Quantcast
Channel: Dielli | The Sun
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

Familja Merlika-Kruja dhe Shqiperia

$
0
0

Deputeti Mustafa Merlika-Kruja dhe grupi i deputeteve te Shkodres ne vitin 1923/

NGA ILLO FOTO, NEW YORK/

Familjet e mëdha  janë emërtuar të tilla, për shkak të  njerëzve të  shquar, për shkak të pasurisë që kanë zotëruar dhe për shkak të  influencës  që kanë ushtruar në  mjedisin shoqëror në një kohë të  dhënë. Kthesat historike  kanë filluar nga  familjet e mëdha. Skënderbeu  mblodhi krerët e familjevë të mëdha, në Kuvëndin e  Lezhës.

Të njëjtën gjë bëri dhe  Ismail  Bej Vlora. Nuk  mund të vendosej asnjë  bashkim, pa  vullnetin e familjeve të mëdha, që  quheshin edhe oxhaqe ose porta. Kishin pasurinë, territor dhe mbi gjithçka  kishin njerëzit më të  ditur të  kohës, në një trevë të   caktuar .

Këto familje kishin aftësinë dhe ndjenin nevojën e  aleancave, për të përballuar rreziqet   e jashtëme dhe të brëndshme. Ato treva, që nuk arrinin të  krijonin familje të mëdha, u bënë çifliqe të  agallarëve  dhe nëpunësve të lartë të   Perandorisë.  Pasuria e  familjeve të mëdha  gjithnjë ka  rrjedhur nga  afërsia me  qeverinë. Perandoria  shpërblente  idhtarët e saj me pasuri të pa luajtëshme, simbas  kontributit që jepnin në  fuqizimin  e  Perandorisë.

Firmëtarët e aktit të  pavarësisë  në  Vlorë  1912  ishin, kryesisht,  pjestarë   të   familjeve të mëdha  të kohës, klerikë të lartë dhe intelektualë  të rinj.  Midis klerikëve të firmëtarëve ishte Imzot Nikoll Kaçorri, që nuk  ishte nga radhët e njerëzve të pasur, por ai pati, përpara emrit , titullin  fetar.

Firmëtar i  Pavarësisë ishte  një i ri  nga  Kruja e  Skënderbeut, Mustafa  Merlika – Kruja, që nuk përfaqësonte  ndonjë familje të madhe  dhe nuk kishte ndonjë ofiq  përpara  emrit, por ishte   midis më  të diturve  të   firmëtarëvet  .

Universitarë të këtij niveli, ishin të rrallë në Shqipëri, sepse ata që mbaronin  universitete, kudo në botë, mund të ndërtonin një jetë të pasur dhe të lumtur, kudo  dhe sido  që do të dëshironin. Mustafai i ri ishte i pasionuar pas shkencës dhe  atdhetarisë. Postit të nënprefektit në Urfa të Sirisë ai i parapëlqeu atë të mësuesit të shqipes dhe matematikës në gjimnazin e Durrësit, për kënaqësinë e miqve të tij, që e uruan, madje edhe nga burgu.  Atë ç’ka  përvehtësoi në universitet, vendosi t’a verë në jetë në  Atdheun e robëruar të kohës. E vuri veten dhe dituritë në shërbim të  Mëmëdheut, që në momentin që  u kthye  në  vëndlindje. Me fillimin e kryengritjeve anti – turke në Shqipërinë e Mesme u vu si sekretar organizativ i tyre. Në këtë detyrë ai mbante lidhjet me komitetet an’e mbanë Shqipërisë, si me 12 bajrakët e Mirditës, me komitetet e jugut, t’Elbasanit, madje ishte pjestar, së bashku me Markagjonin dhe Abdi Toptanin edhe në takimin në Shkup me udhëheqësit kosovarë si Nexhip Draga, Hasan Prishtina, Isa Buletini etj.

U bashkua me Ismail Qemalin e Luigj Gurakuqin e atë grusht atdhetarësh që udhëtuan drejt Vlorës, duke u nisur nga Durrësi, n’atë javë të fundit të Vjeshtës së tretë 1912. Më 28 nëndor mori pjesë në ngritjen e flamurit dhe firmosi dokumentin më të rëndësishëm të historisë shqiptare n’emër të kryeqendrës së Skënderbeut. U votua i katërti në listën e Pleqësisë së Asamblesë së Vlorës, u emërua nënprefekti i parë i kryeqytetit të shtetit të parë të bashkuar shqiptar. Shpejt, megjithëse ende nuk kishte mbushur 26 vjetët, u emërua kryesekretar i Qeverisë së parë të Ismail Qemal bej Vlorës, të cilit i qëndroi besnik deri ditën e fundit, në kundërshtim me mjaft të tjerë që e braktisën për t’u bashkuar me Esat Pashë Toptanin. Qe njëri ndër eksponentët politikë më të zellshëm në luftën kundër rebelimit filoturk të Haxhi Qamilit, me armë dhe me pendë. Mbas largimit të Princ Wiedit nga Shqipëria, si rezultat i zgjerimit dhe forcimit të lëvizjes së Haxhi Qamilit, Mustafai u detyrua të dorëzohet tek Esat Pashë Toptani, për të liruar të gjithë meshkujt e familjes së zgjeruar, të cilët ai i mbante peng. Esati e dënoi me vdekje, sepse kundërshtonte veprimtarinë e tij, duke e quajtur jo në interes të Shqipërisë, pastaj i fali jetën dhe e syrgjynosi në një burg italian.

U kthye në Shqipëri në dhjetor 1918 e mori pjesë në Kongresin e Durrësit, ku u zgjodh ministër i postë-telegrafavet dhe sekretar i Dërgatës shqiptare në konferencën e Paqes në Paris 1919. Në pjesën e dytë të librit të sipër përmendur, nga faqja 291 deri në faqen 357, janë rradhitur dokumentat e hartuara nga Dërgata shqiptare e qeverisë së Durrësit në Paris. Ata dokumenta, që janë një pasuri e vërtetë për çështjen tonë kombëtare dhe diplomacinë shqiptare, të nënëshkruara nga kryeministri Turhan Pashë Përmeti, janë hartuar nga Mustafa Kruja dhe miku i tij i madh Luigj Gurakuqi. Nëpërmjet leximit të tyre, cilido mund të gjykojë mbi atdhetarizmin dhe përkushtimin ndaj çështjes shqiptare të krutanit 32 vjeçar. Deputet i Kosovës në parlamentin e parë shqiptar, shquhet për prirjet përparimtare dhe proevropiane në hartimin e legjislacionit të shtetit të dalë nga Kongresi i Lushnjes. Si i tillë mori pjesë në kryengritjen e marsit 1922 dhe u arratis në Jugosllavi, mbas dështimit të saj. Atje për pak kohë mësoi serbo-kroatishten dhe përktheu librin e ish kryeministrit të Serbisë, Vlladan Gjorgjeviç “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha”. U kthye në Shqipëri në qershorin 1924 dhe u emërua Prefekt me fuqi të plota në Shkodër.

