Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

Intelektualët dhe patriotët elbasanas, vlera të qytetit të lashtë

$
0
0

Historiku i familjes Çiftja/
Nga ARTUR AJAZI/
Mes dhjetra e dhjetra familjesh të qytetit të lashtë të Elbasanit, padyshim edhe familja e njohur Çiftja, mbetet dera nga ku dolën intelektualët dhe patriotët që i dhanë vlera të padiskutueshme rrethit të tyre familiar e shoqëror, qytetit, dhe pse jo edhe vendit. Duke folur mbi origjinën, historikun dhe episodet e kësaj familje, pasardhësit e Çiftjes, tregojnë fragmente nga historia e xhybes së qëndisur me ar për Hrushovin dhe violina e tyre, dhuratë për gazetarin Ehremburg. Nga Tasim Çiftja, i cili shpëtoi Mitrush Kutelin në kënetën e Maliqit tek Riza dhe Hektor Çiftja që rrëfejnë historinë e familjes para dhe pas viteve ’45 . Çiftet e Elbasanit me historinë e tyre pak të shkruar, por shumë të dëgjuar, bëjnë pjesë tek ato familje që trashëguan pasurinë, kontribuan si patriotë, por pësuan burgun dhe persekutimin në komunizëm.Shekujt për këtë familje kanë qenë me mjaft ngjarje, por pjesa më e hidhur mbetet ajo pas çlirimit, ku disa prej tyre u burgosën, të tjerë u vunë në shënjestër dhe pak mundën t’i shpëtojnë furtunës që përfshiu të pasurit e Elbasanit në luftën e klasave. Nga gjiri i Çifteve ka kontribues për Pavarësinë e Elbasanit, mbështetës të Shkollës Normale, bamirës për qytetin e fenë.Ndër breza ka shumë mësues e shkrimtarë, të gjithë me Normalen e Elbasanit. Kjo familje, që ka ende një nga shtëpitë e vjetra në anë të Kalasë, ruan histori të veçanta që lidhen me Hrushovin, Kutelin dhe Ehremburgun.Riza Çiftja, një ndër trashëgimtarët e kësaj familjeje, gjithashtu edhe Hektor Çiftja, pedagog i Universitetit të Elbasanit, sjellin detaje të historisë së kësaj familjeje para vitit ’45 dhe persekutimin dhe mënjanimin pas regjimit komunist.

