Prof.Dr.Vebi Xhemaili*/
POROSIA E ENVER HOXHËS NGA VLORA KRESHNIKE/
Në luftë ne u lidhëm ngushtë me gjakun e djemve tanë me popujt e Jugosllavisë. Jugosllavia e re është për ne garancija e indipendencës, e sovranitetit dhe e përparimit të vendit tonë. Kush prek Shqipërinë, prek dhe Jugosllavinë e Mareshalit Tito. Kush orvatet ti bëjë keq demokracisë dhe popullit tonë, I bën keq demokracisë dhe popujve të Jugosllavisë. Fatet e të dy popujve janë të lidhura ngushtë me një vëllazërim dhe me aleancë të pathyeshme. Në saj të kësaj miqësie të madhe vendi ynë po rindërtohet dhe Jugosllavia e re na ndihmon pa rezerva për këtë gjë. Kuptohet vetvetiu pse populli shqiptar e forcon dita-ditës aleancën me Jugosllavinë dhe e konsideron këtë aleancë si gurin themeltar të së ardhmes së tij. [1]
FEDERATA BALLKANIKE DHE SHQIPËRIA
Në atë kohë kishte ridalë në paraskenë plani i Titos për krijimin e Federatës Ballkanike dhe për këtë arsye ai nënshkroi marrëveshje të njëllojtë edhe me Bullgarinë. Krijimi i Federatës që do të përfshinte Jugosllavinë, Shqipërinë, Bullgarinë dhe Greqinë, ishte një prej objektivave kryesore të politikës së jashtme të Jugosllavisë, për periudhën e pasluftës. Por duhet pranuar se në aprovimin kësaj iniciative ka pasur edhe pëlqimin e Stalinit, pasi ai vetë nuk ka pasur interes, prandaj i ka deklaruar Gjillasit në Moskë, “se Jugosllavia i ka duart e lira ta gëlltisë Shqipërinë, kur të dojë”. [2]
Në fillim të vitit të ardhshëm u zbulua krejtësisht se cilat qenë synimet e vërteta të Titos në raport me Shqipërinë, pikërisht kur qeveria jugosllave i propozoi Nako Spirut (I cili ndodhej me mision në Beograd, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis dy vendeve), për nënshkrimin e një marrëveshje të fshehtë për sigurimin dhe mbrojtjen e interesave jugosllave në Shqipëri, në rast ndryshimi të udhëheqjes së PKSH. Nako Spiru edhe pse ishte ministër i Ekonomisë refuzoi të firmos, me rrjedhojë – në përfundim të misionit të tij – marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave të bëhen më të ndera, nga sa ishin kur ai arriti në Beograd.[3]
Konsekuencë e dështimit të këtij misioni, ishte ndoshta dhe fakti që Koçi Xoxe nisi sërishmi të aktivizohet, kundër rivalëve të tij në udhëheqjen e partisë. Ky e shfrytëzo rastin në kundërshtimin e Nakos të paraqitur kudër palës jugosllave në fushën e ekonomisë dhe tregtisë. Ndërsa Ndali Ndreu për këto marrëdhënie do të shprehet ”Ne bëjmë politikë që frymëzohet nga Jugosllavia dhe Bashkimi Sovjetik, por duhet të bëjmë një politikë nacionale të adaptuar nevojave dhe konditave të vendit”.[4]
Më 20 maj 1947 qeveria shqiptare bëri të ditur arrestimin, gjykimin dhe dënimin e nëntë anëtarëve të Kuvendit Popullor, që ishin të njohur për ndjenjat e tyre antijugosllave, me akuzën e komplotit kundër shtetit.[5]
Atë kohë lidhjet me Beogradin ofruan njëfarë avantazhi ekonomik. Në korrik 1947 Jugosllavia akordoi një hua në masën 40 milion dollarë, për mbështetjen e drejtimeve ekonomike të atij viti, në rreth 58% të buxhetit shtetëror shqiptar. Megjithëkëtë, kundërveprimi ndaj ndikimit jugosllav, rritej gjithnjë e më shumë. Qeveria shqiptare nisi të protestonte për çmimet që servonin jugosllavët në tregun e produkteve të palëvruara, për metodën me të cilën llogaritej shuma e pjesëmarrjes shqiptare në operacionet integrale shqiptaro-jugosllave, për refuzimin e tyre për të përfituar pjesën e parashikuar të kapitalit në këto operacione, si dhe për mos kaparosjen e përçarjes së vetë për ngritjen e një shoqërie të përbashkët detare, për të marrë në dorë të saj kontrollin e tregtisë së jashtme të vendit. Në verë, ndërsa Tito ishte i angazhuar me organizimin e Informbyrosë (Zyra e Informacionit të Partive Komuniste), Stalini e thirri fshehtas Hoxhën në Moskë.