Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

VEPRIMTARIA KOMBËTARE E FEDERATËS PANSHQIPTARE VATRA GJATË PUSHTIMIT TË SHQIPËRISË

$
0
0
Nga Idriz Lamaj/ Një prej njohësve më të mirë të veprimtarisë historike të “Vatrës”, i cili shërbeu në gjirin e saj 60 vjet, shkroi afër 40 vjet më parë:   “ E premtja e zezë 7 Prilli 1939 i gjeti vatranët të ndarë keq: me dy Vatra dhe dy Diellë! Pasi u shkel Shqipëria prej ushtrisë italiane dhe humbi lirinë e saj kombëtare, erdhi bashkimi i të dy vatrave menjëherë dhe u bë prap një Vatër dhe me një Diell. Aherë qe shpresa e madhe për bashkimin e të gjithë Shqiptarëve patriotë të Amerikës rreth Vatrës, por më kot. Kuvendi i vitit 1940 zgjodhi Faik Konicën për kryetar të Vatrës, i cili pas zaptimit të Shqipërisë prej Italisë u lajmërua zyrtarisht nga autoritetet qeveritare të larta se detyra e tij si ministër i Shqipërisë në Washington mori funt. Për arsye jo të kthjellta mirë, Dielli, organ i Vatrës, botonte kritika të ashpra kundër Mbretit Zog, i cili ishte refugjat në London me gjithë Familjen Mbretërore. Ajo gjë gëzoj armiqtë dhe deshproj shumë Vatranë dhe Shqiptarë të mirë”. (Refat Gurrazezi: “Atdheu”, fq. 3, gusht 1968, New York).

Më 8 maj 1939, arrihet marrëveshja për bashkimin e dy vatrave. Në paragrafin e dytë të marrëveshjes shkruhet: “Duke parë rrezikun e Shqipërisë, dhe për hirin e shpetimit të atdheut t’onë nga robëria italiane, ky kuvend vendosi të thërritet një Kuvend i Përbashkët për të bashkuar gjithë vatranët dhe shqiptarët e Amerikës rreth Federatës Vatra” ( “Dielli”, 12 maj 1939 ).

Burime të ndryshme të kohës provojnë se ky bashkim ishte shumë i brishtë, ishte më tepër bashkim simbolik se sa një bashkim konkret për të kanalizuar një strategji të vetme politike kundër pushtimit të Shqipërisë. Megjithëkëtë, përpjekja e “Vatrës” për një organizim të shpejtë politik pasqyrohet qartë në gazetën “Dielli”. Gjysma e fundit e vitit 1939 shënon për “Vatrën” një angazhim serioz propagandistik kundër pushtimit të Shqipërisë. Zhvillohen mitingje dhe konferenca nëpër degët e “Vatrës”. Faik Konica dhe Fan Noli mbajnë lidhje me miqtë e Shqipërisë në Washington, japinë intervista dhe shkruajnë në disa gazeta amerikane ku denoncojnë ashpër Italinë fashiste dhe kritikojnë vendet perëndimore për qendrimin e tyre pasiv ndaj pushtimit të Shqipërisë.

Gjatë vitit 1940, “Vatra” zhvilloi një veprimtari pak më të dukshme, mbajti Kuvendin e përbashkët, emëroi udhëheqjen e re dhe zgjodhi Konicën kryetar. Veprimtarinë për çlirimin e Shqipërisë e vazhdoi me protesta, memorandume dhe letra dërguar personaliteteve të ndryshme botërore, në radhë të parë presidentit dhe zyrtarëve të lartë amerikan.  Me 5 mars, Konica i shkroi një letër të gjatë ministrit të Jashtëm amerikan Cordell Hull, ku ai ankohet edhe për pezullimin e marrëdhënieve diplomatike të qeverisë amerikane me Legatën Shqiptare në Washington. Më 2 prill 1940, zëvendësmi- nistri i Jashtëm amerikan, z. Sumner Welles, i përgjigjet Konicës:

