Shkruan: Mr Xhylije IBRAHIMI*/
Duke marrë parasysh kohën dhe rrethanat në të cilat u formua federata pan-shqiptare “Vatra”, mund të thuhet se ajo dha një kontribut të rëndësishëm në ngritjen e çështjes shqiptare, jashtë kufijve të Shqipërisë, në përgjithësi e në veçanti, në Konferencën e Paqes në Paris (1919). Kjo dhe shoqata të tjera kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ngritjen e çështjes shqiptare e sidomos në sensibilizimin e qarqeve diplomatike perëndimore në lidhje me problemet shqiptare. Po ashtu, duhet nënvizuar edhe angazhimin e tyre në lidhjen e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane e sidomos përgjatë vitit 1919, për faktin se 1919-ta merret si viti që ndryshoi botën, që ndryshoi bërjen e politikave, përkatësisht shtrirjen e politikave, që më nuk do të përfshinin vetëm vendet dhe popujt e mëdhenj, por edhe ato vende të vogla dhe popuj të vegjël, siç ishte Shqipëria dhe populli shqiptar. Falë angazhimit të Federatës pan-shqiptare “Vatra” dhe gazetës “Dielli” u lidhën miqësi të reja dhe çështja shqiptare u bë e njohur edhe përtej oqeaneve. Ky vështrim imi, pos në literaturën ekzistuese, mbështetet edhe në burimet arkivore të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
Historiku i formimit të shoqatave shqiptare në SHBA
Historiku i formimit të shoqatave shqiptare fillon nga veprimtaria e emigrantëve shqiptarë jashtë vendit.Mërgata shqiptare në SHBA filloi të organizohet dhe po ashtu të organizojë edhe veprimtari patriotike në mbështetje të çështjes shqiptare.Në fillim të shekullit 20 në bashkësinë e vogël të emigrantëve shqiptarë në Amerikë filluan të veprojnë pionierët e rilindjes kulturore shqiptare.Në vitin 1904 vjen në Amerikë Petro Nini Luarasi, mësues në fshatin Katund dhe pishtar i zjarrtë i arsimimit dhe shkollimit të shqiptarëve.Pas tij, erdhi Sotir Peci, më 1905, nga Dardha e Korçës.Ishte i pari që vuri themelet e lëvizjes nacionaliste shqiptare, duke filluar botimin e gazetës “Kombi” (1906), e para gazetë shqipe në Amerikë. Kjo gazetë, siç shkruante Sotir Peci “do të përpiqet për përparimin e çështjes politike dhe për lërimin e gjuhës së vet, t`u ap kurajo dhe ndihmë gjithë atdhetarëve që përpiqen për këto qëllime…”.Gazeta “Kombi” e ndërpreu botimin e saj në vitin 1909.Në vitin 1906 u formua shoqëria “Malli i Mëmëdheut”, të cilin e udhëhiqnin Vani Karameto dhe Vani Vangjeli.Një vit më vonë, shqiptarët e Bostonit formojnë shoqërinë “Besa-besë”.Zyrtarët e parë të shoqërisë ishin Fan Noli, Gani Katundi, Angjelo Stefanson, Nini Fani Katundi.Në vitin 1910, në Amerikë vendoset intelektuali Faik Konica, që së bashku me Fan Nolin, Kristo Dakon dhe atdhetarë të tjerë, në vitin 1912, formojnë Federatën Pan-shqiptare “Vatra”, me seli në Boston, që ishte bashkim i disa shoqatave. Gazeta “Dielli “ u bë organ zyrtar i federatës “Vatra”. Mërgimtarët, të vetëdijshëm se krahas punës për kafshatën e gojës dhe mbajtjen e familjeve të tyre, duhej të punonin edhe për çështjen kombëtare, filluan të organizohen dhe formojnë shoqëritë kulturo-arsimore e patriotike.Kështu në vitin 1906 u formua shoqëria “Malli i Mëmëdheut”, nga shqiptarët në Bufallo.Një vit më