Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

Kur Patriarkana e Stambollit sulmonte Nolin

$
0
0

Nga Arben LLALLA/
Gjatë kërkimeve të mia për Shën Kozma Etolos në arkivën e revistës javore “EKKLISIASTIKI ALITHEIA” (E Vërteta Kishtare), organ zyrtar i Patriarkanës së Stambollit që ka qarkulluar nga viti 1880-1923, gjeta një artikull i botuar më 22 Tetor, 1922 kundër Imzot Fan Noli. Shkrimi fillonte me titullin ofendues për Nolin, Pseudopeshkopi Noli. Por në arkivën e kësaj reviste 1880-1923, nuk gjeta asnjë shkrim për Kozma Etolos, ky fakt më çuditi sepse si është e mundur që organi zyrtar i Patriarkanës së Stambollit nuk ka botuar asnjë shkrim apo studim rreth veprimtarisë së njeriut që disa vite më vonë do ta shpallnin të Shenjtë Kozma Etolosin. Qëllimi i kësaj reviste në ato vite ishte përhapja e ortodoksisë dhe greqizmin e popujve të tjerë ortodoksë jogrek. Në revistë botoheshin lajme nga vendet të ndryshme të botës ortodokse si dhe studime shkencore.
Revista zyrtare e Patriarkanës së Stambollit e ndërpreu botimin e saj në vitin 1923, për të rifilluar në fillim të viteve 1990, nga Instituti i Studimeve të Patriarkanës që gjendet në Manastirin Vllatadhon në qytetin e Selanikut.
Interesantë është fakti se revista në fjalë flet për një ngjarje të ndodhur para 3 vitesh(1919), dhe ky shkrim kundër Fan Noli bëhej pikërisht fill pas shpalljes më 12 Shtator të 1922, të themelimit të Kishës Autoqefale Shqiptare, vendim i dal nga Kongresi i Beratit. Një akt i lartë të realizimit të rrugës që nisi Fan Noli i vetëm më 1908, në Boston.