“ Në të vërtetë Legata Shqiptare është mbyllur në rrethana që i dini edhe ju. Më 5 qershor 1939, ministri i Jashtëm i Shqipërisë njoftoi ambasadorin tonë në Tiranë se qeveria shqiptare dhe ajo italiane kishin nënshkruar një marrëveshje sipas së cilës shërbimet diplomatike dhe konsullore shkriheshin në një, dhe se Ministria e Jashtme Shqiptare pushonte së vepruari. Si rezultat i këtij zhvillimi politik, qeveria amerikane tërhoqi ambasadorin e vet nga Tirana. Pak më vonë, më 24 korrik, pas bisedës tuaj me ministin e Jashtëm, z. Hull deklaroi me keqardhje se, në rrethana të tilla politike, qeveria amerikane nuk mund të vazhdonte njohjen e imunitetit diplomatik për Ministrin e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Formalitetet dhe rregullimet teknike paraprake, nën të cilat është pezulluar veprimtaria  e Legatës Shqiptare, janë lanë plotësisht në dorën tuaj ”.

Angazhimin e Konicës në politikë e mirëpritën jo vetëm vatranët por edhe shumë atdhetarë e intelektualë të mërguar. Atij i kishin shkruar shumë miq e dashamirë të angazhohej sa më parë në politikë për hir të Shqipërisë. Por më kot, siç duket ai kishte vendosur që, para se të hynte në politikë, të shfrynte mëllefin dhe të ngjyente penën në acid sulfurik kundër Mbretit Zog, për arsye se, ‘kishte mbetur peng në hotel për borxhet e vjetra të tij’.

Me 12 shkurt 1940, Konica i shkruan Abdurahman Matit në Stamboll:

I dashur mik,

            Letrën t’auj të 12 Kallnorit e mora sot, – plotërisht një muaj pasi e çuat. Gëzohem që ndodheni mirë nga shendeti, bashkë me familjen.

Miku im, fajin për mjerimet e Shqipërisë e ka Ahmed Beu, i cili nuk ka mejtuar kurrë tjatër send veç intereses së tij të qelbur.

            Thoni se Ahmed Beu është miku im. Ahmed Beu do vetëm një njeri në botë, – veten e tij. I pabesë, i shtrembër, njeri pa fjalë, atë që më bëri mua Ahmed Beu nuk e ben as një bish’ e egër.

            Ishin mbledhur këtu nj’a shtatë mijë dollarë (ose njëmij napoleona) borxhe të vjetra, borxhe të Legatës së tij, borxhe të Guvernës së tij. Më telegrafoj nga Stambolli se do t’i paguante me t’arritur në Paris. Në një telefon nga Parisi, më vërtetoj se do t’i çonte të nesërmen me telegraf. Nuk e mbajti fjalën. Më në funt, pas disa muaj, më çoj çerekun e parave që duheshin. Një njeri që për njëmij napoleona trathton mikun më besnik të tij, jo vetëm është i lik po është dhe budalla.

Tani po shtrëngohem nga e keqia të merrem vesh me kundërshtarët, se kam mbetur peng në hotel.

            Lutem mos më flisni më për Ahmed Benë.

            Mbetem miku juaj – Faik Konica.

            Me 6 dhjetor 1940, Konica i shkruan Dervish Dumës në Londër:

“ Më vjenë keq t’ju zhgënjej por unë e shikoj veten si njeri të larguar nga politika. Tashetutje kam vendosur t’i kushtohem vetëm historisë dhe letersisë. Por, edhe sikur të isha i prirur për politikë, sigurisht nuk do ta zgjidhja këtë kohë për të”.  (F. Konica, Selected Correspondence 1896-1942, London, 2000, fq. 94 – ).

Konica, megjithëse kishte deklaruar publikisht në Boston se nuk do të bënte më politikë me shqiptarët, detyrohet të ndryshojë mendimin.

