Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

Woodrow Wilson, dhe zëri i grave shqiptare

$
0
0
Shpëtoni Shqipërinë” ishte edhe zëri i grave shqiptare drejtuar Presidentit Wilson, në Konferencën e Paqës në Paris më 1919/
1 woodrow-presidential-portrait-241x300NGA PERTEFE LEKA/

Shqiptarët në përgjithësi,kanë pasur besim tek njerëzit e urtë,për të zgjidhur probleme kardinale për  kombin . Vepra  e nobelistit, Woodrow  Wilson, në mbrojtje të popujve të shtypur ,është  udhërrëfyese, sidomos  sot, kur është ndezur një debat politik dhe diplomatik për stabilizimin e ballkanit. Kur diskutohen hyrje e dalje në Europën e Bashkuar,  Kur diskutohen ndryshim kufijsh,  që  lidhen  me fjalën  luftë, që  kane trazuar shpirtra nënash të përvëluara nga humbjet e bijëve. Kur  vazhdojnë të  diskutohen,  të drejtat njerëzore, vendosje piramidash ndarëse dhe  shfrytëzime nënujore pafundësisht,  e ne ,  ende  kemi mbetur “një thumb  i ngulun në trutë e njerëzisë” siç  thoshte Migjeni. Sa sakrifica kanë bërë shqiptarët 100  vjet më parë,  duke iu drejtuar liderit botëror të paqës, Woodrow Wilson, i cili kishte përcaktuar  formën e bashkësisë ndërkombëtare  të së ardhmes  në “Fourteen  points”.

Filozofia politike e Presidentit Wilson, është paraqitur shumë thjeshtë në  “14 Pika” por  aty ishin vendosur pikat mbi -”  i “- të : drejtësi dhe vetëvendosje për të gjithë kombet, të mëdhenj e të vegjël, që  kërkonin liri politike,mos me lejue pushtimet e huaja,as sundim nga të huajt. Konferenca e Versajës e kishte mbështetë idenë themelore të Presidentit Wilson në lidhje me të drejtën e popujve për vetëvendosje kombëtare.Kur u pa se Konferenca e Paqës në Paris, nuk po i merrte parasysh  kërkesat e shqiptarëve, kryetari i delegacionit, Imzot Luigj Bumçi  iu drejtua  Presidentit Wilson për krimet e kryera  mbi popullsinë shqiptare të Kosovës  nga fqinji verior. Kështu  vërshuan  me letra e takime  direkte  shumë personalitete shqiptare nga gjitha trevat shqipfolëse, që ngritën zërin e protestuan për padrejtësitë që po i bëheshin vendit tonë. Nuk mungoi  edhe  vendosmëria   e grave, në këte  betejë diplomatike. Ishte, Zj. Lejla Dino, bija e Çamërisë, kur pa se babait të saj, Rasih Dino, që ishte caktuar nga komuniteti Çam në Amerikë, të merrte pjesë në Konferencën e Paqës në Paris, po i nxirrnin pengesa italianët për të kaluar, iu drejtua me një letër Liderit Amerikan : “……Hidhërimet e tmerrshme dhe mizoria,  që nënat shqiptare, gratë dhe bijat duruan duke parë gjakun e të dhemshurve të tyre  të rrokullohet nën zgjedhën e shtypësve  të huaj,  kanë natyrisht për të tronditur ndjenjat tuaja të larta njerëzore dhe do të na ndihmoni për të fituar lirinë tonë të dashur….” 1Janar  1919, botuar Albania

Motrat Qirjazi qenë shume aktive në këto momente. Ata ishin të parat femra shqiptare që vazhduan “Robert Kolegj”,   të sponsorizuara nga diplomati dhe biznesmeni amerikan, Charles Richard Crane, këshilltar i Presidentit Wilson.( Crane kishte lobuar për Shqipërinë  më       1912-13  për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në forumet ndërkombëtare. Ai kishte sponsorizuar   shumë studentë  shqiptarë  për të ndjekur studimet në Robert Kolegj  të cilin  e kishte themeluar, Ai vete dhe  po ashtu kishte vepruar  për  shkollën e Dakës në Kamzë).  Sevastia, së bashku me të shoqin, Kristo Dako, themeluan,”Partia Kombëtare Shqiptare”, për t’i shërbyer çështjes kombëtare.  Sevastia me kurajon dhe guximin që e karakterizonte, iu drejtua fuqive të mëdha, në prag të Konferencës së Paqës, me 12 Tetor 1918, me një memorandum, mbi të drejtat, shpresat dhe aspiratat  e shqiptarëve.

