Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

Dossier / Korçë 1923. Ja si u mposht kampioni jugosllav i mundjes

$
0
0

*Historia e rrallë e një fshatari nga Polena, që i ruajti dinjitetin rinisë qytetare të “Parisit të Vogël”. Nasi Papa, një ish-emigrant në SHBA, ku ishte ndeshur dhe fituar edhe ndaj një ariu, brenda 2 “raundeve”, turpëroi në tapet dhe në shpërblim të vetëquajturin dhe të reklamuarin si njeriu më i fortë në botë.
* Fotografia eshte marre nga Gazeta”Zeri i Popullit”, një gazetë e pavarur”“Politike Ekonomike dhe Letrare”;që dilte në treg çdo ditë të Mërkurë dhe të Shtunë, në vitet ’20 të shekullit të shkuar./
*Ekzluzive për gazetën “Dielli”/
NGA MARK BRUNGA/*
Në fundvitin e 23 -të të shekullit të kaluar, në Korçë ka ndodhur një ngjarje e rrallë.
Në këtë qytet ka ardhur një person misterioz, mjaft trupmadh që ka dashur të sfidojë dinjitetin e rinisë së këtij qyteti dhe ka bërë deklarata të çuditshme, që kanë shkaktuar një thashethemnajë të madhe në opinionin e asaj kohe. Pasi është strehuar në një nga hotelet e këtij qyteti, ai ka shpërndarë me stafin e vet reklama kudo ne vendet publike të qytetit, reklama që në atë periudhë kanë tërhequr së tepërmi vëmendjen e banorëve, për shkak të panatyrshmërisë së tyre për jetën e qytetit. Në hotel u regjistrua me emrin e një jugosllavi, Pavllo Dopugia.
Pasi u njoh me qytetin nëpërmjet njerëzve që e shoqëronin, ka bërë një shpallje të çuditshme, duke mëtuar se ishte kampioni i Jugosllavisë në mundje, por edhe njeriu më i fortë i botës dhe se ishte i gatshëm të ndeshej me këdo që do të dëshironte. Madje, sipas kronikave të asaj kohe të këtij qyteti, për ta çuar sfidën deri në fund, deklaroi se atij që do të përballej me të dhe që do të ishte i zoti ta mundte, do t’i jepte si shpërblim një shumë të konsiderueshme parash: 1000 korona, pagesë tepër e madhe, duke pasur parasysh bursën e asaj kohe për këtë monedhë evropiane. Fjalët kanë “zier” ne opinionin e qytetit. Ka shumë mundësi që qyteti ta ketë ndier veten pak të sfiduar nga ky kampion me emrin e çuditshëm e hibrid, sllavo-latin; kishte gjetur momentin ters për t’i hedhur dorashkën sedrës burrërore të rinisë së qytetit. Ishte fund viti dhe qyteti po kërkonte të hynte në vitin e ri 1924, pra në prag të festave. Ardhja e sportistit aventurier i kujtonte shumëkujt legjendën e bajlozit që kërkonte t’u sfidonte nderin korçareve, pikërisht në prag të Krishtlindjeve dhe të vitit të ri, të cilat në Korçë festoheshin me një bukuri të rrallë…Sfidanti jugosllav ishte bajlozi, që tashmë, në vend të vajzës së legjendës, po kërkonte nderin e rinisë së këtij qyteti. Dhe njeriu që u përball me të nuk e kishte emrin Gjergj. Ishte një fshatar që banonte në atë periudhë në fshatin e Polenës, “10 km larg Korçës”, kujton kronika e atyre ditëve. Me sa duket, djelmëria korçare ka bërë një katalogim të personave, që mund të ndesheshin me të. Pasi ka seleksionuar shumë kandidatura të mundshme, ka bërë përzgjedhjen shpresëdhënëse: vetëm fshatari Nasi Papa nga Polena mund ta përballonte mundësin me trup si ariu që rrinte me qytet si një kolonizator i dinjitetit të tyre. “Po, po”, do të kenë menduar djelmëria korçare, “vetëm Nasi mundet me arinjtë”. Dhe i kanë çuar fjalë me miqtë e tij për të huajin, kampion i madh i Jugosllavisë, që kërkonte duel. Nasit nga Polena s’ia ka bërë syri tërr. Sapo ka marrë ftesën e miqve, është drejtuar drejt hotelit, rezidencë e Dopugies, dhe është prezantuar me të: “… për këtë u njoftua Nasi Papa, i cili me vrap ardhi në Korçë”, sqaron kronika e kohës. Pra, sapo e ka marrë kërkesën e miqve, Nasi nuk është menduar gjatë, por është nisur me vrap, thua se ka pasur frikë se mund të shkonte ndonjë kandidat tjetër në vend të tij dhe s’do t’i linte mundësi ta zhdëpte paq kampionin, i cili jepte para po të rrihej, kaq mendjemadh paskësh qenë mavriu!!! Kur janë parë fillimisht, siç edhe ndodh normalisht, ata i kanë bërë studim njëri tjetrit me sy të lirë dhe pas fjalëve përshëndetëse me mirësjellje që do të kenë shkëmbyer, me siguri, jugosllavi ka menduar se ç’po i haka kurrizi këtij fshatari, plot plagë në qafë e fytyrë. Kur ka parë kundërshtarin e sapoardhur, me diferencë të madhe në peshë, e mendoi si mjaft të lehte fitoren me të. Të njëjtin studim ka bërë edhe Nasi ndaj tij. Kur ka vërejtur kapardisjen tipike të kampionit aventurier, ka thënë me vete: ky qurravec do t’i lërë qurrat ne Korçë!Po këto i ka menduar, ndërsa i është drejtuar me mirësjelljen tipike të vendit mikpritës: “Pas dekallaratës që ke bërë”, ai kërkonte të mundej me të. Kundërshtari i ardhshëm i tapetit e ka pranuar me kënaqësi kundërsfidën e hapur që i ka bërë Nasi nga Polena. Kur janë peshuar para ndeshjes, Nasi doli që ishte më i lehtë në peshë (“diferenca, – shkruajnë kronikat, – ishte 15 okë mes jugosllavit dhe Nasit”).