Në dhjetor 1924 braktisi për të tretën herë Atdheun, brënda dhjetë vjetësh, këtë herë me gjithë familje.      Periudha 15-vjeçare e mërgimit politik në Itali qe një periudhë pune intensive intelektuale, sidomos në gjuhësi dhe publiçistikë. Në të parën punoi kryesisht mbi kryeveprën e tij “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe”, ndërsa në të dytën bashkëpunoi me shumë organe të shtypit shqiptar t’asaj kohe brënda e jashtë Shqipërisë. “Kuvendi”, “Shkumbini”, “Politika”, “Dajti”, “Liria kombëtare”, “Mbrojtja kombëtare”, “Imigranti”, “Shqipëria e re”, “Cirka”, “Përpjekja shqiptare”, “Agimi”, “Hylli i Dritws”, “Ora e malevet”, “Leka” janë të përkohëshme shqiptare në të cilat Mustafa Kruja ka botuar shkrimet e veta me emër apo pseudonime, ku më i njohuri ishte Shpend Bardhi.  Në vëllimin “Gjysmë shekulli me pêndë në dorë”, të botuar në vitin 2015 nga Eugjen Merlika, janë përmbledhur shumica e këtyre shkrimeve, që paraqesin një nga publiçistët më cilësorë e më prodhimtarë të jetë sonë kulturore të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. U afirmua si  shkrimtar, studjues, gjuhëtar. Është një  shqiptar me jetëshkrim aktiv, të ngjeshur  dhe gjithpërfshirës. Ai zhvilloi një veprimtari të  paparë në fushën e gjuhësisë, të leksikologjisë,  të albanologjisë, duke lënë një emër në të tëra fushat, ku debutoi dhe arriti  kulme të  krijimtarisë. Për Aleksandër Xhuvanin Mustafa Kruja ishte “në rradhën e parë leksikografësh të shquem të Shqipes”, ndërsa studjuesja e ditëve tona Ledi Shamku-Shkreli, në parathënien e vëllimit “Një studim analitik  – Gjuha e Frang Bardhit dhe Shqipja moderne”, shprehet kështu :

Shpesh, kur analizohen post faktum mëndje luminare idetë e të cilave nuk gjetën përhapje në gjallmëni të tyre, thuhet se ato qenë të parakohshme. Për M.Krujën nuk mund të thuhet kësisoj, pasi thelbi i kumteve të tij teorike shihet se ka qenë sinkron me atë të bashkëkohësve të vet në Evropë e Shtetet e Bashkuara – Fishman, Martinet, Benveniste, Bartoli, Migliorini etj. Pra ky novator do të kish qenë njeriu i duhur në kohën dhe vendin e duhur, por pas Dyzetekatrës koha shqiptare rrodhi ndryshe nga koha globale e për rrjedhojë shkenca jonë  iu shmang vektorit diakronik të zhvillimeve ndërkombëtare, duke hyrë siç është pranuar me krenari në një shteg sui generis. Pra ky aksident historik u përkthye në një aksident apo gand gjeografik, i cili bëri që M.Kruja të ish njeriu i duhur në kohën e duhur, por që s’mund të ndodhej në vendin e duhur – në Shqipëri”

Ky vlerësim madhor i një studjueseje të re të gjuhësisë shqiptare dëshmon më së miri ndihmesën e jashtzakonëshme të M.Krujës në lëmin e gjuhës shqipe, madje më kujton një shprehje të studjuesit të njohur kosovar Zekirja Cana, në një takim me studentë e pedagogë të Institutit të lartë të Arteve në vitin 1991 : “Nuk mund të kuptohet gjuhësija shqiptare pa ndihmesën përcaktuese të M.Krujës”. Po t’i shtojmë këtyre konsideratave vlerën e paçmuar të “Fjalorit të madh të Gjuhës Shqipe”, një fjalor etimologjik me 30.000 fjalë e 2500 faqe të daktilografuara, fatkeqësisht i humbur në Institutin e Gjuhësisë, që pasoi Institutin e Studimeve Shqiptare, të themeluar prej gjuhëtarit krutan, mund të vetëdijësohemi më mirë për faktin se sa e padrejtë dhe mosmirënjohëse qe Shqipëria komuniste kundrejt një monumenti të shkencës së saj gjuhësore, sic qe M.Kruja.

Secili komb  ka një fillim të pavarësisë  dhe të  zhvillimit modern të tij . Pavarësia  e shtetit fitohet një herë në jetë. Kjo ngjarje  historike ka herojtë e saj të pa tjetërsueshëm. Herojtë nuk kanë  prejardhje  gjenetike. Përkatësia e tyre  familjeve të mëdha si  origjinë  e   njerëzve të shquar  është  probabilitet  matematik. Jeta ka vërtetuar se heronjtë, duke qënë  individë që dalin mbi kohën, i formon mendja e tyre dhe çasti historik, simbas të cilit ata  bëjnë historinë.

Ata që firmosën Deklaratën e  Pavarësisë së Amerikës, kanë marrë  titullin baballarë të kombit. Janë më shumë se heronj. Veprës së tyre vijojnë t’u referohen dijetarët, shkencëtarët,  intelektualët, në rrugën e gjatë të përsosjës së demokracisë dhe të  shtetit, jo vetëm në  Amerikë, por kudo në botën e qytetëruar. Firmëtarët e Pavarësisë së   Shqipërisë, populli i ka mbajtur në zemër. I ka ruajtur nga të tëra goditjet, që u kanë ardhur në forma të ndryshme, nga regjimet dhe politikanë të  veçantë. Ata janë produkt popullor ,  pa lidhje  me  përkatësitë  ideologjike  emocionale, ata janë flamurtarë të ideologjisë së Kombit.

Influenca praktike e familjeve të mëdha, u zbeh në kohën e  Mbretërisë, por nuk u mohua lavdia e tyre për Kombin. Zogu pretendonte se  vetëm  Ai mund të bënte bashkimin e  kombit, por faktikisht nuk mundi t’a realizonte, siç e përfytyruan firmëtarët e pa vdekshëm.  Fill mbas luftës së dytë botërore, historia e vëndit iu nënështrua operacioneve më të rënda, që i janë bërë ndonjë herë listës së firmëtarëve. Figura të shquara u deformuan  moralisht  dhe të tjerë  iu hoqën listës së firmëtarëve, duke iu nënështruar harresës,  me arrogancën  shtetërore, sepse historia  duhej të kthehej në vitin  zero dhe  të vihej në shërbim të triumfit komunist  me të tëra mënyrat dhe mjetet .

Një ndër figurat historike të rëndësishme të Kombit, firmëtari i Dokumentit të  Pavarësisë, Mustafa Merlika ( Kruja), u vu në qëndër të ciklonit  komunist të  mohimit dhe  harrimit, sepse nga  gjyqi komunist 1945, ishte dënuar me vdekje në  mungesë. Po përse ?  Anjë fakt, asnjë provë. Asgjë ë  qënësishme! Kaq pak kushtoka jeta e një intelektuali, një ish Kryeministri, një shkencëtari, një atdhetari të dy epokave, një ideologu politik?