Po ashtu Parashqevia,  si delegate e shqiptarëve të Amerikës, së bashku me misionarin amerikan Charles Telford Erickson, (i cili ia kushtoi  tërë  jetën Shqipërisë, duke lënë mijëra faqe  të përmbledhura në “Enigma e Ballkanit “),  morën pjesë  në Konferencën e Paqës, duke informuar Presidentin  Wilson për kërkesat  e shqiptarëve.

Shoqata Britanike, e kryesuar nga koloneli Aubrey Herbert, avokati i indipendencës së Shqipërisë  1907-1913, Miss Edith Durham, që ngriti lart konsideratën për shqiptarët,  e  të tjerë  miq të Shqipërise, edhe pse nuk morën pjesë në  ate Konferencë ,  ata shprehnin një mendim  duke u bërë një mbështetje e fuqishme e kauzës shqiptare, në vendimet delikate të Konferencës  së Paqës.Nga të gjitha anët, vinin  letra pa fund, por tërheq vëmendjen letra e Nikollë  Ivanajt, pjesëmarrës  i Konferencës, drejtuar   Presidentit Wilson me 10 Mars 1920, duke  iu lutur liderit botëror, mbi bazën  e 14 principeve, se vazhdon të cënohet integriteti politik dhe shtetëror i Shqipërisë  nga marrëveshjet e fshehta, që kundërshtojnë pavarësinë tonë popullore të cilën Shqipëria e kishte arritur ndërkombëtarisht………

Kanë  mbetur Monumentale  në historinë e luftës diplomatike, fjalët e Atë Gjergj Fishtës  në atë Konferencë….”Qyshse  serbët kanë vra me qindra  e mijëra  njerëz në Kosovë, dhe grekët  kanë djegë qindra e qindra katunde  në Epir të Nordit, dëshmon qartë  se as banorët  e Kosovës nuk  kanë  kenë  serb, as ata të Epirit  nuk kanë kenë grek ….”.                    Shqiptarët e Amerikës kishin  fituar besim tek Presidenti i SH.B.A.-së,  kur thotë Noli në takimin e tij në Mount Vernon 4 Korrik 1918 : “Udhetimi im këtu triumfoi, fola dy herë  me Presidentin Wilson, i cili më dha shpresa të mëdha ..” Por  garancia  më e madhe, ishte  vetë plani i Paqës që shtronte Wilson në vendosjen e të drejtave  për vetëvendosjen  e popujve  dhe ndalimin e traktateve të fshehta.

Këto  personalitete të larta   të elitës   intelektuale shqiptare e kanë tejkaluar emrin e presidentit amerikan,duke iu drejtuar  filozofisë se tij,  Wilsonjane si përcaktuese  siç shkruan Fishta : “… me përskajue kufijtë e natyrshëm të Shqipërisë simbas parimit të autodecizionit

…si ky përcaktohet prej  klauzolave të teorive Wilsonjane..”Gj.F.20 qershor 1919

Protestat e shqiptarëve dhe sensibilizimi i opinionit  ndërkombëtar  nga personalitete më në zë të Shqipërisë  dhe të huaj, nuk shkoi kot. Përgjigjja e Wilson-it drejtuar delegacionit shqiptar, pjesëmarrës në Konferencën e Paqës në Paris se  “Sh.B.A.-të nuk do të nënshshkruajnë, kurrë një traktat  që copton Shqipërinë…” botuar 25 Prill 1919  gazeta “Franc-Press”.Apo  lajmi   i rrufeshëm i Wilson, në Maj ,1919  ku denoncoi shpalljen e traktatit Italian dhe kërkoi që Shqipëria të jetë  shtet indipendent. Me mirënjohje ,Noli e konsideron  Wilson “Atë(baba))dhe profet” me thirrjen e përjetshme “Na udhëhiq,na udhëhiq”. Kontributi i  Wilson vazhdoi  edhe  në Gjenevë, ku Noli ishte  ambasadori i parë shqiptar,     Shqipëria  u pranue në Lidhjen e Kombeve dhe Pavarësia e vendit u njoh zyrtarisht nga bota.

Në vlerësimin e Konicës  për Presidentin Wilson:”Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë  Wilsonit një monument në zemrat e tyre” e bën të  lidhur shpirtërisjt në  kujtesën gjithë shqiptare.