Familja Çiftja para shekullit XX

Familja Çifta ka një histori shumëshekullore. Nga kjo familje ekzistojnë disa dyer dhe rrjedhin nga i njëjti trung. Një varr 500-vjeçar i Çifteve ka qenë i vendosur në varrezat e vjetra të qytetit (aty ku ndodhet parku Rinia sot). Rizai, i biri i Aliut, një prej pasardhësve të kësaj familjeje tregon pak nga historia e trashëguar gojarisht në familje.”Katragjyshi im ka qenë një tregtar i madh për mëndafshin. Në kohën e Turqisë, tregtarët e Shkodrës u lidhën me të për mallrat e mëndafshit. Katragjyshi im i mblidhte dhe ata vinin i merrnin me shumicë. Në një kohë të caktuar, ai punoi për ta, por më pas linjën e tregtisë e ndoqi vetë. Merrte mallin me kafshë, e dërgonte në Shkodër, nga Shkodra në Raguzë.Merrte mall në Raguzë, shkonte në Venedik, në Gjenovë, më pas në Aleksandri të Egjiptit, kthehej në Stamboll, nga aty në Manastir dhe më pas kthehej në Elbasan. Kjo rrugë zgjaste deri në tri vjet dhe udhëtimi ishte me rrezik. Në shumë zona duhej të paguante doganë, pasi s’e linin të kalonte. Dilte me një fitim 20-30 mijë lira turke në atë udhëtim.
Kur kthehej, bënte një festë të madhe me miqtë, sepse ishte kthyer shëndoshë e mirë. Më pas, për disa breza nuk dihen gjurmët e tij deri tek Hasan Çiftja, kryetar bashkie, prefekt dhe mbështetës i lëvizjeve patriotike gjatë pavarësisë. Hasani pati 5 djem dhe tri vajza: Aliun, Xhaferrin, Qamilin, Kadriun (që vdiq në Austri kur ishte student) dhe Qazimin (që vdiq në Manastir po gjatë kohës që ishte student).Familja Çiftja ishte e vendosur përballë murit të Kalasë (Skampis sot) ku banonte familja e Dervish Bej Biçakçiut. Rizai tregon se të parët e tij kanë ndërtuar urën e Zaranikës. “Katragjyshi im kontribuoi për ndërtimin e urës së vjetër të Zaranikës.Fillimisht, në tentativën e parë ndërtimin e mori uji i rrëmbyeshëm i përroit dhe shumë filluan ta vinin në lojë për idenë e dështuar, por ai nuk u ndal.Sapo mblodhi edhe një herë paratë, nxori tellallin (kasnecin) dhe tha se kush do të nxirrte një gur nga Zaranika për urën, do të paguhej 5 mexhide ose një lirë turke (për atë kohë mbante një familje për një javë). Atëherë të gjithë shkuan për të nxjerrë gurët, madje edhe ata që e vunë në lojë.Para se t’u jepte paratë, ai u tha se ishin bërë tashmë shërbëtorët e tij, pasi më parë e kishin tallur duke thënë se ura nuk do të qëndronte. Pasuria që krijoi, u nda nga shtatë familje elbasanase që lidhën miqësi me Çiftet, ndër të cilat mbiemra shumë të njohur në Elbasan.Kur erdhën ushtarët e Austro-Hungarisë, ura që u ndërtua nga katragjyshi u dëmtua. Hasan Çiftja, gjyshi im, si stërnip i ndërtuesit të parë, e riparoi me shpenzimet e veta dhe kontribuoi edhe për ndërtimin e xhamisë së Gurabardhes.Ura ka qenë në këmbë deri vonë. Udhën e të atit e ndoqën të bijtë. Madje, kur hyri Haxhi Qamili në qytet, të gjithë pasanikët që nuk kishin kontribuar për fenë myslimane u përballën me burgim e keqtrajtim.Aqif Pashës i dogjën shtëpinë dhe shumë të tjerë i keqtrajtuan në mes të qytetit. Pasi e arrestuan shoqëruesit e Haxhi Qamilit gjyshin, e pyetën se çfarë kishte bërë për fenë. Ai u tregoi për xhaminë e Urën që mbanin emrin Çiftja. Kjo vepër e shpëtoi nga pushkatimi.

Si patriotë
Hasan Çiftja ishte ndër elbasanasit e pasur që kontribuoi për arsimin. “Hasani, gjyshi im, ishte djalë i vetëm. Është firmëtar i deklaratës së Pavarësisë në Elbasan më 25 nëntor 1912. Kur u bë Kongresi Arsimor i Elbasanit, Hasani bashkë me të birin Aliun, u caktuan në komisionet për ngritjen dhe mbarëvajtjen e Normales.Në vitin e parë të Normales, kur mbaroi, u bë një ceremoni për popullin dhe u bënë shumë dhurata. Hasani dorëzoi një sahat për nxënësit e Normales. Ndërkohë, Aliu ishte një ndër organizatorët e mitingut që është bërë në Elbasan për alfabetin latin të gjuhës shqipe.Ai kontribuoi për çështjen kombëtare. Vëllezërit Çiftja ishin edhe ndër organizatorët kryesorë gjatë protestës për të mos lejuar transferimin e Normales nga Elbasani. Familja Çiftja renditej ndër paritë e Elbasanit në atë kohë.Aq e vërtetë është kjo, sa ushtria hungareze kur do të ikte, mori parinë elbasanase si mburojë që të mos sulmohej nga vendasit. Nga familja jonë u mor Xhaferr Çiftja, djali i madh i Hasanit. Nga kjo ngjarje është edhe një foto e vjetër që dëshmon se paria e qytetit është renditur krah një gjenerali të Austro-Hungarisë gjatë largimit.