vonë, shqiptarët e Bostonit formojnë shoqërinë “Besa-besë”, pastaj “Lidhja” e shoqëri të tjera. Këtyre organizatave që tubonin mërgimtarë të arsimuar, të ardhur nga Shqipëria, një vend i vogël, i vuajtur, i copëtuar, vend me shumë armiq përreth saj, u ra për hise që të informojnë opinionin amerikan se çfarë po ndodhte përtej oqeanit, atje në Shqipërinë e largët e të mjerë. Dhe për këtë qëllim, Petro Nini Luarasi, Sotir Peci dhe Theofan Stilian Noli, në vitin 1906 vendosin të nxjerrin gazetën shqipe “Kombi”. Drejtori i saj, Sotir Peci, në numrin e parë, më 9 qershor 1906, në faqen e parë botonte programin e këtij “organi të interesave shqiptare që ka për detyrë të parë të mësojë dhe të botojë lajmet mbi lëvizjet jo vetëm në Shqipëri dhe të atyre vendeve për të cilat kemi interesa, por edhe gjendjen e atdhetarëve të këtushëm, do të jetë me pak fjalë lidhje e Amerikës me Shqipërinë”. Më vonë, në vitin 1910, në Amerikë vendoset edhe intelektuali Faik Konica, që së bashku me Fan Nolin, Kristo Dakon dhe atdhetarë të tjerë, në vitin 1912, prej 13 shoqërive patriotike formojnë Federatën Pan-shqiptare “Vatra”, me seli në Boston. Organizimi i federatës filloi më 24 dhjetor 1911 dhe vazhdoi deri më 28 prill 1912. Brenda dy javësh, u krijua dega e parë të Bostonit që do të ishte shtylla kryesore e “Vatrës” dhe më pas vazhduan degët e tjera, duke i shtrirë gati në çdo vend ku kishte shqiptarë. Kështu u krijua “Vatra” zulmëmadhe që me veprimtarinë e saj shkroi faqet më të ndritura të historisë shqiptare, që në disa raste u quajt me të drejtë një “qeveri shqiptare në mërgim”, që e mposhti kryeministrin shovinist grek Venizellos, gjë që ai e pranoi botërisht.“Vatra” është padyshim emër i veçantë dhe i respektuar që simbolizon bashkimin e emigracionit shqiptar në Amerikë.Ajo me historinë e saj njëshekullore i dha dritë e shkëlqim përhapjes së idesë për bashkimin dhe organizimin e luftës çlirimtare të popullit shqiptar. Janë të njohura shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, të Stambollit, të Sofjes e të vendeve tjera ku kanë vepruar kolonitë shqiptare, të cilat kanë dhënë një kontribut të vlefshëm për çështjen e kombit tonë, por duhet të thuhet se asnjëra prej tyre nuk pati ndriçimin dhe jetëgjatësinë e Vatrës së Amerikës. Gazeta “Dielli “ u bë organi zyrtar i federatës “Vatra”. Kjo federatë luan një rol të rëndësishëm në informimin e qytetarëve amerikanë rreth zhvillimeve në Shqipëri, rreth vuajtjeve të popullit shqiptar, spastrimeve etnike të viseve të banuara nga shqiptarët dhe jo vetëm, por edhe të copëtimit të trojeve shqiptare. Kuvendi i parë i federatës pan-shqiptare “Vatra” u mbajt në Lawrence dhe Hall Boston, më 14 korrik 1912 me udhëheqës Lambi Kreshpani.Në këtë kuvend morën pjesë 14 delegatë, ku zyrtarë të qendrës u zgjodhën Faik Konica, Lambi Cikosi. Delegatëve që shpallën pavarësinë e Shqipërisë, më 1912 në Vlorë, “Vatra” u dërgon një letër, në të cilën i përgëzon për aktin që kishin ndërmarrë dhe i lutet mbledhjes së kombit, që të mos krijojë një shtet oriental, por një shtet krejt evropian, si Norvegjia, Danimarka dhe Belgjika. Në veçanti, Faik Konica iu lutet deputetëve myslimanë