“PSEUDO PESHKOPI FAN – NOLIS- 22 Tetor 1922
Shumë dhe shpeshherë u shkrua për një farë kleriku shqiptar Theofan (Fan Noli) që i thotë vetes Peshkop, por që në përgjigje të kësaj asgjë nuk kemi botuar duke mos i dhënë rëndësi dhe duke mos e konsideruar këtë pretendim të denjë të vëmendjes. Por duke marrë shkas prej njëfarë lëvizje që nis prej këtij, në Shqipëri, për krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale, e konsideruam të dobishme të sjellim në dritë sa i përket Fan Nolit, dhe që ta njohin më mirë atë.
Theofan (Fan Noli), i ndodhur më 12 Shkurt 1919, si kryesues i një delegacioni Ortodoks Shqiptar, në Amerikë, u fut prej priftërinjve të tij në Konferencën e Kishës Laike Ruse që ishte mbledhur në atë kohë në Cleveland, si kandidat i denjë për gradën Peshkop. Kjo Konferencë në fakt e shprehu dëshirën që sipas përfaqësuesve të klerit dhe popullit të Kishës Ortodokse Shqiptare të zgjidhet Peshkop.
Kjo konferencë u mblodh gjatë Qershorit 1919, në Boston dhe njëzëri i zgjedhur dhe në prezencë të Kryepeshkopit rus të Amerikës Imzot Aleksandër, i rënë në gjunjë ju paraqit atij duke kërkuar bekimet e Hirësisë së Tij, i cili edhe e ledhatoi me dashuri. Ky fakt mjaftoi që brenda ditës të lëshohen prej shqiptarësh telegrame drejtuar Fortlumturisë së Tij Patrikut të Moskës, Imzot Tihonit, duke sjellë edhe firmën e Kryepeshkopit rus të Amerikës së Veriut Imzot Aleksandrit dhe duke kërkuar lejen për shuguruar në gradën e Kryepriftërisë së të zgjedhurit për Peshkop në mënyrën e përshkruar më sipër të Theofan (Fan Noli) që u përsëritën me telegrame të reja. Pas dy muajve nuk morën përgjigje. Gjatë Tetorit 1919, kohë kur në Nju Jork ndodhej Hirësia e Tij Mitropoliti i Odesës, Imzot Platon, në prani edhe të Hirësisë së Tij Kryepeshkopit rus të Amerikës, Imzot Aleksandër, u paraqit Këshilli, në atë kohë Sinodik, Peshkopi i Rodhostolit dhe aktualisht Kryepeshkopi i Amerikës së Veriut dhe Jugut, Imzot Aleksandri, i cili edhe denoncoi klerikun në fjalë mes të tjerave, për propagandë ateiste e në mënyrë të përsëritur tallje me ortodoksinë.
I thirrur urgjentisht në Nju Jork për të dhënë shpjegime, ai u përgjigj me refuzim për të ardhur i poshtë nënshkruari si “Peshkop Theofani (Fan – Noli), ai që shpalli veten e vet Peshkop në Kishën e Bostonit në mënyrën si vijon:
I ndodhur në kishë mbajti fjalim përmes të cilit pyeti popullin, nëse dëshironte t’i kryesonte ata si Peshkop apo si prift. Popullit u përgjigj me brohoritje se e donte atë si Peshkop, ky duke u bindur, siç deklaroi, dëshirës së popullit u vesh prej dy priftërinjsh me stolinë arkieratike dhe si kryeprift kreu liturgjinë hyjnore dhe në momentin e caktuar dhjak një shqiptar që më vonë e bëri prift. Që në atë kohë prej shtatë priftërinjsh shqiptarë, tre mbetën besnikë në kishën ruse dhe për këtë arsye u dëbuan prej autoriteteve shqiptare, ndërsa katër të tjerët pasuan të vetëshpallur Peshkop.
Duke përfituar pseudopeshkopi të bekimit që ju dha në Konferencën e sipërpërmendur nga ana e Hirësisë së Tij Kryepeshkopit rus të Amerikës, Imzot Aleksandër, hapi fjalë se prej tij u shugurua, pavarësisht përgënjeshtrimeve të përsëritura të cilat ka bërë Hirësia e Tij Kryepeshkopi rus i Amerikës, në gazeta shqiptare dhe angleze dhe në një letër të botuar në “Siying Church” në të cilën Hirësia e Tij sqaronte se bekimi me ledhatim ishte një pranim i thjeshtë dhe në asnjë mënyrë nuk përbën shugurim për të cilën kërkohen dy Peshkop. Kryerja e Liturgjisë Hyjnore dhe për pasojë ekzistencë e një kishe të hirshme, ndërsa zgjedhja ishte bërë në orën 5 pasdite në një sallë të zakonshme, ndërsa Hirësia e Tij Kryepeshkopi i Amerikës kishe të veshur vetëm raso dhe epikalimaf.
Se edhe ky vetë edhe grigja e tij e kanë kuptuar se vendosja e dorës mbi krye nuk është shugurim faktohet: a) nga fakti se kërkoi prej Hirësisë së Tij Kryepeshkopit që të kërkojë me telegram lejen për shugurim prej Fortlumturisë së Tij Patrikut Tihon, b) duke e përkthyer në shqip tipikonë (rendin) e dorëzimit në kryeprift duke e dërguar atë të shtypur tek shqiptarët më në zë dhe peshkopatës të cilët edhe i ftoi në shugurim, c) ju lut vetë ai, Hirësisë së Tij Mitropolitit Platon që ta shuguruar dhe shprehu gëzimin e tij sepse do ta dorëzojë ai i cili e kishte shuguruar atë në prift.
Gjatë muajve të parë të vitit 1920, Hirësia e Tij Kryepeshkopi rus i Amerikës së Veriut, Imzot Platoni, shpërndau qarkore për bijtë besimtarë të Kishës Ortodokse Shqiptare që t’i ruajë ata prej Peshkopit të vetëshpallur.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

Latest Images

Trending Articles



Latest Images

<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>