Më 1941, hapet një hendek i ri përçarjeje midis shqiptarëve të Amerikës, përçarje kjo shumë më serioze se ndarja e “Vatrës” ca vite më parë. Nga mesi i atij viti ndarja bëhet fakt i kryer, formohet organizata “Shqipëria e Lirë”, e cila, fill pas themelimit, kryesohet nga Kostë Çekrezi, personalitet i njohur, por njeri i dyshimtë për Nolin dhe për Konicen. Gjatë pushtimit të Shqipërisë ata e akuzuan Çekrezin si spiun të grekëve dhe të jugosllavëve, megjithëse kurrë nuk paraqitën ndonjë dokumentim bindës për këtë akuzë.

Nryshimi i rrethanave politike ndërkombëtare, zgjërimi i Luftës së Dytë Botërore, veprimtaria antishqiptare e grekëve dhe jugosllavëve, themelimi i kësaj organizate dhe shpresa e Nolit dhe e Konicës për përkrahjen e Mbretit Zog nga anglezët, bëjnë që Konica dhe Noli të njohin Mbretin Zog për udhëheqës të një qeverie shqiptare në mërgim. Përpjekjet e tyre për themelimin e qeverisë qenë po aq serioze sa edhe vetë përpjekjet e Mbretit Zog.  Noli zbutë qëndrimin e ashpër të Konicës kundër Mbretit.

Me 3 prill 1942, Konica i shkruan Dervish Dumes:

“Peshkop Noli, të cilin e vizitova për disa ditë në Boston, arriti të më shkund skepticizmin. Noli beson se Zogu mund të vendosë rregullin, dhe po qe se mbështetet nga anglezët, mund të luaj ende rol të rëndësishëm, si simbol i lirisë shqiptare”. ( Faik Konica, Vepra IV, Tiranë 2001, fq. 278).

Marrëveshja e Nolit dhe e Konicës për formimin e qeverisë shqiptare në mërgim nënshkruhet në Washington pas bisedimeve që zhvilluan në Ministrinë e Jashtme Amerikane:

“Ne të nënshkruarit u ftuam  prej një zyre të Guvernës së Shteteve të Bashkuara në Washington për një çkembim mendimesh mbi mënyrën më të mirë për të bërë një guvernë shqiptare në mërgim. Në bisedimet tona ngulëm këmbë mbi pikat që vazhdojnë:

1). Vetëm një ball shqiptar i bashkuar që përmbledh të gjithë personalitetet shqiptare munt të ket ndonjë rast t’a tund popullin shqiptar përgjithërisht dhe të jetë i dobishëm për Kombet e Bashkuara.

2). Mbreti Zog është më i çquari  personalitet shqiptar i gjallë, edhe përjashtimi i tij do t’i hiqte fuqinë lëvizjes që proponohet të bëhet;

            3). Asnjë mis i ballit të bashkuar nuk do të jetë i shtërnguar të heq dorë nga mendimet politike të tija, po do të bashkëpunojë vetëm gjërsa tërsia e tokës dhe liria e Shqipërisë të shigurohen në Konferencën e Paqes, dhe pasandaj secili do të mer përsëri lirinë e tij për të vepruar;

4). Një guvernë provizore pas vijave që propozon z. Çekrezi dhe miqtë e tij do të ish më keq se e  pa dobishme; dhe nuk do t’i ndihte as Shqipërisë as Kombeve të Bashkuara, po do të përparonte vetëm qellimet e atyre fqinjëve që kanë dekllaruar zyrtarisht se duan të ndarët e Shqipërisë;

            5). Jemi gadi në çdo kohë të bashkëpunojmë me gjithë zemër me Guvernen e Shteteve të Bashkuara.”

Nënshkruar: Faik Konica e F. S. Noli, në Washington me 19 të vjeshtës së tretë, 1942. (“Dielli” 28 nëntor, 1942).

Bisedimet e Nolit dhe të Konicës në Ministrinë e Jashtme Amerikane dhe nënshkrimi i marrëveshjes së tyre për njohjen e Mbretit Zog si udhëheqës të qeverisë shqiptare në mërgim, shqetësuan tepër Çekrezin dhe organizatën “Shqipëria e Lirë” dhe entuziazmuan “Vatrën”. Konica  i shkruan Petro Kolonjës:

“I dashur z. Kolonja,

Ju falëm nderit për të dy letrat, – të cilat ju a kthej këtu.