që të provojnë atdhesinë e tyre duke zgjedhur një princ të krishterë, se po të bëjnë ndryshe, do të bëjnë një lajthim të pa ndreqshëm. Federata pan-shqiptare “Vatra”, përmes gazetës “Dielli” luajti një rol të rëndësishëm në informimin e qytetarëve amerikanë rreth zhvillimeve në Shqipëri, rreth vuajtjeve të popullit shqiptar, spastrimeve etnike të viseve të banuara nga shqiptarët dhe jo vetëm, por edhe të copëtimit të trojeve shqiptare si dhe në njohjen e çështjes shqiptare në përgjithësi. Gazeta “Dielli” që botohej nga federata “Vatra” kishte programin e vetë, që për kryefjalë kishte fjalët “Shqipëria për Shqiptarët”. Menaxher i parë i gazetës “Dielli” ishte George Konda (Gjo Leka).Në mars 1909, Faik Konica u propozua që të thirret si drejtor i gazetës “Dielli” dhe më 9 tetor 1909, Konica arrin në Boston prej Londrës. Më 22 tetor, “Dielli” del nën drejtimin e Faik Konicës. Në përvjetorin e parë të daljes së gazetës “Dielli”, në Turqi ndalohet hyrja kësaj gazete, për të filluar pastaj më 20 qershor 1910, me dy emra, “Dielli dhe Flamuri”. Emri i dytë iu shtua me qëllim që të hyjë lirisht në imperatorinë turke. Dhe pas një viti, kur Turqia hoqi ndalimin e hyrjes, gazeta mbeti vetëm me emrin e saj “Dielli”.Pos shkrimeve, mërgimtarët shqiptarë organizuan edhe mitingje të ndryshme në qytete të ndryshme të Amerikës.
“Vatra” organizoi mitingjet shqiptare
Mitingu i parë pan-shqiptar u mbajt më 13 maj 1910 në Boston, për të kundërshtuar masakrat turke kundër popullit shqiptar. Më 27 prill 1913 u mbajt mitingu “për të mbrojtur tërësinë tokësore të Shqipërisë”. Mijëra shqiptare protestuan “grabitjet që i bëri Shqipërisë Konferenca e Ambasadorëve duke i falur Serbisë viset më të mira të Shqipërisë në veri dhe Greqisë në jug”. Nga ky miting i dërgohet rezolutë udhëheqësit të Konferencës së Ambasadorëve, Edward Grey, ku theksohej se “30,000 shqiptarë u përfaqësuan në mitingun e madh të mbajtur në Boston, kundër copëtimit të Shqipërisë midis fqinjëve”. Udhëheqës i mitingut ishte Kristo Dako, ndërsa folësja kryesore ishte zonjusha Parasqevi Qiriazi. Më 17 maj 1914, në Boston u mbajt një miting tjetër, sërish nën organizimin e “Vatra”, ku morën pjesë qindra shqiptarë, të cilët protestuan barbarizmat greke në Shqipërinë e Jugut. Më 23 qershor 1915, po ashtu u mbajt një miting i madh “për të mbrojtur kufijtë e Shqipërisë”.Konferenca e Paqes, punimet i filloi më 19 janar 1919.Pretendimet e fqinjëve të Shqipërisë ndaj saj dhe territorit të saj kishin filluar shumë më herët, andaj edhe gjatë punës së konferencës, çështja shqiptare vihej në diskutim ngushtë e lidhur me çështjen e grekëve, italianëve e po ashtu edhe me çështjen serbe.Delegacioni shqiptar, që në fillim të Konferencës së Paqes në Paris hasi në vështirësi dhe u gjend përballë kërcënimeve të integritetit tokësor shqiptar, të cilat vinin nga çarqet zyrtare të Greqisë. Po ashtu, faktorë të tjerë e kushtëzonin situatën jo të favorshme të delegacionit shqiptar. Qeveria e përkohshme nuk ishte e njohur nga fuqitë evropiane, kështu që Shqipëria nuk mund të përfaqësohej zyrtarisht në konferencë dhe pamundësia e kontaktit direkt në konferencë nuk mund të kompensohej