Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

HASAN PRISHTINA NDEROHET ME FLAMURIN KOMBETAR

$
0
0

Presidenti Nishani vlerëson atdhetarin e shquar Hasan Prishtina (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”
Tirane 2 Maj- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi sot atdhetarin e shquar Hasan Prishtina (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”. Kreu i Shtetit shqiptar i dorëzoi Nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, zotit Dardan Sejdiu dekoratën e lartë me motivacionin: “Përjetësisht, një nga simbolet më të ndritura të historisë politike të kombit shqiptar: rilindas, patriot, politikan elitar me cilësi të larta organizuese dhe frymëzuese. Ky bir i shquar i Kosovës, së bashku me Ismail Qemalin u bënë dy kontribuesit më të shquar të të gjitha trojeve etnike të popullit shqiptar, të cilët me veprimtarinë e tyre politike dhe diplomatike bënë të mundur Shpalljen e Pavarësisë sonë Kombëtare më 28 Nëntor 1912”.
Në fjalimin e tij gjatë ceremonisë solemne të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, Presidenti Nishani u shpreh: “Jemi mbledhur sot në një ceremoni, ndoshta nga më prekëset në karrierën time, për të nderuar me dekoratën më të lartë që jep Republika e Shqipërisë, një prej bijve më të lavdishëm të kombit shqiptar, Hasan Prishtinën. Një nderim ndoshta i vonuar, për një nga kalorësit më të mëdhenj të historisë politike dhe kombëtare të Shqipërisë të së paku dy shekujve të fundit të saj.
Hasan Prishtina lindi në Kosovë, por nuk i përket vetëm botës së saj. Vepra më e mrekullueshme që ai kreu, përgatitja së bashku me Ismail Qemalin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe kryengritja madhështore që parapriu Pavarësinë, ka më se një shekull që u përket të gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë. Emri i tij është kthyer në një simbol kombëtar të dashurisë për liri. Ndaj, është në nderin dhe krenarinë time si President i Republikës së Shqipërisë që ta ngre në piedestalin më të lartë të nderimit shtetëror, duke i dhënë pas vdekjes dekoratën më të lartë të shtetit, ‘Dekoratën e Flamurit Kombëtar’.
Duke medituar mbi vendin që ai zë në historinë e Shqipërisë, natyrshëm të vijnë në mendje dy vargje që i janë kushtuar nderimit të një shkrimtari të madh francez me famë botërore (Molierit): ‘Lavdia e tij s’ka nevojë për asgjë / E jona ka nevojë për të’. Po megjithatë, kjo nuk mjafton për njeriun që na ka mbledhur këtu. Hasan Prishtina për arsye ideologjike shtetërore u tentua të lihej në harresë, u denigrua duke u lënë në heshtje dhe aq më keq, ndonjëherë dhe u luftua. Ndaj dhe vlerësimi i sotëm bën pjesë në atë nderim të vonuar që Shqipëria po vazhdon t’i bëjë birit të vet, i cili së bashku me Ismail Qemalin, ishin arkitektët e Pavarësisë së Shqipërisë, që u projektua që në mbledhjen e Taksimit në Stamboll e që fill më pas, vazhdoi me kryengritjen më të madhe anti-osmane në gusht të vitit 1912, duke mediatizuar kështu për herë të parë çështjen shqiptare kudo në Evropë.
Pak kush e di se në Shqipëri Hasan Prishtina ka qenë edhe ministër në qeverinë e parë të Ismail Qemalit, por gjithashtu ka bërë pjesë edhe në atë të Princ Vidit. Shumë pak veta janë në dijeni edhe sot, se ai ka qenë për pak ditë Kryeministër i shtetit të cunguar shqiptar, e se ka qenë edhe deputet në Parlamentin e Shqipërisë. Në piedestalin ku po e vëmë sot, po e risjellim në panteonin prej nga e përzunë.