            ‘Rumor’-i që dëgjuat në Southbridge më bëri të qesh. Faktet janë afro të përkundërshme. Autoritet këtu dëgjuan e kuptuan që Çekrezi s’ka rëndësinë që deshiron t’i japë vetes. Ashtu, me hoborësi të madhe, ftuan Nolin, më ftuan dhe mua, për bisedime. Nolit (në mes t’onë) harxhet j’a hoqi Uncle Sam-i. Shpresat për shpetimin e Shqipërisë po shtohen. Juaj me besë, Faik Konitza. Me 7 të Nëndorit 1942”.

            Më 10 dhejtor 1942, ministri i Jashtëm amerikan Cordell Hull bën këtë deklaratë:

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk është e panjohur me rezistencën e vazhdueshme të popullit shqiptar kundër forcave pushtuese italiane. Përpjekjet e grupeve të rezistencës që operojnë në Shqipëri kundër armikut të përbashkët shikohen me admirim dhe janë të mirëpritura. Qeveria dhe populli amerikan pret me padurim dhënien e ndihmës ushtarake atyre trimave për të nxjerrë pushtuesin nga vatrat e tyre.

            Konsekuent me vijën e vet të drejtë politike për mosnjohjen e pushtimit të një vendi me forcë, Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kurrë nuk e ka njohur aneksimin e Shqipërisë nga Italia. Në deklaratën e përbashkët të Presidentit amerikan dhe të Kryeministrit britanik, lëshuar më 14 gusht 1941, e njohur si Karta e Atlantikut, bëhet qartë: “Respektojmë të drejtën e çdo populli për zgjedhjen e formës së qeverisjes dhe dëshirojmë rivendosjen e të drejtave sovrane – vetqeverisëse të gjithë popujve që u është mohuar liria me forcë”.

Më 15 dhjetor 1942, vdes Faik Konica. Kryetari i “Vatrës” i mbylli sytë pasi hartoi së bashkut me Nolin një platformë të drejtë politike për çështje të atdheut. Megjithëse pas pushtimit të Shqipërisë ishte ministër pa kredenciale, ai gëzoi respekt të veçantë nga miqtë e tij amerikan, dhe herë pas here mori prej tyre zotime me gojë për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe radhitjen e saj në aleancën e luftës antifashiste. Pas lamtumirës së Nolit me eulogjinë e famshme para kufomës së tij dhe përcjelljes për në banesën e fundit, përpjekjet e “Vatrës” për mbrojtjen e interesave kombëtare vazhdojnë mbi të njejtën platformë  politike.

VEPRIMTARIA DIPLOMATIKE E NJË AMBASADORI

                                                      PA KREDENCIALE

Më 15 janar 1943, një muaj pas vdekjes së Faik Konicës, Udhëheqësi i Kishës Orthodokse Shqiptare në Amerikë, i cili ishte edhe Kryetar nderi i “Vatrës”, Peshkop Noli dërgoi në Washington ambasadorin e ri. Këtë ambasador të pa shtet dhe të pa qeveri, ish Kryeministri i Shqipërisë e paisi me këtë kredencial historik:

Kisha Ortodokse Shqiptare në Amerikë

                                                Boston, Massachusette

“Mbajtësi i kësaj shkrese, z. Petro Kolonja, 37 Marland Road, Worcester, Mass., dhe 1530 Sixteenth Street, Washington, D.C., është emruar prej Madhërisë së Tij Mbretit Zog i Shqipërisë si përfaqësues i Tij në Washington për të zëvëndësuar të ndjerin Faik Konica, ish Ministër i Plotëfuqishëm i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i besuar me mision të veçantë për të siguruar njohjen zyrtare të qeverisë shqiptare në mërgim nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Çdo përkrahje që t’i jepet z. Kolonja do të vlerësohet lartë nga mbar populli shqiptar.”

