Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

Kosova para 24 vitesh në referendum u deklarua 99,87% për shtet sovran dhe të pavarur

$
0
0

-Presidenti historik Ibrahim Rugova vlerësonte: Referendumi i 26 deri 30 shtatorit1991 është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen-

-Kryetari i Kuvendit të Kosovës në atë kohë, Ilaz Ramajli: Mbajtja e referendumit dhe rezultatet mundësuan ndryshimet kushtetuese me të cilat Kosova u shpall shtet sovran e i pavarur/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 26 Shtator 2015/ Kosova që para 24 vitesh ka votuar 99,87 për qind për pavarësinë në referendumin e shpallur nga Kuvendi i saj dhe të zhvilluar nga 26 deri në 30 Shtator 1991, e që pasonte  Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të 2 Korrikut e Kushtetutën  e shpalljes së Republikës të 7 Shtatorit 1990, e pasohej edhe me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992.

“Në Referendum dolën 914.802 veta ose 87,01% e 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote, prej tyre për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur votuan 99,87%. Kundër kishin votuar 164 veta, ndërsa të pavlefshme ishin 933 fletëvotime”, konsatonte Komisioni Qendror i Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zbatimin e Referendumit.
Gjithnjë sipas rezultateve zyrtare përfundimtare të shpallura nga Komisioni, në votim, për shkaqe dhe arsye të ndryshme, nuk dolën 136.555 votues apo veç 12,99% e qytetarëve të Republikës së Kosovës me të drejtë vote.  Për realizimin e Referendumit pati 1500 vendvotime me 450 njësi votuese.

Referendumi për Pavarësinë, seancat e Kuvendit kosovar për Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut dhe për Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit 1990, si edhe zgjedhjet e para shumëpartiake parlamentare e presidenciale të 24 majit 1992,  janë mbajtur në rrethana të një okupimi të egër të regjimit të Beogradit dhe të një shtetrrethimi ushtarako-policor, ndërsa ishin mesazhe të fuqishme dhe të qarta të Kosovës për gjithë botën në një kohë të lëvizjes gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.
Referendumi i 26 deri 30 shtatorit1991 “është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen”,  theksonte  Presidenti historik i Republikës së Kosovës,  Ibrahim Rugova, në intervistën e parë ekskluzive të një presidenti kosovar për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), pikërisht para 21 viteve, atëherë në 3 vjetorin e ngjarjes historike të deklarimit të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit të Kosovës.

“Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkombëtar si fazë kalimtare”, theksonte e ritheksonte Presidenti Rugova, fliste edhe për “rezistencë të organizuar për të mbijetuar dhe të shpëtohet substanca, masa njerëzore shqiptare në Kosovë”, edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës si një opsion, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

Në krye të Kuvendit të Kosovës në atë kohë të vendimeve e ngjarjeve historike ishte Ilaz Ramajli. Ishin këto ngjarje e zhvillime drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

 “Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatën e krijuar në ish Jugosllavi”, ka theksuar Ramajli në këtë shtator, në 25 vjetorin e këtyre ngjarjeve historike.

Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive të federatës, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.

“Akti i nxjerrjes së Kushtetutës u bë pikërisht në kohën kur më nuk kishte asnjë dyshim se Jugosllavia kishte hyrë në rrugën e pa kthim të shpërbërjes së sajë. Nxjerrja e Kushtetutës dhe shpallja e Republikës së Kosovës nga Kuvendi me 7 Shtator 1990 ishte dhënie e formës kushtetuese juridike të vullnetit të shprehur unanimisht nga shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës, dhe nga subjektet e atëhershme politike në Kosovë”, shprehet Ramajli.

Kuvendi i Republikës së Kosovës nga data 7 Shtator 1990 ka vepruar jashtë Kosovës, në rrethant e atëhershme të okupimit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, në atë kohë, Ilaz Ramajli, në intervistën që kam zhvilluar, ka theksuar se gjatë veprimit jashtë vendit Kuvendi plotësisht ka koordinuar aktivitetet e tija me subjektet politike të cilat në atë kohë ishin të organizuara dhe vepronin në Kosovë.

“Nisur nga rrethanat e kohës dhe ngjarjeve në hapësirat e ish-Jugosllavisë si dhe në rrafshin ndërkombëtar, por edhe me qëllim të rrumbullakimit të kornizës kushtetuese dhe ligjore për Kosovën si shtet sovran e të pavarur e në marrëveshje me subjektet politike në Kosovë, Kuvendi në mbledhjen e 22 shtatorit 1991, mbajtur në Slloveni, nxori Vendimin për mbajtjen e Referendumit për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur i cili do të organizohej prej 26-30 shtator 1991”, ka deklaruar kryeparlamentari kosovar i asaj kohe.

Ai vlerëson se, Referendumi u organizuar shumë mirë, megjithëse mbahej në rrethana të një okupimi të egër të Serbisë në Kosovë.

 “Mbajtja e referendumit dhe rezultatet e tij jo vetëm që mundësuan ndryshimet kushtetuese me të cilat Kosova u shpall shtet sovran e i pavarur dhe u rrumbulaksua korniza kushtetuese e ligjore lidhur me këtë, por ishte edhe një mesazh i fortë dhe shumë i qartë për Serbinë dhe gjithë botën se populli i Kosovës më asnjëherë nuk dëshiron të jetë nën kontrollin e të tjerëve, por është përcaktuar fuqishëm që shteti i tyre, Kosova, të jetë shtet sovran dhe i pavarur”, thekson Ramajli.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>