Por kjo nuk përbënte problem për të, pasi ai ishte rrahur me mjaft njerëz dhe kishte fituar.
Për rastësi, edhe ndeshja me dy raunde, ku jugosllavi u zhdëp nga polenasi, zgjati vetëm afërsisht aq minuta, sa ishte superioriteti në okë i Dopugias. Pjesa e parë 7 minuta dhe e dyta, përfundimtarja, rreth 9 minuta. Kaq paskësh qenë edhe mundësia e kampionit jugosllav për t’i rezistuar furisë së Nasit në tapet. Një përmbysje raportesh në përpjesëtim të zhdrejtë.
Kur erdhi problemi i ndarjes së shumës së proklamuar nga kampioni humbës, polenasi u tregua burrë i fortë. Për së dyti herë e mundi edhe moralisht kundërshtarin e rënë shpirtërisht nga humbja, që nuk e kishte parashikuar, teksa para ndeshjes deklaronte se ishte njeriu më i fortë në botë. Me qetësi dhe duke e mëshiruar kampionin që e humbi në Korçë nderin e titullit, Nasi deklaroi: “Si shqiptar dhe kalorës që jam, i fal prej shumës së caktuar 800 korona dhe kërkoj vetëm 200. Më mjafton vetëm që e munda dhe kjo më kënaq pa masë!”.
Kështu e përshkruan kronika këtë ngjarje të bujshme të asaj periudhe…
Dokumenti i kohës / Kështu u mund “njeriu më i fortë në botë”
Kjo histori e bujshme dhe e rrallë na vjen përmes arkivit të një përmbledhjeje gazetash të botuara në Shqipëri në fillim të viteve ‘20 të shekullit të kaluar. Bëhet publike nga gazeta vendore korçare “Zëri i Popullit” e datës 31 dhjetor të vitit 1923, në numrin e saj të 13-të të botimit. Meqë shumë veta numrin 13 e konsiderojnë supersticioz, ters, me sa duket, tersllëku ka qëlluar për më të fortin fatkeq të botës që u zhdëp nga një fshatar nga Polena.
MBËRRITJA …Në këtë numër gazeta shkruan me germa kapitale “Triumfi i z. Nasi Papa në mundje me z. Pavllo Dopugia” (në citime kemi ruajtur gjuhën e kohës).
Ajo e hap lajmin me tekstin që vijon:
“Para një jave vizitoi vëndin tonë z. Pavllo Dopugia, i cili me anën e afisheve dhe rekllamave që përhapi në qytet, dekllaroi se është më i forti njeri i botës dhe atij që do ta mundë i jep 1000 kor. Gjithë populli, i urtuar nga spektakle të kësaj natyre vrapoi ne Gazino për të parë çuditë e më të fortit njeriu të botës. Më 26 filloi nga puna. Ngriti anembanë dhe ca hekura. Natën e dyte bëri gjith ato. Lajmin e përhapi në tërë rrethin e Korçës dhe populli si paparë dhe padëgjuar ndonjëherë e konsideroj si gjë të çuditëshme.
Për këtë u lajmërua në katundin e tijë Polenë edhe z. Nasi Papa i cili me vrap erdhi dhe pasi u takua me z. Pavllo Dopugia i propozoi se pas dekllaratës që ka bërë kërkon të mundet me të. Z. Dopugia e pranoi me kenaqësi. Duhet të shënojmë se zoti Dopugia është 15 okë më i rëndë se sa z. Papa. Mundësi shqiptar pranoi të mundet me të duke dashur t’i japë një mësim mundësit jugosllav”. Kjo është atmosfera në prag sfidën e ndeshjes që na sjell gazeta vendore “Zëri i Popullit” në Korçë.