me asgjë. Përveç kësaj, pjesëmarrësit e konferencës nuk dinin se kë ta merrnin për përfaqësues të vërtet dhe serioz, delegacionin e qeverisë së përkohshme, apo Esat Pashën, që u paraqit në emër të njëfarë qeverie që e kishte formuar vetë. Në Shqipëri, grupet atdhetare brenda dhe jashtë vendit u bashkuan për të thirrur një kongres me përfaqësues nga të gjitha krahinat e vendit, që të formonin një qeveri kombëtare, e cila do të përfaqësonte vendin në Konferencën e Parisit. Ky kongres u mbajt në Durrës, më 25 dhjetor 1918, nën kryesimin e Mehmet Konicës. Delegatët e kongresit, të mbështetur në parimin e “vetëvendosjes” dhe sidomos në vendimet e Konferencës së Ambasadorëve, të vitit 1913, që patën njohur Shqipërinë si vend të pavarur dhe sovran, kërkuan heqjen e mundësinë për “qeverinë” e Esat Pashë Toptanit që të paraqitej si përfaqësuese e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar. Kongresi, po ashtu, caktoi përbërjen e delegacionit që do të përfaqësonte Shqipërinë në Konferencën e Paqes. Përveç kryeministrit, i cili do të kryesonte delegacionin, si anëtarë të tij do të ishin edhe ministri i Punëve të Jashtme Mehmet Konica, imzot Luigj Bumçi, dr Mihal Turtulli dhe Mithat Frashëri. Delegacioni hasi në vështirësi dhe u gjend përballë kërcënimeve të integritetit tokësor shqiptar, të cilat vinin nga çarqet zyrtare të Greqisë.Shqiptarët mbështetën shumë shpresa tek Konferenca e Paqes dhe sidomos tek presidenti Uillson.
Roli i mërgatës shqiptare
Në një takim me Nolin, presidenti Uilson e kishte siguruar atë se do ta ndihmonte Shqipërinë. Po ashtu, ish-presidenti Rusvelt dukej se ishte jashtëzakonisht i informuar për Shqipërinë.Dr Mihail Turtulli dhe Faik Konica kërkuan nga presidenti Uilson që të hidhte poshtë kërkesat e padrejta greke ndaj territoreve shqiptare.Këta atdhetarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare u përpoqën të bindnin presidentin e SHBA-ve se Greqia, përmes propagandës së vet të paskrupullt, përpiqej që shqiptarët ortodoks të Shqipërisë së Jugut t`i paraqiste si helenë.Dr. Mihail Turtulli, delegat i shoqatës Pan-Shqiptare dhe anëtar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, në letrën dërguar Presidentit të SHBA-ve në Uashington, kërkon mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve nga fqinjët që donin të copëtonin Shqipërinë. Kryesisë së Konferencës së Paqes i drejtoheshin shqiptarët përmes telegrameve nga të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe jashtë saj, siç ishte rasti me përfaqësuesit e popullsisë së Beratit, të cilët kërkonin nga Konferenca zbatimin e parimeve të drejtësisë, shpallur nga Presidenti Uillson dhe po ashtu kërkonin që të merreshin në konsideratë kërkesat e popullit shqiptar. Të rinjtë shqiptar të Epirit të Veriut i dërguan telegram T. Pashës në Paris për të ngritur zërin pranë Konferencës së Paqes për aneksimin e Epirit të Veriut një Shqipërie të lirë.Po ashtu përfaqësuesit e diasporës i dërguan Paqes së Versajës shumë memorandume në mbrojtje të çështjes shqiptare. Kronologjia e memorandumeve nis me memorandumin e 28 tetorit 1918, sjellë nga Mihajl Tortulli. Çarls Eriksoni, anëtar i komisionit të