Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

KUR OKUPOHEJ KOSOVA

$
0
0
RILINDJA, 6 KORRIK 1990: OKUPIM KLASIK I KOSOVËS/
 
-Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja para 29 viteve fuqishëm kundër Serbisë: Okupim klasik – titull në faqen e parë në 6 Korrik 1990 dhe nuk u ndal edhe kur u ndalua…/
 KALENDARI i Gazetës DIELLI/
 
PRISHTINË, 6 Korrik  2019/ Korrespondenti i Gazetës DIELLI në Kosovë, Behlul JASHARI sot përkujton se, në kohë të rezistencës e luftës kundër Serbisë okupatore,  gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në 6 Korrik 1990 në ballinë kishte titullin OKUPIM KLASIK dhe nuk u ndal edhe kur u ndalua.
Para 29 viteve, masat e dhunshme të Serbisë e goditën edhe gazetën tradicionale të Kosovës Rilinda, në ditën e 5 Korrikut 1990 të suprimimit të institucioneve të Kosovës e mbylljes së Radio Televizionit të Prishtinës.
 Me titull  OKUPIM KLASIK, ishte reagimi dhe kundërshtimi i fuqishëm i Rilindjes në komentin në faqen e parë në ditën e 6 korrikut 1990. Beogradi, edhe pse në ditën e masave të dhunshme kishte marrë vendimin, kurrë nuk arriti ta bëjë gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja “organ të Kuvendit të Serbisë”. Asnjë gazetar a punëtor tjetër i gazetës Rilindja nuk e pranoi këtë, të gjithë e kundërshtuan dhe e hodhën poshtë.
Masat e dhunshme pasonin 2 Korrikun historik 1990, kur në shtetrrethim dhe para snajperëve serbë, Kosova me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të saj shpallte pavarësinë, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.
Edhe në një film dokumentar të shfaqur në seancën solemne të Kuvenditë të Kosovës në 25 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese shihej gazeta Rilindja në duart e delegatëve, në mbledhjen para dyerëve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës.
Në prag të ditës së Deklaratës Kushtetuese për pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të dielën e 1 Korrikut, në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja isha redaktori kujdestar për ngjarjet e ditës.
Në atë ditë të 1 Korrikut 1990 pjesë e sulmeve të Serbisë kundër Kosovës e shqiptarëve ishte edhe një “referendum për Kushtetutën e re serbe” të kundërshtuar nga shqiptarët, si dhe shpallja e “shtyerjes” së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të paralajmërur për 2 Korrik, e për të cilën përfaqësuesit e popullit-delegatët shqiptarë shumicë e delegatë të komuniteteve pakicë kishin bërë të gjitha përgatitjet për Deklaratën Kushtetuese…
“Shtyrja” shpallej si vazhdimësi e bllokimeve e ndërprerjeve të punimeve të Kuvendit të Kosovës…“Reprizë nuk do të ketë”, me këtë titull shkruajta komentin në mbështetje të delegatëve që të mbahet gjithësesi mbledhja e Kuvendit me axhendë vullnetin e kërkesat e popullit – Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të Kosovës.
“Kuvendi i Kosovës është i popullit dhe në të mund të vendoset vetëm sipas vullnetit e kërkesave të popullit”, theksonte komenti që u botua në numrin e 2 Korrikut 1990 të gazetës Rilindja, e cila që nga faqja e parë kishte raportime e shkrime me tiujt “Kosova duhet të ruajë subjektivitetin e vet në federatë”, “Populli vendosë në Kuvendin e vet”, “Kosova e re – sipas vullnetit të popullit”…
Raportohej se “vazhdojnë tubimet legale dhe protestat e shqiptarëve në Kosovë” dhe se “kërkesë unanime” ishte që mbledhja e Kuvendit të Kosovës “të mbajet sot dhe të ketë në rend dite këkesat gjithëpopullore”. Poashtu raportohej se në Gjakovë përfundoi Kongresi i parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili përkrahu delegatët e Kuvendit të Kosovës edhe për iniciativën për shpalljen e Kushtetutës së re të Kosovës, e cila Kushtetutë e Republikës së Kosovës e miratuar në 7 Shtator 1990 pasonte Deklaratën Kushtetues të 2 Korrikut të po atij viti.
Rilindja ishte me delegatët e Kuvendit të Kosovës në ngjarjen historike për të cilën raportoi gjerësisht me ekip gazetarësh e flotoreporterësh dhe kishte edhe redaksionalin tim me titull “Fillim i së nesërmes”, të botuar në ballinë në 3 korrik 1990, ku theksonte se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota”…
Pas pak më shumë se një muaji, në 7 Gusht 1990 gazeta Rilindja u ndalua natën me forcë në shtypshkronjë nga Serbia që e kishte okupuar Kosovën, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënin shtetrrethim redaksisë së gazetës, që edhe në ato rrethana kërcënimi e represioni nuk ndaloi punën.