                                                                                    Peshkop F. S. Noli

                                                                                    26 Blagden Street,

                                                                                    Boston, Mass.

Përfaqësuesi i Mbretit Zog u vendos në Washington në të njëjtin apartament ku banoi dhe punoi për vite me radhë i ndjeri Konica. Në fillim, ai gjeti mbështetjen e plotë  të sekretares së  ish-ministrit  të Legatës Shqiptare, zonjës Charlotte Graham. Kolonja shkruan në disa shënime kujtimesh të pabotuara: “Zonja Graham më ndihmoi shumë, më siguroi apartamentin, më dorëzoi librin e Konicës me telefona e adresa dhe makinën e tij të shkrimit. Ajo më solli edhe disa orendi shtëpiake të cilat më hynë  në përdorim  edhe pasi solla në Washington time shoqe me fëmij”.

Një javë pas arritjes në Washington, Kolonja njoftoi 24 ambasada të huaja me këtë shkresë:

“ Shkëlqesi, kam nderin t’ju njoftoj se jam emëruar Përfaqësues i Mbretit Zog të Shqipërisë në Washington, për të zëvendësuar të ndjerin Faik Konica, ish-ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë kapacitet do t’ju isha shumë mirënjohës nëse me jepni një intervistë në kohën tuaj më të përshtatshme. Në këtë mënyrë do t’ju shprehja falënderimet dhe respektin tim në person.”

Me nderime, Petro Kolonja

                                                                Përfaqësues i Mbretit Zog në Washington.

            Shtëpisë së Bardhë, Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Luftës dhe zyrave të tjera kompetente amerikane, Kolonja u dërgoi letra me përmbajtje të ndryshme. Në secilën letër vuri në dukje deklaratën e ministrit Hull të 10 dhjetorit 1942, kërkoi njohjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe të qeverisë shqiptare në mërgim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ambasadorit turk, Kolonja i dërgoi një letër të veçantë falënderimi për denoncimin që shteti turk i bëri Italisë me rastin pushtimit të Shqipërisë. Një letër të tillë i dërgoi  edhe ambasadorit egjiptian në Washington.

Ndërkaq, ambasadorit britanik i shkroi një letër të përzemërt, në të cilën thekson miqësinë e vjetër anglo-shqiptare dhe përkrahjen e Britanisë së Madhe dhënë Shqipërisë në kohë të vështira. Në letër shpreh shqetësimin rreth deklaratës së ministrit Eden, dhe kërkon që qeveria britanike të njohë sa më parë integritetin tokësor të Shqipërisë. Ai shkruan:

“ Shqiptarët janë tepër të shqetësuar nga deklarata e minstrit të jashtëm britanik,  i cili lë hapur diskutimin e kufijve të Shqipërisë, të cilët janë vendosur nga një komision ndërkombëtar ”.

Hapat e parë diplomatikë Kolonja i bëri në bazë të udhëzimeve të Nolit dhe të reagimit të tij ndaj deklaratës së ministrit britanik. Një muaj më parë Noli i kishte dërguar ministrrit të Jashtëm amerikan këtë letër:

“ Është tepër poshtërim për një Peshkop të besimit në fenë e Krishtit, kur mendon se vendet tona të mëdha të krishtëra demokratike luajnë çdo lloj dredhie politike për të kënaqur agresorin italian, ndërsa ato dy shtete të guximshme muhamedane (fjala është për Turqinë dhe Egjiptin, IL) nuk përfillën Musolinin në kulmin e fuqisë së tij, ndaj të drejtave të shkelura të popullit të vogël shqiptar. Më vjen keq që vendet tona të mëdha të krishtëra nuk tregojnë guximin e duhur moral të krishtërimit. Besoj se nuk ka garanci më të mirë që mund t’u jepet shqiptarëve se sa njohja zyrtare e një qeverie shqiptare në mërgim nën drejtimin e Mbretit Zog dhe siguria e tërësisë tokësore të Shqipërisë brenda Lidhjes së Kombeve të Bashkuara. Një garantim i till është i domosdoshëm për të eleminuar dyshimet e ngritura nga z. Eden në deklaratën e tij në Dhomën e Komuneve, në të cilën thuhet qartë se në Konferencën e Paqes duhet diskutuar çështja e copëtimit të Shqipërisë midis fqinjëve të saj, grekëve dhe jugosllavëve.”