formuar nga “Vatra”, i cili kishte jetuar në Shqipëri në vitet 1914-1916 e që e njihte mjaft mirë problemin shqiptar, i informoi anëtarët e komisionit për tërë çështjen shqiptare, duke hedhur poshtë pretendimet greke se okupimi i hershëm nga ushtritë e Austrisë, Serbisë, Italisë, Francës dhe Greqisë, gjatë Luftës së Parë Botërore nuk i lejoi Shqipërisë të paraqitej si shtet sovran në anën e Antantës. Eriksoni kërkoi që delegacioni i SHBA-ve të propozonte në Konferencën e Paqes në Paris që të formohej një komision neutral, të cilin do ta përbënin dy amerikanë, dy italianë dhe dy shqiptarë. Pas plebishitit do t`i propozohej Lidhjes së Kombeve një zgjidhje e drejtë e vijës kufitare midis Serbisë, Shqipërisë dhe Greqisë. Konstantin Çekrezi dhe Kristo Dako paraqitën historikisht çështjen shqiptare, duke ofruar fakte të pamohueshme rreth zgjidhjes së drejtë të vijës kufitare midis Shqipërisë dhe Greqisë. Gjatë muajit prill, Konferenca e Paqes në Paris, filloi të shqyrtonte Traktatin e Paqes me Austrinë dhe Hungarinë, të përfshira në Traktatin e fshehtë të Londrës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nuk ishin të lidhura me këtë traktat, i dërguan një memorandum Qeverisë së Romës, në prill të vitit 1919, me të cilin i njihnin Italisë të drejtën e zotërimit të disa ishujve në veri të Detit Adriatik dhe të Vlorës, ndërsa Rjeka (Fiume) parashihej të shpallej qytet i “lirë” dhe të shndërrohej në port ndërkombëtar. Ky memorandum iu dorëzua Qeverisë Romës, përkundër faktit që mërgata shqiptare në SHBA, në një letër dërguar në janar 1919, sekretarit të Punëve të Jashtme të SHBA-ve, Robert Lensingut, informonte se shoqëria Pan-Shqiptare “Vatra” kishte miratuar rezolutën në të cilën kërkohej që SHBA-të të angazhohen në rrafsh ndërkombëtar që të sigurohet pavarësia dhe sovraniteti i Shqipërisë, duke propozuar plebishitin për territoret ndaj të cilave ushqenin aspirata shtetet fqinje. Federata Pan-Shqiptare, më datën 4.01.1919, në Boston, në mbledhje të jashtëzakonshme kishte miratuar rezolutën, me të cilën i bëhej thirrje SHBA-ve të merrej me vendosjen përsëri të sovranitetit shqiptar, nën garantimin e bashkësisë ndërkombëtare.Me këtë rezolutë, ata kërkojnë që të gjitha territoret ku popullsia shqiptare është shumicë dhe në territoret e diskutueshme, të zhvillohet referendum, por kjo duhet të bëhet pas ardhjes së trupave amerikane, në mënyrë që të popullsisë t`i jepet “mundësia të shprehet lirshëm”. Mehmet Konica, dr Adhamilli dhe profesor Xhorxh Heroni kishin iniciuar çështjen e një protektorati amerikan mbi Shqipërinë. Heroni, nëpërmjet përfaqësisë amerikane diplomatike në Zvicër i kishte dërguar Uilsonit të gjithë dokumentacionin që kishte të bënte me këtë çështje. Fan Noli, kryetari i atëhershëm i “Vatrës” ishte për një ndihmë amerikane, por ishte i mendimit se protektorati italian, si çdo protektorat tjetër, përfshirë këtu dhe atë amerikan, paraqiste rrezik për paqen në Ballkan. Noli e sheh zgjidhjen në krijimin e një komisioni amerikan që do të përcaktohej nga qeveria e SHBA-së, detyra e të cilit do të ishte të ndihmonte shqiptarët në krijimin e shtetit, ku çdo shqiptar do të ndihej i kënaqur.