[6] Aty Hoxha u skandalizua, sapo konstatoi paditurinë e Stalinit lidhur me Shqipërinë. Kjo mosdijeni u provua në takimin e Stalinit me Eduart Kardelin – këshilltar i Titos për çështje e politikës së jashtme – që u ekzekutua gati në të njëjtën kohë. Stalini i drejtoi Kardelit pyetje lidhur me prejardhjen e shqiptarëve, duke shtuar se “… paraqiten ndoshta njerëz prapanikë dhe primitivë”; atëherë ambasadori jugosllav iu përgjigj: “ndërkaq janë shumë trima dhe të besës” – d.m.th. në një farë mënyre mbështeti mendimin e Stalinit për shqiptarët, pasi ky plotësoi: “Po mund të jenë të besës si qentë, por dhe kjo është karakteristikë e primitivizmit”.[7]
Pas kësaj vizite, që kaloi përgjithësisht si pa u bërë zhurmë, Shqipëria nënshkroi – natyrisht me miratimin e Stalinit – Traktatin e Miqësisë dhe të bashkëpunimit me Bullgarinë. Ky traktat ishte një shenjë pavarësie prej Jugosllavisë. Ndërkohë, kur nisi të funksiononte Kominform-I, në tetor 1947, Shqipëria ishte vendi i vetëm i bllokut komunist që nuk u thirr të merrte pjesë, ndoshta ngaqë konsiderohej se do të mbështeste qindpërqind Jugosllavinë, në çfarëdolloj mosmarrëveshje që do të rezultonte, pasi dhe vetë Stalini i parashikonte serioze problemet që kishte me Titon. Marrëdhëniet sovjeto-jugosllave keqësoheshin për shkak të planeve të Titos dhe të udhëheqësit bullgar Gjergj Dimitrov, për të formuar Federatën Ballkanike, për te cilën ishte në kundërshtim Stalini.
Bashkimi Sovjetik me Stalinin qenë revoltuar për adoptimin demonstrativ të politikës së jashtme të pavarur të të dy satelitëve të saj dhe kryesisht për faktin se nuk ishte kërkuar paraprakisht mendimi i Stalinit. Aty nga fundi i vitit edhe më shumë po acaroheshin mosmarrëveshjet midis Moskës e Beogradit, Tito nisi të ushtronte presion për aneksimin e Shqipërisë. Dy divizione ushtarake dhe një krah i aviacionit luftarak u përgatitën me shpejtësi që të invadojnë këtë vend, pa miratim të Stalinit, me pretekstin se rrezikohej nga “imperialistët” që strehoheshin në Greqi.[8] Kjo frikë nuk ishte fare pa bazë, pasi qeveria e djathtë greke, nën mbështetjen e SHBA, kishte përforcuar pretendimet e saj të vjetra mbi Shqipërinë Jugore. Përpjekja për nënshtrimin e Shqipërisë ishte kontradiktore me predikimet komuniste të Jugosllavisë “për bashkimin vullnetar të të dy vendeve dhe të vetëvendosjes së popujve”. Situatat ishin tepër të ndërlikuara: Kombet e Bashkuara kishin nisur të akuzojnë Jugosllavinë për ndërhyrje në luftën civile greke dhe porsa kohë ajo vazhdonte, ekzistonte realisht frika e invadimit eventual të Shqipërisë nga ushtria e regjimit të Athinës, me mbështetjen e Perëndimit. Për këtë, divizionet jugosllave edhe pse përfundimisht nuk zbarkuan në Shqipëri, qëndruan të gatshëm në kufij të saj.[9]