Shqiptarët ashtu vepruan, me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë, në nderim të  mbrojtësit  të Shqiptarëve, ngritën në qendër të Tiranës, në sheshin Wilson, Përmendoren  e Udhëheqësit  të Paqës botërore,  që sipas vlerësimit  të Nolit :”Një  lis i Madh në të cilin kombet e vogla kanë ndërtuar  foletë”. Filozofia e Nobelistit  të Paqës,Wilson, mund të përcaktohet  me fjalët e tij “Parimi i drejtësisë  për gjithë popujt e shtetet dhe  e drejta e tyre për të jetuar  në marredhënie  të lirisë me njeri tjetrin,qofshin të fortë e të dobët” Prandaj, shtatorja e ngritur,  në nderim të Tij,  nuk është një dekor, por  një zë që do të dëgjohet  dhe do  të na drejtojë  me dorën lart përpara, për të mbrojtur,lirinë, pavarësinë, demokracinë, barazinë për të drejtat njerëzore dhe për integritet  në Europën e Bashkuar.  Ashtu siç treguam ne dhe gjithë popujt e shtypur  mirënjohje dhe respekt për humanistin shpresëdhënës,  Wilson, po atë  konsideratë dhe krenari shpreh Lideri amerikan, për Giuzeppe   Mazzini, projektuesi i Europës së Bashkuar. Kur ishte  në Europë në Konferencën  e  Paqës,Wison vizitoi  në Gjenovë Monumentin e ideologut  tij ,Giuzeppe Mazzini ,ku shprehu ndjenjat e tij më të sinqerta  ” I stand in the  presence   of this monument  and bring  my greetings and the greetings  of  America with our homage to great Mazzini.” (Unë qëndroj  në prani të këtij monumenti  dhe i sjell përshëndetjet e mija  dhe përshëndetjet e Amerikës  me homazhin tonë ndaj Mazzinit të  Madh” “We have studied  the life  of Mazzini  as much pride  as we  shared  in the glory of history” (Ne kemi studiuar jetën e Mazzinit me shumë krenari, ashtu siç e  kemi mësuar në  historinë  e lavdishme ) Busti i Mazzinit,në Central Park,Manhattan,rrezaton edhe sot me ide  progresive  me  mbishkrimin : “DIO E IL  POPOLO” dhe  “PENSIERO E  AZIONE” (Mendim e Veprim )Kjo ideologji nuk mbeti e izoluar në  disa ndivid, por  u  përthith nga shumë lider të botës për të zgjidhur probleme   kardinale.Për shqiptarët pati ndikim thelbësor sepse,principet  bazë të  kësaj  filozofie ishin me organizue një shoqëri politike të re, të bashkuar, të lirë me  të drejtat gjinore, indipendente, me sistem republikan.  Duke qenë bashkohës i Marksit, Mazzini hodhi poshtë doktrinën marksiste të luftës së klasave, duke i dhënë përparësi bashkimit klasor në sistemin republikan. Ai thotë për Marksin se është sundimtari absolut i partisë, padyshim, ai bën gjithçka për vete, ai është i vetmi që jep urdhëra dhe nuk toleron asnjë kundërshtim.  Ai e përshkruan Marksin me një shpirt destruktiv, zemra  e të cilit  është mbushur më shumë me urrejtje se sa  me dashuri për njerëzit ( Mazzini dhe Marks : thoughts  upon demokracy in Europe) Pikëpamjet e Mazzinit  dhe pikëpamjet fetare janë të lidhura ngushtë në një besim të perbashkët:  liri, barazi, unitet, demokraci, arsim të papolitizuar, ku bazën morale të një vendi e përbën fryma patriotike kombëtare.  Shprehja  profetike  e Mazzini-t : “Patriotizmi  si një detyrë dhe dashuria për Atdhe si një mision hyjnor ” i jep prioritet bashkimit nacional ku  Zoti i ka përcaktue kufijtë natyral të një kombi.”God has marked the natural borders of the natioi.Por si nacionalist republikan ishte  një kampion i drejtimit intelektual të lëvizjes “Risorgimento” për bashkimin e Italisë dhe që e shikon hartën politike të Europës  mbi bazën e dy principeve: Demokraci dhe Vetëvendosje, sipas nacionaliteteve. Sot, harta e Bashkimit Europian  dhe lidhja e kombeve janë ideuar nga Mazzini,  si një vazhdim logjik i bashkimit italian, të realizuar jo vetem nga idetë, por edhe nga aksionet me Garibaldin në krye. Me këte dakortësi  Wilson shprehet  për  vazhdimësi:”Fjalët e profetit  dhe liderit tuaj shpresoj të mbillen thellë në zemrat e bashkatdhetarëve te mi.”                                                       