheq vemendjen pasuria e argumentit, larmia e referencave te autoreve te mirenjohur boterore si dhe stili i zhdervjellte elegant. Befasohesh kur mendon se ishte ende nxenes.

Per te ndihmuar lexuesit, pasi qe revista e sipermendur sot eshte teper e ralle, po riprodhojme fragmentin e fundit te shkrimit ne fjale:

“Ne kristjanizem poezija asht nji hapsine oqeanike lirizimi e ndjesije, qi pershin vende e kohe, natyre e Hart. Keta mvaret ma fort, psa poezija zakonisht siedhet rreth Basit te natyres e te Hartit, per te cilat poeti hyjnor thot se jan te bijat e Zotit, e i sendeve te tija. Ajo asht si thot Duhamel per Paul Klaudel, ‘un acheminement vers Dieu.’

Coptoni poezine kristjane e gjithmone ka me qite shkendija te reja jete e bukurije prei mbeturive te saja, pse ne te cdo kange e rresht ka historin e vet, shpirtin e natyres, frymen e Zotit.”

Dom Matishi ishte ne moshen e formimit te tij te plote intelektual, me nje eksperience jete plot vazhdimesi, ne nisjen shume te mbare te veprimtarise se tij si meshtar, kur u shkeput papritmas nga rrethi i familjes e i besimtareve, nga ai i miqve dhe shokeve. Kan kaluar plot 35 vjet qe ai nderroi jete, por Fjala e Vepra e tij do te tingelloje si nje peisazh i forte e i perhershem qe, ne dobit te Kombit e te Fese, te mbahet i pashuar nder ne si perkushtim ndaj se Vertetes se Amshuar dhe Drites se Vellazerimit.

NEXHMI BUSHATI

Viti 1993

*Kopjimi dhe perdorimi i ketij shkrimi eshte autorizuar nga nipi i Dom Matish Lisnes, Ardinez Domgjoni.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>