Gjatë vitit antagonizmat e fraksioneve të ndryshme të udhëheqjes shqiptare nisën të bëheshin më komplikative e më të mprehta, për shkak të implikimit të saj në polemikën mes Bashkimit Sovjetik e Jugosllavisë. Aty nga fundi i vitit 1947-ës Xoxe dhe bashkëpunëtorët e tij, nën instruktimin e jugosllavëve, nisën të intensifikojnë dominimin e tyre. Shumë prej anëtarëve të udhëheqjes, veçanërisht intelektuali Nako Spiru, i kundërshtuan këto plane jugosllave.[10]
POROSIA E STALINIT PËR GLLABRUAR SHQIPËRINË
Në nëntor Spiru, duke ditur se do të kryhej përjashtimi i tij nën akuzën e “shovinistit”, vrau veten. Sipas botimit zyrtar shqiptar “vdekja e tij i detyrohej aksidentit fatal gjatë pastrimit të pistoletit”. Më propabile është se ai nuk mundi t’u rezistonte edhe më sulmeve të pashkëputura kritike të Xoxes dhe të jugosllavëve. Vetëvrasja e Spirut çoi në kulmosjen e përplasjeve ndërmjet Titos e Stalinit. Ne janar 1948 Stalini e përdori qëndrimin e Titos ndaj Shqipërisë dhe vetëvrasjen e Spirut, si pretekst për të thirrur një përfaqësi jugosllave – në të cilën bënte pjesë dhe Millan Gjillasi–në Moskë, me qëllim të diskutohej acarimi i marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave dhe mosmarrëveshjet për planin e pakontestueshëm të Federatës Ballkanike të Titos. Gjatë Procesit të diskutimeve Stalini i deklaroi Gjillasit, se Bashkimi Sovjetik nuk ushqente interes ë veçantë për Shqipërinë dhe Jugosllavia qe e lirë t’a “gëlltiste” atë kur të dëshironte.[11] Kjo deklaratë i ç’orientoi jugosllavët, të cilët e interpretuan si provokim, ndërsa ngulmimi i Stalinit për krijimin e menjëhershëm të Federatës bullgaro-jugosllave u konsiderua si përpjekje e depërtimit në mekanizmin e tyre shtetëror, nëpërmjet bashkimit me Bullgarinë e sovjetizuar.
HEGJEMONIZMI TITIST KËRKON TË VËNË KONTROLLIN MBI SHQIPËRINË
Në atë kohë Tito bëri përpjekje të mëdha që të rriste influencën jugosllave në shtetet e tjera të Evropës Lindore, i hedhur në aktivitet në mënyrë krejt të pavarur nga Bashkimi Svjetik. Sipas urdhrit të tij, Koçi Xoxe intensifikoi përpjekjet për përmbysjen e Hoxhës. Pra që të vihej njëherë e mirë PKSH dhe Shqipëria nën kontrollin jugosllav. Komiteti Qendror i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë nisi në Shqipëri një përfaqësues të tij, Savo Zllatiçin, me mision të ndihmonte Xoxin për thirrjen e Plenumit të KQ PKSH, gjatë të cilit do të operonte për rrëzimin e rivalit të tij, Hoxhës. Plenumi i 7-të i zhvilloi punimet më 26 shkurt 1948 dhe praktikisht po provohej se fraksioni i Xoxes kishte arritur shumë afër realizimit të objektivit të tij, për të futur Shqipërinë nën kontrollin jugosllav. Së par hoxha u detyrua të firmos dënimin e Nakos edhe pse më tani ai kishte bërë vetëvrasje, Plenumi i Shtatë poashtu përjashtoi ish gruan e tij Liri Belishovën, si dhe shkarkoi shefin e shtatmadhorisë Mehmet Shehun, paralelisht miratoi edhe propozimin e Xoxes për bashkimin e ekonomisë shqiptare me atë jugosllave si dhe forcat e armatosura të të dy vendeve. Pozita e Hoxhës tani më në Parti ishte shumë e rrezikuar, sa që ai u mënjanua plotësisht. Në mbarim të Plenumit të VII, situata e Hoxhës u vu edhe më në pikëpyetje. Për fat të mirë të Shqipërisë dhe të Enver Hoxhës, Bashkimi Sovjetik në krye me Stalinin kishte përpunuar projektin për përjashtimin e Jugosllavisë nga Informbyroja. Në mars të vitit 1848, Stalini u hodh në sulm kundër Partisë Komuniste Jugosllave dhe kundër Titos, me të cilën ai i akuzonte jugosllavët se kanë devijuar nga parimet e leninizmit.