Historia e violinës së Ehremburgut

Hasani dërgoi të birin, Kadriun, në Austri në shkollë. Atje ai u vendos në një dhomë me Ethem Haxhiademin, pasi familjet tona ishin të lidhura në krushqi. Kadriu vdiq në Austri prej të ftohtit dhe trupi erdhi i balsamosur për shkak të kohës që duhej për të mbërritur.
Babai im, për nder të Kadriut shkoi tek Aleksandër Xhuvani dhe pagoi për një periudhë kohe konviktin dhe ushqimin e nxënësve të Normales që vinin nga rrethet.Fjalimin në varrimin e Kadriut e ka mbajtur Adem Jahja, si shok i ngushtë i tij dhe violina që Kadriu e kishte blerë në Austri, iu fal atij. Në atë kohë vjen për vizitë gazetari rus më me famë i asaj kohe, Ilija Ehremburg.Qenë vitet ’45-’47 dhe për nder të tij orkestra e Shtëpisë së Kulturës e udhëhequr nga Mit’hat Sejdini, ku bënin pjesë disa violina, luajti një pjesë për të. Më ka treguar e bija e Adem Jahjes se Ehremburgu kishte kërkuar pikërisht violinën e ardhur nga Austria për ta blerë. Mit’hat Sejdini ia dhuroi Ehremburgut pasi ia mori Adem Jahjas, duke i kërkuar që të blejë një tjetër.Ndër shumë histori të kësaj familjeje është edhe Xhybja e famshme që iu dhurua Hrushovit gjatë vizitës në Elbasan. Rizai tregon se kjo xhybe iu fal për pajë një prej vajzave të birësuara në familjen e tij.

“Gjyshi im ka pas blerë edhe një xhybe të Bushatllinjve të Shkodrës, të qëndisur me fije ari. Xhyben e ka mbajtur e shoqja dhe ia dha pajë njërës prej vajzave që e rriti familja jonë dhe më pas është marrë nga Komiteti këtu për t’iu dhuruar Hrushovit si një simbol i çmuar shqiptar në vizitën e tij në Shqipëri në vitin 1959.Në familjen Çiftja janë rritur shumë vajza, të cilat ishin të varfra dhe kishin mbetur pa njeri. Familja i rriste si vajzat e veta, iu bënte pajën dhe i martonte. Ky fenomen ka ndodhur edhe në familjen e Aqif Pashës.

Hasan Çiftja, si u bë kryebashkiak

Hasani nuk ishte as me Vërlacin, as me Aqif Pashën. Në një periudhë kur Elbasani mbeti pa kryetar bashkie, e vendosin përkohësisht pasi ishte i pranueshëm për të dyja palët. Ishte koha kur ishte formuar qeveria e Durrësit dhe u formua dhe ajo e Lushnjës.Në këtë periudhë i vjen letër nga Durrësi: “Elbasani me kë qeveri është?” dhe Hasani Çiftja mbledh këshillin për ta vendosur këtë, ndërsa vetë ikën për të mos u përfshirë në vendim. Kur përgjigjja u bë e detyrueshme, Hasani deklaroi se zgjidhte qeverinë më të vjetër, duke dhënë një përgjigje të zgjuar. Duhet të dini që një qeveri e preferonte Aqif Pasha, ndërsa tjetrën Vërlaci. Ai gjithashtu ka qenë edhe prefekt i Elbasanit.Hasani do të kujtohet edhe si një ndër kryebashkiakët për t’u marrë shembull, pasi në kohën e një krize për bukë, kur çmimi ishte rritur në mënyrë artificiale nga tregtarët, ai arriti të ulë çmimin. I mblodhi të gjithë prodhuesit, u kërkoi të ulnin çmimin dhe kur ata nuk pranuan, hapi dy furra me paratë e veta dhe prodhoi bukë me çmim real. Të gjendur përballë kësaj, prodhuesit e ulën çmimin.Lidhjet mes familjeve të Elbasanit ishin të ndërsjellta. Rizai tregon se mbiemrat e njohur të Elbasanit ishin të lidhur me Çiftet. Vajza e parë e Hasanit është dhënë tek Qazim Matraxhiu, prefekt i administratës së Fan Nolit dhe vëllai i gazetarit Emin Matraxhiu.Vajza e dytë ishte dhënë tek Kamber Sejdini, oficeri që përfaqësoi qeverinë shqiptare pranë oficerëve holandezë të ardhur për ndihmë. Ndërsa vajza e tretë u dha tek Hafyz Musa Basha, i biri i Haxhi Aliut që ka qenë drejtues i Komitetit Mysliman Shqiptar dhe kontribuoi për lëvizjen nacional-çlirimtare.Dhe djemtë po ashtu morën nuse nga dyer të njohura. Babai im, Aliu, ka marrë vajzën e Ali Kopilit, një prej tregtarëve më të mëdhenj në Elbasan, ndërsa gruan e dytë në familjen e njohur Hastopalli. Ndërkohë një nga djemtë, Xhaferri, merr vajzën e Emin Haxhiademit”. Kjo familje ka shkëmbyer edhe me familjen Bungo.Aqif Pasha ishte nuni i Qamil Çiftes dhe marrëdhëniet familjare ishin mjaft të afërta. Rizai tregon se me djepin e familjes së tij është rritur edhe djali i Aqif Pashës. “Më ka treguar babai që Ibrahim Biçakçiu, që do të bëhej edhe kryeministër, është përkundur në djepen tonë. Aqif Pashës i lindën dy vajza, por nuk po lindte djalë. Gratë, nisur nga bestytnitë, meqë në shtëpinë tonë kishte 5 djem, morën djepen tonë. Ndoshta ishte rastësi, por më pas lindi Ibrahimi, djali i vetëm i Aqif Pashës”.Kamo Sejdini, burri i hallës sime, është vrarë me kolonel Tompsonin. Kur komisioni ndërkombëtar caktoi ushtarë holandezë të drejtojnë ushtrinë shqiptare, Zogu caktoi Kamo Sejdinin, një ndër ushtarakët e shkolluar që të përfaqësonte ushtrinë shqiptare.