Ky ishte komunizmi enverist  i pa shoq ndër homologët!

Mustafa Krujës, firmëtarit të madh, iu mohua atdhetarizmi, vepra intelektuale  shkencore e nivelit të lartë, sepse kishte bindje të argumentuara antikomuniste. Ju internua  familja, duke e damkosur si familje tradhëtare të atdheut dhe popullit, që i përkiste dhe që i ishte përkushtuar. Familja Merlika, u vendos në  kampet e dëbim- përqëndrimit të ish fermës së Lushnjës, pasi kreu internimin në kampin e vdekjes, n’atë  të  Tepelenës. Këtë dënim të pa merituar edhe për ligjet e kohës, familja Merlika e përballoi me dinjitetin e një familjeje, që historia i kishte rezervuar vëndin  në altarin e  heronjve të kombit.

Familjet ë mëdha  lindin njerëz të shquar dhe heronj, ashtu sikurse njerëzit e shquar janë të  aftë të  krijojnë  familje të mëdha. Në lagjen time në  NY, banon një nuse krutane, martuar në derën e një mikut tonë. Mbiemrin e vajzërisë nusja e ka Merlika. E pyeta në se njihte  Mustafanë ose Eugjenin. I kam dëgjuar nga  prindërit, më tha,  dhe  e di me siguri  që vetëm në Krujë ka mbi 100 familje me këtë  mbiemër. Ka  dhe në  qytete të  tjerë, si dhe jashtë shtetit. Jemi fis i madh,  nuk jemi familje  kanunore, por fis me degëzime  të shumta,  më sqaroi  nusja Kacana (Merlika). Nuk është  numuri i degëzimeve, që cilëson  familjen.  Namin  e madh familjes, ja dha  vepra madhore e Mustafait.

Regjimi  enverist  i injoroi shumicën e  firmëtarëve të Pavarësisë. Ndaj disave prej tyre dhe familjeve u ushtrua një shtypje e egër, deri në zhdukjen fizike të tyre. Ky qëndrim  iu rezervua  edhe disa pasardhësvë të  babait të  Pavarësisë, Ismail Bej  Vlorës. Përndjekja ndaj  firmëtarëve arriti deri në retushimin e fotografisë  së tyre në polifoton e shkrepur në  vëndin dhe kohën e shpalljës së Pavarësisë. Në këtë aksion banditesk enverist  bën pjesë dhe ndryshimi i emrit të Ismail bej Vlorës, mbiemri i vërtetë  i të cilit është bej Vlora. Emri i Mustafa Krujës ishte mbuluar me një shirit të bardhë për gati gjysmë shekulli.

Familja Merlika i pagoi një çmim të lartë kundështisë ndaj komunizmit të të parit të saj. Në familjen Merlika  u dënuan katër burra me burgim politik, që përfaqësonin tre breza rresht. Është ngjarje e rrallë  edhe  europjane   persekutimi pa as një faj të argumentuar me ligjët universale dhe ato të   kohës për një familje kontribuese  për lirinë e kombit. Fenomene të ngjashme Arshi Pipa, i ka stigmatizuar: “ Njolla e kriminelit në ballin e atdhetarit “. Në shkrimin “Mustafa Kruja figurë e ndritun e shkencës shqiptare” studjuesi i mirënjohur, prof. Ardian Ndreca, sjell një fragment nga artikulli “Vështrim i thjeshtë krahasues”, të shkrimtarit Martin Camaj, ndër më të mëdhenjtë e letrave shqipe të të gjitha kohëvet, të botuar në “Shejzat” 1963, me pseudonimin “Kosovari” :

Sa shkrimtarë u-pushkatuen apo u-dënuen për jetë gjatë periudhës së Koliqit si Ministër i Arsimit e i Krujës si kryeministër ? Ju lutem na i tregoni, sepse un si Kosovar nuk kam lexue njikso gjâje. E sa në kohën e Enverit, “birit më të dashur të popullit shqiptar” ? Këté na e rrëfejnë e përshkruejnë mâ qartë se çdo tjetër emigrant arsimtarët e ndershëm, vllaznit Pipa, po në fletoren “Shqiptari i lirë” të New York-ut”

E huazova nga shkrimi i z. Ndreca këtë fragment për të pohuar mbas më shumë se gjysëm shekulli, se sa e drejtë ishte pyetja dhe sa me vend përqasja ndërmjet figurave politike, për të cilat flitet, e që ende sot nuk gjejnë vendin e merituar në kujtesën historike të bashkatdhetarëve të tyre.    

Në luftën e dytë botërore  spikati përsëri  roli i familjeve të mëdha. Lufta e  kishte emrin  nacional-çlirimtare, por kishte nevojë për mbështetje njerëzore dhe materjale. Myslim Peza, Haxhi  Lleshi, Abas  Kupi, Manush Myftiu, Muharrem Bajraktari, Kaloshët, Vrionët, Toptanët, Bushatllinjtë, Këlcyrët, Allunët, Vërlacët, Topullarët, Markagjonët, Karagjozët ishin përfaqësues të familjeve të mëdha. Krerët e tyre  i gjetën të formuara. Pasardhësit u a rritën emrin këtyre familjeve, siç njihen dhe rastet e kundërta.  Është  e thjeshtë  të  gjykohët se nga këto familje  erdhën intelektualë të  shquar dhe patriotë me  emër. Këto familje mbështetën luftën dhe u bënë prapavijë e sigurtë e saj.(?!!) Enveri ishte pjesë ë  një familjeje të madhe, por e rënë nga vakti. Kishte klerikë, që  kishin  më shumë   influenca se ajo e familjeve të mëdha. Të tillë ishin Baba Faja, Baba Fejzo, Baba Rexhepi, Sheh Karbunara etj. Mund të kishe ideal për të  zhvilluar një lëvizje politike, por ky ideal mbetej ëndërr pa mbështetjen e shumicës së  familjeve të mëdha.

Kjo  traditë  nuk  është ndeshur vetëm në Shqipëri, por kudo në botë. Janë të famshme dinastitë Habsburgë, Burbonë, Kromwellët, Plantagenetët, traditë që u transferua në  Amerikë, me  Rokfellerët, Riçardët, Bushët, Trampët etj .

Populli ynë  e  ka vlerësuar normalisht  rolin e  familjeve  të mëdha. Historia  tregon se ata nuk kursyen as veten, as pasurinë. Ja si thotë kënga popullore : “Abdyl shite pasurinë, tri barrë flori. / Vajte te  Bismarku , brënda në  Berlin”…  dhe vijon me bisedën te  Bismarku .