MESAZH I HOXHËS DREJTUAR POPULLIT ME RASTIN E 1 MAJIT- KU I SHPREH MIRËNJOHJE JUGOSLLAVISË
Në luftë ne u lidhëm ngushtë me gjakun e djemve tanë me popujt e Jugosllavisë. Jugosllavia e re është për ne garancia e independencës, e sovranitetit dhe e përparimit të vendit tonë. Kush prek Shqipërinë, prek dhe Jugosllavinë e Mareshalit Tito. Kush orvatet ti bëjë keq demokracisë dhe popullit tonë, I bën keq demokracisë dhe popujve të Jugosllavisë. Fatet e të dy popujve janë të lidhura ngushtë me një vëllazërim dhe me aleancë të pathyeshme. Në saj të kësaj miqësie të madhe vendi ynë po rindërtohet dhe Jugosllavia e re na ndihmon pa rezerva për këtë gjë. Kuptohet vetvetiu pse populli shqipëtar e forcon dita-ditës aleancën me Jugosllavinë dhe e konsideron këtë aleancë si gurin themeltar të së ardhmes së tij.[12]
Popull shqiptar!
Në rrugën tonë ndërtimtare dhe paqësore ne kemi ndihmën konkrete të popujve të Jugosllavisë. Kjo ndihmë e çmueshme është fryti i aleancës dhe I vëllazërimit që na lidh me popujt e Mareshalit Tito, aleancë dhe miqësi që u mbrojt me gjakun e djemve tanë më të mirë dhe që ka aprovimin unanim të popullit shqiptar. Të ruajmë dhe të forcojmë dita ditës aleancën që I lidh të dy vendet tona, të ecim vëllazëruar me popujt e Jugosllavisë në ndërtimin e një jete më të lumtur.
Rrofshin popujt vëllezër dhe aleat besnik te Jugosllavisë.
Rroft Mareshali Tito…
Rrofshin popujt aleatë dhe vëllezër të Jugosllavisë dhe miku i dashur i popullit tonë Mareshali Tito. Rroftë aleanca e jonë e pathyeshme me popujt e Jugosllavisë.[13]
ENVER HOXHA URON TITON PËR 55 VJETORIN E LINDJES
Me rastin e 55-vjetorit të lindjes së tij, gjeneralkolonel Enver Hoxha, I drejtoi Mareshal Tito, këtë telegram urimi: Me rastin e 55-vjetorit të lindjes tuaj, jam tepër i lumtur, zoti Mareshal, që t’Ju shpreh juve, kryetar heroik dhe I shumë dashur I popujve vëllezër, përgëzimet më të nxehta dhe urimet më të sinqerta që populli shqiptar, qeveria e tij dhe unë vet personalisht formulojmë për mirëqenien Tuaj, për prosperitetin e veprës suaj të madhe, për mirëqenien dhe lumturinë e popujve heroikë të Jugosllavisë si edhe për vëllazërimin dhe aleancën e pazgjidhshme të dy popujve tanë.
PËRSHËNDETJE E HOXHËS DREJTUAR TITOS NË PËRVJETORIN E PARË TË NËNSHKRIMIT TË TRAKTATIT TË MIQËSISË NË MES SHQIPËRISË DHE JUGOSLLAVISË
Me rastin e përvjetorit të parë të nënshkrimit të Traktatit të Maqedonisë dhe Ndihmës Reciproke midis Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë, më lejoni, zoti Mareshal t’Ju shpreh, në emër të Qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë, në emër të të gjithë popullit shqiptar si dhe në emrin tim, urimet më të sinqerta dhe vullnetin tonë të papërkulshëm për të ruajtur dhe përforcuar gjithnjë më shumë aleancën dhe vëllazërimin e pathyeshëm që bashkojnë popujt tanë.
