Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

SHQIPTARËT FESTOJNË NË PRIZREN

$
0
0

-Në Prizren zhvillohen veprimtaritë e jubileut të 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare/

2 kurora 1-Në qytetin historik, më të madhin jugor të Kosovës, afër kufirit me Shqipërinë,  veprimtaritë nisën sot me vënien e gurthemelit të kompozicionit të shtatoreve të liderëve të Qeverisë të Lidhjes së Prizrenit, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë e politikë të dy shteteve dhe të trojeve tjera shqiptare e diaspora/1 delgacion-Në veprimtaritë në Prizren mes pjesëmarrësve janë Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi…/1 Meta veseliGazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/*

1 Prizreni

PRIZREN, 10 Qershor 2018/ Në qytetin e Prizrenit po zhvillohen sot veprimtaritë e shënimin të jubileut të 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare, të nisura në Prishtinë në 8 Qershor me një konferencë shkencore ndërkombëtare, organizuar nga akademitë e shkencave të Kosovës e Shqiupërisë.“Në 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, shqiptarët janë në pozicionin më të mirë historik”, vlersoi në konferencë Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, duke theksuar se, Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, në rrugë drejt anëtarësimit në BE, kurse Kosova e lirë nga qershori 1999 e shtet 10 vjet dhe tani në fokus ka objektivin e tretë – integrimet euroatlantike.Në qytetin historik, më të madhin jugor të Kosovës, afër kufirit me Shqipërinë,  veprimtaritë nisën sot me vënien e gurthemelit të kompozicionit të shtatoreve të liderëve të Qeverisë të Lidhjes së Prizrenit, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë e politikë të dy shteteve dhe të trojeve tjera shqiptare e diaspora.Në veprimtaritë në Prizren mes pjesëmarrësve janë Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi…

Në hapësirën e Kompleksit të Lidhjes së Prizrenit, axhenda vijon me hapjen e ekspozitës së buqetave të skulptorëve për konkursin mbarëkombëtar dhe ekspozita e Bankës Qendrore të Kosovës dhe Bankës Qendrore të Shqipërisë me monedha të vjetra, nga koha e Skënderbeut, me seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, me akademinë solemne për shënimin e 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.

Në mesditë zhvillohet një konferencë shtypi në një nga hotelet, ndërsa pasdite zhvillohet konferenca shkencore 140 vjetori i Lidhjes, organizuar nga tre institutet e historisë – të Tiranës, Shkupit dhe Prishtinës, në sallën e Kuvendit Komunal të Prizrenit, e në Hamamin i qytetit hapet Ekspozita mbarëkombëtare në pikturë.

Në 19 vitet e lirisë në Prizren e në qytetet e tjera kosovare aktivitetet e përvjetorëve të Lidhjes Shqiptare vijojnë me festimet e ditëve të çlirimit, duke nisur me Ditën e Lirisë e Paqes – 12 Qershorin, ditën kur në vitin 1999 forcat shpëtimtare të NATO-s nisën të hyjnë në Kosovën e shkatërruar nga lufta, me mëse 12 mijë shqiptarë të vrarë e 6 mijë të zhdukur, afër një milon të dëbuar – shumica drejt Shqipërisë, me 400 qytete e fshatra të djegura. Gjatë luftës forcat serbe kanë djegur edhe Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i cili u rinovua në Kosovën e lirë.

Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare janë shënuar tradicionalisht në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, në kërkim të lirisë, edhe kur ishte e ndaluar, në rrethanat e rënda të dhunës dhe okupimit nga regjimi serb.  Edhe në atë kohë veprimtaritë kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i kam raportuar vit pas viti për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, duke nisur si korrespondenti i parë nga Kosova i mediave të Shqipërisë – nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare në Kosovë.

Në 10 qershorin  e vitit 1997 të pragluftës derisa ishim në aktivitetet e shënimit të përvjetorit të Lidhjes Shqiptare bashkë me ekipin e gazetës së përditshme “Bujku”-Rilindja  u ndaluam nga policia serbe në Prizren, e cila po na mbante në shënjestër të armëve dhe na mori e asgjasoi fotot – filmat e aparatit fotografik, por kurrë nuk arriti të ndalojë aktivitetet dhe raportimet për Lidhjen Shqiptare.

Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Kosovë festohen në liri vetëm nga Qershori i vitit 1999, i hyrjes së forcave shpëtimtare të NATO-s.“Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua”¸ theksonte Presidenti Ibrahim Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku si gjithmonë thekonte mirënjohjen më të madhe dhe miqësinë e përhershme të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.“Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mire”, shprehej Rugova para 15 viteve dhe theksonte se, “Lidhja e Prizrenit ishte përcaktuar për t’u inkuadruar me shtetin e vet shqiptar në botën perëndimore”.