Personaliteti kombëtar për të cilën jemi mbledhur sot pati një jetë tragjike. Dita për të cilën ai sakrifikoi deri edhe pasurinë kolosale, e gjeti të burgosur politik në burgjet e Serbisë. Edhe jeta e tij e mëpasme është kalvar i një legjende të botës shqiptare. Prej 28 nëntorit 1912 dhe deri sa e vranë më 14 gusht 1933, e gjithë karriera e tij është e përshkuar nga një simfoni heroizmi që iu përkushtua dy dashurive të pandara: Shqipërisë dhe Kosovës. Në rendin ndërkombëtar me aq shumë ndryshime të viteve 1912-1933 ai u turr përpara për të gjetur qoftë edhe një xixëllonjë të vetme shprese në fundin e tunelit të gjatë të mbushur me errësirë, që përhapnin vendimet e disa konferencave ndërkombëtare të cilat merreshin në dëm të kombit shqiptar.
Por gjithsesi dashuritë e mëdha nuk vdesin kurrë në kujtesën njerëzore. Një ditë të bukur ato ripërtërihen e shfaqen edhe më të bukura në ndërgjegjen njerëzore. Në fundin e shekullit që shkoi e gjithë bota u bë dëshmitare mediatike e rishfaqjes së një miti në drejtësinë e Çlirimit të Kosovës. Së bashku me luftëtarët e UÇK-së dhe forcat shumëkombëshe të NATO-s, më 12 Qershor 1999, ditën kur ato hynë në mënyrë triumfuese në Prishtinë, unë besoj për një çast, me pasionin e një besimtari, se ka parakaluar dhe një shpirt. Ka qenë shpirti i Hasan Prishtinës, engjëllit të lirisë së Kosovës, i cili atë ditë pranvere fluturonte si ai poleni me të cilin po ngjyrosej pranvera e vetë kombit shqiptar.
Në këto 15 vite të çlirimit të Kosovës ne kemi përjetuar shumë ngjarje të mëdha. Republika e Kosovës është shteti më i ri i kontinentit evropian, të cilit i përkasim të gjithë ne, shqiptarët. Bashkë me stabilizimin juridik, ekonomik dhe human të nënshtetasve të saj, dalëngadalë banorët e këtij vendi në rimëkëmbje e sipër filluan të nderojnë e të kthehen tek etërit e tyre themelues me dashuri dhe respekt, duke i nderuar së bashku me ata që ranë në luftën e fundit për çlirimin e saj. Vullnetarizmi kulturor i një qytetari biznesmen si Mehmet Prishtina nga fshati Polanc i Drenicës, që po jep një kontribut shembullor me ndihmën dhe iniciativat e tij personale për lartësimin e figurës së Hasan Prishtinës kudo është një rast që duhet të merret si shembull dhe të kuptohet se çfarë dashurie kanë për rrënjët e tyre qytetarët kosovarë.
Kjo mbrëmje besoj se do jetë e veçantë për të gjithë ne shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës, sepse po kontribuojmë për t’i rikthyer respektin dhe mirënjohjen e merituar Hasan Prishtinës. Por është një përkim jo i rastit, që sot nderimi me dekoratën më të lartë për të shkon paralelisht me proceset e integrimit të Shqipërisë dhe Kosovës në Bashkimin Europian. Në ëndrrat më të largëta për të ardhmen e shqiptarëve, patrioti Hasan Prishtina do të kish aspiruar një jetë të ngjashme me evropianët e tjerë. Vetë ai ishte personifikimi i intelektualit evropian që udhëhiqej nga iluminizmi.
Hasan Prishtina tashmë fle i qetë në parajsën e ëndërruar, sepse Shqipëria dhe Kosova janë më të lira se kurrë ndonjëherë dhe bashkë me to edhe ai. Nderim!”
Të pranishmit e shumtë nga të gjitha trevat shqiptare të rajonit u përshëndetën edhe nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi i cili mes të tjerash theksoi: “Hasan Prishtina ishte biri besnik i Kosovës kryengritëse ndër shekuj, por ai nuk i përket vetëm Vushtrrisë që e rriti, Prishtinës që e përfaqësonte dhe Kosovës martire, por gjithë Shqipërisë dhe kombit shqiptar, sepse veprimtaria e tij reflekton interesat e përgjithshme kombëtare dhe jo lokale e parciale. Dekorimi i Hasan Prishtinës nga Presidenti Nishani përbën një akt vlerësimi, mirënjohjeje dhe respekti të thellë për këtë burrë të madh të kombit dhe figurë të shquar historike e simbol të vlerave të larta kombëtare”.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>