Idetë  progresive  që gjenerojnë  ide  të reja  janë  të  pavdekshme. Një  krenari  shqiptare, Elena Gjika, gruaja  më e ditur  e kohëve moderne, kishte  ide të përbashkëta  me Mazzinin. Ajo ishte vlerësuar nga Mazzini dhe Garibaldi,  sepse kishte mbështetur  gjithmonë  vlerën e demokracisë në mbrojtje të të shtypurve,të lirisë së popujve të ballkanit, për të hedhur bazat  për ndërtimin  e një   EUROPE  TË  POPUJVE,  e cila të tejkalonte  Europën  e shteteve.Ajo, do të tregonte  historinë  e Shqipërisë  nga pushtimet e huaja, sulltanët ,serbët dhe do të ngrinte çështjen e Çamërisë …… “Me që bashkatdhetarët e Skenderbeut, janë pellazg, ata nuk duhet të harrojnë se familjes së ndritur  Pellazge i është dashur të mbrojë vendin e të parëve të saj,  jo vetëm nga sulltanët, por edhe nga pushtuesit sllav. Serb Dushani  i ka rrëmbyer Shqipërisë  më shumë krahina se padishahu  i Stambollit .”Elena Gjika,si mazzinianët, edhe  ajo na këshillon, të nxjerrim mësime nga historia që të kemi një Rilindje kulturore, letrare, politike mbi bazën e unitetit intelektual, shkencor e moral, dhe  duke ngritur lart emancipimin e femrës  “.Detyra më e ngutshme është përhapja e arsimit në gjuhën shqipe për të realizuar  Bashkimin Kombëtar. Shkodrani i përmendur, Pashko Vasa,veprimtar i Rilindjes Kombëtare,i frymëzuar nga atdhetarët e shquar italianë,Mazzini dhe Garibaldi mori pjesë  përkrah popullsisë  kryengritëse,  si revolucionar i Risorgimentos,në Mestre të Italisë, e rrethuar nga austriakët 1847.Por ajo  që  e  bashkon në ide si mazzinian, është apeli i Pashko Vasës:” Feja e Shqyptarit asht  Shqyptaria “,  e  cila shkonte në  të njëjtën linjë   me ate që propagandonte Giuzzepe Mazzini. Këto ide ishin të rëndësishme në aspektin religjioz, sepse Shqipëria me tri fe të ndryshme e kishte të vështirë  të zgjohej me një fe të përbashkët , por per fat të mirë e përballoi   me krenari, pa asnjë  kundërshtim duke i dhënë prioritet SHQIPTARISË dhe duke mbetur edhe sot modeli më i mirë  i tolerancës fetare. Ishte Shkodra  e para, me këte ndikim,që në vitin  1905, ku  u dukën disa  organizime, si “komuna  sociale.”Këte ndikim e dëshmon Nikollë Ivanaj në gazetën e tij “Shpresa e Shqypnisë “të cilën e botonte në  Raguzë,në një artikull  të Nëntorit 1905 ,nr.41. Ai në atë kohë bënte pjesë në organizatën  ilegale mazziniane në Itali. Ky ndikim u pasua edhe  nga vëllezërit Ivanaj, Martin e Mirash, të cilët i shpalosen  idetë mazziniane që në numrin e parë të gazetës “Republika ” me 24 tetor 1923  në Shkodër. Ishte hera e parë që në Shqipëri dëgjohej termi Republikë  e cila shënonte fillimin e një  lëvizje që rridhte nga idetë demokratike për një trajtë rregjimi jo vetëm  të një ose disa njerëzve ,por të të gjithë klasave që përbëjnë një shtet,me divizën të huazuar nga Mazzini. Republikë,sipas Ivanajve, do të thoshte :”kombëtari e papersonalizuar në një njeri, do të thoshte atdhedashuri   jo e personalizuar në një sekt, apo në një krahinë,do të thoshte  atdhedashuri që  nuk përulet përpara armikut,  atdhedashuri që nuk shitet , atdhedashuri, ku mësohet si mund të  luftohet  për liri,  atdhedashuri  që kërkon të vdesësh  për atdhe në fushën e betejes”

Janë pafund mendimet pozitive të njerëzve  të dijës  dhe të aksionit, atëhere edhe sot. Ata duhet të njihen nga brezi i ri, sepse janë nxitje për  veprim .Njerëzit  e urtë të Shqipërisë dhe miqtë e saj, duhet të japin  kontributin e tyre  më të fuqishëm, për të bashkuar popujt e Ballkanit  me familjen e vet, ku të gëzojnë  së bashku, kufijtë  e tyre natyral  që të mos  përmendet  më “Ballkani  Fuçi Baroti”.  Le të jetë shembulli  i Presidentit  Wilson, udhërrëfyesi   i tyre si  dhe thënia profetike e Mazzinit:  “Patriotizmi si një detyrë  dhe dashuria për Atdhe  si një mision Hyjnor”!


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>