Atëherë, në vitin 2003, gjatë tre ditëve, duke filluar nga data 9 Qershori, Kosova festonte 125 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me manifestime të organizuara nën përkujdesjen e Presidentit historik Rugova. Ditën e parë, ai njoftonte se ka dekoruar 37 personalitete të njohura nga Kosova, Shqipëria, viset e diaspora shqiptare, si dhe nga vende të botës me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Njëherësh, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës.“Në kuadër të shënimit të 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vaso Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri, e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë Hero të Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova.“Kufiri i ëndrrës” ishte reportazhi futuristik që kam shkruar para më shumë se 20 viteve, në fundvitin 1997, botuar 3 Janar 1998 në Prishtinë në gazetën e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha. Në atë reportazh në kohë të rënda okupimi paralajmëroja “festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut”, ku do shkonte edhe personazhja e nisur nga jugu-Janina drejt veriut të “kufirit të ëndrrës” – Mollës së Kuqe…

Ishte ky reportazhi i tretë i ardhmërisë në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave.I pari ishte reportazhi futuristik me titull “Një ditë e një viti që vjen”, i shkruar dhe  dërguar nga Prishtina drejt Tiranës në 27 Dhjetor 1995.Ndërsa, reportazhi i dytë futuristik ishte “Udhëtimi për në Prizren…”, botuar në Prishtinë e Tiranë në 31 Dhjetor 1996.Shumë nga ato që shkruaja në reportazhet futuristike atëherë e që dukeshin si ëndërra,  që ishin ngjarje të fantazuara-parashikuara, tashmë janë realizuar në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 dhe të pavarur tashmë 10 vite nga 17 Shkurti 2008, të njohur deri tani nga 116 shtete të botës.

VIHET GURTHEMELI I SHTATOREVE TË UDHËHEQËSVE TË LIDHJES

Me vënien e gurthemelit të kompozicionit të shtatoreve të udhëheqësve të Qeverisë të Lidhjes së Prizrenit, ka nisur sot në Prizren shënimi i 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që po mbahet nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit dhe në kuadër të shënimit të Vitit Mbarëkombëtarë të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, organizim ky që ka bërë bashkë Qeverinë e Kosovës, Shqipërisë dhe atë të Maqedonisë për të nderuar veprën e heroit, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Në vënien e gurthemelit të udhëheqësve të Qeverisë të Lidhjes së Prizrenit, Ymer Prizreni (kryeministër), Abdyl Frashëri (Ministër i Punëve të Jashtme) dhe Sulejman Vokshi (Ministër i Mbrojtjes), përveç kryeministrit Ramush Haradinaj morën pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ministra nga kabineti qeveritar, përfaqësuesi i Familjes Jashari, Rifat Jashari dhe përfaqësues të tjerë institucional.
Kryeministri Haradinaj, i shoqëruar nga Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta dhe Kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka dhe personalitete të tjera më pas mori pjesë në ekspozitën e buqetave të skulptorëve për konkursin mbarëkombëtar të cilët kanë konkurruar për kompozicionin e shtatoreve, si dhe në ekspozitën e Bankës Qendrore të Kosovës, Bankës Qendrore të Shqipërisë dhe muzeut të Prishtinës.
Në këtë ekspozitë në ambientet e brendshme të Lidhjes së Prizrenit u bë prezantimi i monedhave antike dhe mesjetare, dhe i të gjitha monedhave kombëtare shqiptare që mbajnë portretin e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, duke filluar nga 1926 e deri në ditët e sotme. Një pjesë e këtij koleksioni është përdorur edhe në Kosovë dhe në tokat tjera kombëtare shqiptare gjatë luftës së dytë botërore. Veçantia e kësaj ekspozite është se përmban edhe monedhat përkujtimore shqiptare të vitit 2013 të cilat përkujtojnë 135 vjetorin e Lidhjes Kombëtare të Prizrenit dhe gjithashtu Përvjetorin e Kongresit të Manastirit. Po në këtë ambient u shfaqën edhe simbolika nga katër vilajetet shqiptare, derisa në ambientin e jashtëm u shfaq ekspozita me dokumente të Arkivit Qëndror shtetëror të Shqipërisë dhe Agjencisë Kombëtare të Arkivave të Kosovës nga viti 1878 – 2018.
Pjesëmarrës në këto aktivitete janë edhe personalitetet dhe liderët institucionalë nga të gjitha trevat shqiptare.Shënimi i 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit do të vazhdoj edhe gjatë ditës me ç’rast këtij përvjetori do t’i dedikohet një Seancë Solemne nga Kuvendi i Kosovës, Akademi Solemne,  Konferenca shkencore 140 vjetori i Lidhjes, në të cilën do të prezantohen punimet nga Instituti i Historisë nga Tirana, Shkupi dhe Prishtina dhe Ekspozita mbarëkombëtare në pikturë.