Për kundër tentativave të forcave të reaksionit botërorë, të cilat punojnë për t’I vënë kazmën paqes dhe nuk duan të shohin që të lulëzojnë regjimet popullore dhe miqësia që lidh vendet tona, ky Traktat Miqësie dhe Ndihmë Reciproke është një kontribut shumë I madh që popujt tanë japin për forcimin e një paqeje të shëndoshë dhe të një sigurie efektive në Ballkan dhe në botë.
Populli shqiptar është i vendosur të eci drejt në udhën që ka zënë së bashku me popujt vëllezër te Jugosllavisë, miqësia e të cilëve është një garanci e shëndoshë për independencën e tij kombëtare dhe një faktor i dorës së parë për përparimin dhe lumturinë e tij.
Rroftë miqësia dhe vëllazërimi midis dy popujve tanë.
Rroftë aleanca e pathyeshme që lidh dy popujve tanë.
Rroftë aleanca e pathyeshme që lidh të dy popujt miq dhe vëllezër!
Gjeneralkolonel Enver Hoxha
Kryeministër dhe ministër I Punëve të Jashtme të Shqipërisë
DISKUTIMI I ENVER HOXHËS NË KUVENDIN POPULLOR
Disa ditë më parë populli ynë festoi me gëzim të madh aniversarin e aleancës sonë të pathyeshme që na lidh me Jugosllavinë e Mareshalit Tito. Vërtetë ne festuam para disa ditësh aniversarin e kësaj aleance, por aleanca dhe vëllazërimi me popujt e Jugosllavisë së re lindi dhe u konkretizua që kur plasi pushka e parë në qytete dhe në malet tona, aleanca me Jugosllavinë u mbrojt me gjakun e të dy popujve tanë, ajo përfaqëson të shkuarën tonë të lavdishme, luftën heroike të çlirimit, ajo përfaqëson të ardhmen tonë të përbashkët, jetën e re tonën që po e ndërtojmë së bashku. Pse kuptimi i kësaj aleance është i thellë dhe thellërrënjosur në zëmrat e popullit tonë. Prandaj ne shohim se në ditën e këtij aniversari, gjithë populli i Shqipërisë brohorit me entuziazëm dhe çdo ditë ai vë të gjitha forcat e tij që kjo aleancë të forcohet shumë e më shumë. [14]
Frytet e kësaj aleance populli shqiptar i sheh çdo ditë në zhvillim dhe ndërtimin e jetës së tij të re, I sheh në ngritjen e ekonomisë sonë të re, I sheh në lëmin kulturave dhe shoqërisë, I sheh në mbrojtjen e të drejtave tona të kërcënuara nga imperialistët e huaj, I sheh në sigurimin e sovranitetit, independencës dhe integritetit tokësorë të vendit tonë. Të gjitha këto përbëjnë jetën e popullit tonë, përfaqësojnë të ardhmen më të lumtur të vendit tonë, për realizimin sa më të mirë dhe sa më të shpejtë, të cilave populli ynë ka vënë të gjitha forcat. Aleanca që kemi me Jugosllavinë është guri themeltar i vëllazërimit të popujve të Ballkanit, I paqes në Ballkan e kontribut i paçmueshëm për mbrojtjen e paqes botërore.
RRUGA LAVDISHME E PARTISË DHE TRADHTARËT
Partia jonë, në rrugën e saj, ka korrur suksese të mëdha si fitorja mbi armikun e jashtëm dhe të brendshëm, çlirimi i plotë i vendit, vendosja e pushtetit popullor duke krijuar kondita të tilla që garantojnë fitoret e popullit tonë dhe ecjen përpara, për ndërtimin e socializmit. Këto fitore u arritën në sajë të vijës së drejtë të Partisë, të udhëheqjes së fortë që ka pasur Partia, të vendosmërisë dhe të abnegacionit në luftë dhe në punë të anëtarëve të Partisë dhe të mobilizimit të masave të gjëra të popullit tonë të etshëm për luftën e çlirimit që përqafuan dhe bënë të tyren vijën e Partisë sonë dhe të Fronit Nacionalçlirimtar dhe u hodhën pa rezerva për realizimin e fitores mbi okupatorët dhe tradhtarët e vendit. Por gjatë realizmit të vijës së Partisë sonë ka pasur gabime dhe deviacione, të cilat kanë penguar realizimin e vijës për suksese më të mëdha. Këto deviacione u dedikohen njerëzve që kanë punuar kundër vijës së Partisë dhe në dëm të saj për interesat e tyre egoiste, ambicioze dhe për qëllimet e tyre armiqësore kundër Partisë dhe popullit. Është dashur një kohë për të zbuluar veprën armiqësore të këtyre elementëve të dëmshme dhe armiq të Partisë, por vitaliteti dhe shpirti luftëtar i Partisë sonë kanë bërë qe çështja të shkojë përpara dhe të realizohen suksese të mëdha. Me shkrirjen e grupeve u futën në Partinë tonë edhe elementë jo të Partisë, me frymë mikroborgjeze, me qëllime të caktuara karrierizmi dhe që punuan kundër vijës së Partisë duke shkuar deri në tradhti të plotë.