Thirrjet e shqiptarëve për ndihmë nga Amerika
Ai mendon se fakti që Amerika nuk ka interesa të vetat në këtë rajon, është garancia më e mirë që fuqitë evropiane nuk do të kundërshtojnë atë dhe kështu do të mënjanohen makinacionet politike, që vazhdimisht prishin qetësinë në Ballkan. Çarls Telford Erikson së bashku me Mehmet Konicën përgatiti një memorandum të cilin ia dërgoi Konferencës së Paqes. Memorandumi mban titullin “Gjashtë arsye për të cilat Amerika duhet të bëhet mandator ndaj Shqipërisë”.Arsyeja e parë ishte fakti që Amerika hyri në luftë për synime morale. Arsyeja tjetër është se Amerika, duke pranuar mandatin, do të kryente obligimin e Konferencës së Paqes për mbrojtjen e të drejtave të kombeve dhe për vendosjen e kufijve mbi baza etnike. Eriksoni mendonte se Amerika e kishte për detyrë të pranojë thirrjen e shqiptarëve, të cilët kërkonin ndihmë, njëlloj sikurse kapitenin i anijes që e ka për detyrë t`i përgjigjet sinjalit S.O.S. dhe t`i ofrojë ndihmë anijes që po mbytet.Më tutje, Eriksoni nënvizon në memorandum, se detyra e Amerikës është që të mbetet në Evropë dhe të ndihmojë në çlirimin e popullit shqiptar dhe t`i ndihmojë atij të ngrihet dhe “me bekimin e gjithë botës të vendos harmoni dhe marrëdhënie të fqinjësisë së mirë në Ballkan”. Delegacioni shqiptar, më 7 mars 1919 kishte paraqitur kërkesën zyrtare për përcaktimin e SHBA-së si mandator të Shqipërisë. Në fillim të prillit të vitit 1919, çështja e mandatit të Italisë mbi Shqipërinë dhe çështja e sovranitetit të saj të plotë mbi Vlorën, bëhen aktuale.Në delegacionin shqiptar lindin kontradikta lidhur me trajtimin e mëtejshëm të Italisë.Turhan Pashën, i cili ishte për një zgjidhje kompromisi me Italinë e zëvendëson në postin e kryetarit të delegacionit ipeshkvi Luigj Bumçi. Delegacioni shqiptar dërgon në Konferencën e Paqes edhe një letër të nënshkruar nga Mehmet Konica, Mihal Turtulli dhe Mit`hat Frashëri. Në këtë letër, këta japin arsyet pse Italia nuk mund të jetë mandator i Shqipërisë. Po ashtu theksojnë se vetëm Amerika disponon autoritetin moral të nevojshëm për realizimin e një mandati mbi Shqipërinë dhe më tutje theksojnë se, në rast kundërshtimi të SHBA-së, të përcaktohet një forcë tjetër si mandator, që pas arsyeve të dhëna pse Italia nuk duhet të ishte mandator, lë të nënkuptohet se ata kishin parasysh një mandat francez apo anglez. Kjo kërkesë u vonua për 14 ditë. Kolonitë e emigrantëve shqiptarë në Rumani, Turqi dhe Amerikë, po ashtu i dërguan presidentit Uilson një peticion ku kërkonin nga ai që të pranonte një mandat amerikan mbi Shqipërinë, “në mënyrë që ta udhëheq atë në rrugën e progresit dhe të qytetërimit, në mënyrë që ajo të bëhej faktor i rregullit dhe i paqes në Ballkan”. Kryetari i Partisë Kombëtare Shqiptare dhe aktivisti i njohur i emigracionit shqiptar në Amerikë, Kristo Dako kërkoi nga Uilsoni që ta anulojë vendimin e tij për aneksimin e Vlorës Italisë, duke argumentuar se ky vendim është në kundërshtim të hapur me parimin “Ballkani – popujve të Ballkanit”. Delegacioni i kolonive shqiptare nga Turqia, Rumania dhe Amerika, me një letër drejtuar presidentit Uilson, shprehin “keqardhjen e thellë” për vendimin e tij lidhur me Vlorën, duke i kujtuar se ky vendim ishte në kundërshtim me parimet e tij të shpallura më herët e sidomos pas fjalimit të mbajtur 23.04.1919 para popullit italian, në të cilin u