VESELI: PA LIDHJEN E PRIZRENIT NUK DO TË KISHIM 28 NËNTORIN DHE 17 SHKURTIN

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në seancën solemne të Kuvendit, të mbajtur në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në shënim të 140-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, ka thënë se pa këtë Lidhje nuk do ta kishim 28 nëntorin e vitit 1912 dhe as lëvizjen kombëtare për çlirimin e Kosovës, e cila arriti kulminacionin historik me UÇK-në, çlirimin dhe shpalljen e pavarësisë në shkurtin 2008.

Fjalimi i plotë i kryeparlamentarit Veseli:

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,

Të nderuar deputetë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës,

Të nderuar mysafirë,

Miq të nderuar,

Zonja dhe zotërinj,

Qershori është muaji i ngjarjeve të mëdha të historisë sonë kombëtare. Sot, në kryeqytetin historik të shqiptarëve, në Prizrenin e krenarisë tonë kombëtare, na ka bashkuar kujtimi për njërën prej këtyre ngjarjeve madhështore – Lidhja e Prizrenit.

140 vite më parë, në këtë vend ku qëndrojmë sot, u mblodhën përfaqësuesit e të gjithë trevave shqiptare. Një barrë e madhe qëndronte mbi supet e tyre. Ishte kohë e vështirë. Ballkani ishte i trazuar si asnjëherë më parë. Perandoria Osmane po jepte shenjat e rënies së pashmangshme.Popujt po zgjoheshin. Evropa po jetonte pranverën e kombeve. Secili kërkonte vendin dhe të drejtat e tij në gjeopolitikën e re që po ndërtohej.Ishte koha që edhe shqiptarët të zgjoheshin, sa më parë që ishte e mundur. Çdo vonesë mund të kishte pasoja të pariparueshme historike, sepse rreziqet ishin të mëdha dhe në qendrat politike të Evropës nuk ekzistonte termi “Çështje shqiptare”. Termi “Shqipëri” ekzistonte vetëm si shprehje gjeografike, siç kishte thënë kancelari i hekurt i Gjermanisë së asaj kohe, Oto Von Bismark.Në këto rrethana të rënda, burrat e mbledhur në Prizren kishin përpara dy sfida të rënda historike:

– Të dëshmonin para Fuqive Evropiane dhe Perandorisë Osmane Ekzistencën e Kombit Shqiptar,

– Njëkohësisht të mbronin me çdo kusht të drejtat e tij legjitime politike. Të udhëhur nga diplomacia e Abdyl Frashërit, nga urtësia e Ymer Prizrenit dhe guximi luftarak i Sylejman Vokshit, Lidhja e Prizrenit i arriti qëllimet e saj, ndonëse me pasoja shumë të rënda.

Lidhja e Prizrenit i humbi betejat ushtarake me vendimet e Kongresit të Berlinit dhe me garnizonet e Dervish Pashës që dogjën Kosovën në pranverën e vitit 1881, por ajo arriti një fitore tjetër, shumë herë më të madhe:

– Themeloi Vetëdijën Kombëtare Shqiptare,

– Krijoi standardet e patriotizmit modern shqiptar

– dhe platformën e programit për çlirim e pavarësi kombëtare. Pa lidhjen e Prizrenit nuk do ta kishim 28 nëntorin e vitit 1912.

Pa lidhjen e Prizrenit nuk do ta kishim lëvizjen kombëtare për çlirimin e Kosovës, e cila arriti kulminacionin historik me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, çlirimin dhe shpalljen e pavarësisë në shkurtin e vitit 2008. Pa Lidhjen e Prizrenit rrjedha e historisë sonë kombëtare do të ishte krejtësisht ndryshe dhe aspak pozitive për kombin tonë.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,

Nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës të 17 shkurtit 2008,

Të nderuar qytetarë të Kosovës, Motra e vëllezër shqiptarë kudo që jeni. Sot jetojmë në një epokë krejtësisht të ndryshme. Si asnjëherë më parë në histori, siguria dhe liria e kombit tonë janë të qëndrueshme, të garantuara dhe të pacenueshme. Fuqitë, që në qershorin e vitit 1878 ishin kundërshtarët e të drejtave tona kombëtare, sot janë aleatët tanë më të mirë.