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 për pavarësinë e Kosovës është ekspozuar për të parën herë në një ekspozitë të Arkivit Shtetëror të Kosovës të hapur në Muzeun Kombëtar të Kosovës në Prishtinë në 2 Korrik 2019.
Pranë Deklaratës Kushtetuese janë ekspozuar edhe faqe të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja me shkrimet për ngjarjen historike të 2 Korrikut 1990, e cila u pasua me Kushtetutën që shpalli Kosovën Republikë në 7 Shtator 1990 dhe me Referendumin për Pavarësi të shtatorit 1991, në të cilin pro votuan 99,87% në pjesëmarrjen masive të 87,01% të qytetarëve me të drejtë vote.
Deklaratën Kushtetuese për Kosovën e pavarur, e cila është e shkruar me makinë shkrimi, ekzemplarin origjinal që u lexua në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës në 2 Korrik të vitit 1990, në 29 vjetorin e saj, e dërgova në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës me këtë shënim bashkangjitur në një letër shoqëruese të veçantë:
“Kjo është Deklarata Kushtetuese e Kuvendit të Kosovës e 2 Korrikut 1990, ekzemplari origjinal që sapo u lexua e mora dhe e ruajë prej atëherë, kur edhe e kam cituar në redaksionalin që shkruajta për gazetën Rilindja me titull ‘Fillim i së nesërmes’ botuar në faqen e parë në numrin e 3 Korrikut 1990.  Prishtinë, 30 Maj 2019 Behlul Jashari”.
Deklarata Kushtetuese, bashkë me aktet e tjera madhore që e pasuan, Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit të po atij viti e Referendumin për Pavarësi të  ditëve të fundshtatorit 1991, shënonte kthesën historike drejt së nesërmes – të sotmes së Kosovës së lirë tash mëse 20 vjet nga Qershori 1999, Kosovës shtet  11 vjet – Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurt 2008, të njohur deri tani nga 116 shtete të botës, anëtare të OKB-së…
 Rilindja, në atë kohë e vetmja e përditshme shqipe në Kosovë, nuk u ndal edhe kur u ndalua nga Serbia para 29 viteve, vijoi me shkrimet nëpër faqet e revistave, e pastaj duke dalë edhe me emrin “Bujku” nga 18 Janari 1991 gazetë e përdrishme rezistencës, e lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha.
Në kohë lufte, kur edhe “Bujku” u mbyll dhunshëm nga forcat ushtarako-policore e paramilitare serbe në fundvitin 1998, gazeta Rilindja doli me emrin e saj të vërtetë, e shtypur në një shtypshkronjë private në Prishtinë, me punë nëpër shtëpitë e punonjësve të saj deri në dëbimin e tyre edhe nga Kosova, dhe u rikthye me kolonën e parë të forcave shpëtimitare të NATO-s që hynë në Kosovë në 12 Qershor 1999 – në Ditën e Lirisë, botim special për ngjarjen historike.
E rikthyer në Kosovë,  gazeta Rilindja doli përditë deri në 21 Shkurt 2002, kur u mbyll kundërligjshëm e padrejtësisht nga UNMIK me dëbim dhunshëm nga Pallati me emrin e saj në Prishtinë.
Dhe Rilindja përsëri nuk u ndal, me punë nëpër shtëpia si në kohë lufte, për të ruajtur emrin e traditën e për të vijuar të jetë histori e Kosovës, doli në raste të veçanta me numra të jashtëzakonshëm e protestues, të kohëpaskohëshëm, edhe kur kishte festa. 
Në pritje të zgjidhjes së ligjshme, duke pasur modelin e gazetave që kishin status të njëjtë në rajon e në botë – në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, në  ballinë të numrit të fundit të 30 Dhjetorit 2008 është paralajamruar: DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË.
Gazeta shqiptare Rilindja nisi të dalë në Prizren në 12 Shkurt 1945, me angazhimin e intelektualëve të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, e vazhdoi në kryeqytetin Prishtinë.
Duke kaluar nëpër këto zhvillime, gazeta tradicionale Rilindja, që është edhe shenjë identiteti, arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare.
  

(Behlul Jashari në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja nga Shtatori 1973 – gazetar, reporter i lirë, komentator, redaktor, kryeredaktor i parë-themelues i gazetës së përditëshme të rezistencës “Bujku” dhe kryeredaktor i fundit i gazetës Rilindja, e cila me numrin e fundit të shtypur ka dalë në 30 Dhjetor 2008, ndërsa pas 10 viteve kishte edhe një ridalje simbolike protestuese, botim digjital, në 31 Dhjetor 2018.)






Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>