deklarua për të drejtat e popujve të vegjël. Emigrantët shqiptarë në Amerikë, përmes revistës “The Adriatic Review” e gjykuan ashpër vendimin e Uilsonit.Ata vënin në pikëpyetje seriozitetin e parimeve të shpallura të Uilsonit. Në artikullin “Çështja e Vlorës”, në maj 1919, të po kësaj reviste, ndër të tjera thuhej “A mund të harrohet se Vlora është qyteti ku më 28 nëntor 1012 u shpall Pavarësia e Shqipërisë”. Pas njoftimit nga shtypi se konferenca ka ndërmend që t`i jap një mandat Italisë mbi Shqipërinë, mandat që kundërshtohej nga populli shqiptar, delegatët e kolonive shqiptare kërkojnë që Shqipëria të vihet nën udhëheqjen e SHBA-së, në hapat e para të jetës së saj. Edhe përkundër të gjitha këtyre kërkesave, kundërshtimeve dhe peticioneve, presidenti Uilson ishte kundër përfshirjes së Amerikës në problemin tejet të ngatërruar shqiptar.Megjithatë, ai mendonte se mandati i ndonjë shteti të huaj mbi Shqipërinë, është zgjidhje e vetme e problemit të Shqipërisë.“Çështja e Adriatikut”, ngjalli diskutime të ashpra e të gjata. Kjo çështje, jo vetëm që e ndërlikoi problemin shqiptar, por ndikoi që delegacioni shqiptar të përçahet dhe ndahet në dy grupe. Grupi i parë, me të cilin u bashkuan edhe përfaqësuesit e mërgatës shqiptare nga SHBA, kërkonte që çështja shqiptare të zgjidhej duke u mbështetur në politikën anglo-saksone (SHBA-Anglia-Franca), ndërsa grupi i dytë, të cilit i printe Turhan Pasha, mendonte se çështja shqiptare mund të zgjidhej me angazhimin e Italisë. Përfaqësuesit e grupit të parë, që vepronin nën ndikimin e Mërgatës Shqiptare të Amerikës, ishin të bindur se Qeveria e Uashingtonit do të angazhohej me seriozitet rreth çështjes shqiptare, pasi që SHBA-të nuk kishin ndonjë interes të veçantë në Ballkan. Më 9 dhjetor 1919, përfaqësuesit e Anglisë, Francës dhe SHBA-së i dorëzuan qeverisë italiane një memorandum, në të cilin, në këmbim për autonominë e Rjekës, të cilën Italia e kërkonte me këmbëngulje dhe heqjen dorë nga disa kërkesa në bregdetin lindor të Adriatikut, i ofrohej sovraniteti mbi Vlorën dhe mandati ndaj Shqipërisë. Bazuar në këtë memorandum, kufiri midis Shqipërisë dhe Mbretërisë SKS do të ishte kufiri i vendosur në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, viti 1913, ndërsa caktimi i kufirit midis Shqipërisë dhe Greqisë kënaqte kërkesat e Qeverisë së Athinës. Çështja e Korçës mbetej të zgjidhej në një konferencë të ardhshme. Nënshkruesit e këtij memorandumi deklaroheshin për pavarësinë e Shqipërisë, por për këtë asaj i duhej ndihmë dhe sipas mendimit të tyre, Italia ishte mandatori më i natyrshëm, prandaj i jepej e drejta të pushtonte Shqipërinë për dy vjet dhe pastaj i tërë territori, me përjashtim të Vlorës, duhej të çmilitarizohej dhe të mbetej krejtësisht i pavarur. Me këtë memorandum, Italia nuk ishte e kënaqur, ashtu sikurse as Jugosllavia. Më 14 janar 1920, Llojd Xhorxhi Klemanso dhe Niti, në mungesë të Polkut, përfaqësuesit të SHBA-së, arritën një marrëveshje sipas së cilës Shqipëria ndahej ndërmjet Greqisë, Jugosllavisë dhe Italisë. Sipas kësaj marrëveshja, tërë Istria dhe Rjeka i mbetej Italisë dhe për këtë Jugosllavia protestoi, duke u deklaruar për pavarësinë e Shqipërisë, me qëllim që t`i mbajë sa më larg italianët nga bregdeti lindor i Adriatikut. Konflikti ndërmjet Italisë dhe Jugosllavisë zgjidhet me marrëveshjen e Rafallos, nënshkruar në nëntor 1920, nga