Ne jemi gjenerata më fatlume, për faktin se po e bëjmë realitet ëndrrën e madhe të Rilindasëve tanë për ta parë kombin tonë pjesë të Evropës. Shqipëria është anëtare e NATO-s, ka bërë përparime të mëdha në drejtim të integrimit evropian, ndërsa Kosova, brenda dekadës së parë të pavarësisë, ka shënuar hapa historikë në konsolidimin e shtetit dhe po punon shumë në agjendën e saj euro-atlantike.

E ardhmja jonë është në duart tona. Ne jemi krenarë që jemi pasardhës të burrave të Lidhjes së Prizrenit. Jemi krenarë që ecëm shtigjeve të hapura prej tyre. Krenarë që e vazhduam deri në fitore ëndrrën e tyre.

Lavdi heronjve të Lidhjes së Prizrenit. Lavdi burrave e grave që në harkun kohor të këtyre 140 viteve bënë gjithçka ishte e mundur që kombi ynë të jetë i lirë dhe sovran në bashkësinë e kombeve të lira e të civilizuara. Ju faleminderit!

***

KRYEMINISTRI HARADINAJ: YMERI, ABDYLI, SULEJMANI, KISHIN PUNUAR QË SHQIPTARËT TË VENDOSIN NJË DITË PËR TË DREJTËN E VET 

“Popujt duhet të punojnë gjithnjë për kohërat e vështira, shqiptarët duhet të punojnë gjithë për ditë të vështira, se ato një herë apo njëherë tjetër vijnë. Burrat e dheut të asaj kohe, shqiptarë kudo që ishin, shihet se kishin menduar ndër vite se mund t’u vije ajo ditë. Edhe Ymeri, Abdyli, Sulejmani, por edhe shumë tjerë, që nuk ishin fizikisht në Lidhjen e Prizrenit, shihet se kishin menduar për atë ditë. Kishin punuar që në ditën e caktuar edhe shqiptarët ta japin përgjigjen e vet për të drejtën e vetë, pra për të drejtën e organizimit në vetvete”, kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj, në Akademinë Solemne dedikuar 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e organizuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës. Kryeministri Haradinaj tha se edhe sot dhe përmot duhet të punojmë për një ditë të këtillë, dhe në atë ditë duhet të gjithë të jemi aty që ta japim provimin tonë.

“Ju sigurojë se te shqiptarët asnjëherë nuk do të ketë mungesë të atyre që do të mendojnë për fatin e vet, për të drejtën e vet në të gjitha kohërat. Edhe sot i kemi kohëra të ndjeshme. Një marrëdhënie e pambyllur Kosovë-Serbi po synohet të kthehet në pazare të reja politike dhe kjo është e padrejtë të ndodhë”, tha kryeministri Haradinaj.

Me këtë rast kryeministri Haradinaj, ka siguruar se mënyra e vetme që të përmbyllet një luftë mes Kosovës dhe Serbisë, lufta e viti 1999 e cila i ka lënë Kosovës shumë plagë, masakra, njerëz të vrarë, shkatërrime e edhe këtë objekt të djegur, është një pajtim mes shqiptarëve e serbëve me njohje mes Kosovës dhe Serbisë pa pazare të tjera të ndyta në dëm të shqiptarëve.

Para të pranishmëve një fjalë në Akademinë solemne e mbajti edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i cili tha se krijimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte vazhdim i Lidhjes së Lezhës të krijuar nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu shekuj më parë dhe shënonte në vete një kulminacion të rizgjimit dhe të Rilindjes Kombëtare Shqiptare për të shpalosur identitetin kombëtar dhe politik të komit tonë, për të legjitimuar aspiratat e tij për shtetformim dhe për t’ia bërë ato të ditura të gjithë botës.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi tha se Lidhja e Prizrenit, ishte lëvizja e parë e madhe shqiptare e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që nga koha e Skënderbeut të madh.

Derisa në Seancën Solemne të organizuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në kuadër të shënimit të 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se sot në kryeqytetin historik të shqiptarëve jemi bashkë sepse 140 vjet më parë në këtë vend ku po qëndrojmë sot u mblodhën përfaqësuesit e të gjitha trevave shqiptare mbi të cilët qëndronte një barrë e madhe.
“Në këto rrethana të rënda burrat e mbledhur në Prizren, kishin dy sfida të rënda historike, të dëshmonin para fuqive të mëdha evropiane dhe Perandorisë Osmane ekzistencën e kombit shqiptar, njëkohësisht të mbronin me çdo kusht të drejtat e tij legjitime politike”, tha kryetari Veseli.

Të pranishëm në seancë ishin edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, zëvendëskryeministra, ministra dhe shumë personalitete tjera të jetës të politikës dhe të komunitetit fetar.

 

 

  • Per me shume fotografi shihni ne fb dielli vatra

Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

Trending Articles