Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

Intrigat politike të Kishës Greke

$
0
0

Nga Agim Bacelli /

Noli nuk veproi vetëm në shpalljen e pavarësisë së Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Vërtetë ai ishte Ylli i Mëngjesit, që paralajmëroi një ditë të bukur shqiptare, por para tij, në natën e errët shqiptare, qindra yje do të paralajmëronin ardhjen e tij. Çdo gjë e keqe e ka një të mirë. Do të ishin intrigat e Kishës Greke ato që do të përshpejtonin lindjen e Kishës Autoqefale (Vetëdrejtuese) të ortodoksisë shqiptare.

Është folur e shkruar shumë që prej vitit 1907 kur ajo lindi, por materialet më interesante janë shënimet e z. Vangjo Miller të asaj kohe, që gjenden në arshivën e Zyrës Civile të qytetit Hudson Massachusetts, së bashku me materialin e regjistruar nga dita e varrimit të djaloshit 22-vjeçar shqiptar, Kristaq Thimi Dishnica, nga e cila po shkëpusim këtë fragment: “Name, Christo Thimi; born, Turkey, Town, Koritza; occupation, Shoe Worker; Age,22 years old; Died, August 25th, 1907; Burried, Hope Cemetery, Worcester, Mass.; Funeral Director, Michael McNiff”.

Hudsoni është një qytet i vogël industrial, që gjendet në qendër te shtetit të Massachusetts-it, dhe në mes të dy qyteteve me koloni të hershme shqiptare, siç janë Boston dhe Worchester. Shqiptarët e parë të këtij qyteti kanë qenë nga Korça,Voskopoja, Dishnica, Drenova dhe Përmeti, që bëheshin gjithsej, në atë Kohë, nja 30 familje.

Sipas Vangjo Millerit, shqiptarët e vjetër rronin me mendimin se Shqipëria dhe shqiptarët nuk mund të jetonin dot pa Turqinë (mendimi i myslimanëve), pa Vatikanin (mendimi i katolikëve) dhe pa Greqinë (mendimi i ortodoksëve). Kjo ishte, sipas Vangjos, arsyeja e errësirës shekullore që i mbajti shqiptarët jo vetëm të pushtuar ushtarakisht, por edhe nën ndikimet e kulturës vatikano- turko-greke, etj.

Këtu duhet të kërkojmë edhe një nga arsyet më të forta të shkëputjes me shumë vonesë nga robëria e huaj dhe shpalljen e pamvarsisë së vendit tonë. Ne jemi mësuar gabimisht me një propagandë, sikur shqiptarët ishin prijësit e lirisë dhe yjet e patriotizmit në Ballkan! Le të themi dy fjalë se kush ishte Vangjo Miller.

Ky ka qenë i pari shqiptar, sekretar i Kishës sonë Kombëtare Ortodokse dhe i pari inspektor i Federatës “Vatra”. I pari shqiptar që na ka lënë të shkruar në shqip dhe anglisht të gjithë dokumentacionin kishtar në Mass. Mendoj se të gjitha botimet e mëvonshme për themelimin e Kishës Ortodokse

Shqiptare, i janë referuar Imzot Nolit dhe jo Vangjo Millerit, që ishte i pari shqiptar që vendosi krijimin e kishës sonë ortodokse autoqefale.

Sidoqoftë, Noli ka vlerat e veta të mëdha në këtë drejtim, pasi ai, me iniciativën e Vangjos u bë prifti i parë shqiptar i Kishës Ortodokse dhe na dha dhe meshën

e parë, që është më 22 mars. Por, le të tregojmë shkurt historinë, sipas Vangjo Millerit.

Më 25 gusht 1907, papritur vdiq djaloshi 22-vjeçar, Kristaq Dishnica. Kisha Greke që kishte marrë përsipër gjer atëherë të bënte ritet fetare të varrimit, nuk pranoi ta varrosë të ndjerin, sepse ai, si shumë shqiptarë të tjerë të rinj që u ishte zgjuar patriotizmi i flaktë shqiptar, nuk pyesnin më për kishat greke dhe bënin luftë me prindërit e tyre, që të mos shkonin në kishën e armikut.

Trupi i të ndjerit po rrezikohej që të ngelej pa varrosur me ritet e kishës. Më në fund, një shqiptar nga Worchester-i, që quhej Risto Koki, shkoi dhe bisedoi me kishën siriane në këtë qytet dhe ja arriti qëllimit.

Trupi u transportua nga Hudson-i në Worchester, po as atje ata nuk jepnin priftin e tyre, sepse u trembeshin presioneve të grekëve dhe kishës së tyre! Shqiptarët e indinjuar dhe të fyer, erdhën në këtë varrim si asnjëherë tjetër. Ata erdhën nga Boston, Hudson, Marlboro, Natick dhe disa qendra të tjera të Mass.

Shumë prej të rinjve e kthyen këtë varrim në një protestë të fuqishme kundër Kishës Greke dhe u kërkuan prindërve që në mënyre urgjente të shkëputeshin nga kjo kishë. Për herë të parë, pleqtë mes lotëve, u dhanë të drejtë fëmijëve të tyre dhe u ndjenë krenarë për ata dhe u betuan se do të punojnë për këtë gjë.

