Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

Familja e Pando Gjinit në vorbullën e luftës së Klasave

$
0
0

Ne Foto:Vangjel Pando Gjini, i lindur në fshatin Rrapëz të rrethit Lushnjë, kishte kryer studimet dhe ishte diplomuar në Liceun e Korcës. Ai vdiq më 1978, i mënjanuar dhe i persekutuar, duke marrë në varr edhe titullin, që i kishin dhuruar komunistët ”kulak”./

 nga Athanas Papa*/ Worcester, Massachusetts/

 Leter Editorit/

 I nderuar z. Dalip/

Jam lexues i rregullt i Gazetës “Dielli”. Ju lutem botojeni këtë shkrim në Gazetën e nderuar Dielli. Kam kaluar fëmijërinë te njerëzit e nënës time, tek Gjinallarët e Rrapëzës në Lushnjë. Kjo ishte një familje e persekutuar nga diktatura komuniste. Si pasojë e luftës së klasave njerëzit e kësaj familjeje humbën të gjithë pasurinë, po humbën dhe jetën e tyre. Të gjithë djemtë dhe vajzat e shtëpisë u përfshinë në vorbullën e luftës së Klasave,- të vuajtur e të diskriminuar, mbetën pa u martuar, pa gëzuar asnjë të mirë nga jeta, vdiqën beqarë dhe të mënjanuar.

  Ndjej detyrim ndaj tyre si shenjë dhembshurie e nderimi, për ta që qenë viktimë e sistemit komunist.

 Po ju shkruaj këtë letër, me shpresën se Ju do t’më kuptoni dhe do të gjeni mundësinë t’a botoni këtë shkrim. Do t’ju jemë shumë mirënjohës dhe ju falenderoj pa masë. Do t’më jepnit një kënaqësi po t’më dërgonit një përgjigje.

Me respekt

Athanas Papa

      ***

 Kur isha fëmijë shkoja, kohë pas kohe, tek njerëzit e nënës, tek gjyshi dhe gjyshja, tek dajat dhe tezet në Rrapëz të Lushnjes, ku ata ishin pronarë të ligjshëm tokash deri në vitet 1949-50. Si fëmijë ndjeja gëzim sa herë ndodhesha atje midis njerëzve të nënës, tek fisi i madh i Gjinallarëve, të cilët ishin në gjendje të mirë dhe jetonin në bollëk.
     Po një ditë papritur fëmijëria jonë u trondit. Ne, si fëmijë, u llahtarisëm kur pamë të lidhur me litar gjyshin, dajë Vangjelin, Llazar Gjinin, Kovi Gjinin, Tuni Gjinin dhe Kostandin Gjinin. Duke qenë se ishim të vegjël, as e kuptonim e as e merrnim me mend përse-në e kësaj ngjarjeje.
  Por kur u rritëm, morëm vesh të vërtetën rreth kësaj ndodhie. Ai veprim i dhunshëm ishte shprehja më e dukshme e luftës së klasave që kishte filluar dhe që do të thellohej me shpronësimet dhe heqjen e triskave të frontit. Në fakt, shpronësimet ishin një abuzim i shtetit komunist, i padrejtë, i pamotivuar me ligj. Ishte një shkelje e dukshme e të drejtës së njeriut mbi pronën e tij, pjesë e praktikës së shëmtuar të luftës së klasave, ku shumë njerëzve pasi u merrej prona, u hiqej triska e frontit dhe cilësoheshin “kulakë.” Kështu, në atë kohë, u deklaruan “kulakë” edhe gjyshi im Pando Gjini, bijtë e tij dhe disa nga fisi i Gjinollarëve. Mirëpo, deklarimi “kulak” ishte një damkë të cilën e vuante gjithë familja dhe fisi.
      Mjerë kujt i binte ai fat i zi nga dora mizore e regjimit. Në të vërtetë dua, të nënvizoj se si gjyshi im Pando Gjini, si dajua Vangjel Gjini si dhe të gjithë Gjinallarët nuk i kishin bërë ndonjë të keqe askujt. Pasurinë e kishin krijuar me punë dhe djersë prej disa brezash, pa i rënë në qafë kurrkujt; as fshatit e as popullit. Përkundrazi, me pasurinë e tyre patën ndihmuar në raste të ndryshme banorët e fshatit si dhe vetë forcat partizane.
Shënojmë për më tepër, se nipi i gjyshit, Kristaq Gjini, pati dalë partizan, që luftoi gjatë Luftës Nacional-çlirimtare dhe pas çlirimit shërbeu si oficer i ushtrisë. Mirëpo, me gjithë rregullsinë dhe korrektesën e fisit, si rrjedhojë e thellimit të luftës së klasave dhe e cilësimit “kulak” gjyshi dha daja Vangjeli u dënuan me burg dhe i dërguan në kampin famëkeq të Vloçishtit, ndërsa pjesëtarët e tjerë të familjes gjyshja plakë, dajë Trifoni i sëmurë, tezet Naumka dhe Themia, pasi u përzunë nga fshati, shkuan në vende të tjera për të mbijetuar.
Ndërkohë, nga fisi i Gjinallarëve do të shquhej në mënyrë të veçantë dajua Vangjel Gjini, i cili u arsimua në Liceun e Korçës. Në Lice, Vangjeli u frymëzua me ide përparimtare dhe demokratike. Ai nuk e pranoi pushtimin fashist italian dhe u radhit në krahun e lëvizjes për çlirimin e vendit, duke ndihmuar me ide dhe të mira materiale. Mirëpo, pas çlirimit, me largpamësinë që e karakterizonte, ai nuk u pajtua me administratën e diktaturës komuniste që po instalohej në Shqipëri. Kjo ishte dhe arsyeja pse do të diskriminohej e përndiqej nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës.
      Si përfundim, familja e gjyshit tim Pando Gjini si dhe bijtë e tij Vangjeli, Trifoni, Themija dhe Naumka u persekutuan në vazhdimësi, duke iu shkelur çdo e drejtë njerëzore nga diktatura komuniste. Për më keq si pasojë e diskriminimit nga lufta e klasave ata e patën të vështirë të krijonin familje dhe të gjithë e ngrysën jetën pa u martuar.
    Sot, minimumi që mund të bëjmë për këta njerëz, është të shkruajmë për ta, që të paktën, kujtimi t’u mbetet gjallë.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>