e cila Shqipëria, falë ndërhyrjes së presidentit Uilson ishte e përjashtuar.SHBA reagoi ashpër ndaj kësaj përpjekje të fuqive evropiane për ta zgjidhur çështjen e Adriatikut në mungesë të përfaqësuesit amerikan. Presidenti Uilson, në deklaratën e tij thotë se “Memorandumi i 9 dhjetorit, në një masë të madhe shprehet për bashkimin e shtetit shqiptar, kurse marrëveshja e datës 14.01.1920 e ndan popullin shqiptar, me gjithë protestat e tij të ashpra, ndërmjet tre shteteve të huaja”. Klemanso dhe Llojd Xhorxhi, kësaj deklarate të Uilsonit iu kishin përgjigjur me arsyetimin se janë bërë përpjekje maksimale që të kënaqën interesat e të gjitha palëve dhe se detajet për të drejtat e Jugosllavisë, Greqisë dhe Italisë në Shqipëri nuk kishin përfunduar. Sidoqoftë, ata do të kishin parasysh interesat e ardhshme të popullit shqiptar. Në Konferencën e Parisit, presidenti Uilson, së bashku me delegacionin amerikan pati ndikim vendimtar në zgjidhjen e çështjes së Shqipërisë, në kuptimin që me qëndrimin e tij pengoi zgjidhje të parakohshme, të cilat në kushtet e asaj kohe, do të ishin me siguri në dëm të Shqipërisë. Me këtë shtyrje u mundësua që kjo çështje t`i paraqitet Lidhjes së Kombeve dhe Konferencës së Ambasadorëve në Paris, në momentin kur Shqipëria tashmë ishte bërë anëtare me të drejta të plota e Lidhjes së Kombeve dhe rrethanat ndërkombëtare ofruan zgjidhje dhe perspektivë tjetër për Shqipëri.Rol të rëndësishëm në sensibilizimin e popullit amerikan si dhe diplomacisë amerikane për çështjen e Shqipërisë luajti mërgata shqiptare, e cila, lirisht mund të themi se ishte lidhja e parë shqiptaro-amerikane.Mërgimtarët shqiptarë, krahas punës që bënin për mbajtjen e familjeve të tyre, punuan edhe për çështjen kombëtare, duke u organizuar dhe formuar shoqëri kulturo-arsimore e patriotike. Në Amerikë, në mesin e mërgimtarëve, vendoset edhe intelektuali Faik Konica, që së bashku me Fan Nolin, Kristo Dakon dhe atdhetarë të tjerë, në vitin 1912 formojnë Federatën Pan-shqiptare “Vatra”, me seli në Boston, që ishte një bashkim i 13 shoqërive patriotike. “Vatra” bëri një punë të madhe në informimin e qytetarëve amerikanë rreth zhvillimeve në Shqipëri, rreth vuajtjeve të popullit shqiptar, spastrimeve etnike të viseve të banuara nga shqiptarët dhe për çdo çështje tjetër në lidhje me shqiptarët dhe trojet shqiptare.Në Konferencën e Paqes në Paris, qëndron në faktin se Presidenti Uilson pengoi jetësimin e Traktatit të fshehtë të Londrës, të vitit 1915, i cili nënkuptonte eliminimin e Shqipërisë.Presidenti Uillson dhe delegacioni amerikan, me vendimet e tyre në këtë Konferencë penguan fuqitë evropiane të realizojnë propozimet mbi zgjidhjen e problemeve të Ballkanit, të paraqitura nga shtete fqinje të Shqipërisë, propozime këto që dosido çonin në copëtimin e trojeve shqiptare. Kjo e arritur në këtë konferencë, ishte rezultat i punës së anëtarëve të federatës “Vatra” dhe shqiptarëve të Amerikës, në përgjithësi, të cilët luajtën rol vendimtar në ndihmën dhe konsolidimin e shtetit shqiptar gjatë periudhës nga Kongresi i Lushnjës, më 31 janar 1920, deri te njohja de jure e Shqipërisë nga Qeveria e SHBA-së, më 28 gusht 1922.
Mr Xhylije IBRAHIMI
*(Autorja është studiuese e marrëdhënieve ndërkombëtare)
↧
Roli i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës“Vatra” dhe gazetës “Dielli” në njohjen e çështjes shqiptare
↧