
-Kosova me demonstrata para 38 viteve kërkonte të bëhej Republikë/
PRISHTINË, 11 Mars 2019-Gazeta DIELLI/ Në Prishtinë para 38 viteve, në 11 mars, studentët nisën protestat e para të 1981-tës që vazhduan dhe u bënë demonstrata masive studentore e gjithëpopullore me kërkesë themelore për Republikën e Kosovës.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi përkujton se, pas demonstratave të vitit 1968, që shprehën hapur kërkesën për ngritjen e statusit të Kosovës në nivel të republikës, më 11 mars 1981 filloi një fazë e re historike. “Demonstrata e filluar nga studentët e Universitetit të Kosovës u shndërrua në vullnet dhe kërkesë gjithëpopullore për Republikën e Kosovës. Viti 1981 shënon kthesën përfundimtare të orientimit të kërkesave politike për avansimin e statusit politik të Kosovës, që pas përpjekjeve dhe sakrificave u kurorëzua me çlirimin dhe pavarësinë Kosovës”, thekson Presidenti Thaçi.
Kryeministri Ramush Haradinaj vlerëson se, demonstrata e 11 marsit ‘81 shënon një epokë vendimtare në historinë më të re të Kosovës.
“Mijëra studentë zgjodhën rrugën e paqes për ta kundërshtuar shtypjen dhe pabarazinë. Në përvjetorin e demonstratave studentore, kujtojmë të gjithë ata që guxuan të kërkonin atë që iu takonte, të drejtën e tyre, dhe që i dolën zot këtij vendi, në rrugën drejt çlirimit”, shprehet Kryeministri Haradinaj./b.j/