Mustafa (Kruja ) Merlika nuk trashëgoi  pasuri  as  flori, por vuri në shërbim të atdheut atdhedashurinë, fizikun, mëndjen, karakterin, përgatitjen e gjithanshme intelektuale–profesionale, gjithçka që kishte. U bë fatos, që e rriti vegjëlia krutane e Skënderbeut. Mustafai e rriti namin atdhetar në nivelin e familjeve më të mëdha të  kombit. Un mendoj se perpara  monumentit të A. Zogut, meriton të ngrihet   shtatorja e Mustafa Krujës. Ai ishte një  atdhetar kristal dhe erudit .

Rivendosja e sistemit  pluralist, midis  shumë transformimeve  sociale, solli mundësinë  e  një diskutimi të gjërë akademik dhe shoqëror, për deformacionet, që i u bënë  historisë së kombit nga ideologjia ekstremiste e Enverit. Një ndër pikat më të nxehta të këtij diskutimi vijon të jetë në se shqiptarët duhej të krijonin dhe  të bënin funksionale  qeverinë nën pushtuesin. Mendimet e historianvëve në këtë pikë janë të kundërta dhe  pak bindëse.

Un kam shkruar  disa libra politiko-bujqësorë dhe më është dashur të vendos një sfond historik  për çdo ngjarje. Në këtë periudhë kanë ushtruar veprimtari shumë specialistë dhe shkencëtarë bujqësorë të brezit intelektual të viteve 30 të  shekullit të kaluar. Kjo nuk ishte një periudhë e shkurtër tranzitive, që mund të përballohej me sakrifica momentale që sjell lufta në kalim. Si do të përballohej kjo periudhë kaq e  gjatë dhe me aq privacione, që sillte gjëndja e luftës ? Për mendimin tim, disa historianë  gabojnë në përceptimin praktik të kësaj periudhe. Ata flasin për periudhën përpara dhe pas luftës, duke krijuar përshtypjen se lufta  ka vijuar një natë të vetme por,  fatkeqësisht lufta zgjati 6 vjet. Në këto vite njerëzit duhej të punonin, të zhvillonin ekonominë,  tregëtinë, të martoheshin, të riprodhoheshin. A ishte e nevojshme që kjo periudhë të kishte një aparat administrativ, i cili të mbarështonte jetën ekonomike, arsimin, kulturën, rendin publik etj. ? A ishte më mirë për shqiptarët që këtë funksion t’a kryenin pushtuesit me njerëzit e tyre ? A nuk ishte më mirë për qytetarët shqiptarë të gjenin në zyrat e Shtetit, në të gjitha nivelet, nëpunës shqiptarë ? Është  pika më  nevralgjike, ku  historianët  kanë gabuar dhe vijojnë të mos korigjohen. Vazhdon të gjykohet me  pasione.

Pjestarët e qeverive, natyrisht duhet të analizohen politikisht dhe do të vlerësohen  se sa i ka shërbyer Vendit puna e tyre. Ky kriter ka qënë dhe mbetet një detyrë  e historianëve objektivë e jo të politizuar.  Nuk mund të ketë personalitet që, në punën e tij të mos ketë  luhatje ose gabime njerëzore, qofshin ato dhe bindje, që lidhen më luftën “nacional- çlirimtare”, që kishte  edhe elemente  te  një luftë civile për marrjen e pushtetit në përfundim të luftës botërore. Më duket se historianët zyrtarë, që prej 70 vjetësh, kalojnë në heshtje gati gjysmën  e periudhës së pushtimit, që nuk pati luftë, pa shpjeguar motivin. E vërteta është se lëvizja komuniste, e cila vetëm në nëndorin e vitit 1941 arriti të organizohej nën drejtimin e Miladin Popoviçit dhe të Dushan Mugoshës, deri në 22 qershorin e atij viti, nuk foli kurrë për luftë kundër pushtuesit, edhe se Vendi ishte pushtuar më 7 prill 1939. Kjo ndodhte sepse mes Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik kishte një pakt mos-sulmimi. Kur Hitleri e prishi në mënyrë të njëanëshme këtë pakt, duke sulmuar mbishtetin komunist, urdhëri nga Moska erdhi për të luftuar.

 

 

            Interesat e Shqipërisë n’atë periudhë nuk pajtoheshin me âta të komunizmit ndërkombëtar dhe aleatëve të tij të rinj. Nacionalizmi shqiptar kishte arritur të realizonte, në sajë të fitores gjermane në Ballkan, bashkimin kombëtar që ishte ëndërra e tridhjetë viteve të shtetit të pavarur. Administrata shqiptare u shtri në të gjitha “tokat e lirueme” dhe shkollat shqipe u hapën në të gjitha trevat arbërore , me përjashtim të Çamërisë. Nga ana ekonomike Shqipëria ishte Vendi që e kishte ndjerë më pak se gjithë Vendet e tjera peshën e luftës. Treguesit ekonomiko – financiarë flisnin për një përmirësim të ndjeshëm të jetës shqiptare. Por me krijimin e PKSH të markës serbe të gjitha këto arritje viheshin në pikëpyetje. Këtu hyn në skemën e pushtetit Mustafa Kruja që deri atëhere kryesonte Institutin e Studimeve Shqiptare. Si një politikan largpamës e kuptoi më shpejt se të tjerët rrezikun që i kanosej Vendit të tij. Vendosi të pranojë formimin e Qeverisë, të cilën Konti Ciano në kujtimet e tij e quajti “një lëshim i mëtejshëm ndaj ekstremizmit të nacionalizmit shqiptar”. Më pëlqen  të citoj këtu  publiçistin dhe shkrimtarin Ilir Ikonomi që në parathënien e vëllimit, gati 700 faqesh, “Gjysmë shekulli me pendë në dorë”, e trajton kështu këtë çast tepër përcaktues të jetës  së kryeministrit të XVI të shtetit shqiptar :

            “Në fund të vitit 1941, kur Shqipëria ishte e pushtuar nga fashizmi, Mustafa Kruja pranoi postin e kryeministrit. Mund të debatojmë sa të duam nëse ky ishte një gabim apo një veprim i mënçur n’atë kohë kur nuk kishte zgjedhje të lehta. Por, gjatë pak më shumë se një viti në krye të qeverisë, ai tregoi me vepra se, në mendimin e tij, ideologjitë nuk ishin veçse sende kalimtare dhe se atdheu ishte rrapi madhështor që i pështillte të gjitha nën hijen e vet.

            Merlika nuk u bë kurrë fashist. Ai mbeti shqiptar, po të gjykojmë nga fryma e shkrimeve dhe fjalimeve të tij..”

            Gjykimi i Z. Ikonomi është për t’u përgëzuar për objektivitetin e tij shkencor, larg skemave tabu të ideologjizuara të historiografisë së 70 vjetorit komunist e mbas komunist.