Persekutimi
Por pas çlirimit filloi persektimi për familjen Çiftja. Djemtë e Hasanit pësuan fate të ndryshme. Kështu, Qamil Çiftja dhe një tjetër qytetar elbasanas u bënë barinj derrash me qëllimin e vetëm diskretitimin e tyre. Qamili kishte alergji fetare për derrat.Një ditë në sheshin midis bashkisë së vjetër (sot ndërtesa e re) dhe Komitetin Ekzekutiv (sot Prefektura), përgjegjësi i tyre qëllimisht largohet dhe takon tek dera e Komitetit Ekzekutiv një kuadro dhe i lë dy rojtarët bashkë me derrat. Derrat s’po përmbaheshin; sa largohej njëri me një anë, të tjerë merrnin vrapin në anën tjetër të sheshit të kalldrëmtë.
Me thupër në duar rendnin pas derrave që largoheshin nga tufa. Ndërsa rojtari tjetër humbi ndjenjat nga kjo situatë, Qamili ndonëse vetëm, s’e prishi terezinë. Lë derrat dhe shkon fill tek përgjegjësi e i thotë: “Derrat s’po bëhen zap. Mos kemi mbledhje dhe duhet t’i bie dhe t’i fusim brenda….?!” Përgjegjësi e kuptoi ironinë dhe ia kthen: “Hajt nisi shpejt për nga rruga e Fushës së Sportit të Vjetër..!”Tasim Çiftja, nipi i Hasanit, djalë i Xhaferrit, u arrestua pasi u cilësua pjesë e një grupi armiqësor kundër Shqipërisë, ndër të cilët edhe Salim Ceka, që përktheu Shopenhauerin. Gjyqi ishte fals dhe me akuza absurde.Pas vendimit me burg Tasimi u dërgua në Maliq, ku qëndroi bashkë me Makensen Bungon, Virtyt Gjylbegun dhe Hamza Tushën nga Fushë-mbreti në punë ekstreme për tharjen e kënetës. Teksa punonin me kokë ulur në kënetë, të rinjtë dëgjojnë të bërtiturat e gardianëve ndaj Dhimitër Paskos. Pakkush e dinte kush ishte, pasi ai njihej me emrin Mitrush Kuteli, por dëgjonin sesi në çdo kohë e torturonin për normën që duhet të përmbushte.Ata kishin si komandant për shkak të fizikut më të fuqishëm dhe punës më të madhe të shkojë e të marrë Dhimitër Paskon për ta kaluar në brigadën e tyre. Hamzai arrin ta sjellë dhe djemtë i thonë të mos merakosej më për normën, se do t’ia realizonin ata. Kështu arriti të shpëtonte Mitrush Kuteli për shkak se në kënetë rreziqet ishin shumë të mëdha, mund të përfundoje në baltë e të vdisje.E kush do ta besonte se pikërisht Tasim Çiftja që në vitin 1943 në një artikull në gazetën “Bashkimi i Kombit” do të botonte fejtonin “Si i thurte tregimet z. Mitë”, do ta shpëtonte pak kohë më vonë në kënetën e tmerrshme të Maliqit shkrimtarin e madh. Tasimi shkruante dhe ka lënë libra, të cilat Hektor Çiftja i ruan me dëshirën për t’i botuar. Ai si një intelektual i përgatitur nuk i shpëtoi rrebeshit kundër familjeve të pasura dhe intelektuale.Virgjil Çiftja, djali i vogël i Xhaferrit, u arrestua si armik kur ishte vetëm 13 vjeç. Në vitet 1947-’50 ai ndiqte shkollën shtatëvjeçare “Bardhyl Popa”. Kur ishte në klasën VII i ndodh një ngjarje që do të shënonte jetën e tij: u bë disidenti më i ri në Elbasan. Sipas disa të dhënave, në muret e shkollës ishte shkruar shprehja: “Çohu o popull, se na shtypi Rusia” dhe kjo shprehje, pasi ishte krahasuar shkrimi, kishte rezultuar e Virgjilit.Ai, vetëm 13 vjeç, i mbërthyer nga dy persona futet në një xhip dhe s’u mor vesh se ku e çuan. Që prej asaj dite Virgjili, për 6 muaj rresht, pasi u torturua në birucat e nëndheshme të Hotel Grandit (sot turizmi i vjetër), u dërgua në shkollën e riedukimit (koloninë) në Tiranë, ku qëndroi plot 3 vjet.
Pasi e lirojnë, e dërgojnë ushtar në brigadën e punës në “Rrapin e Treshit” në Tiranë, i vetmi formacion ushtarak i ngritur qëllimisht për të rinjtë me biografi të keqe. Në repart për tre vitet e shërbimit ushtarak në vend të pushkës pati kazmën e lopatën. Me mbarimin e ushtrisë, Virgjili punoi punëtor krahu në ndërmarrjen e Bonifikimit. Vdiq i ri nga azotemia për shkak të punëve të vështira që bëri dhe torturave që pësoi për shumë vite.