Gjatë luftës përfitua nga momenti nacionalçlirimtar për të hyrë në Parti edhe element borgjezë dhe mikroborgjezë, intelektualë jopopullorë me një edukatë borgjeze, me doza te mëdha pikëpamjesh të huaja për Partinë, si egoizmi dhe karrierizmi, megalomania, bajraktarizmi, ambicia, oportunizmi, servilizmi, karakteristika tipike të shtresave të tyre. Të tillë elementë nuk e përvetësuan dhe nuk iu nënshtruan vijës së Partisë, po ruajtën dhe zhvilluan pikëpamjet e tyre dhe punuan brenda në Parti për interesat e klasës së tyre dhe për shkatërrimin e Partisë. Konkluzione të tilla dalin nga analiza mbi fraksionet e organizuara brenda në Parti, nga devijimet, nga shfaqja e punës oportuniste ose sektare dhe nga tradhtia e hapët e disave, që kanë ngjarë gjatë përpjekjeve për realizimin vijës së Partisë.
Kështu dhe për këto qëllime punuan Anastas Luka, Sadik Premtja, të cilët në fillim ishin kundër formimit të Partisë duke dashur të mbajnë në këmbë strukturën dhe pikëpamjet e gabuara të grupit që kryesonin. Ata dëshironin që Partinë ta shëndrronin në një grup me pikëpamje puçistë e trockistë. Ata luftuan kundër unitetit të Partisë dhe, duke u munduar të krijonin një fraksion në Parti, për ta goditur Partinë nga Brenda, ata u përpoqën që të luftonin organizimin e rinisë në vijën e Partisë, aleancën e klasës punëtore me fshatarësinë, ta largonin këtë të fundit nga lufta çlirimtare. “Ata morën armët kundër Partisë dhe përfunduan në fraksion dhe në tradhti të hapët, duke e bashkuar me okupatorët dhe me Ballin dhe më në fund, Sadik Premtja dhe pasonjësit e tij u bënë agjentë të imperializmit amerikan”.
Kështu shpjegohet oportunizmi i Ymer Dishnicës gjatë luftës karshi organizatës tradhtare dhe antipopullore të Ballit dhe që me Mukjen mohoi rolin drejtues të udhëheqjes së Partisë sonë, të Lëvizjes Nacionalçlirimtare në luftën e çlirimit dhe pranoi të ndahet pushtetin me borgjezinë. Nga disa shokë në Berat, u mbajtën gjithashtu disa qëndrime oportuniste karshi okupatorit gjerman.
Të gjitha këto tregojnë se qëllimi i këtyre elementëve devijatorë dhe armiq ka qenë i njëjtë: të dobësojnë Partinë, të eliminojnë rolin e drejtues të saj dhe ta likuidojnë. Këta kanë përdorur metoda të ndryshme për mbërritjen e këtyre qëllimeve, kush me pikëpamjet sektare, kush me ato oportuniste, kush me rrugën legale dhe kush me atë të fshehtë dhe kështu kanë dëmtuar rëndë Partinë dhe popullin, sipas mundësive, pozitës, influencës së tyre dhe rrethanave dhe në kohë të ndryshme.