NDESHJA DHE FUNDI I HIDHUR I KAMPIONIT
Gazeta bën me dije rrjedhën e ndeshjes, duke theksuar:
“Kështu vendosnë për ditë mundjeje të djelë më 28 të k. dhe ora 7.30 mbrëmanet. Bënë formalitetet e duhura në Polici dhe i u dha leja. Që në orën 6 populli nxitonte të blinte bileta, kështu që gjer në orën e caktuar salla e Gazinos u mbush. Mund të themi pa ekzazherasion se ishin më teper se 500 njerëz. Për të mbajtur rregullin e mundësve u pëlqyen prej të dyve dy akspertë (arbitra).
M’orën e caktuar filloi mundja e parë e cila mbajti 7 minuta, sado që ishte caktuar për 20 minuta. Kur z. Dopugia qëndroi si i pafuqishëm. por meqënëse gjindja deshëronte ti jepeshe fund mundjes, u persërit prapë. Mundja e dytë mbajti 9 minuta dhe z. Papa dolli plotësisht mundës në mes të duartrokitjeve të parreshtura të popullit. Z. Dopugia dekllaroj se nuk mund të rezistonte para fuqis së shokut të tij, i cili siç u provua kishte nje diferencë shumë të madhe. Lëvizjet dhe manovrat që bënte Z. Papa provuan qartazi habilitetin e tij në mundje.
Një shumic’ e enthusiasmuar prej popullit u ngjit në skenë dhe ngritnë mundësin shqiptar duke thirrur: “Rroft Shqipëria!”.
Kjo ishte skena e ndeshjes që sjell para kohës sonë gazeta e viteve 20 te shekullit të kaluar. Fitorja ndaj sfidantit të huaj rriti entuziazmin patriotik.
ATMOSFERA FESTIVE
Nga kjo gazetë mësojmë se populli i tregoi me shumë entuziazëm dashurinë dhe mirënjohjen për dhuratën e çmuar që i bëri qytetit të vet mundësi Papa.
Nga kronika e kësaj ngjarjeje shkëpusim fragmentin:
“Më shumë se gjysëm ore vazhduan duartrokitjet dhe brohoritë dhe gjindja e enthusiasur dhe e mallëngjyer prej triumfit të z. Papa u derth dhe i shtrëngoj dorën luanit shqiptar për nderin q’i bëri Korçës dhe gjithë kombit të tij.
Lëvizjet trupore të z. Papa, habitaliteti dhe kurajoja e tijë, na suall nder mend kohërat e vjetra të trimërisë shqiptare dhe na dha të kuptojmë se raca shqipëtare larg nga çdo demoralizim parashikon me një të pritme të lumtur dhe glorioze”.
NDARJA E TROFEUT DHE KALORËSIA E FITIMTARIT
Kronika e “Zërit të Popullit” vijon mbi zhvillimin e mëtejshëm të “mundjes” mes dy protagonistëve: “Të nesërmen në mëngjes u thirr z. Dopugia që të ekzekutojë kondisionet kundrejt mundësit dhe të paguante sumën e dekllaruar prej 1000 koronash. Por z. Papa duke marrë parasyshë se z. Dopugia është një i huaj dhe ne vënd të huaj dekllaroj këto: “Si shqiptar dhe kalorës që jam, i fal prej shumës së caktuar 800 korona dhe kërkoj vetëm 200. Më mjafton vetëm që e munda dhe kjo më kënaq pa masë!””
Por, me sa duket, i munduri nuk e ka vlerësuar këtë gjest fisnik të fitimtarit.
Gazeta nuk shkruan se si është përgjigjur ai, por thjesht sjell atmosferën e keqardhjes dhe më pas të justifikimit të sjelljes së humbësit jugosllav.
Për këtë, duke përcjellë opinionin qytetar korçar, gazeta thekson:
“Na erdh keq se sjelljet e të mundurit Dopugia ishin shumë larg që të ishin fisnike, po mund të falet me që çdo gjë që bëri dhe çdo që tha e bëri nga e keq e madhe që e gjeti, duke rënë i mundur nër këmbët e shqiptarit, të cilin e konsideronte si të pafuqishëm.
Shkaku që z. Dopugia i lë lamtumirën Korçës dhe ikën i zemëruar është se për fatin e tij të keq u ndoth këtu në Korçë një njeri i cili pati guximin ti dalë përpara, por edhe ta dënonjë. Ky duke parë se në tërë Jugosllavinë nuk i dolli no një kundërshtar mori kurajo të madhe dhe nuk i shkoi kurrë nder ment se në një çip të Shqipërisë, në Korçën plakë gjëndet një i këtillë”.