  1. Kruja  karakterizohej nga   antikomunizmi permanent. Bindjet e tij  antikomuniste  flasin për një kulturë solide të tij, që  arriti të parashikojë të keqen (vendosjen e  komunizmit dhe pasojat e tij shkatërrimtare për kombin shqiptar), përpara se ajo të ndodhte. Filozofia e tij u provua  me rënien e murit berlinez, 45 vjet më vonë. Parafytyro cili ishte  Mustafa krutani dhe formimi i tij filozofik !

Përsëri po i a le fjalën studjuesit Ikonomi :

Viti 1942 ishte kohë lufte. Ishte edhe një kohë kur komunizmi kishte filluar të shihej nga një pjesë si ilaçi çudibërës që do të zgjidhte të këqiat e botës. Këtë iluzion të kuq e përqafuan qindra mijra njerëz në Evropë, të cilët ose nuk i dinin ose i mbyllnin sytë përpara krimeve që bëheshin brënda gulagut të madh sovjetik.

            Prandaj, është meritë për ata intelektualë në Shqipërinë e vogël, që jo vetëm nuk u infektuan, por u përpoqën të gjejnë mënyra për t’i dalë përpara rrezikut. “Shihni në ksulat e çetnikvet të këtyne idealistave palaço shqipen dykrenare me nji hyll të kuq në mest. E kanë bâ gati edhe flamurin e asaj republike të kuqe”, tha Merlika në të njëjtin fjalim të vitit 1942. Parashikimi ishte i saktë. Madje, republika e kuqe në Shqipëri rezultoi më e egra e Evropës Lindore”

Vërtetësia e argumentit të analizës së Ikonomit besoj se nuk ka nevojë për asnjë koment. Por kuadri i asaj analize mendoj se duhet plotësuar me një paraqitje të shkurtër të vendimeve kryesore të Qeverisë Kruja. Ja, simbas një tjetër studjuesi të ri të historisë së qeverivet shqiptare të shtetit të pavarur, z. Roland Qafoku, disa nga ata vendime në librin mjaft interesant e objektiv “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë” :

Më 23 prill 1942, kryeministri Mustafa Kruja detyroi italianët që të hiqnin fashot e Liktorit nga flamuri kombëtar.

            Vendim që financat t’i kalonin Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare. Krijimi i Ministrisë së Tokave të Lirueme në vend të Komisariatit të Lartë për Kosovën dhe Dibrën. Bashkimi i Plavës dhe Gucisë me tokat shqiptare.

            Vendim për shpëtimin e 300 familjesh hebreje, duke i pajisur me dokumenta shqiptare dhe duke i strehuar në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut. Operacioni u krye me sukses edhe me miratimin e Mëkëmbësit Jakomoni.

            Vendim për kthimin në Shqipëri të të gjithë intelektualëve që ishin internuar.

            Vendim për mobilizimin e ushtarëve të datëlindjes 1920, sidomos për mbrojtjen e Kosovës.

            Vendim që të dërgoheshin në Kosovë mësues dhe juristë për hapjen atje të shkollave dhe gjykatave shqiptare.

            Vendim pwr ndihmë banorëve në zonat e dëmtuara nga tërmeti në Dibër

            Vendim për heqjen e kompetencave të këshilltarëve italianë në minisritë.

            Vendim për heqjen e italishtes si gjuhë e detyruar në shkollat fillore.

            Vendim për dënim me vdekje për çdokënd që kapej me armë pa leje në objektet strategjike të shtetit.

            Vendim për amnisti të gjërë për pjestarët e çetave që kishin luftuar kundër italianëvet.”

Këta ishin disa nga drejtimet kryesore të veprimtarisë së qeverisë Kruja, një nga më cilësoret e gjithë qeverive shqiptare. Ai brez atdhetarësh e firmëtarësh të pavarësisë flijuan të shkuarën e tyre për të shmangur rrezikun që i kanosej Atdheut në t’ardhmen. Nëse rezultuan të humbur e çmimi i asaj përgjegjësie që morën mbi shpatulla, qe vërtetë tragjik për ta dhe familjet e tyre, ndoshta dhimbja më e fortë qe paaftësia e Vendit për të kuptuar dramën e tyre. Sot duket se diçka lëviz n’atë drejtim, mbasi mund të shprehen hapur opinionet edhe kundër tabuve zyrtare të shumë dhjetëvjeçarëve. Në një program televiziv të studjuesit Qafoku, z. Artan Shkreli, këshilltar i kryeministrit Rama, u përgjigj : “Edhe un po të kisha qenë n’atë kohë do të kisha qenë kolaboracionist si Mustafa Kruja”. I këtij mendimi jam dhe unë,  besoj dhe shumë të tjerë  .

Po e zgjeroj mendimin. Jeta nuk do të ndalej  nën pushtuesin,  jo vetëm për instikt. Jetën njerëzore e rregullon ose kanuni ose ligjet nëpërmjet institucioneve. Këtë  bënë intelektualët e  përgjegjshëm  që morën pjesë në qeveritë e pushtimit. Ata  menduan një mënyrë  për vazhdimësinë  e jetës shqiptare.  Ishte e vetmja ? Logjika e  ftohtë  e pohon.  Funksionarët e  këtyre  qeverive kryen një  mision qeveritar, për  sa kohë nuk tejkaluan detyrën  politike, ndërsa detyrat ekonomike  janë gjithnjë paqësore. Duhej organizuar jetesa, vazhdimësia. Shoqëria nuk kishtë vdekur, ishte paralizuar. Duhej të ringrihej në këmbë.

Nënvizoj se në kohën e luftës  prodhimi bujqësor shtetëror u rrit, krahasuar me  vitin 1939, që ishte baza krahasuese e nisjes  dhe vijoi të kishte rritje. Përballoi nevojat e  qytetit dhe të frontit. Pse nënvizoj prodhimin bujqësor? Sepse mbi 80% e njerëzve merreshin me bujqësi. Në të tëra kohërat bujqësia ka qënë dhe mbetet tregues i  ekonomisë dhe mirëqëniss, jo vetëm shqiptare.

Për të  familjarizuar lexuesin me këtë problem, po ju përmënd  një fakt analog të freskët. Në vitin që jemi baza e nisjes, që është viti 1990, jo vetëm nuk është arritur prodhimi bujqësor, por është  shumë  më i vogë. Ky tranzicion  provoi së bujqësia është  sektori  më  i vështirë  për t’u menazhuar nga lart .

Në listën e Kryeministrave, që na ka paraqitur studjuesi i mirënjohur  R. Qafoku, vetëm nën dy kryeministra  është rritur prodhimi bujqësor : nën   Mustafa Krujën dhe nën Mehmet Shehun. Kryeministrat e tjerë kanë lojtur një rol, sa për të kaluar urën dhe t’i a dorëzonin  bujqësinë  e drobitur  pasardhësit, gjithnjë më të pa aftë.