Të gjithë prisnin më kot priftin që nuk vinte. Më në fund, vetë Vagjo Miller i drejtohet Kozma Angellos, një besimtari të vjetër të kishës, që të bëhej prift, pasi ai e fliste edhe greqishten. (Nuk mund të imagjinohej që fjalët mortore të priftit të thuheshin shqip!) Ai pranoi dhe e këndoi shërbesën e varrimit në greqisht. Varrimi u bë pa kishën. Në fjalën mortore që mbajtën shumë shqiptarë, u theksua me të madhe trajtimi djallëzor i Kishës Greke për shqiptarët, që kurrë nuk kishin pranuar ta quanin veten grekë.

Bile, aty u përmend dhe vrasja barbare e Spiro Kosturit dhe u tha hapur se e ka vrarë Fanari Grek. Zëra të fuqishëm u ngritën mbi varrin e Kristaqit se, “Kisha Shqiptare do të fitojë pamvarsinë nga Kisha Greke” dhe se, “Ne jetojmë në një vend të lirë, me demokraci të madhe, që na e jep këtë të drejtë që nuk u jepet vëllezërve tanë në Shqipëri”.

“Rroftë Shqipëria”! “Rroftë Amerika”! Menjëherë, nën iniciativën e Vangjo Miller, Rako Katundit, Kozma Angellos, Mitkë Dishnicës dhe Pandi Kristos, u thirr mbledhja e parë e shqiptarëve, për të themeluar Shoqërinë Kishtare Shqiptare.

Në mbledhjen e saj të parë u zgjodh një pleqësi, që përbëhej prej këtyre anëtarëve: Vangjo Miller, Mitkë Dishnica, Rako Katundi dhe Pandi Maliko. Puna e parë që bëri kjo pleqësi, ishte lajmërimi i të gjithë shqiptarëve të Bostonit, Hudsonit, Marlboros, Natickut, që të japin ndihmat e tyre materiale dhe morale për fillimin e ngritjes së kishës së parë shqiptare.

Të gjithë shqiptarët, pa dallim feje, iu përgjigjën thirrjes dhe dhanë shumë ndihma. Pas një jave u mbajt mbledhja tjetër e pleqësisë dhe aty u zgjodh prifti i parë shqiptar. Kandidatë ishin dy; Fan S. Noli i Bostonit dhe Petro Luarasi, i Klintonit. Fitoi Noli.

Anëtarët themelues të Kishës së Parë Shqiptare

Nga Hudson:Ilo Naum Qirani, Sotir Nano, Dhori Mitaçe, Dhori Koli, Zisi Ligor Kalo, Kozma Angelo, Koçi Bratko, Janaq Stefani, Kostë Papa, Vasillaq Jançe, Pandi Dishnica, Ndreçi Miller, Taq Miller, Nuçi Miller, Kristaq Puçi, Andrea dhe Anton Mullixhiu, Thoma Qafzezi, Ilo Kristo, Petraq Baze, Kostë Melçani, Vangjo

Minka, Jorgji Keçi, Paskal Aleksi, Stavro Aleksi, Mihal Dioni, Vani Koto, Ilo

Plasari, Zoi Petra, Vangjel Voskopoja, Thimi Gregor Përmeti, Loni Peristeri dhe

Vangjo Minka.

Nga Marlboro:

Perikë Kreshpani, Ndreko Kreshpani, Miçe Qiriako, Gaqi Koli, Kostë Rrapi

Dini, Ndreko Stavri, Koli Rodhe, Gaqi Qafzezi dhe Thoma Dishnica.

Nga Natick-u:

Pando Opingari, Dhori Bardhi, Miçe Bardhi, K.Ziko, Vaske Laze, Goni

Perçini, Kristaq Bratko, K.Xhindi, Nikollaq Sëndykçiu, Andrea Kristo

Qëndro, Kristo Kirka, Nick Dishnica, Nasi Aristidhi, Vani Ziko dhe Dh.Stathi.

Nga Boston:

Z.Ziko, Koli Kristofori, Sotir Peçi, Thimaq Naçi, Gaqi Iftica, Goni Katundi, Sotir

Lezi, John Ktona, Kozoja Josif Pani, Miçe Çikozi, Llambi Çikozi, Tasi

Çikozi, Gaqo Dushi, Nisi Ikonomi, Thanas Bodi, Aleks Bullgari.

Komisioni:

Komisioni që vajti në New York për dorëzimin e FAN NOLIT si prift, përbëhej

nga këta anëtarë:VANGJO MILLER, KRISTO KIRKA, SOTIR PEÇI, SPIRIDON ILO dhe GAQO DUSHI.

 

Lotët e Nolit*

Kryeshqiptarit dita i ngryset

në të gëdhirë,

Shpirtkëputur

përdhe përmbyset

Kur Kristaqin e Dishnicës

sheh të shtrirë.

Para Zotit qan, lutet,

lyp mëshirë:

“Pse kaqë gjatë, Zot,

na harrove,

Pse na përplase, na përpëlise,

kuturru?

Pse shpresën për tek ty,

na i degëdise

Dhe sot djalin na i le

pa varr këtu?!

•Sipas motiveve të poezisë së Nolit “Moisiu në mal”.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>