Riza Çiftja, si i shpëtoi burgosjes

Në atë periudhë ishte koha e miqësisë së madhe me Jugosllavinë. Në libër ishte një shprehje për Kosovën që mësuesi na e kish thënë ta fshinim, por ne nuk e fshimë. Në kohën kur arrestojnë disa të rinj në Normale, mua më lajmërojnë që do të arrestohesha dhe largohem për në Tiranë.Fillova shkollën atje, por nuk aplikova për burse, sepse e dija që nuk do e merrja. Drejtor patëm Shemsi Totozanin, ndërsa mësues gjuhe Zeaudin Kodrën, i cili filloi t’i pëlqente komentet e mia dhe i lexonte. Mbarova shkollën dhe u emërova në Tepelenë në Koshtan, 9 orë larg. Varfëria ishte ekstreme.Ushqimet gjendeshin me triska. Ne morëm dy dhi, i bëmë pastërma. Zienim patatet, i prisnim, i thanim dhe i ruanim për t’i zier sërish kur do t’i hanim. Komiteti i Partisë në Elbasan dërgon një shkresë në Tepelenë që unë të pushohem nga puna dhe më pushojnë. Rikthehem në arsim në vitin ’55 në Laç, në një katund. Më çojnë në Fushë-Milot. Më trasferojmë e më çojnë në katunin Gramëz. Kështu kaluan vitet e mia në arsim, derisa dola në pension.Brezat e familjes Çiftja vazhdojnë. Rizai ka një djalë dentist dhe një vajzë nëpunëse në Itali ku jeton bashkë me familjen e saj, ndërsa djali i Tasim Çiftes, Hektori, është pedagog i gazetarisë në Universitetin e Elbasanit. Kjo familje që njohu shkëlqimin e pasurinë para Çlirimit, do të njihte shtetëzimin e saj, persekutimin dhe një jetë të vështirë më pas deri në demokraci.Hektori tregon se forma që kishin zgjedhur djemtë dhe vajzat Çiftja për t’i shpëtuar varfërisë intelektuale dhe vështirësive të ditës ishte një konkurs që bëhej mes tyre sa herë që mblidheshin me njëri-tjetrin.Të kthyer në punëtorë krahu bashkoheshin në mbrëmje në shtëpi dhe recitonin vargjet e Dantes dhe shumë autorëve botërorë duke bërë konkurs me njëri-tjetrin për të mos rënë në gjendjen e vështirë dhe për t’i shpëtuar realitetit tragjik që nuk kurseu familjet e pasura, edhe pse njiheshin për kontributin e tyre patriotik dhe ishin të gjithë të shkolluar nga Normalja, Universiteti i Parë Shqiptar.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>