Më thoni një krim që ka kryer me dorë Mustafa Kruja? Krimet që ka kryer individualisht  M. Shehu janë me  dhjetra. Edhe për këtë progres  ekonomiko-shoqëror  do të mbahet mënd  Mustafa Kruja, si shtetar.  Ferma “Fulltz “ vijoi të   funksiononte, si model i ekonomisë komplekse  fshatare. Në  qeveritë e pushtimit trojet arbnore  funksionuan në tërësinë e  Shqipërisë natyrale, vetëm pa  Çamërinë. Ai nuk ishte  thjesht  politikan me vizion, por ishtë intelektual erudit dhe drejtues i talentuar. Këtë cilësi të tij e njihnin bashkëkohës  dhe miqtë, madje ish ministri anglez Julian Amery e quajti “shqiptari më i zgjuar i kohës së tij”.  Ndër  Kryeministrat eruditë veçohet dhe Fan Noli, por  Ai nuk e hoqi kryqin edhe kur ishte  Kryeministër. Pretendoi se demokracia ishte midis njerëzve, kur ajo ishte e fshehur pas pusisë, nga ku duhet t’a shpëtosh me shumë  sakrifica, që Peshkopi i kishte harruar në altar.

Mustafa  Kruja njihte jetën e njeriut të thjeshtë, të tregtarit të kohës, të fshatarit të raskapitur, të fetarit, të studentit, të ushtarakut, të policit. A kishin këta një mbrojtje, një zot, një mik, një prind ?  Mustafa Kruja mendonte për të tërë, se ishte si ata, nga shtresa e tyre. Kishte zemër të madhe dhe horizont, që i mbulonte me diell të tërë ata  që qeverisi.            E rikujtova Mustafën  edhe  kur mbeta pa punë në 1992. Isha një dëng pa markë, që pret  në mol. Më braktisi shteti. Secili mund të bënte ç’të donte me mua dhe familjen time. U desh një fuqi madhore, një Mustafa Krujë, që  as nuk erdhi, as nuk  gjindej gjëkundi, për të  më  dhënë  zgjidhje.

Mustafa  Kruja nuk mori as një titull  perandorak si Spahi,  Aga  ose  Bej.  As ndonjë  dekoratë nga pushtuesit.  Mbeti krutan  dhe shqiptar pa grada dhe tuje . Mbeti shërbëtor i popullit me mëndje dhe me zemër. Ndoshta vlen të shënoj fjalët e Montanelit në intervistën që botoi në gazetën më të madhe italiane “Corriere della Sera”, më 21 maj 1942 : “ Nuk e shihnja Merlika-Krujën prej dhjetë vitesh e vura re se kishte ndryshuar fort pak. Suksesi e nderimet nuk kanë mundur të shndërrojnë natyrën e sjelljen e jashtëme të këtij burri. Është i veshur pak a shumë si dhjetë vite më parë e nuk i jepte rëndësi vetes me poza e fjalë të mëdhaja. Vazhdon të flasë me maturí, edhe se tani e zotëron italishten përsosur dhe – gjë e rrallë tek një burrë Shteti – jep përshtypjen se ajo që thotë është e vërtetë….. Ishte gjithmonë i njëjti burrë. Një burrë! ” Një portretizim i tillë, prej një të madhi të publiçistikës botërore, do të nderonte cilindo Burrë Shteti, edhe në Vendin më të zhvilluar të botës.

Për të ruajtur vazhdimësinë e kësaj origjine kohore djemtë dhe vëllezërit i orientoi, në studimet e tyre, drejt profesionevet e jo drejt politikës. Djalin e madh, Petritin,   e bëri të mësojë në Universitetin e Grènoble-it, jo për llafollogji, por për inxhinjerí, që t’i shërbente  atdheut  në frontet më  të vështira  të punës.  Ai e justifikoi  sakrificën e familjes, u diplomua  inxhinjer me diplomë të shkëlqyer. Ai nuk u diplomua vetëm  për familjen, por edhe për Shqipërinë.

Gjatë luftës pati, së bashku me dy shokë të diplomuar në Francë, një ndërmarrje elektrike, që u muar me instalimet elektrike, në Tiranë e qytete të tjera. Por ngjarjet u rrokullisën në atë mënyrë, që  Petriti  diplomën  universitare  t’a arkivonte forcërisht  dhe jëtën t’a  vijonte  në  gulagët komunistë, me gjithë bashkëshorten me origjinë  italiane, Elena, dhe  djalin e vetëm, Eugjenin. Përse ? Për arsyen e vetme se babai i tij u shpall tradhëtar i  Atdheut, edhe se  i shërbeu atij, siç  u  shpjegua më sipër.

Nën pushtuesin, shqiptarët ose duhet të vdisnin ngadalë, ose të rigjeneronin forcat progresive të mbijetesës. Këtë ua siguruan qeveritë shqiptare të  pushtimit, që i njihnin, që flisnin të njëjtën gjuhë , që ishin të një gjaku.  Si u trajtuan ato nga historiografia dihet. Historia nuk bëhet me supozime. Kush tejkalon detyrën le të përgjigjet ; ky është  ligji  historik, që ndëshkon qeveritarët kontravajtës të tëra ngjyrave politike. Edhe se këtu na del një problem, jo i dorës së dytë. Kush ka tagrin të bëjë shqyrtimin, kush e jep notën ?  Bëhet  fjalë për 6 vjet, që ishte më shumë së një dhjeta e jetës mesatare të kohës. Është periudhë e mjaftueshme  për të  gjykuar mbi këdo, me dokumenta, dëshmi, prova.

Ku e gjeta un këtë shkallë njohjeje për Mustafa  Krujën (Merlika), kur Ai ishte  më i moshuar se Babai im dhe unë jam shkolluar në të tëra etapat e shkollës enveriste, ku Mustafa  Kruja është trajtuar si kreu i tradhëtisë  ? Kjo pyetje lind natyrshëm. Për fat të mirë ose të keq, unë kam ndjekur me punë civile shumicën e  kampeve të internim-dëbimit   që funksiononin në ish fermat shtetërore të monizmit. Disa prej këtyre kampeve ishin më   liberalë, siç ishin ata të Libofshës, Shtyllas-Levan-Fier, Çermë ( Tërbuf ), Savra,  dhe më konservatorë ata të Gjazës, Plukut, Grabjanit dhe veçanërisht  Gradishtës  së  Lushnjës.  Në këto kampe kam punuar rëndë, në rolin e specialistit. Jam njohur me jetën e të internuarve  politikë dhe të dëbuarve  nga  vëndlindjet, për  të  siguruar mos arratisjen drejt perëndimit.

Në këto vëndbanime  kam jetuar me  gjithë  familjen, përjashto vetëm Plukun. Jeta ime  ndryshonte nga të internuarit, sepse nuk paraqitesha për apel dhe kryeja një punë   më të lehtë fizike se ajo për thellimin e kanaleve kullues. Bashkëjetesën me të internuar -dëbuarit e kam pasqyruar  gjërësisht në librat e mij. Po përmënd disa fise : Vrionët, Ndreu, Delvina, Kolonja, Toptani, Bitincka, Mile. Kisha miqësi me shumë të internuar, me nivel intelektual shumë më të lartë se i imi dhe që kishin kryer burgjet më të egër të Diktaturës. U miqësova me ta, për të mos thënë se u vëllazërova.