Pas përshkrimit të kësaj ngjarjeje, gazeta shkruan:
“Z. Nasi Papa e përgëzojmë nga zemra dhe i shtrëngojmë dorën me kryelartësi kombëtare për triumfin e tijë!”
NASI PAPA KISHTE MUNDUR EDHE NJË ARI MË PARË
Nisur nga shkrimi në gazetë, mësojmë se Nasi Papa kishte lindur në vitin 1890, në katundin Polenë, 2 orë larg Korçës. Në vitin 1905 ka emigruar në ShBA ku ka punuar në fabrika të ndryshme. Nga pasioni që kishte për sportin, ishte regjistruar në shoqërinë e gjimnastikës Y.M.C.A., ku kishte marrë edhe mësimet e para të gjimnastikës dhe zhdërvjellimit të trupit.
Në këtë shoqëri ka qëndruar prej një periudhë 12-vjeçare, duke marrë pjesë edhe në garat e ndryshme të mundjes që organizonte shoqata sportive. Sipas gazetës, ai kishte fituar përvojë të madhe dhe ishte pjesëmarrës në shumë gara mundjeje, ku shumë herë kishte dalë fitues. Pra, nisur nga periudha që ka ushtruar, është marrë me sport deri në moshën 27-vjeçare. Me kampionin jugosllav është ndeshur në moshën 33-vjeçare. Kronika e “Zërit të Popullit” të Korçës vijon jetëshkrimin e tij duke treguar se me fillimin e Luftës së Parë Botërore, duke pasur nënshtetësi amerikane, ai shërbeu për dy vjet në frontin francez të luftës.
Gazeta nënvizon:
“Më 6 korrik të vitit 1919 ushtëritë Aliate bënë një Interallied meet ku z. Papa dolli i pari fitues në kllasin e tijë. Për këtë fitim mori edhe dekoratë nga Aliatët”. Gazeta vijon me aventurat e Nasi Papës:
“Në Bridgeport County në theatron “Zers” u mund me një ari për 5 minuta dhe kur e pushtoj mirë që ta rrëzonjë, ky u egërsua dhe me thonjtë e tijë i bëri shumë plagë në sup të cilat i njihen edhe”.
Kush ishte gazeta “ZERI I POPULLIT”
Gazeta “Zëri i Popullit”, që jep këtë kronikë interesante nga ato vite, pak të njohura për shumë breza të vendit tonë e që ngjallin një kuriozitet të natyrshëm tashti për këdo, sipas saj, është një “Politike Ekonomike dhe Letrare”; dilte në treg çdo ditë të Mërkurë Gazetë dhe të Shtunë.
Bazuar dhe në botimin e numrit 13 të cituar, që ka dalë ne tregun korçar për lexuesit më 31 dhjetor 1923, dalim me përfundimin logjik se botimi ka nisur rreth dy muaj më parë, nëntor të atij viti, pasi kjo gazetë botohej dy herë në javë.
Çmimi ishte 25 qindarka. Në të dyja anët testatës së gazetës, kishte të stampuar dy izolatorë në një shtyllë elektrike të asaj kohe, simbol të një prej përparimeve më të ëndërruara të banorëve në atë periudhe të vështirë.
Disa numra të saj ndodhen sot në Durrës, në arkivin personal të një koleksionisti. Një gazetë që lexohet më kërshëri për shume ngjarje pak të njohura të asaj periudhe, rreth 90 vite më parë.
Dhe që na sjell në kujtese ngjarje të rralla si fitoren ndaj kampionit jugosllavit të mundjes Dopugia që korri Nasi Papaj, një personazh interesant, me përmasa thuajse homerike, i cili arriti të sfidojë edhe arinjtë dhe që mori trofeun e vendit të parë në një aktivitet të madh të mundjes sportive të ushtrive aleate të çlirimit në Evropë.
1. foto Nasi Papa
2. Gazeta “Zëri i Popullit”, botim i datës 31 dhjetor 1923, Korçë.
Shënim:-shkrimi do jete pjesë e librit më të ri, “Bashkëpunimi ushtarak Shqipëri-SHBA, gjatë shekullit të XX-të, deri në vitin 2015”, me autor z.Shefqet Kërcelli. Me këtë rast ftojmë të gjithë bashkëpuntorët e “Diellit” të sjellin materiale e dokumente për të gjithë shqiptaro-amerikanët që kanë shërbyer në Ushtrinë e SHBA, gjatë shekullit të XX-të, në adresën e emailit: shefqetkercelli10@gmail.com
* Ekzluzive për gazetën “Dielli”, nga zoti Mark Brunga, gazetar në disa të përditëshme shqiptare.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>