
-Kryeministri Haradinaj: Masakra e Tivarit, ndër ngjarjet më të dhimbshme dhe një ngjarje, ndaj së cilës është bërë më së shumti padrejtësi në gjithë këto vite. Janë mbushur 74 vjet nga Masakra e Tivarit, ku nën ndikimin e hegjemonizmit serb u mobilizuan dhunshëm 13 mijë e 335 shqiptarë, të shpallur si robër lufte, një pjesë e të cilët pastaj u vranë dhe u hodhën në varreza masive, prej të cilëve shumica djem e burra të Kosovës. Kjo masakër nuk dallon nga plot ekspedita të mëhershme për pastrimin e trevave shqiptare, si ato të Toplicave, e plot tjera/
PRISHTINË, 23 Prill 2019-Gazeta DIELLI/ Masakra e Tivarit është ndër ngjarjet më të dhimbshme dhe një ngjarje, ndaj së cilës është bërë më së shumti padrejtësi në gjithë këto vite, tha sot kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Pa ndëshkimin e atyre që urdhëruan dhe kryen krimet, ato mund të përsëritën, kurdo. Së këndejmi, është detyrë e shtetit të Kosovës që t’i njohë dhe t’i trajtojë ata që kaluan ferrin e Tivarit, pas vdekjes, si martirë”, u shporeh ai në Akademinë Përkujtimore me rastin e 74 vjetorit të Masakrës së Tivarit.
Kryeministri Haradinaj, tha se, Masakra e Tivarit është një nga faqet më të errëta të historisë së Ballkanit e drejtuar kundër shqiptarëve të Kosovës dhe në zbardhjen e saj të plotë duhet të ndërveprojnë të gjitha palët e involvuara.
Në akademi, nga një fjalë rasti mbajtën edhe zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj dhe drejtori i Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, Sabit Syla.
Fjala e kryeministrit Haradinaj në këtë akademi:
Dje janë mbushur 74 vjet nga Masakra e Tivarit, ku nën ndikimin e hegjemonizmit serb u mobilizuan dhunshëm 13 mijë e 335 shqiptarë, të shpallur si robër lufte, një pjesë e të cilët pastaj u vranë dhe u hodhën në varreza masive, prej të cilëve shumica djem e burra të Kosovës.
Pse duhet shënuar kjo ditë tragjike dhe përse duhet të ndërmarrim veprimet e duhura, si institucione të shtetit, jo vetëm të diskutojmë, por pastaj edhe të nxjerrim në dritë të drejtën? Sepse ky krim makabër është mohuar gjatë dhe këta njerëz e pasardhësit e tyre, kurrë nuk kanë marrë një përgjigje pse u vranë?
Dhe sot, kur ne i kujtojmë masakrat serbe të luftës së fundit, me të njëjtin diskurs, po mohohen krimet nga estabilishmenti i shtetit të sotëm serb. E kjo nuk i kontribuon normalizimit e pajtimit.
Djemtë tanë që u masakruan në Tivar, as sot nuk nderohen si martirë, nuk janë rehabilituar dhe e drejta e tyre nuk është vendosur në vend, pavarësisht se kanë kaluar 74 vjet.
Pa ndëshkimin e atyre që urdhëruan dhe kryen krimet, ato mund të përsëritën, kurdo. Së këndejmi, është detyrë e shtetit të Kosovës që t’i njohë dhe t’i trajtojë ata që kaluan ferrin e Tivarit, pas vdekjes, si martirë.
Tragjedia e fshehur për shumë dekada nga qeveritë komuniste në të kaluarën, më në fund është studiuar në masë të madhe, por ende nga pikëpamje të ndryshme ideologjike.
Sipas studiuesve të arkivave, gjatë rrugës nga Prizreni dhe deri në mbrëmjen e 31 marsit në Tivar, janë vrarë 3 mijë e 447 burra e djem kosovarë, ndërsa janë edhe 600 të tjerë të zhdukur, për të cilët nuk është dhënë asnjëherë një përgjigje. Pra numri i të vrarëve të evidentuar, kalon në 4 mijë.
Masakra e përgjakshme e Tivarit është kryer nga shteti hegjemonist serb nën diktatin e hegjemonistëve serbë, në sistemin e atëhershëm të vendosur komunist.
Kuptohet, motivi i kësaj masakre, ishte spastrimi etnik i Kosovës.
Kjo masakër nuk dallon nga plot ekspedita të mëhershme për pastrimin e trevave shqiptare, si ato të Toplicave, e plot tjera.
Kolonat e të rinjve kosovarë që ecën për një javë, në kushte çnjerëzore dhe nën tytat e armëve të komunistëve të atëhershëm, ishin stigmatizuar si reaksionarë.
Nën mashtrim e tradhti, rinia e Kosovës ishte mobilizuar për qëllime ushtarake të luftës antifashiste, por ata, sikurse çdo herë në të kaluarën, ishin pre në besë nga po ata që i mobilizuan. Pra, në Prizren ishin çarmatosur dhe ishin nisur në kolona drejt Kukësit, Shkodrës deri në Tivar, ku u sulmuan befasisht, me 31 mars 1945, të uritur e të çarmatosur.
Masakra e Tivarit është një nga faqet më të errëta të historisë së Ballkanit e drejtuar kundër shqiptarëve të Kosovës dhe në zbardhjen e saj të plotë duhet të ndërveprojnë të gjitha palët e involvuara.
Dhe në fund, duhet theksuar se varrezat masive në Tivar, të zbuluara nga profesori i nderuar, tashmë i ndjerë Dr. Zekeria Cana, duhet të marrin vëmendjen tonë, në frymën e bashkëpunimit rajonal.
Ata meritojnë një varr të dinjitetshëm, si martirë të rënë për të drejtën e tyre kombëtare.
Lavdi të gjithë martirëve të Kosovës, të të gjithë brezave! Lavdi të gjithë të rënëve për liri!/b.j/