28 Nëntori 1943, shënon një demonstrim serioz amerikan në mbrojtjen  e tërësisë territoriale të Shqipërisë. Shoqata “Miqtë Amerikanë të Shqipërisë” shtroi një darkë përkujtimore për 31-vjetorin e Shpalljes të Pavarësisë Shqiptare, në të cilën merrnin pjesë afër 120 veta. Në darkë ishin disa ish-diplomatë, katër-pesë senatorë e deputetë dhe dy zyrtarë të Ministrisë së Jashtme dhe të ushtrisë amerikane. Megjithëse këta të fundit ‘nuk merrnin pjesë në emër të qeverisë’ lenin të kuptohej se mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë nuk ishte temë tabu në diplomacinë amerikane. Kryetari i Shoqatës, ish- ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Charls C. Hart, hapi mbledhjen me këto fjalë: “Jemi mbledhur këtu për të demonstruar publikisht miqësinë tonë ndaj Shqipërisë dhe popullit të shumëvuajtur shqiptar. Mbretin e Shqiptarëve dhe ish Kryeministrin e Shqipërisë (fjala është për Nolin, IL.), me të cilët fola në telefon, i urova në emrin tonë për 28 Nëntorin, duke shprehur bindjen e plotë se së shpejti, populli shqiptar do të kremtojë Festën Flamurit të vet në një Shqipëri të lirë, të pavarur dhe me kufijtë shtetëror të paprekur nga askush ”.

            Të nesërmen, Kolonja i shkroi Nolit me entusiazëm rreth fjalimeve të mbajtura në darkën e shtruar nga “Miqtë Amerikanë të Shqipërisë”. Ai citoi në letër edhe disa folës të tjerë të cilët përkitën në vaçanti mbrojtjen e tërsisë territoriale të Shqipërisë.

Më 1943 thellohen intrigat politike midis organizatës “Shqipëra Lirë” dhe Federatës “Vatra”. Grupi shqiptar në Londër dhe Kostë Çekrezi kërkojnë heqjen dorë nga formimi i qeverisë nën drejtimin e Mbretit Zog. Në vend të qeverisë, ata propozojnë krijimin e një Komiteti. Sipas mendimit të tyre, vetëm rreth një Komiteti mund të realizohej Fronti i Përbashkët dhe bashkimi i shqiptarëve në mërgim. Ky propozim i kundërshtuar nga “Vatra”, vë Çekrezin në lëvizje. Ai zhvillon një mbledhje të organizatës së tij në Detroit dhe menjëherë deklaron në gazetën “Liria”  se “protokolli i bashkimit u nënshkrua në Detroit”, pasi në mbledhje merrnin pjesë edhe dy degë të “Vatrës”. Përfaqësuesi i një dege të “Vatrës” në atë mbledhje, Refat Gurrazezi, pendohet dhe i telefonon Nolit  në Boston.

Gurrazezi shkruan për reagimin e Nolit: “Nga zëri i tij m’u dukë, mjaftë i deshpruar dhe kish të drejtë. Më mbajti lartë nga një gjysëm ore në telefon, dhe para se të me thosh ‘natën e mirë’ më tha këtë: “Thuaju atyre shokëve të Detroitit se sido që të bëhet, qoftë monarki, qoftë republikë ose komunizëm, s’ka vent për Çekrezin në Shqipëri.”( R. Gurrazezi “Atdheu”,  3 gusht, 1868 ).