Atje mësova se historia e Shqipërisë kishte shumë ndryshime nga ajo që kisha mësuar në  shkollë. Nga goja e tyre kam mësuar cili ishte  Mustafa Kruja i vërtetë, që sqarova më sipër. Por vërtetimin e atyre bisedave që tinës i bënja me ndonjë prej atyre që kishin krijuar besim tek mua, e kam kryer duke lexuar disa prej librave që janë botuar në këta vite, dorëshkrime apo përmbledhje shkrimesh të botuara në dhjetëvjeçarë.

Djalin e Mustafait, Petritin e kam njohur fizikisht, por jo në marredhënie pune  të drejtpërdrejtë. Inxh. Petritin e kam  adhuruar prej së largu,  si shënjt të gjallë. Për ta  ditur cili ishte ky burrë, po sjell në mëndje portretin e tij : trup mesatar, i drejtë, serioz, i heshtur,  njerëzor. Ndiqte rrugën nga shtëpia në ofiçinën – Pluk dhe kthim. Përpara bangos së punës vishte pelerinën dhe fillonte frezimin e cilindrave dhe pistonëve, për të rigjeneruar  mjetet mekanike  të ish fermës. Merrte porositë me shkrim dhe kështu i dorëzonte te përgjegjësi i ofiçinës. Nuk komunikonte me askënd brënda orarit të punës, madje edhe jashtë  saj.

Kisha tentuar të bisedoja kalimthi ndonjë problem pune, por më kishte adresuar te  Përgjëgjësi, Tune Harshorva. Këtë komunikim e bënte me secilin nëpunës, që e pyeste, qoftë dhe drejtori. Siç e gjykoj sot, kjo ishte një lloj bindje. Ndaj atij shteti aksidental  duhet të dyshoje dhe  te vetvetja. Por ndoshta mund të ishte edhe një shfaqje e idesë së respektimit të rregullave, me të cilën ai ishte edukuar që në fëmijëri në kolegjet italiane.

Kurrë nuk më dha të njohur direkt, pavarësisht  se këtë njohje e kam  dëshiruar, jo për të biseduar për shokët e tij të burgut, por për të njohur  në bisedë një enigmë  të  gjallë njerëzore. Ai fliste me heshtjen e tij. Ishte  heshtje proteste. Ajo heshtje fliste më shumë se çdo ligjëratë. Qëndrimi i Petritit në Pluk – Lushnjë është  legjendë  e pa përsëritëshme e një intelektuali të  shquar që  jeton në një mjedis të  sëmurë.

Ajo fermë –lubi  kishte mbi një mijë mjete mekanike lëvizëse . Një ditë të mos punonin mjetet ferma falimentonte. Zëmra  e ofiçinës që mirëmbante mjetet ishte retifika, një frezë e preçizionit të lartë. Një devijim,  sado i vogël, në retifikimin e këmishës  kushtontë  shkatërrimin e motorrit. Të kuptohemi,  jo retifika si instrument, por manovruesi i saj e kthente motorrin në të ri. Saktësia e  inxhinjer Petritit ndante fijen metalikë  sa fija e flokut për së gjati. Pa  retifikën e  Merlikës  ofiçina nuk mund të funksiononte. Këtë m’a kanë pohuar inxhinjerët mekanikë, m’a konfirmojnë dhe sot  në bisedat tona, këtu ku banojmë.

Petriti  me familjën jetonin të internuar në qytezën bujqësore të  Plukut, 5 Km. larg  Lushnjës, ku  unë u emërova përgjegjës i  sektorit  bujqësor (1975 -1978) . Në  këtë sektor  gjeta një situatë inkandeshente të luftës klasore. Dy agronomë të sektorit, nga tre që ishin gjithsej, ishin të pushuar nga puna për motive politike. Ishin miqtë e mij dhe  bashkëstudentë. Donika  Vrioni (Omari ) ishte  nënë e dy fëmijëve por  rrinte pa rrogë,  kur edhe me rrogë  me vështirësi sigurohej mbijetesa. Se cila ishte kjo zonjë, mjaftojnë të dy mbiemrat që mbarte mbi vete. Agronom Javer Halili kishte gati 28 vjet që punonte në  fermë, por ishte  vëllai i kulakut të  Bençës në Tepelenë. Kur ndaj dy specialistëve të lartë, qytetarë të lirë mbahej ky qëndrim, kuptohet lehtë cila ishte sjellja me  të internuarit.

Ishte shumë e rëndë që unë të dystohesha në karriken e zyrës dhe bashkëstudentët të vuanin për bukën e gojës. Unë kisha  firmën, që  shpenzoheshin paratë dhe jepja frontet e punës për puntorët, në një qytezë me  trimijë banorë. Dy kolegët e mij  rrinin pa punë dhe unë nuk isha në  gjëndje t’i ndihmoja. M’u mërzit jeta ! Të  ktheja  këta në punë  do të armiqësohesha me Byronë e Partisë të sektorit dhe me Komitetin e partisë së  ndërmarrjes, që bënin  ligjin real në qytezën politikisht të elektrizuar. Shumë e ngarkuar ishte jeta  emocionale  në vitet e ashpra të luftës klasore. Vijova të ecja bashkë me ta, në një hapësirë  të  marrë po thuaj me akord, shtruar me gozhdë .

Një pjesë të  fiseve të internuara i njihnja, si Barollët dhe Kollçinakët, sepse me të  afërt të tyre kisha banuar familjarisht në Çermë (Tërbuf). Këtu banonin edhe  familje të panjohura për mua, si  familja  Kurt  Kola dhe  shumë të tjerë. Mësova  se në këtë   lagje  banonte  familja  Petrit  Merlika. Familja  punonte  diku në brigatën e katërt të fushës.      Unë  nuk mund të lëvizja punëtorë nga brigata e katërt për në një brigatë homologe, edhe se kompetenca ligjore fliste ndryshe. Jo vetëm detyra ime por çdo detyrë shtetërore   kishte kuptim të dyzuar. Do punoje më krahët e tua dhe do mendoje me mëntë  e shtetit. Kjo ishte  diktatura  që na sundonte.

Duke pasur dijeni të saktë për familjen Merlika më dhimbsej Eugjeni, me fizik delikat, maturant i shkëlqyer i gjimnazit të Lushnjës,  përditë  punonte me normë në kanale dhe proçese të tjera të vështira bujqësorë. Shumicën e herëve nuk e gjeja në brigatë, sepse ishte në frontin e punës. Brigadjeri më pati thënë se çdo ditë merr me vete belin dhe librin.   Shfrytëzon çdo pushim, sado të vogël, për të studjuar. Studjonte  pa ndërprerje. Nuk mund  të jetonte pa studjuar, por studjonte pa jetuar plotësisht i lirë. Studimi i u bë natyrë e dytë, pjesë e karakterit.  Nuk e pashë asnjëherë rrugëve. Për  klubin nuk bëhej fjalë.