Këta njerëz, të papajtueshëm me vijën e Partisë dhe të vendosur në rrugën e tyre për të luftuar Partin, kanë përfituar në kohë të ndryshme dhe nga disa kondita të brendshme të Partisë që ata kanë ditur edhe t’i krijojnë, t’i zhvillojnë, t’i thellojnë dhe t’i shfrytëzojnë në interesin e tyre dhe në interes të armikut. Ata kanë përfituar nga mungesa e një pune të mjaftueshme për përgatitjen e një udhëheqjeje të shëndoshë, të bashkuar she monolite dhe nga mungesa e një përgatitjeje politike dhe ideologjike si edhe nga dobësia e kompozicionit social të Partisë.
Për Komiteti Central konstaton se faktin që gjithë këta armiq, që kanë punuar kundër Partisë që në krijimin e saj, që janë ndjekur, zbuluar veprimtaria e tyre, demaskuar e goditur pa mëshirë e në mënyrën më të vendosur bolshevike tregon: Partinë te mobilizuar dhe të vendosur në luftë për forcimin e radhëve të saj, për ruajtjen e pastërtisë së vijës, të unitetit, për ndërtimin e një udhëheqjeje të shëndoshë dhe monolite. Ky është procesi i rritjes, i zhvillimit dhe i forcimit kurdoherë më të madhe të Partisë sonë në luftë të ashpër dhe të vazhdueshme me armiqtë e përjetshëm të saj, borgjezinë dhe kapitalizmin. Dhe nga kjo luftë e vazhdueshme e Partisë, Komiteti Central konstaton se Partia jonë sot paraqitet shumë e fortë, udhëheqja e bashkuar, e armatosur nga eksperienca e Partisë për ta vazhduar me këtë frymë luftarake dhe revolucionare luftën për realizimin e programit dhe të detyrave të Partisë. Partia jonë tregoi një vitalitet të madh, tregoi se është një parti e dalë në zjarrin e luftës dhe e çelikosur në përpjekje dhe në luftëra të vazhdueshme kundër okupatorëve, tradhtarëve, deviatorëve të brendshëm dhe e denjë për të realizuar deri në fund, në mësimet e marksizëm-leninizmit, aspiratat e masave të gjera punonjëse të vendit tonë.
Komiteti Central analizoi imtësisht punën fraksioniste dhe tradhtare të Nako Spirut, i cili zhvilloi një aktivitet prej armiku me qëllime të paramenduara dhe të caktuara, duke u përpjekur të godasë vazhdimisht unitetin në udhëheqjen e Partisë, duke e organizuar një fraksion në kryen e Partisë dhe duke luftuar klasën punëtore, elementin e klasës dhe të shëndoshë të Partisë, duke përkrahur dhe sjellë në krye të Partisë dhe në poste me rëndësi të shtetit njerëz jo të Partisë, duke u përpjekur të përdorë rininë, pjesën më të dashur të Partisë, si rezervë të tij personale, duke goditur vijën politike, organizative dhe ekonomike të Komitetit Central, duke zhvilluar ndjenjat shoviniste dhe nacioanlborgjeze. Kjo punë armiqësore drejtohej kundër interesave të popullit për të shkatërruar pozitat e fituara gjatë luftës, për të futur vendin në një qorrsokak, duke i përgatitur kështu terrenin armikut. (* Pjesa e IV vijon).
[1] “Bashkimi”, 1 tetor 1947
[2] D. Rusinow Yugoslav Experiment, Londër 1977, f. 357.
[3] AQSH, F.14/AP,dos.7, viti 1947
[4] AQSH. F. 14/AP, dos.1, viti 1946
[5] Miranda Vickers, Shqiptarët në optikën ndërkombëtare…,f. 209.
[6] Po aty, f. 209.
[7] Vlladimir Dedijer, Tito speaks, Londër 1953, f. 312. Stalini kur nuk i ka dashur pasur simpti Shqiptarët. Prandaj nuk kam kuptim pse shqiptarët kanë pasur nostallgji për Rusinë.
[8] Mirana Vickers … f. 210.
[9] Po aty, f. 210.
[10] Marëdhëniet Shqiptaro-jugosllave…, f.9-10; Miranda Vickers, Shqiptarët në optikën ndërkombëtare…, f. 211, Nako kur e pa se po përjashtohej nga Partia e vrau veten.
[11] Gjillas, Conversations with Stalin…, f. 143.
[12] “Bashkimi”, 1 tetor 1947
[13] “Bashkimi”, 2 maj 1947
[14] “Bashkimi”, 13 korrik 1947