“Vatra” mbajti qëndrim të palëkundur politik deri në shtator të vitit 1944, kur themelohet në Shqipëri qeveria e dal nga Fronti Nacionalçlirimtar. Kolonja vazhdoi veprimtarinë e tij intensive gjithnjë në kontakt me Nolin dhe me ministrin e Oborrit Mbretëror në Londër. Shkroi, përktheu, ndoq me vemendje dredhitë politike greke e jugosllave dhe raportoi e reagoi menjëherë ndaj tyre. Ambasadori atdhetar, i pakredenciale, i ngarkuar me mision të veçantë nga “Vatra”, Noli dhe Mbreti, shkarkohet nga detyra me këtë telegram: “Siç është njoftuar me kohë çlirimi i atdheut sjell në përfundim misionin tuaj. Ju falem nderit, Sotir Martini, Londër  22 shkurt 1945, ora një e mengjezit.”

            Ish përfqësuesi i Mbretit, i tërhequr në heshtje nga “Varta”, për vite me radhë,  vazhdoi fushatën politike kundër regjimit komunist në Shqipëri. Ai banoi në Washington deri në fund të vitit 1956.         

Përfundimisht: Qeveria shqiptare në mërgim, bashkimi i shqiptarëve të Amerikës rreth Federatës “Vatra” dhe Fronti i Përbashkët, për të cilët u bë aq shumë fjalë, nuk u realizuan kurrë. Konica dhe Noli gjatë pushtimit të Shqipërisë bënë përpjekje të gjithanshme për sigurimin e tërësisë territoriale të Shqipërisë dhe përfshirjen e saj në aleancën e luftës antifashiste. Ata ndikuan thellë në diplomacinë amerikane për realizimin e qëllimeve të tyre kombëtare. Përfaqësuesi i Mbretit Zog në Washington, Petro Kolonja, gjatë atyre viteve të mjegullta, u tregua diplomat i shkathtë. Me ndërgjegjen e tij atdhetare, ruajti balancat politike shqiptare në mërgim, përcolli me vëmendje çdo veprimtari politike ndërkombëtare dhe njoftoi menjëherë Mbretin Zog në Londër dhe Peshkop Nolin në Boston. Udhëzimet e atyre që e vunë në krye të detyrës i zbatoi me përpikëmeri dhe ndershmëri të pashoqe.

Analistë jugosllavë pohojnë se deklarata e Ministrisë Jashtme Britanike (1942), në të cilën lihej hapur diskutimi për copëtimin e Shqipërisë në jug, ndikoi thell në përforcimin e pozitës së komunistëve jugosllavë te komunistët shqiptarë. Për këtë nuk duhet të çuditemi, po të shikojmë me vëmendje përkrahejn politike dhe ushtarake që i dha qeveria britanike Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe Mareshalit Tito gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Qëndrimi i qeverisë amerikane ndaj tërësisë territorale të Shqipërisë ndryshoi rrënjësisht nga qëndrimi britanik. Megjithëse për shqiptarët nuk ishte një qëndrim i qartë, sjellja e urtë e qeverisë amerikane me grekët dhe vënia në heshtje e pretendimeve të tyre ekspansioniste linte të kutohej drejtpërsëdrejti se politika zyrtare e Washingtonit ishte kundër copëtimit të Shqipërisë. Shoqata “Miqtë Amerikanë të Shqipërisë” i bëri sfidë të shkëlqyeshme lobizmit grek. Kryetari i Shoqatës, Ch. Hart, ishte mik dhe mbrojtës i vendosur i interesave të larta kombëtare të popullit shqiptar. Qeveria amerikane vazhdimisht këshillohej me të për çështje shqiptare. Gjatë luftës, z. Hart mbajti lidhje të ngushta me “Vatrën”.

 “ Nuk është aspak ekzagjerim, po të nxjerrim përfundimin se gjatë Luftës së Dytë Botërore “Vatra” qe e vetmja organizatë shqiptare, i vetmi grupim shqiptar që u orientua drejt politikisht”. ( Prof. Beqir Meta: Kontributi i “Vatrës” për çështjen shqiptare, “Dielli”,  Janar-Mars,  2003 ).

Merita për këtë orientim të drejt politik iu takon Faik Konicës, Fan Nolit, Petro Kolonjes dhe miqve amerikanë të Shqipërisë.

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>