Shkolla e mesme  kryen formimin intelektual të njeriut. Ajo të  rrënjos dëshirën  për dituri  të mëtejshme, sepse të mëson se dituria është pa fund.  Shkolla e lartë, kryesisht,  i jep njeriut specializimin  profesional. Eugjeni po plotësonte veten me studim individual   intensiv.  Diplomës  së shkëlqyer të maturës, po i bashkëngjiste një univers  të pakufishëm të vetaftësimit intelektual dhe i a arriti t’a bëjë në mënyrën më të plotë të mundëshme.

Në të tëra kampet e internim-dëbimeve, në të cilët kam banuar, kam vërejtur  se banorët e lirë janë përkujdesur, solidarizuar, i kanë ngushulluar, heshtazi dhe drejtpërdrejt   të internuarit. Nuk mbaj mënd  as një  zënkë, ngacmim, as një sherr. Nuk bëhet  fjalë  për krime, qoftë dhe ordinere. Psikologjia popullore  është më fisnikja  dhe më  e  gjëra.

Në se ka ndonjë njeri që njoh, që ka sfiduar totalisht mungesën e arsimit të lartë, ai është studjuesi, publiçisti, analisti, historiani Eugjen Merlika. Ai dhe sot më shumë lexon se sa shkruan. Këtë e dëshmon niveli shkencor, gjuhësor  dhe letrar i veprës së tij,   të shkruar në vitet e  rivendosjes së pluralizmit në Shqipëri. Eugjeni është një nga firmat më të  shquara të shkrimeve  studimorë, historikë, kujtime, kritika letrare, përsiatje. Të tëra shquhen për thellësi mendimi, objektivitet të analizës, ndjenjë njerëzore  dhe vërtetësi të dokumentuar.
Një  vepër e shquar e Eugjenit  është drita që  hodhi mbi  veprimtarinë jetësore dhe intelektuale të  Mustafa Krujës. Ai nuk ishte vetëm  gjyshi, por një  firmëtar i Pavarësisë,  një atdhetar i vendosur, një pionier i përparimit në rrugën perëndimore të kombit, një luftëtar i paepur i bashkimit të tij, një nga njerzit më të ditur e më përfaqësues të tij, një gjuhëtar, një historian, një publiçist, një politikan vizionar e largpamës,  që u përbalt padrejtësisht  gjatë 50 vjetëve, duke u cilësuar si tradhëtar i kombit nga ata që kombin e bashkuar, edhe për meritë të tij, i a dorëzuan, sa hap e mbyll sytë, komunistëve serbë.  Me këtë frymë u edukuan tre breza shqiptarësh.

Nuk është e lehtë të përgënjeshtrosh një maqineri rrene të mirëmënduar dhe të lubrifikuar shtetërore dhjetravjeçare. Eugjeni, ashtu sikurse të tjerë studiues seriozë,dhanë ndihmesën për t’i paraqitur shqiptarëve në dritën e saj të vërtetë figurën e Mustafa Krujës.                         Eugjeni vijon të shkruajë dhe të botojë në shumë gjini. Ende ka pa prekur  linjën e  tij të mëmësisë, por është duke punuar për pregatitjen e një vëllimi të publiçistikës së gjyshit të tij, gazetarit të njohur në çerek shekullin e parë XX, kolonjarit Sotir Gjika, veprimtaria e të cilit u zhvillua më shumë në SHBA dhe n’Itali, ku ai jetoi 15 vitet e fundit të jetës, duke krijuar familje e duke marrë nënshtetësinë italiane.

Vepra e Eugjenit është shumë e besueshme për brezat, sepse është pena, që ka  lindur, është rritur dhe ka qëndruar ndaj  enverizmit  shqiptar,  pa kompromis.  Ai shkruan  dhe për demokracinë e brishtë çerekshekullore, që bart të meta të pafalëshme . Versionet e  kritikuara dhe të tjera të propozuara nga Eugjeni, i gjen rrallë  edhe në  autorë  me emër dhe grada. Nuk mund të jetë ndryshe.

Nuk pata imagjinuar se  Eugjeni do të gjente energji, dije e vullnet për të  sjellë  familjen gjyshërore në vëndin e merituar në altarin e familjeve të mëdha, i mohuar pa të drejtë nga brutaliteti komunist. E ndjej veten krenar për Eugjenin, ish bashkëbanorin tim të Plukut në  Lushnjë. Falënderoj  profesor Thanas Gjikën dhe publiçisticin  Roland  Qafoku,  që më nxitën të publikoj mendimet,  të përjetuara  gjatë, për familjen e nderuar  Merlika.

Nuk e quaj jashtë kontekstit, po qe se paraqes disa konsiderata  për shtresën e  nderuar të të përndjekurve politikë të komunizmit, me të cilët kam bashkëbanuar familjarisht. Kjo shtresë e përvuajtur pati fatin më të rëndë në shoqërinë komuniste shqiptare. Përveç vuajtjeve, i dhanë shumë shoqërisë me punën e detyruar në  veprat publike. Krijuan më shumë se një  Shqipëri  që gjetën.

Drejtuesit e organeve të kësaj shtrese  i kanë mëshuar më shumë dëmshpërblimeve  se sa  mundësive, që duhej të krijoheshin për integrimin e shtresës në  politikë  dhe qeverisje.  Të njëjtën vëmëndje duhet të tregojnë për pastrimin e  kësaj shtrese nga  njerëz të burgosur  pa motive politike  dhe pa moralin qytetar e  që dëmtojnë imazhin e saj.   Përpjekjet individuale, kur bëjnë  të tërën, janë me efektivitet të lartë. Eugjen  Merlika  i kërkoi të tëra nga vetja, duke u bërë shëmbull frymëzues  për të tërë shtresën .

E thënë troç : duhet të gjendet mekanizmi  për  të vendosur  në poste drejtuese dhe ligjvënëse njerëz realisht  të integruar të kësaj shtrese, përfshirë dhe pasardhësit e shkolluar. Kjo shtresë nuk ka nevojë vetëm  për  dëmshpërblim.  Ajo është  sakrifikuar, për   shtetin  ligjor europjan.  Duhet të bëhet e qartë se shtresa e të përndjekurve  e vlerëson më shumë se kushdo lirinë, demokracinë dhe urren realisht keq qeverisjen  dhe  korrupsionin. Faturën e pabarazisë skajore  e kanë paguar ata.  Në këta kushte  brezi i  moshuar duhet të  bëhet  i ndërgjegjshëm  për dorëzimin e stafetës  në duart e brezit erudit, kryesisht të të përndjekurve të integruar dhe  të  shkolluar. Duhet të zbatohet një program reformator, që të  mohojë  të kaluarën e hidhur edhe të këtij  tranzicioni iluziv.

Illo Foto / Studjues- NY- Prill -2016


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1886

Trending Articles



<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>